Fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë prezantimit të projekteve të reja zhvillimore për Beratin:
Përshëndetje të gjithëve dhe shumë faleminderit për praninë tuaj!
Sot, ne vazhdojmë aktivitetet në kuadrin e fushatës së llogaridhënies publike të qeverisë pas periudhës së parë të këtij mandati dhe në prag të mbylljes së sesionit të parë të kësaj Legjislature, me qëllim që të komunikojmë drejtpërdrejtë me njerëzit lidhur me çka kemi bërë dhe me çka duam të bëjmë, por edhe të dëgjojmë. Pavarësisht se atyre që e ndjekin nga larg këtë proces mund t’iu duket si një ushtrim formal, e vërteta është që nga të gjitha këto kontakte, ne dëgjojmë edhe probleme konkrete dhe zgjidhim probleme konkrete. Çdo aktivitet, i përbërë nga një numër i caktuar kontaktesh, qoftë kur jam unë, qoftë kur janë ministrat apo zëvendësministrat, ka një aspekt shumë pozitiv, që ka një sërë problemesh konkrete të zgjidhura, probleme individuale, apo probleme komunitetesh.
Më vjen shumë mirë që në Berat po duket qartë e më qartë ajo që patëm thënë qysh në fillim, se potenciali i jashtëzakonshëm ekonomik që ka kjo zonë për shkak të trashëgimisë natyrore dhe për shkak të bukurive natyrore do të mund të nisë dhe të çlirojë me Programin Kombëtar të Rilindjes Urbane. E vërteta është që një shtëpi që kushtonte mesatarisht 8-10 mijë euro në zonën historike, sot kushton 65-75 mijë euro. Kemi një rritje të jashtëzakonshme të vlerës së pasurive të patundshme, si rezultat i një rritjeje të madhe të kërkesës për ta vënë në shfrytëzim këtë pasuri të patundshme, që vjen drejtpërdrejtë si rrjedhojë e faktit se ka një transformim të rëndësishëm në të gjithë zonën dhe posaçërisht në këtë qytet, që po sjell një rritje eksponenciale të numrit të turistëve. 13 mijë ishin turistët e numëruar në vitin 2013 dhe 74 mijë vitin e shkuar.
Këtë vit, projeksioni është që numri i turistëve të kalojë 100 mijë.
Kalimi i numrit të turistëve mbi 100 mijë do të thotë më shumë ekonomi, më shumë biznes, më shumë mundësi punësimi dhe detyrimisht edhe më shumë investime, jo vetëm nga ana e sektorit privat, por dhe nga ana e qeverisë dhe bashkive. Po kështu është fakt që po të shikojmë numrin e biletave të shitura në Muzeun Onufri, kemi një 7-fishim. Po kështu është fakt që po të shikojmë numrin e bujtinave dhe të hoteleve, kemi dyfishim. Kishim 34 hotele dhe bujtina të vogla dhe sot jemi afër 60-ës, pra, jemi në kushtet kur po përjetojmë një proces transformimi të rëndësishëm që është në hapat e parë dhe që do të sjellë një fuqizim të rëndësishëm ekonomik dhe një rritje të punësimit përmes sipërmarrjes individuale dhe sipërmarrjes, në qytet dhe në fshat.
Tani ka ardhur koha të hyjmë në një fazë të re edhe me zonën rurale në drejtimin e turizmit. Zona rurale ka në një pjesë jo të vogël të saj një zhvillim të mirë e të vazhdueshëm nga pikëpamja e zhvillimit bujqësor. Ajo që besoj do të jetë shumë domethënëse për të gjithë ata që kishin humbur besimin te skemat e mbështetjes është se kemi pasur 30% më shumë aplikime për skemat e mbështetjes financiare për fermerët dhe 90% e aplikuesve do fitojnë. Është një ndryshim kolosal nga periudha e mëparshme, kur me skemat kishte ndërhyrje dhe deformime, që sollën si pasojë edhe humbjen e besimit të shumë njerëzve, pasi u krijua perceptimi se skemat ishin të influencuara dhe orientuara politikisht. Nuk ka më diçka të tillë. Sfida jonë është që të shtojmë më tutje volumin e mbështetjes për prodhuesit dhe për agropërpunuesit.
Ne duam që të fuqizojmë turizmin. Turizmi është një industri fituese, është një investim fitues. Turizmi është një drejtim fitues për shtetin, për ekonominë lokale dhe për ekonominë familjare të atyre që mund të jetojnë sot në zona të thella e që janë në pamundësi për t’u bërë pjesë e rrugëve të zhvillimit intensiv të bujqësisë, në territore ku deri dje ka pasur një blegtori të organizuar në kooperativa dhe ku sot vetëm mbijetojnë. Kjo mund të arrihet përmes agroturizmit.
Agroturizmi është rruga për të dalë nga varfëria në çdo zonë rurale, ku mundësitë e tjera janë të kufizuara, por ama ku ka bukuri natyrore dhe këtu as nuk vihet në dyshim kjo, ku ka traditë mikpritjeje dhe këtu as vihet në dyshim kjo dhe ku ka thjesht dhe vetëm një vizion të thjeshtë, një kurajo të mjaftueshme dhe një vullnet të madh për t’i transformuar shtëpitë dhe fermën e vogël, që sot është thjesht fermë mbijetese për njerëzit që jetojnë në këto zona, në strukturë mikpritjeje, në bujtinë.
Ne nuk do t’i lëmë vetëm njerëzit në këtë proces. Ne do të mbështesim që tani, të gjitha ato familje që do të kërkojnë një mbështetje financiare për të bërë rregullime, për të bërë zgjerime, për të rritur numrin e dhomave në dispozicion dhe për të investuar në mikrofermën e tyre. Duke krijuar një infrastrukturë që sjell njerëz aty ku përndryshe nuk vjen të shkelë këmbë njeriu, e cila e çan izolimin, pasi nuk është më nevoja që ata që jetojnë në atë zonë të marrin rrugën për të gjetur një punë, nga e cila nuk i merr kurrë ato që mund të marrë duke mos lëvizur nga shtëpia dhe e cila krijon një mundësi zinxhir, pasi përfshin në aktivitetin tënd edhe të tjerët rreth e rrotull, duke rritur nevojën për furnizim dhe për konsum dhe duke krijuar kështu situata komplet të reja.
Kjo që po them nuk është një ëndërr e parë me sy mbyllur, por është një ëndërr e realizuar nga shumë vende të tjera. Italia ka një histori të jashtëzakonshme transformimi të nivelit të mirëqenies në zonën rurale, pikërisht sepse investoi shumë fort tek agroturizmi. Është një proces, i filluar në vitet ‘80 në Itali, për të përballuar një disnivel të madh midis zonës rurale dhe zonës urbane dhe për të ndihmuar rritjen ekonomike familjare dhe komunitare në ato zona ku zhvillimi intensiv bujqësor është i pamundur për 1001 arsye.
Por nuk kemi pse shkojmë deri në Itali. Kemi këtu në Shqipëri shembuj, – të mjaftueshëm për të kuptuar sesi ndodh kjo, – njerëzish të kthyer nga emigracioni në fshatin nga ku janë larguar dhe kanë transformuar struktura të vjetra, të degraduara, të shtëpive të tyre, apo stalla të marra fund, që nuk kanë më asnjë lloj aktiviteti, apo pika të tjera të degraduara, në agroturizëm. Po ju them që kanë fitime shumë më të larta, sesa edhe lokale në mes të Tiranës, pasi garantojnë fluksin e njerëzve që vjen atje. Të tilla ka me pikatore, por në të gjithë Shqipërinë.
Ne duam që kjo të kthehet në tendencë dhe duam ta mbështesim këtë tendencë. Për ta mbështetur këtë tendencë, jo vetëm që do të japim financime për ata që do të hedhin hapin e parë, do paraqesin projektin dhe të thonë kam nevojë për 10, 15 apo 20 milionë lekë të vjetra, apo qoftë edhe 100 e 150 milionë lekë, në varësi nga se si është projekti, për të përmirësuar strukturën, për ta vënë atë në punë dhe nga ana tjetër, duke iu bërë disa lehtësira të mëdha fiskale; do ta kenë TVSH-në vetëm 6%, njësoj siç do jetë për hotelet me 4 dhe me 5 yje, lëvizje që na ka sjellë një rritje të madhe të interesit edhe në kushtet kur Shqipëria po bëhet gjithmonë e më interesante nga pikëpamja e turizmit; TVSH-në 6%; Tatim-fitimin vetëm 5% dhe asnjë lloj ngarkese tjetër. Që do të thotë se krijohet një hapësirë e madhe për të nxjerrë shpejt fitimet e nevojshme dhe për të riinvestuar, duke krijuar punë për vete dhe për njerëzit rreth e rrotull në fshat.
Sot kemi 3 projekte të Programit të Rilindjes Urbane që janë finalistë në çmimin e madh europian për hapësirën më të mirë publike të ndërtuar në gjithë Europën për vitin 2017 dhe çmimi është në 2018-n; sheshin Skënderbej, Lungomaren e Vlorës dhe shëtitoren bregdetare të Himarës. Që do të thotë se Programi jo vetëm ka funksionuar këtu, por ka dhënë rezultate që janë të niveleve të larta europiane.
Unë nuk e di nëse një nga tre projektet tona do të jetë fitues i çmimit, por dhe me kaq, që Shqipëria të ketë tre projekte të realizuara që vlerësohen në 25 realizimet më të mira në Europë dhe imagjinoni sa mijëra e mijëra projekte bëhen në Europë në hapësirën urbane, kjo ka një domethënie shumë të madhe dhe mbi të gjitha ka një domethënie që lidhet me vlerën dhe impaktin e madh të këtyre projekteve në ekonomi.
Shumë shpesh kemi dëgjuara të thonë “fasada, zbukurime, pllaka, palma”, por këto janë ekonomi. Investimi tek e bukura është ekonomi, nuk është thjesht zbukurim. Berati është një shëmbëlltyrë, Gjirokastra është një shëmbëlltyre. Vlora, tani që flasim, disa miq më çuan disa fotografi, është plot me turistë të huaj. Duke ardhur për në sallë këtu, unë pashë plot turistë të huaj duke ndenjur nëpër kafenetë anës bulevardit. Ndërkohë që përpara disa vitesh, aty ishte një rrugë me asfalt, e shtruar që në vitet 70-të dhe as nuk mund të imagjinohej të shikoje turistë të huaj duke konsumuar kafe në anë të rrugës. Janë zhvillime që ne do t’i çojmë më tutje dhe do të bëjmë disa projekte të reja.
Ne kemi bërë gati një paketë të re rreth 64 milionë euro, të përqendruar për Qarkun e Beratit, për Qarkun e Gjirokastrës, Qarkun e Korçës dhe Qarkun e Shkodrës. Fjala vjen, e kam dëgjuar historikisht që kërkohej dhe premtohej dhe nuk u bë kurrë, rruga që shkon deri në Drobonik është një aks me vlera të jashtëzakonshme për nga pikëpamja e zgjerimit të mundësive për të pasur akses tek bukuritë, por është edhe një aks me vlera të jashtëzakonshme për të ndërtuar agroturizëm. Po kështu rruga që lidh Lumasin me Kuçovën. Duhet të transformojmë komplet kalanë. Edhe infrastruktura brenda kalasë ka akoma nevojë dhe të krijojmë një fond mbështetje për të gjithë ata që duan të dalin vetë nga varfëria, nga papunësia duke transformuar shtëpinë e tyre në agroturizëm, mikrofermën ta kthejnë në funksion të agroturizmit dhe kështu do të ndërtojmë procese që do të na sjellin shumë të dhëna ekonomike pozitive në të ardhmen.
Sot ishim edhe në panairin e punës. 300 vende të lira pune të të gjitha llojeve. Një pjesë e punëve dhe pjesa më e madhe ndoshta janë me paga më të ulëta, ama gjithkush që e fillon dhe e fillon nga zero merr edhe një trajnim. Ajo për të cilën ankohen të gjithë është ajo për të cilën shumë njerëz qeshin me atë shprehjen e Blendi Klosit, që punë ka, por nuk ka profesionistë, është se nuk ka aftësi për punë, në kuptimin e dijeve minimale dhe kush hyn në punë me një rrogë të vogël, pa ditur asgjë dhe merr një trajnim, sa për të filluar punën, ka gjithmonë mundësinë që të rritet. Por në atë panair ka punë për inxhinierë, për financierë, për IT, ka punë për shefa shitjesh, që janë punë me rroga mesatare dhe që janë rrogat mesatare të Republikës së Shqipërisë. Për më tepër, çfarë ka ndodhur, është se ka filluar kthesa e atyre që ishin mësuar të jetonin me ndihëm ekonomike dhe të rrinin e të ngroheshin në atë sobën e varfërisë, pa menduar për të dalë prej saj, të cilët po orientohen gjithmonë e më shumë drejt punës.
Ne kemi vendosur dhe kemi bërë një proces të ri me objektiva. Çdo zyrë pune në Republikën e Shqipërisë ka objektiva sa njerëz duhet të futen në punë çdo muaj dhe ka detyrimin që të shkojë mbrapa e t’i ndihmojë deri kur realizon objektivin. Edhe këtu në Berat, të gjitha zyrat i kanë realizuar objektivat deri më tani që flasim dhe në rang vendi, në mars, prill dhe maj kemi prekur 10 000 të punësuar vetëm nga zyrat e punës. Objektivi final është 25 000 këtë vit, që do të jenë rezultat vetëm i negocimit dhe insistimit të zyrave të punës, pa llogaritur se çfarë mund të futen të tjerë në punë jashtë këtij sistemi, që kanë lidhje të drejtpërdrejta, apo që hyjnë vetë në kontakt me biznesin. Berati ka nevojë për punë, në Berat ka njerëz që janë të papunë, por rruga është kjo.
Beteja është që të rrisim rrogat. Beteja është të rrisim cilësinë e vendeve të punës. Kjo mund të ndodhë vetëm duke rritur ekonominë dhe ekonominë do ta rrisim duke fuqizuar burimet e rritjes. Një nga burimet kryesore të rritjes në Shqipëri është turizmi.
Ashtu sikundër, nëse do verifikohet deri në fund të vjeshtës se zbulimi i Shelli-it është i komercializueshëm. Aty nuk ka asnjë dyshim që është zbuluar një sasi e konsiderueshme nafte dhe gazi, mendohet që aty ka gaz më shumë sesa çfarë Shqipëria ka nevojë të marrë nga TAP-i, por pyetja që kërkon përgjigje është nëse kjo sasi mund të dalë në treg. Që do të thotë se, nëse kostoja e nxjerrjes nga një thellësi e konsiderueshme është e arsyeshme dhe fitimi i kërkuar është i mundshëm, sigurisht Shqipëria hyn në një tjetër botë nga pikëpamja e ekonomisë, pasi bëhet fjalë për një pasuri që shtohet dhe për të ardhura që do të rriten shumë më shpejt në 10 vitet e ardhshme, duke filluar nga viti i ardhshëm, kur mendohet që po doli nafta e komercializueshme, do të fillojë dhe tregtimi i saj. Por kjo është, si të thuash, një as nën mëngë, që mund të dali, ose mund të mos dali nga mënga, do ta shikojmë deri në vjeshtë.
E rëndësishme është që ne të fuqizojmë burimet konkrete që kemi të rritjes ekonomike dhe të rrisim punësimin, duke krijuar më shumë hapësirë nga shfrytëzimi i këqyrë burimeve të rritjes ekonomike.
E fillova me turizmin dhe do e mbyll me turizmin. I them kujtdo këtu në Berat, që jeton në fshat e që nuk është në rrjetet e prodhimit, të cilat këtu janë shumë të fuqishme e në zhvillim dhe që ne do t’i mbështesim shumë fort me subvencione, që të kthejë sytë nga shtëpia e vet dhe në vend që ta braktisë, të investojë për ta kthyer në agroturizëm. Kjo vlen edhe për emigrantët. Ata që janë në emigracion dhe kanë kursyer para, duke investuar paratë në agroturizëm, do të bëjnë një investim që do t’ju garantojë njerëzve të tyre këtu që të fitojnë para shumë më tepër sesa kursimet që ata sjellin për t’i ndihmuar gjatë muajit. Po ashtu do garantojë edhe për ta, që nesër të mund të kthehen e të jenë në gjendje të jetojnë në vendin e tyre, duke fituar më shumë para sesa fitojnë në Greqi. Kjo është rruga, sepse Shqipëria dhe kjo zonë sidomos i kanë të gjitha. Ajo që na duhet është të fokusohemi dhe teksa qetë lehin, ne të vazhdojmë të ecim përpara.
Faleminderit!