Në Paris, Francë, u mbajt Forumi vjetor i Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, (ECFR). Pjesë në një nga panelet e Forumit kushtuar Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës europiane të tij ishte Kryeministri Edi Rama, i cili në fjalën e tij nënvizoi pse procesi i integrimit është shumë i dobishëm për Ballkanin Perëndimor dhe pse rruga deri në anëtarësimin e plotë do të ndihmojë në modernizimin e mëtejshëm të vendeve.
Fjala e Kryeministri Rama:
Ju falënderoj shumë për këtë mundësi për të folur në këtë moment stresues për ne, sepse jemi tanimë në një fazë në të cilën duhet të përballemi me disa bashkëbisedues shumë të vështirë. E thënë troç, ndodhemi në një fazë në të cilën s’është e lehtë të gëlltitet dallimi mes asaj që ne mendojmë për BE-në dhe asaj që jetojmë me BE-në.
Ajo që dua të them thjesht është e qartë se, për disa vende anëtare problemi qëndron në politikën e tyre të brendshme, në ndryshimet brenda shoqërive të tyre e në ngërçet e tyre lidhur me BE-në, por kur vjen puna për t’i thënë këto ata nxjerrin arsye të tjera dhe kjo është shumë zhgënjyese.
Dua të theksoj se, ecja përpara drejt objektivit të marrjes së një rekomandimi pozitiv për hapjen e negociatave nga Komisioni Europian nuk ka qenë aspak e lehtë dhe për mua tingëllon goxha e çuditshme që më pas vendet anëtare vendosin në pikëpyetje objektivitetin dhe kapacitetin e Komisionit për të hyrë në detaje dhe për të vlerësuar me besnikëri realitetin.
Edhe një herë, kjo është frustruese, pasi vendet anëtare paguajnë nuk e di se sa para, me miliarda, për të bërë që kjo makineri të funksionojë dhe nga ana tjetër, kur kjo makineri prodhon atë për të cilën është ndërtuar ata vendosin në pikëpyetje produktin e saj.
Problemi është që ata nuk shtrojnë pikëpyetje bazuar mbi ndonjë thellim faktik, por e bëjnë këtë në lidhje me interesat e tyre të brendshme politike dhe kjo nuk është aspak frymëzuese për ne.
Nuk dua të vijoj më gjatë mbi hendekun e madh midis nevojës së vërtetë të Europës për të afruar Ballkanin sa më afër që të jetë e mundur, në sensin e interesit gjeostrategjik dhe sa larg kësaj janë diskutimet aktuale kur flitet për të bërë për ne, diçka që nuk është as e qartë se çfarë sakrifice do të kishte për vendet anëtare, sepse, në fund të fundit, çfarë po kërkojmë ne?
Ne po kërkojmë një recetë për thellimin e reformave, që do të ndihmojë vendin që të jetë i përqendruar dhe që do t’i japë vendit instrumentin e vetëm dhe unik të modernizimit, që nuk mund ta gjejmë diku tjetër.
E kemi thënë disa herë që vendet tona vuajnë shumë nga mungesa e traditave demokratike dhe shtetformuese dhe se procesi i integrimit është shumë i dobishëm për ne, jo vetëm sepse do të bëhemi anëtarë një ditë, por, mbi të gjitha, sepse rruga deri në anëtarësimin e plotë do të na ndihmojë të modernizohemi më tej.
Ne po kërkojmë recetën dhe inspektimet mbi efektin e “ilaçeve”, madje nuk po kërkojmë prej tyre as të na japin ilaçet, pasi në fund duhet të jemi në gjendje t’i prodhojmë vetë ato.
Kështu që hapja e negociatave nuk kushton asgjë në terma financiarë. Nuk ka të bëjë absolutisht asgjë me ndonjë zgjerim konkret ditën e sotme dhe të na thuash që duhet të presësh sepse nëse ju japim këtë recetë disa njerëz në vendet tona do të tërbohen dhe do të flasin për zgjerimin sepse s’merremi dot me ta, duket një përgjigje shumë e dobët dhe shumë zhgënjyese ndaj nesh.
Do të përfundoj duke thënë diçka, që, ndjesia ime është se disa vende nuk e kuptojnë mirë se për çfarë bëhet fjalë dhe as se përse ne jemi kaq të përkushtuar ndaj këtij procesi.
Besoj se për ne, për të gjithë ne, është një gjë që na bën të jemi kaq të lidhur me këtë proces, fakti që kemi parë luftë. Për ne, lufta nuk është diçka bardh e zi në “Netflix”, por diçka që e kemi përjetuar në jetën reale, ndaj Europa për të gjithë ne është një vend ku do të shpëtojmë përfundimisht të ardhmen e fëmijëve tanë nga fantazmat e të shkuarës.