Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Qershor 2018:
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.101, DATË 4.2.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PAKETËS SË SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE, NË KUJDESIN SHËNDETËSOR PARËSOR PUBLIK, QË FINANCOHET NGA FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.101, datë 4.2.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Shtojca 2, “Barna dhe materiale konsumi në QSH”, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Kudo në tekstin e vendimit, fjalët “Ministria/së e/së Shëndetësisë”, zëvendësohen me “ministria/së përgjegjëse për shëndetësinë”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2018, MIRATUAR PËR MINISTRINË E TURIZMIT DHE MJEDISIT, MINISTRINË E FINANCAVE DHE EKONOMISË DHE MINISTRINË E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, PËR PAGESËN E SHËRBIMEVE JURIDIKE PËR PËRFAQËSIMIN DHE MBROJTJEN NË ÇËSHTJET E ARBITRAZHIT NDËRKOMBËTAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e miratuar për vitin 2018 bëhet një shtesë fondesh, si më poshtë vijon:
a) Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në programin “Planifikim, menaxhim dhe administrim”, në kategorinë e shpenzimeve korrente, i shtohet kundërvlefta në lekë e fondit 516 146 (pesëqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e njëqind e dyzet e gjashtë) euro dhe 99 660 (nëntëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë) paund për kryerjen e pagesave të faturave të firmës avokatore “Gowling WLG” në çështjen e Arbitrazhit Ndërkombëtar “ICSID, nr.Arb/14/26”, me palë “Albaniabeg Ambient, sh.p.k”., “M.Angelo Novelli” dhe “Costruzioni S.R.L.” kundër Republikës së Shqipërisë;
b) Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në programin “Ekzekutimi i pagesave të ndryshme”, në kategorinë e shpenzimeve korrente, i shtohet kundërvlefta në lekë e fondit 1 000 000 (një milion) euro për kryerjen e pagesave të shërbimeve juridike në çështjen e Arbitrazhit Ndërkombëtar “ICSID case no.ARB/17/6” me palë “Anglo-Adriatic Group Limited” kundër Republikës së Shqipërisë;
c) Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin “Mbështetje për energjinë”, në kategorinë e shpenzimeve korrente, i shtohet kundërvlefta në lekë e fondit 600 000 (gjashtëqind mijë) euro për kryerjen e pagesave të faturave të firmës avokatore “Gowling WLG” për përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë në çështjen e Arbitrazhit Ndërkombëtar “ICC kundër Hydro S.R.L.”.
2. Efekti financiar, i parashikuar në shkronjat “a”, “b” e “c”, të pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2018.
3. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.832, DATË 3.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT E PRIVATIZIMIT ME ANKAND TË PAKETAVE SHTETËRORE TË AKSIONEVE TË SHOQËRIVE TREGTARE, QË VEPROJNË NË SEKTORËT JOSTRATEGJIKË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.8334, datë 23.4.1998, “Për privatizimin e shoqërive tregtare, që veprojnë në sektorët jostrategjikë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.832, datë 3.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Në pjesën hyrëse të vendimit të bëhen këto ndryshime:
a) Paragrafi parë i pikës 2 të ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Dokumentacioni i privatizimit i përgatitur nga ekspertët vlerësues përmban: … ”;
b) Pas pikës 2 shtohen pikat 2.1 e 2.2, me këtë përmbajtje:
“2.1. Dokumentacioni i privatizimit, brenda 7 ditëve kalendarike nga data e përfundimit të afatit të përcaktuar në urdhrin e ministrit, nëpërmjet strukturës përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore, i dërgohet Komisionit të Shqyrtimit dhe Transparencës, të krijuar me urdhër të ministrit përgjegjës për ekonominë, për verifikimin, konfirmimin dhe transparencën e procedurave të vlerësimit dhe hartimit të dokumentacionit për paketat shtetërore të aksioneve që dërgohen për shitje/privatizim;
2.2. Komisioni i Shqyrtimit dhe Transparencës i rekomandon ministrit përgjegjës për ekonominë vijimin e procedurës së privatizimit nga struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, nëse ekziston dokumentacioni i kërkuar ligjor dhe ka kaluar në të gjitha strukturat e parashikuara në këtë vendim.
Në rast të kundërt, Komisioni i Shqyrtimit dhe Transparencës kërkon plotësimin e dokumentacionit.”.
2. Në kreun I bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në pikën 1, të shkronjës “A”, fjalët “… në dy gazeta me qarkullim kombëtar, nga një botim në secilën gazetë …” zëvendësohen me “… në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare …”, ndërsa shprehja “… në televizion dhe …” hiqet.
b) Në pikën 1, të shkronjës “C”, në vazhdim të fjalëve “… në mbështetje të…” shtohet “… ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, …”.
3. Kudo në vendim, emërtimi “Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave” zëvendësohet me “Agjencia e Trajtimit të Pronës”, emërtimi “Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike” zëvendësohet me fjalët “… struktura përgjegjëse për shitjen e pronës …”, ndërsa fjalët “… ministria përgjegjëse për ekonominë …” dhe emërtimi “Ministria e Financave” zëvendësohen me emërtimin “Ministria e Financave dhe Ekonomisë”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJEN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ORGANIKË NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE PËR VITIN 2018
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave]
V E N D O S I:
1. Numri i punonjësve të sistemit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), për vitin 2018, pakësohet me 50 veta, përkatësisht, 5 punonjës të aparatit të ministrisë dhe 45 punonjës të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, duke e çuar numrin e përgjithshëm të këtij institucioni në 1 947 veta.
2. Numri i punonjësve të Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit (AMBU), për vitin 2018, shtohet me 5 punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të këtij institucioni në 28 veta.
3. Numri i punonjësve të sistemit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për vitin 2018, shtohet me 45 punonjës për Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, duke e çuar numrin e përgjithshëm të ministrisë në 1 080 veta.
4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave dhe Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Ujit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RREGULLAT E FUNKSIONIMIT TË GRUPIT TEKNIK, NDËRSEKTORIAL PËR MBROJTJEN E FËMIJËVE, PRANË BASHKIVE DHE NJËSIVE ADMINISTRATIVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 52, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave të funksionimit të grupi teknik, ndërsektorial për mbrojtjen e fëmijëve, pranë bashkive apo njësive administrative, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Kulturës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministri i Shtetit për Diasporën për zbatimin e këtij vendimi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.561, DATË 29.7.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR STANDARDIZIMIN DHE DISIPLINIMIN E SHPENZIMEVE TË KARBURANTIT NË NJËSITË E QEVERISJES SË PËRGJITHSHME”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 16, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pas pikës 1, të vendimit nr.561, datë 29.7.2016, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1 Bëjnë përjashtim nga pika 1, e këtij vendimi, strukturat e veçanta të Policisë së Shtetit, të cilat, për shkak të natyrës së punës, mund të përdorin kartë elektronike që nuk mundëson identifikimin e mjetit të transportit dhe të përdoruesit të saj, sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit të Brendshëm.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
INDEKSIMIN E PENSIONEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 61 e 88, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 17, të ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar, të nenit 24, të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të nenit 6/1, të ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar, të nenit 1, të ligjit nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe palombarëve të forcave detare në pension”, të nenit 8, të ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar, dhe të nenit 4, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Indeksimin, në masën 2.8 për qind, të:
a) pensioneve të caktuara sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar, nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
b) pensioneve sociale, të caktuara në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
c) shtesës mujore, të përfituar me vendimin nr.326, datë 21.6.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e trajtimit të invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”;
ç) pensioneve të caktuara me dekretin nr.758, datë 1.2.1994, të Presidentit të Republikës, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”;
d) shtesës mbi pension, të dhënë sipas nenit 33, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
dh) shtesave mbi pension, të dhëna sipas neneve 38, 39 dhe 48, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 24, të ligjit nr.4171, datë 13.6.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
e) pensioneve të caktuara dhe të rillogaritura me ligjin nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara me nenin 21, të këtij ligji;
ë) trajtimeve të veçanta financiare të familjeve të pilotëve fluturues, të caktuara sipas ligjeve nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, dhe nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar;
f) trajtimeve të veçanta financiare, të caktuara sipas ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe palombarëve të forcave detare në pension”;
g) trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të caktuara sipas ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar,
gj) pensioneve të pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, të caktuara me ligjin nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”;
h) trajtimeve të veçanta financiare të caktuara sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”;
i) pensioneve suplementare të caktuara sipas ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”;
j) pensioneve suplementare të caktuara sipas ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar;
k) shpërblimit të caktuar sipas ligjit nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të luftës kundër pushtuesve nazifashiste të popullit shqiptar”, të ndryshuar;
l) pensioneve shtetërore të posaçme të caktuara në përputhje me nenin 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
2. Indeksimin, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, e përfitojnë edhe pensionet që do të caktohen nga data 1.7.2018 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 30.6.2018, përfshirë edhe këtë datë.
3. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në mbështetje të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të këtij ligji, si dhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, të caktuara me ligjin nr.150/2014, që kanë datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës 1.7.2018 nuk do të jenë më pak se 13 378 (trembëdhjetë mijë e treqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë në muaj dhe më shumë se 26 757 (njëzet e gjashtë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e shtatë) lekë në muaj.
4. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës 1.7.2018 nuk do të jenë më pak se 9 161 (nëntë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e një) lekë në muaj, por jo më shumë se 13 378 (trembëdhjetë mijë e treqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë në muaj.
5. Pensionet e parakohshme, të caktuara sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, me datë fillimi nga 1.7.2018 e në vazhdim, nuk do të jenë më pak se 13 378 (trembëdhjetë mijë e treqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë në muaj.
6. Përfituesit e pensioneve sipas ligjeve nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nr.150/2014, të caktuara pas datës 1.7.2018, por me datë të fillimit të pensionit deri më 31.12.2014, përfshirë edhe këtë datë, përveç pensionit, do të përfitojnë edhe kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”; nr.763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”; nr.415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”; nr.477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, dhe nr.17, datë 20.1.2007, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”, me kusht që shuma e pensionit mujor plus kompensimin e të ardhurave, pas indeksimit të pensioneve sipas pikës 1, të këtij vendimi, të jetë:
a) deri në 15 028 (pesëmbëdhjetë mijë e njëzet e tetë) lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, përfshirë edhe përfituesit e pensioneve sipas ligjit nr.150/2014;
b) deri në 14 528 (katërmbëdhjetë mijë e pesëqind e njëzet e tetë) lekë në muaj, për pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare;
c) deri në 9 851 (nëntë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e një) lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare të caktuara sipas paragrafit të katërt të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
7. Kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”; nr.763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”; nr.415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”; dhe nr.477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, do t’i marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione të parakohshme sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, me datë fillimi nga 1.7.2018 e në vazhdim, me kusht që shuma e pensionit mujor të parakohshëm plus kompensimin e të ardhurave të jetë deri në 15 028 (pesëmbëdhjetë mijë e njëzet e tetë) lekë në muaj.
8. Përfituesit e pensioneve, sipas shkronjave “a”, “e” dhe “gj”, të pikës 1, të këtij vendimi, krahas pensionit dhe kompensimeve, sipas përcaktimeve në pikat 6 dhe 7, të këtij vendimi, do të marrin edhe kompensimet sipas masës dhe kritereve të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.138, datë 31.3.1994, “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”; nr.471, datë 15.7.1996, “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”. Pas datës 1.7.2018, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të qytetit me datë fillimi deri në 31.12.2014, shtuar me kompensimet nuk mund te jenë me të vogla se 15 528 (pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e njëzet e tetë) lekë në muaj, të ardhurat maksimale arrijnë 27 257 (njëzet e shtatë mijë e dyqind e pesëdhjetë e shtatë) lekë në muaj, të ardhurat minimale nga pensionet e plota të fshatit nuk mund të jenë me të vogla se 10 051 (dhjetë mijë e pesëdhjetë e një) lekë në muaj ndërsa të ardhurat minimale nga pensionet e parakohshme, shtuar me kompensimet, nuk mund të jenë më të vogla se 15 528 (pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e njëzet e tetë) lekë në muaj.
9. Shuma bazë e pensionit, e përcaktuar sipas pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, duke filluar nga data 1.7.2018 e në vazhdim të jetë 7 262 (shtatë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë.
10. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përllogariten në shumën 1 545 000 000 (një miliard e pesëqind e dyzet e pesë milionë) lekë dhe përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, i parashikuar në buxhetin e ISSH-së të vitit 2018, i cili ndahet:
a) 1 532 000 000 (një miliard e pesëqind e tridhjetë e dy milionë) lekë, për mbulimin e pagesave të përfitimeve;
b) 13 000 000 (trembëdhjetë milionë) lekë, për procedurat teknike të zbatimit të këtij vendimi dhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga Posta Shqiptare, sh.a.
11. Ngarkohet Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi dhe për nxjerrjen e udhëzimit teknik.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1.7.2018.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MASAVE MBËSHTETËSE PËR NXITJEN E PËRDORIMIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE NGA BURIMET E RINOVUESHME TË DIELLIT DHE ERËS, SI DHE TË PROCEDURAVE PËR PËRZGJEDHJEN E PROJEKTEVE PËR PËRFITIMIN E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8, pikat 1 e 2, të ligjit nr.7/2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Qëllimi i këtij vendimi është të përcaktojë masat mbështetëse për nxitjen e përdorimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të diellit dhe erës dhe procedurat për përzgjedhjen e projekteve për përfitimin e tyre, në mbështetje të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.7/2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme” dhe objektivave të Planit Kombëtar të Veprimit për Burimet e Rinovueshme.
2. Masat mbështetëse për nxitjen e përdorimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të diellit dhe erës jepen nëpërmjet një procesi konkurrues, të hapur, transparent dhe jodiskriminues, i cili siguron besueshmëri për pjesëmarrësit dhe garanton dhënien e këtyre masave subjekteve që ofrojnë kushtet më të mira për sa i përket çmimit të energjisë, teknologjisë së përdorur dhe mënyrës së ndërtimit të impiantit.
3. Në këtë vendim termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Masa mbështetëse” për efekt të këtij vendimi, masat e parashikuara në pikën 5, të kreut I, të këtij vendimi që kanë si qëllim nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme të diellit dhe erës;
b) “Proces konkurrues”, procedura e hapur, transparente dhe jodiskriminuese, që mundëson pjesëmarrjen e shoqërive tregtare ose bashkimit të shoqërive tregtare, me qëllim dhënien e masave mbështetëse, në përputhje me dispozitat e këtij vendimi;
c) “Autoriteti kontraktues”, ministria përgjegjëse për energjinë;
ç) “Ministri”, ministri përgjegjës për energjinë;
d) “Ofertues”, shoqëria ofertuese ose bashkimi i shoqërive ofertuese që paraqet ofertë në përputhje me përcaktimet e dokumenteve të procesit konkurrues;
dh) “Komision i posaçëm”, komisioni i krijuar me urdhër të ministrit përgjegjës për energjinë, që përbëhet nga anëtarë specialistë, të cilët kanë njohuritë e duhura teknike, juridike dhe ekonomike;
e) “Dokumentet e procesit konkurrues”, dokumentet, të cilat hartohen nga komisioni i posaçëm i ofertave, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, të cilat përcaktojnë formën, kriteret dhe procedurat e pjesëmarrjes, të shqyrtimit të ofertave dhe përzgjedhjes së ofertuesit më të mirë;
ë) “Sigurimi i ofertës”, dokumenti në formën e garancisë bankare të pakushtëzuar, që do të dorëzohet nga ofertuesi së bashku me ofertën;
f) “Garancia e kontratës”, dokumenti në formën e garancisë bankare të pakushtëzuar që do të dorëzohet nga ofertuesi i përzgjedhur përpara nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare;
g) “Kontrata për blerjen e energjisë elektrike”, modeli i kontratës, e lidhur ndërmjet ofertuesit të përzgjedhur dhe operatorit të ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik për blerjen e energjisë elektrike prej një kapaciteti gjenerues nga burimet e rinovueshme të diellit dhe erës, e cila bazohet në garantimin e blerjes së energjisë elektrike me një tarifë të pandryshuar, vlera e të cilit do të dalë nga procesi konkurrues;
gj) “Ofertues i përzgjedhur”, ofertuesi më i mirë i përzgjedhur sipas procedurës konkurruese për zhvillimin e projektit të përzgjedhur për prodhimin e energjisë elektrike prej burimeve të rinovueshme të erës dhe/ose diellit;
h) “Operatori i ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik”, operatori i energjive të rinovueshme, përgjegjës për blerjen e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, sipas përcaktimeve të vendimit nr.244, datë 30.3.2016, të Këshillit të Ministrave;
i) “Projekti”, kapaciteti gjenerues i instaluar (në MW) për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të diellit ose erës, i cili do të realizohet nga ofertuesi i përzgjedhur për përfitimin e masave mbështetëse, në bazë të procedurave konkurruese, sipas përcaktimeve të këtij vendimi;
j) “Shoqëria e projektit”, shoqëria për qëllime të veçanta, që do të themelohet nga ofertuesi i përzgjedhur për realizimin e projektit;
k) “Tarifa e miratuar nga ERE”, tarifa e miratuar nga ERE për energjinë e prodhuar nga dielli dhe era, me vendimin nr.120, datë 27.7.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e çmimeve të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e vogla gjeneruese fotovoltaike me kapacitet të instaluar deri në 2 MW dhe eolike me kapacitet të instaluar deri në 3 MW”, në përputhje me metodologjinë e miratuar me vendimin nr.369, datë 26.4.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e vogla të rinovueshme nga dielli dhe era”;
l) “Kontrata për diferencë”, modeli i kontratës së lidhur ndërmjet ofertuesit të përzgjedhur dhe operatorit të ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik, e cila bazohet në formën e një shpërblimi për arritjen e çmimit të ofertuar në procedurën konkurruese, si një shtesë mbi çmimin e tregut të ditës në avancë.
4. Çdo term tjetër i përdorur në këtë vendim do ketë kuptimin e dhënë në ligjin nr.7/2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, dhe të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar.
5. Me qëllim arritjen e objektivit kombëtar të përcaktuar në Planin Kombëtar të Veprimit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë në mënyrën më efektive, miratohen masat mbështetëse, si më poshtë vijon:
a) Garantimi i kontratës për blerjen e energjisë elektrike të prodhuar, me një kohëzgjatje maksimale për 15 vjet, duke filluar nga data e dhënies së certifikatës së përdorimit të projektit, në përputhje me marrëveshjen që do të nënshkruhet me autoritetin kontraktor;
b) Kalimi, në administrim të autoritetit kontraktor, i pasurive të paluajtshme për realizimin e shfrytëzimin e projektit dhe vënien e tyre në dispozicion të shoqërisë së projektit për të gjithë kohëzgjatjen e tij, në përputhje me marrëveshjen që do të nënshkruhet me autoritetin kontraktor dhe legjislacionin në fuqi;
c) Garantimi i lidhjes dhe aksesit për përdorimin e rrjetit të transmetimit/shpërndarjes së energjisë së prodhuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
ç) Garantimi nga ana e autoritetit kontraktues i ndjekjes të të gjitha procedurave për marrjen e lejeve dhe autorizimeve të nevojshme për zbatimin dhe shfrytëzimin e projektit, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
d) Mbështetja sipas kontratës për diferencë.
6. Procesi për dhënien e masave mbështetëse duhet të garantojë:
a) arritjen e objektivit për përdorimin e energjisë së rinovueshme në përputhje me Planin Kombëtar të Veprimit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë brenda afatit kohor të caktuar;
b) dhënien e mbështetjes për blerjen e energjisë me koston më të ulët të mundshme dhe efektivitetin më të madh;
c) besueshmërinë e ofertave dhe realizimin e plotë të projektit;
ç) të qenit transparent, i hapur, jodiskriminues, objektiv, si dhe sigurimin e besimit të gjerë të investitorëve;
d) minimizimin e deformimeve të tregut të energjisë dhe lehtësimin e zhvillimit të tij.
II. ZHVILLIMI I PROCESIT PËR PËRZGJEDHJEN E PROJEKTIT QË DO TË PËRFITOJË MASAT MBËSHTETËSE
1. Ministri autorizon fillimin e procesit konkurrues për përzgjedhjen e projektit që do të përfitojë masat mbështetëse, duke përcaktuar të dhënat, si më poshtë vijon:
a) kapacitetin e instaluar të projektit që do të përfitojë masat mbështetëse;
b) llojin e teknologjisë së projektit;
c) vendndodhjen e projektit;
ç) kushtet për lidhjen me rrjetin, si dhe rregullat për balancimin dhe dispeçerimin;
d) operatorin përgjegjës të ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik për blerjen e energjisë;
dh) dokumentet e nevojshme për zhvillimin e procesit konkurrues;
e) kriteret e vlerësimit të ofertave;
ë) afatin e përfundimit të projektit dhe të marrjes së certifikatës së përdorimit.
2. Ministri ngre komisionin e posaçëm, i cili ka këto kompetenca:
a) Harton, brenda 30 ditëve, dokumentet e procesit konkurrues, që specifikojnë mënyrën e zhvillimit të procesit konkurrues për përfitimin e masave mbështetëse;
b) Harton kritere të veçanta të aplikimit dhe të kualifikimit, bazuar në përcaktimet e pikës 6, të kreut II;
c) Harton metodologjinë e vlerësimit, e cila është pjesë e dokumenteve të procesit konkurrues;
ç) Vlerëson ofertat e ofertuesve bazuar në kriteret e kualifikimit të ofertës;
d) Harton raportin përfundimtar të vlerësimit dhe e paraqet për miratim pranë ministrit;
dh) Mund të angazhojë ekspertizë të veçantë vendase ose të huaj për të asistuar gjatë zhvillimit të procesit;
e) Çdo funksion tjetër bazuar në parashikimet e këtij vendimi.
3. Dokumentet e procesit konkurrues, ndër të tjera, përmbajnë:
a) Ftesën për ofertë, e cila publikohet së paku në dy buletine të njoftimeve zyrtare dhe dy gazeta ndërkombëtare, si dhe në faqen e internetit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
b) Udhëzuesin për pjesëmarrës në proces;
c) Sigurimin e ofertës, i cili lëshohet nga një institucion bankar i besueshëm dhe në formatin e parashikuar në dokumentet e procesit konkurrues;
ç) Afatin e vlefshmërisë së ofertës;
d) Pagesën e tarifës së pjesëmarrjes në proces;
dh) Kriteret bazë të aplikimit dhe të kualifikimit;
e) Kriteret e vlerësimit të ofertave;
ë) Garancinë e kontratës, e cila lëshohet nga një institucion bankar i besueshëm dhe siguron përmbushjen e detyrimeve kontraktuale të marrëveshjes;
f) Afatin e paraqitjes së ofertave, i cili në çdo rast nuk do të jetë më pak se 30 ditë;
g) Çdo dokument tjetër që do të vlerësohet nga komisioni i posaçëm në përmbushje të kritereve të kualifikimit.
4. Dokumentet e procesit konkurrues duhet të përfshijnë edhe parimet e mëposhtme referuar tarifës për marrëveshjen e blerjes së energjisë:
a) Tarifa duhet të jetë në euro/MWh;
b) Tarifa duhet të jetë e nivelizuar dhe e pandryshuar për një periudhë deri në 15 vjet;
c) Tarifa tavan nuk duhet jetë më e lartë se tarifa për të njëjtën teknologji, e miratuar nga ERE.
5. Dokumentet e procesit konkurrues duhet të përfshijnë parimet e mëposhtme, duke iu referuar pagesës sipas kontratës së blerjes së energjisë:
a) Mënyra e kryerjes së pagesave dhe penalitetet për pagesa të vonuara;
b) Përcaktimi i një mekanizmi të duhur të sigurimit të pagesave të energjisë së prodhuar.
6. Për të siguruar që ofertuesit kanë kapacitetin e nevojshëm për realizimin e projektit, komisioni i posaçëm do të bazohet në kriteret bazë të aplikimit dhe të kualifikimit, në të cilat, ndër të tjera, përfshihen:
a) Kriteret ligjore:
i. Ekstrakti tregtar i shoqërisë/apo bashkimit të shoqërive. Në rast të bashkimit të shoqërive, ofertat e dorëzuara duhet të shoqërohen me një marrëveshje të përbashkët të ofertimit midis anëtarëve të bashkimit;
ii. Vërtetime për shlyerjen e detyrimeve tatimore, pagesën e sigurimeve shoqërore, pagesën e detyrimeve të energjisë elektrike dhe të ujësjellës-kanalizimeve dhe që shoqëria nuk është në proces falimentimi dhe/ose likuidimi;
iii. Shoqëria apo bashkimi i shoqërive, si dhe drejtuesit e shoqërisë ofertuese, ose e ndonjë prej shoqërive pjesëmarrëse në bashkimin e shoqërive ofertuese, nuk duhet të jenë në ndjekje penale ose të jenë dënuar me një vendim të formës së prerë.
b) Kriteret financiare:
i. Çdo dokumentacion të nevojshëm që vërteton gjendjen financiare të kompanisë dhe provon aftësinë e saj financiare për të realizuar projektin, sipas dokumenteve të procesit konkurrues;
ii. Pasqyrat financiare, të audituara nga audituesit e licencuar, të tri viteve të fundit të veprimtarisë dhe të depozituara në organet tatimore ose, kur shoqëria ka më pak se tre vjet që është krijuar, për periudhën e ekzistencës së saj, si dhe çdo dokumentacion tjetër financiar që provon aftësitë financiare për të realizuar projektin e propozuar, shoqëruar prej vërtetimit të licencës së audituesit;
iii. Garanci bankare në sigurimin e fondeve, e cila vlerësohet bazuar në përvojën e mëparshme në sigurimin e fondeve nga ana e ofertuesit ose çdo letër mbështetëse për financimin e projektit të marrë nga një institucion bankar i besueshëm.
c) Kriteret teknike:
i. Shoqëria ofertuese ose bashkimi i shoqërive ofertuese duhet të kenë përvojë në të shkuarën për realizimin dhe shfrytëzimin e centraleve të prodhimit të energjisë elektrike prej burimeve të rinovueshme prej diellit dhe/ose erës;
ii. Në varësi të teknologjisë së përzgjedhur, modulet e paneleve diellore apo të turbinave eolike, inverterat dhe komponentët e tjerë elektrikë dhe elektro-mekanikë, si dhe lidhjet elektrike dhe ndërfaqësimet software dhe hardware të jenë në përputhje me kërkesat e rrjetit, si dhe të sigurojnë ofrimin e të dhënave reale metrike diellore dhe/ose eolike lidhur me prodhimin e pritshëm vjetor të energjisë;
iii. Aparaturat duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe kriteret e veçanta të përcaktuara nga komisioni i posaçëm.
ç) Kriteret e përvojës në fushën e energjisë së rinovueshme:
i. Përvojë në ndërtimin e të paktën një centrali të një kapaciteti të ngjashëm;
ii. Përvojë në ndërtimin dhe operimin e të paktën një centrali me kapacitet të ngjashëm të prodhimit të energjisë elektrike prej burimeve të rinovueshme;
iii. Përvojë në ushtrimin e aktiviteteve të biznesit në Shqipëri prej shoqërisë ofertuese ose të paktën të njërit nga anëtarët e bashkimit të shoqërive ofertuese.
d) Kriteri i besueshmërisë:
i. Nuk duhet të jetë ose të ketë qenë objekt i penaliteteve ligjore dhe tatimore gjatë veprimtarisë së tyre nga institucionet/agjencitë shqiptare dhe/ose prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian;
ii. Nuk duhet të jetë i/e listuar që t’i kufizohet ushtrimi i aktivitetit në Shqipëri ose në vendet anëtare të Bashkimit Evropian;
dh) Kritere të tjera të vlerësimit të ofertës:
i. Ofertuesit duhet të ofrojnë një tarifë të nivelizuar 15-vjeçare në euro/MWh, e cila do të jetë pjesë e kritereve të vlerësimit dhe në çdo rast nuk duhet jetë më e lartë se tarifa për të njëjtën teknologji, e miratuar nga ERE, sipas përcaktimeve në dokumentet e procesit konkurrues;
ii. Ofertuesit duhet të garantojnë ndërtimin e kapaciteteve të tjera shtesë, përveç atyre të parashikuara si pjesë e masave mbështetëse, sipas përcaktimeve në dokumentet e procesit konkurrues.
7. Të drejtën për të aplikuar e ka:
a) çdo shoqëri ose bashkim shoqërish ofertuese, që plotëson kriteret e përcaktuara në dokumentet e procesit konkurrues, të parashikuara në këtë vendim;
b) çdo shoqëri ose bashkim shoqërish ofertuese që provojnë kapacitetin teknik, financiar dhe të besueshmërisë për të zhvilluar projektin e specifikuar sipas kritereve të vlerësimit të përcaktuara në pikën 6, të kreut II, të këtij vendimi.
c) çdo shoqëri ose bashkim shoqërish ofertuese që paguan tarifat e pjesëmarrjes në procesin konkurrues, siç specifikohet në dokumentet e procesit konkurrues.
8. Komisioni do të vlerësojë vetëm ofertat e atyre ofertuesve që kanë paraqitur aplikimin e plotë sipas këtij vendimi dhe dokumenteve të procesit dhe që kanë paguar tarifën e pjesëmarrjes në proces.
9. Kostot e zhvillimit të procedurës së mësipërme mbulohen nga ofertuesi i përzgjedhur fitues për ndërtimin e impiantit.
III. VLERËSIMI I OFERTAVE, NEGOCIIMI DHE LIDHJA E MARRËVESHJES PËRFUNDIMTARE ME OFERTUESIN E PËRZGJEDHUR
1. Ofertat e ofertuesve do të vlerësohen sipas kritereve të kualifikimit të ofertës të përcaktuara në pikën 6, të kreut II, bazuar në një metodologji të vlerësimit të ofertave, të përbërë me pikë të ndara sipas secilit kriter.
2. Metodologjia e vlerësimit është pjesë e dokumenteve të procesit konkurrues.
3. Për secilin prej kritereve të vlerësimit, ofertuesit duhet të sigurojnë dokumentet e nevojshme, sipas përcaktimeve në dokumentet e procesit konkurrues.
4. Ofertuesi me rezultatin më të lartë, sipas metodologjisë së vlerësimit të ofertës, shpallet ofertuesi i përzgjedhur.
5. Në përfundim të vlerësimit të ofertave, komisioni i posaçëm paraqet për miratim pranë ministrit raportin përfundimtar të vlerësimit.
6. Ministri autorizon negociimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare me ofertuesin e përzgjedhur, që përmban të gjitha elementet për zbatimin e suksesshëm të projektit.
7. Ofertuesi i përzgjedhur duhet të formojë një shoqëri për projektin për të hyrë në marrëveshje përfundimtare, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
8. Ofertuesi i përzgjedhur duhet të zotërojë jo më pak se 51% të aksioneve të kapitalit në shoqërinë e projektit për të paktën tre vjet nga data e operimit tregtar.
9. Para nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare, ofertuesi i përzgjedhur/shoqëria e projektit duhet të paraqesë garancinë e kontratës, sipas përcaktimeve të dokumenteve të procesit konkurrues.
10. Ofertuesi i përzgjedhur duhet të garantojë respektimin e rregullave të tregut, si dhe të kërkesave teknike të rrjetit dhe balancimit të ngarkesës në Shqipëri.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
Mbështetja sipas kontratës për diferencë bëhet e aplikueshme me krijimin e një tregu funksional të ditës në avancë të aksesueshëm për prodhuesit e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të diellit e të erës dhe të bërjes efektive të bursës shqiptare të energjisë.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimin në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KONTRATËS ME NDARJE PRODHIMI PËR KËRKIMIN, ZHVILLIMIN DHE PRODHIMIN E HIDROKARBUREVE NË TOKË, NË SHQIPËRI, BLLOKU 4, NDËRMJET MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA KOMBËTARE E BURIMEVE NATYRORE (AKBN), DHE SHELL UPSTREAM ALBANIA B.V.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 13, të ligjit nr.7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kontratës me ndarje prodhimi për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në tokë, në Shqipëri, blloku 4, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, përfaqësuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), dhe Shell Upstream Albania B.V., sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I OBJEKTIT “LINJA E RE E FURNIZIMIT ME UJË TË UJËSJELLËSIT DURRËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i objektit “Linja e re e furnizimit me ujë të ujësjellësit Durrës”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Durrës, sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen me vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “Tokë buqësore” dhe “Drufrutorë”, me një vlerë të përgjithshme prej 7 760 025 (shtatë milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë mijë e njëzet e pesë) lekësh, nga të cilat:
a) “Tokë buqësore”, në vlerën 7 578 000 (shtatë milionë e pesëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë;
b) “Drufrutorë”, në vlerën 182 025 (njëqind e tetëdhjetë e dy mijë e njëzet e pesë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 7 760 025 (shtatë milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë mijë e njëzet e pesë) lekësh, do të përballohet nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës–Kanalizimeve, zëri “Kodi i projektit, M063149”, parashikuar në buxhetin e vitit 2018.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë.
7. Pronarët, sipas emrave të shënuar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë shoqërisë Ujësjellës-Kanalizime Durrës, sh.a.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kurbin, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me shoqërinë Ujësjellës-Kanalizime Durrës, sh.a., të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kurbin të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit, për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kurbin dhe shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Durrës, sh.a. për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA