Kryeministri Edi Rama i pranishëm në takimin e përjavshëm me koordinatorët e Zyrës së Bashkëqeverisjes, ku u prezantuan të tjera raste të qytetarëve që kanë marrë zgjidhje:
Faleminderit që jeni këtu të gjithë!
Sot kemi takimin javor për Platformën e Bashkëqeverisjes dhe prezantimin e disa rasteve të përzgjedhura mes shumë e shumë të tillave, përmes të cilave dëshirojmë që t’u përcjellim të gjithë qytetarëve të njëjtin mesazh; Mesazhin e bashkëpunimit dhe të bashkëqeverisjes, falë një instrumenti unikal, siç është Platforma www.shqiperiaqeduam.al, ku çdo njeri i zakonshëm në 3 minuta ka akses të drejtpërdrejtë tek ministri apo ministrja përkatëse dhe vë në lëvizje të gjithë mekanizmin ligjor dhe administrativ të qeverisë për adresimin e hallit të tij vetjak, ose familjar, apo të një problemi që është në interes të komunitetit, ose të një grupi të caktuar interesi.
Më vjen shumë mirë që njerëzit e zakonshëm që i referohen Platformës shtohen përditë, ashtu sikundër rriten përditë rezultatet pozitive në numër, falë përfshirjes së njerëzve gjithmonë e më shumë, me besimin se në fund të fundit, ky është një instrument që duhet përdorur dhe që mund të sjellë zgjidhjen e shumëpritur, që për 1001 arsye, rëndom të paqëndrueshme, prekin drejtpërdrejtë interesin e njerëzve.
Dua të ftoj Etlevën, për rastin e një qytetari, mësues i praktikës profesionale në shkollën profesionale “Pavarësia” të Vlorës, që i është drejtuar Platformës dhe falë ndërveprimit me Zyrën e Bashkëqeverisjes ka arritur të marrë përgjigjen e merituar.
Etleva, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti që unë dua të ndaj sot me ju është rasti i zotit Taulant Brahim Muço i cili iu drejtua Platformës, i sugjeruar nga një grup mësuesish të shkollës profesionale “Pavarësia” në Vlorë. Ankesa lidhej me një VKM të vitit 2017, me numër 175. Zoti Muço thoshte që kategoria e grupit të mësuesve të shkollave profesionale nuk ishte përfshirë në këtë VKM për rritjen e pagave në sistemin parauniversitar. Ankesa sapo erdhi në Platformë u delegua për trajtim pranë Ministrisë së Financave, e cila në një bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike bëri gati një projektvendim për korrigjimin e këtij vendimi të Këshillit të Ministrave. Në datën 16 Maj, kjo VKM u miratua me korrigjimin e kërkuar dhe sot jo vetëm zoti Taulant, por edhe 101 mësues të praktikave profesionale në të gjithë Shqipërinë janë përfitues të saj.
Taulant Muço: Si fillim ne kishim problemin e pozicionit të mësuesit të praktikës profesionale të munguar nga VKM-ja e vitit 2017 mbi shtesat në pagë. Jemi një grup prej 9 mësuesish të kësaj shkolle që iu drejtuam fillimisht Ministrisë së Financave me një letër, ku morëm përgjigjen për dakordësinë si pozicion të munguar. Pastaj bashkë me kolegët e mi iu drejtuam portalit për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe në kohë rekord, brenda shumë pak ditësh, as dy javë nuk kaluan, kjo VKM u miratua. Neve personalisht na është dukur e pabesueshme që kaq shpejt një VKM të miratohet. Jemi përfitues të një rritje në pagë prej 8400 lekësh të reja neto nga ky ndryshim. Ju falënderoj edhe në emër të kolegëve të mi.
Kryeministri Edi Rama: Në morinë e problemeve dhe çështjeve që njerëzit duan të trajtojnë me të drejtë, Platforma trajton edhe çështje të kësaj natyre, ku grupe të caktuara interesi, edhe pse, siç ka ndodhur në këtë rast, mund të marrin një përgjigje pohuese nga ana e administratës, përsëri zgjidhja vonon për shkak të burokracisë dhe për shkak të mungesës së vëmendjes së menjëhershme. Që do të thotë se Platforma e bën të mundur pikërisht atë që na duhet ta kthejmë në një kulturë të administratës, vëmendjen e menjëhershme për një problem që prek drejtpërdrejtë një person, një familje, apo një grup të tërë personash, siç janë në këtë rast mësuesit e praktikës profesionale. Edhe njëherë është rasti për të nënvizuar se Platforma është as më shumë e as më pak, por një transformim teknologjik i zyrave të vjetra dhe tradicionale të marrëdhënieve me publikun, të cilat, për hir të të vërtetës, në dekada të tëra kanë dëshmuar se nuk janë rezultative. Kthimi i të gjithë rrjetit të zyrave të marrëdhënieve me publikun në një aplikacion në xhepin e çdo qytetari që ka një smartphone, apo që mund të drejtohet në njësinë administrative, tek Posta, apo dhe tek fqinji që ka një kompjuter, është praktikisht krijimi i një ure shumë të shpejtë lidhjeje mes qytetarit dhe titullarit më të lartë në sektorin ku shqetësimi ka lindur. Kjo bën që titullari më i lartë, pra, ministri apo ministrja të vihet menjëherë në dispozicion të qytetarit, gjë që bën që në 3 minuta të realizohet lidhja që njerëzit tradicionalisht e kanë kërkuar dhe për inerci vazhdojnë ta kërkojnë përmes mikut, përmes të njohurit, kushëririt, apo më keq akoma, përmes ryshfetit.
Platforma është një armë për të luftuar sëbashku ndaj të gjithë kësaj tradite penguese, apo kësaj tradite të krijuar për t’iu shmangur pengesave, por që na pengon realisht që të kemi një administratë që reagon menjëherë. Platforma dita-ditës, jo vetëm zgjidh probleme, por çon mesazhe te çdo punonjës i zyrave të shtetit që nuk duhet të kesh frikë, apo nuk duhet të kesh ndjenjën e plotë të përgjegjësisë vetëm nëse të ndërhyn dikush nga lart, një i njohur a mik, për të zgjidhur problemin e një njeriu të zakonshëm, por duhet të kesh frikë dhe të vihesh menjëherë në lëvizje, sapo kontakton me çdo njeri të zakonshëm, sepse çdo njeri i zakonshëm është në gjendje të të bëjë përgjegjës për mosveprimin apo për reagimin e munguar dhe më keq akoma, nxitjen drejt ryshfetit të atij që mund të duket pa mbrojtje, pa mbështetje, pa fuqi.
Platforma e fuqizon realisht menjëherë çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë. 3 minuta që te ketë në krah titullarin më të lartë dhe që në mënyrë ligjore t’i zgjidhë problemin. Platforma garanton që pastaj të fillojnë hetimet administrative për të gjithë ata që janë bërë pengesë. Kjo ka sjellë që ne të vazhdojmë me largimet nga puna të drejtuesve, të punonjësve që janë konstatuar në shkelje të ligjit dhe të të drejtës së qytetarëve për të marrë shërbim, deri dhe në ndjekje penale. Kështu do të vazhdojmë me këmbëngulje ta luftojmë dhe skepticizmin e mirëkuptueshëm pas shumë e shumë vitesh, edhe mosbesimin, edhe cinizmin apo përqeshjen e shumëkujt që preferon të ankohet, preferon të shfryjë mllef në rrjetet sociale, preferon të humbasë kohë duke thënë nuk bëhet gjë, në vend se të bëjë këtë, një provë që merr vetëm 3 minuta.
Juela, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Në vazhdim, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë ju paraqesim një rast përsëri nga Vlora, që trajton ankesën e zotit Ervin Saliaj, i cili u ankua në Platformën e Bashkëqeverisjes, sepse nuk ishte siguruar prej dy vitesh në hotelin në të cilin ai punonte. Menjëherë Inspektorati Shtetëror i Punës dhe i Shërbimeve Shoqërore verifikoi rastin dhe i dha të drejtë zotit Saliaj. Brenda dy ditëve u zgjidh situata e tij, duke bërë sigurimin e tij në skemën e sigurimeve shoqërore.
Ervin Saliaj: Unë kam më shumë se 2 vjet që punoj në të zezë, me thënë të drejtën. Iu drejtova Platformës për të bërë denoncimin. Sot jam i siguruar, me kontratë dhe jam shumë i kënaqur. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Ky është një fenomen që për fat të keq është ende i përhapur, fenomeni i punonjësve që kompanitë nuk i sigurojnë, edhe pse është bërë një përpjekje e madhe për formalizimin. Është rritur jashtëzakonisht shumë në raport me të shkuarën numri i punonjësve të siguruar që janë kontributorë në ekonominë tonë dhe kjo rezulton nga librat e shtetit. Por ka ende jo pak të tillë, të cilët tremben me idenë që, nëse denoncojnë do të humbasin vendin e punës. Kjo nuk është e vërtetë, madje e kundërta është e vërtetë. Kushdo që na drejtohet dhe Platforma është rruga më e shkurtër, më e shpejtë më e sigurt, fiton të drejtën, siç e ka fituar Ervini dhe kompanitë kanë treguar në të gjitha këto raste që nuk reagojnë në mënyrën e gabuar, por të gjendura në gabim, korrigjojnë gabimin. Kjo është gjëja që ne duam të bëjmë çdo ditë, mundësisht, për të gjithë ata që janë të shtrënguar të punojnë në të zezë, apo për të gjithë ata që duan të bëjnë deklarimin real të pagës së tyre, por kompanitë i detyrojnë që një pjesë të pagës ta marrin në të zezë. Ky është një problem i madh dhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë mes njerëzve të zakonshëm dhe qeverisë është me siguri rruga më e shpejtë dhe e suksesshme për të zgjidhur problemin për të gjithë ata që janë në këto kushte.
Rasti tjetër është një rast që besoj vlen për të treguar një aspekt shumë të rëndësishëm të Platformës, që ka të bëjë me ata, të cilët janë pjesa më vulnerabël e shoqërisë dhe shumë herë janë ndjerë të nëpërkëmbur në zyrat e shtetit gjatë të gjithë këtyre viteve dhe jo pa të drejtë kanë krijuar idenë që për ta nuk ka mundësi të ketë shpejtësi në drejtësi.
Egesta, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Zonja Lujeta Qejvani, në muajin qershor iu adresua Platformës së Bashkëqeverisjes, pasi që prej vitit 2016 ishte deklaruar nga komisioni i caktimit të aftësisë për punë invalide e plotë. Për këtë ajo iu drejtua me një kërkesë organeve të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, por kërkesa e saj u refuzua me argumentin se nuk plotësonte kushtin ligjor të vendosur nga ligji për Sigurimet Shoqërore, i cili kërkon 12 muaj sigurim në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës. Menjëherë pas ardhjes së ankesës në Platformën e Bashkëqeverisjes, Zyra e Bashkëqeverisjes, në ndërveprim me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, i cili rivlerësoi dokumentacionin e dosjes së zonjës Qevani, nga ku rezultoi se ajo e plotësonte kushtin ligjor të vendosur nga ligji dhe sot zonja Qevani përfiton pensionin e saj të invaliditetit që prej kohës kur asaj i ka lindur e drejta, pra, që prej vitit 2016.
Luljeta Qejvani: Unë kam 3 vjet e gjysmë që jam e sëmurë. Jam operuar për probleme me shtyllën kurrizore dhe pasi kempi më dha të drejtën për paaftësi, Sigurimet shoqërore pretendonin për 15 ditë mungesë. Kam 2 vjet e gjysmë që ju dëgjoj nga televizori, shtrirë në krevat dhe mora nismën edhe unë, ta provoj Platformën. Jam shumë e lumtur dhe është e pabesueshme kjo që ndodh sot. Kur kam ardhur dje, që më mori zonja në telefon, isha shumë e emocionuar, se edhe unë kaq e re nuk doja që të mbetesha invalide.
Kryeministri Edi Rama: Çka tha Luljeta në fakt është çka mendojnë shumë njerëz që dëgjojnë këto që themi, dëgjojnë fjalët e mia për Platformën dhe nuk besojnë. Nuk besojnë dhe vazhdojnë presin, ose mundohen që ta gjejnë zgjidhen në rrugë të tjera. Në ato rrugët e ditura dhe të vjetra, që janë rrugë shkurt, që shumë herë të nxjerrin shumë gjatë. Megjithatë kjo është një betejë me një bindje të thellë, të krijuar për dekada, që çfarë thuhet në televizor është propagandë dhe çfarë ndodh në jetën reale është krejt tjetër e sidomos kur vjen fjala për qeverinë, në krah të njerëzve të zakonshëm. Për qeverinë në krah të atyre që nuk kanë përkrahje, në krah të atyre që e kërkojnë, por nuk e gjejnë dot deputetin, e kërkojnë, por nuk e gjejnë dot kryetarin e bashkisë, e kërkojnë nuk e gjejnë dot drejtorin, e kërkojnë, por nuk e gjejnë dot në punë zyrtarin përkatës. Kjo është një betejë që ne do ta fitojmë, nuk diskutohet, por do të kërkojë kohën e vet. Kjo mendësi e formuar në vite ka bazë shumë të fortë tek shumë zhgënjime e shumë poshtërime që i janë bërë njerëzve të zakonshëm në zyrat e shtetit, në gjithë këtë histori të trazuar të zhvillimeve që na kanë pararendur.
Juela, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Qytetarja Ina Hasanaj nga Tirana mori guximin të denoncojë pranë Zyrës së Bashkëqeverisjes një subjekt në afërsi të Kombinatit, i cili ishte subjekt fason me 187 punonjës, të cilët ankohen nëpërmjet zërit të qytetares Ina Hasanaj për kushtet teknike që ata kanë përjetuar në këtë subjekt. Pas denoncimit në Platformë, sërish Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore realizoi verifikimin dhe identifikoi problematikat lidhur me kushtet e punës. Brenda 7 ditëve u sistemuan kushtet teknike që lidheshin me pjesën e nevojshme dhe të përshtatshme për të gjithë punonjësit e këtij subjekti.
Ina Hasanaj: Është një kënaqësi që unë të jem sot e të ndaj kontributin tim, ndoshta modest, në portalin e bashkëqeverisjes. Unë kisha një armë që ishte portali dhe besoja aty. Kjo ishte fjalia e parë sa herë shkruaja dhe ndiqja rastin tim. Në fakt ishte një rast që nuk është se më prekte drejtpërdrejtë, por unë kisha mundësi që t’i ndihmoja. Ishte rasti i një grupi punonjësish, të cilët nga një rreth të njohurish mora vesh që kishin kushte shumë të vështira pune dhe ndiheshin që punonin pa dinjitet, në kushte minimale, me një pagë minimale dhe në të ardhmen mund të sëmureshin dhe mund të kishin edhe pasoja më të rënda. I shkruaja portalit. Fjalia ime e parë ka qenë që “unë besoj tek ju dhe e di që kjo gjë do të zgjidhet” dhe në fund kam thënë që “unë mendoj që këta njerëz duhet të jetojnë me dinjitet”. Unë jam fanse e shërbimeve qeveritare, e të gjitha portaleve dhe e gjithçkaje që mund të bëhet më mirë në këtë vend dhe që ne të gjithë mund të kontribuojmë si qytetarë. Ndihem shumë e lumtur sepse, së pari, morëm një përgjigje të menjëhershme. Brenda 72 orëve kishte një ndërhyrje dhe reagim nga portali. Ata tani ndihem më të lumtur, kushtet janë përmirësuar dhe unë jam shumë e lumtur që kam kontribuuar.
Kryeministri Edi Rama: Më vjen shumë mirë që mundëm të paraqesim një rast që është i rrallë, për fat të keq. Rastin e një qytetareje aktive, që mendoja në fakt se ishte punonjëse, por është edhe më domethënës rasti, pasi bëhet fjalë për një vajzë që merr përsipër të ndihmojë një komunitet, grash kryesisht, por edhe djemsh dhe burrash, që punojnë në një fabrikë dhe që kishin kushte higjeno-sanitare skandaloze, të cilat sot janë ndryshuar dhe janë vendosur në parametrat e domosdoshëm. Duke ju dhënë të gjithë atyre njerëzve një mesazh të qartë, që ata nuk janë as të harruar dhe as të braktisur, por, nga ana tjetër, duke i dhënë të gjithëve mesazhin që kushdo që ndihet i tillë, nuk duhet ta mendojë si fatalitet harresën, ose braktisjen, por duhet të ngrejë zërin, duhet të na bëjë me dije. Ne kemi mundësi të adresojmë e të zgjidhim pafund raste të tilla. Natyrisht në shtete të konsoliduara, nevoja për këtë Platformë mbase nuk ekziston, edhe pse më vjen shumë mirë që kemi disa interesime nga vende të tjera për ta vizituar Zyrën e Bashkëqeverisjes dhe për të parë funksionimin e Platformës. Por, sidoqoftë, në kushtet tona, për të bërë shtetin që duam, duhet të rrisim shumë presionin e dyfishtë nga lart e nga poshtë. Presionin nga lart të qeverisë mbi të gjitha agjencitë dhe zyrat dhe presioni nga poshtë për qytetarët, që janë edhe kontrollorët më të besueshëm dhe më të shumtë të rezultatit të presionit nga lartë.
Ne kemi shkarkuar dhe do vazhdojmë të shkarkojmë drejtues. Kemi larguar e do vazhdojmë të largojmë punonjës që janë përgjegjës për gjithë këto vonesa. Në rastin konkret, punonjësi që Luljetës i ka mohuar të drejtën që ajo e fitoi përmes Platformës, duke qenë invalide e plotë, nuk është më pjesë e asaj zyre. Është larguar, por është e domosdoshme që si Luljeta, si Juela, si Ervini, të gjithë që kanë përballë një mur shurdh dhe qorr dhe jo një punonjës, apo një zyrë që reagon, duhet të na drejtohet, duhet të na vërë në provë, duhet të na bëjnë palë. Palë me ta, kundër kësaj shurdhërie dhe kësaj verbërie që vret shpresa dhe që i bën njerëzit të ndihen të nëpërkëmbur dhe të braktisur.
Ardita, koordinatore e zyrës së bashkëqeverisjes në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale: Më lejoni të ndaj me ju rezultatet që kanë sjellë ndryshime cilësore midis komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarin. Sot është një realitet i prekshëm, një tregues konkret sesi qytetarët janë aksionerë në bashkëqeverisjes. Zoti Ndue Përlala iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes me dy kërkesa. Në të dy rastet mori përgjigje dhe iu drejtua në mënyrë të veçantë rubrikës “Nisma ime” dhe të dy herët, këto kërkesa përfitues kishin jo një individ apo një qytetar, por një komunitet të tërë dhe mijëra banorë. Në kërkesën e tij të parë, zoti Përlala identifikoi nevojën për ofrimin e shërbimit me kohë më të zgjatur, pra, të gjithë qytetarët të kishin mundësinë të merrnin shërbim shëndetësor edhe gjatë pasdites. Sigurisht, me marrjen të menjëhershme të rastit, u ndoq nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila sapo nxori një udhëzim të brendshëm dhe miratoi ofrimin e këtij shërbimi në qendrën shëndetësore Rubik dhe sot, qytetarët mund të marrin shërbim shëndetësor në dy turne. Dua të theksoj se ky rast i shërbeu Ministrisë së Shëndetësisë si një katalizator për të bërë një identifikim, në kujdesin e veçantë të ministres Manastirliu, në të gjithë Republikën e Shqipërisë për nevoja të shërbimit shëndetësor në të gjitha qendrat shëndetësore. Në kërkesën e dytë, zoti Përlala i referohej mungesës së shërbimit farmaceutik në Rubik, gjatë ditës së diel. Ky tashmë është kthyer në një problem serioz për ta. Atëherë, me bashkëpunimin dhe angazhimin maksimal të institucioneve si Drejtoria Rajonale e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Lezhë, por dhe njësive private ku ishin farmaci funksionale, u arrit dhe u vendos që shërbimi farmaceutik të ofrohet edhe gjatë ditës së diele dhe të jenë të gatshëm edhe përtej orareve zyrtare.
Ndue Përlala: Në fakt, ndryshe nga parafolësit, unë nuk kisha ndonjë optimizëm të madh kur shkruajta, por me dy rreshta. Të marrësh dy shërbime është pak e paimagjinueshme. Ja që ndodhi. Thjesht dua të falënderoj të gjithë institucionet dhe formimin e kësaj Platforme shumë të domosdoshme dhe sot, unë po e shikoj që qenka e vërtetë. Do mundohem që të bëj publike edhe aty ku do shkoj, që të mos hezitojë asnjë, të shkruajë për gjithçka. Faleminderit! Nuk e kisha menduar kurrë që mund të ndodhi kjo që ndodhi.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit të gjithëve, edhe një herë! Tanimë po i afrohemi 12 000 rasteve në total nga dita e lindjes së Platformës dhe 10 000 raste të përfunduara, ndërkohë që të tjerat janë të gjitha në proces. Dua të theksoj se fatkeqësisht nuk jemi dot në lartësinë e duhur, kur vjen puna tek njësitë vendore. Bashkitë nuk përgjigjen shpesh në kohë dhe kjo është për të ardhur keq, sepse faktikisht janë institucionet që për natyrë, përveçse për ligj, janë më pranë njerëzve e komuniteteve dhe e vetmja zonë konflikti që kemi me qytetarët, herë pas here, jo për faj të tyre, është kur ata shkruajnë për çështje vendore që janë përgjegjësi e bashkive. Pjesa e Zyrës së Bashkëqeverisjes që mbulon pushtetin vendor bën të njëjtën punë që bën për çdo rast me pushtetin qendror, por has shpesh në shurdhëri dhe në indiferencë. Nuk kam dashur që t’i bëj publike rastet dhe nuk kam dashur që të publikoj drejtpërdrejtë emrat konkretë të bashkive dhe të kryetarëve të bashkive, por dua të them që do të jem i detyruar ta bëj këtë gjë, meqë zotërinjtë, – kryesisht janë zotërinjtë ata që nuk përgjigjen, zonjat kryetare bashkie janë më reaguese në përgjegjësi, – kanë edhe ambicien që të zgjidhen përsëri. Kështu që do të duhet ta llogarisin nga sot se do duhet të ballafaqohen publikisht me rastet që qytetarët referojnë në Platformë dhe këta nuk duan të dinë fare dhe nuk përgjigjen. Është e vetmja gjë që na ka mbetur, pasi koordinatorët që merren me bashkitë janë kthyer në lutësa. Luten më shumë sesa besimtarët që shkojnë në kishë apo në xhami dhe nëse ata kanë një lutje drejtuar Zotit dhe e vlerësojnë ata sesi e marrin përgjigjen, lutjet e koordinatorëve të bashkëqeverisjes për bashkitë janë lutje drejtuar të zgjedhurve, që nuk përgjigjen. Kjo duhet të mbarojë, së paku si përgjegjësi e jona, si përgjegjësi e Platformës. Po cenojnë reputacionin e Platformës, që ne duam të jetë një reputacion pa asnjë cen dhe për këtë punohet ditë e natë. Koordinatorët e bashkëqeverisjes që janë këtu përgjigjen edhe pas mesnate dhe këtë ne nuk mund ta lejojmë.
Edhe njëherë shumë faleminderit të gjithë koordinatorëve dhe shumë mirënjohje të gjithë të ftuarve sot, që patën mirësinë të marrin mundimin të vijën e të na japin një ndihmë të madhe, duke treguar me zërin e tyre të vërtetat e thjeshta të ndërveprimit me Platformën e Bashkëqeverisjes, që është Platforma e njerëzve të zakonshëm dhe që e vë realisht qeverinë në shërbim të tyre.