Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e ndarjes së certifikatave të mirënjohjes për ata që dhanë kontribut në transformimin e sheshit “Skënderbej”, i vlerësuar pak ditë më parë me çmimin e parë në Barcelonë për hapësirën më të bukur publike të ndërtuar në 2017-n në Europë:
Besoj se është legjitime që sot, ne ta kremtojmë këtë trofe të rëndësishëm dhe besoj krejt të veçantë për Tiranën dhe për Shqipërinë, sëbashku me përfaqësuesit e të gjithë atyre që kontribuuan për t’ia dalë kësaj sfide jashtëzakonisht të vështirë. Sëbashku me ekipin e arkitektëve, me skuadrën realizuese, me përfaqësues të punëtorëve të thjeshtë të gjithë kantierit të madh të Sheshit “Skënderbej” dhe pa dyshim me ata, të cilët vijimësisht besuan tek ky projekt dhe kontribuuan në këtë projekt, që nga koha e konceptimit dhe fillimit të tij në Bashkinë e Tiranës, deri sot ku siç u nis, edhe u bitis realizimi i një vizioni transformues për Tiranën, por dhe për Shqipërinë.
Kështu që fjala e parë është faleminderit të gjithë atyre që besuan dhe punuan, secili në pjesën e vet të këtij fronti të gjerë, për ta bërë të munduar atë që në një moment të caktuar u duk përfundimisht e pamundur, për shkak se ky shesh, i cili për shumë e shumë dekada të historisë së vet ka qenë një shesh betejash politike, u kthye dhe në arenën e një përplasjeje të madhe politike që të gjithë e mbajnë mend shumë mirë dhe që solli koston e disa viteve të humbura. Pa llogaritur këtu, humbjet financiare për ta zhdukur dhe mbuluar me atë tamponin jeshil të një faze dramatike për Tiranën, e cila tanimë për fat të mirë i takon përfundimisht t shkuarës.
Mbi këtë projekt dhe mbi historinë e këtij projekti mund të bëhet një libër i tërë dhe do kisha shumë dëshirë që, nëse koha do ma lejonte, ta shkruaja këtë libër. Sidoqoftë, jo vetëm unë, por edhe të tjerë mund ta bëjnë librin e historisë së rindërtimit të Sheshit “Skënderbej”, të një rilindjeje të mirëfilltë urbane të Sheshit “Skënderbej”. E një nga frazat që me siguri do zinte vendin e vet në libër ishte një frazë e përsëritur shumë gjatë nga kundërshtarët e betuar të kësaj ndërmarrjeje transformuese, sipas të cilëve, projekti ishte një projekt kriminal, i bazuar tek ethet e një fitimi marramendës, për shkak se sheshi nuk do të ishte asgjë tjetër, vetëm një zonë aktivitetesh ekonomike të atyre që do të përfitonin nga pushteti, për të ndërtuar në shesh një pazar. Ka qenë një nga mijëra lajmet e rreme që e bënë Shqipërinë djep të “Fake news”, përpara sesa “Fake news” të shfaqej si një epidemi botërore.
Ka qenë një lajm i rremë, siç është sot një lajm i rremë, lajmi për kampin e madh të refugjatëve që do mbledhë refugjatët nga e gjithë bota këtu në Shqipëri, apo të tjera lajme të rreme që i dëgjojmë të përhapen dita ditës. Është një betejë shumë e vështirë beteja me lajmet e rreme, por koha i vë në vend të gjitha dhe koha i vuri në vend drejtësinë e vizionit, drejtësinë e idesë, drejtësinë e gjithë projektit të Sheshit “Skëndërbej”, që patjetër është kthyer në faqen e bardhë të kryeqytetit tonë, por u bë dhe faqja e bardhë e Shqipërisë në sytë e gjithë atyre që e vlerësuan nga maja e një kompetence të padiskutueshme profesionale dhe që i dhanë këtë çmim unikal, çmimin e hapësirës më të bukur publike të ndërtuar në Europë në vitin 2017.
Shumë vite më parë, kur isha kryetar i Bashkisë së Tiranës, në fillimet fare, më kujtohet një takim me një gazetare italiane, një zonjë dashamirëse, me thënë të drejtën, ndaj Shqipërisë, e cila më tha, kam ardhur disa herë në Shqipëri, me dëshirën e mirë që të bëj një reportazh pozitiv, por nuk kam mundur dot të bëj një fotografi të vetme në Tiranë, apo në cilindo qytet të Shqipërisë, që do të mund të justifikonte fjalët e mira e që do të mund t’ju tregonte atyre që mund ta vizitojnë Shqipërinë, se ia vlen ta vizitosh Shqipërinë. Kartolinat tuaja, tha, që i kam mbledhur të gjitha në hollin e hotel “Tirana”, këtu ku jemi sot, kanë male, kanë det, kanë peizazhe natyrore, kanë edhe tek – tuk disa pamje nga godinat shumë të vjetra të Gjirokastrës apo të Beratit, por nuk kanë asnjë pamje të asnjë qyteti e nuk ka asgjë nga Tirana. Kjo, sepse, për fat të keq, Shqipëria e asaj kohe, Tirana e asaj kohe ishte një vend ku nuk mund të dilje dot fotografi, pa pasur frikën se pas teje do të shfaqej një pamje e shëmtuar dhe e trishtueshme.
Shumëkush mendon që kjo është fasadë. Shumëkush mendon që bukuria është e panevojshme në kushtet kur një shoqëri apo një komunitet ka shumë probleme të tjera. Askush nga këta që priren të mendojnë kështu nuk janë mësuar, apo nuk u ka mësuar kush se ka shumë vende të bukura që mund të jenë dhe të varfra, por nuk ekziston në planet një vend i shëmtuar që është i pasur. Ka shumë vende të bukura ku mund të gjesh edhe njerëz që jetojnë në varfëri ekstreme, ku mund të gjesh edhe njerëz që kanë vështirësi të mëdha të jetës së përditshme për më të moshuarit, për fëmijët por nuk ka asnjë vend të shëmtuar ku nuk i gjen të gjitha këto sëbashku, ulur këmbëkryq mbi boshllëkun e mungesës së shpresës.
Sot jemi përpara shumë faktesh që provojnë se Programi i Rilindjes Urbane, transformimi duke synuar nxjerrjen në pah të së bukurës dhe vendosja e të bukurës në qendër të qëllimit të programit, nuk është një çështje zbukurimesh, por është një zhvillim i mirëfilltë ekonomik dhe social. Programi i Rilindjes Urbane është një program zhvillimi ekonomik dhe social. Mjafton të shohim shifrat për të kuptuar sa shumë ka ndryshuar e sa shumë mund të ndryshojë akoma më tepër situata ekonomikisht dhe nga pikëpamja e frymëmarrjes sociale kudo, ku falë Programit të Rilindjes Urbane kemi bërë të gjithë zinxhirin e ndërhyrjeve që i kanë dhënë një fytyrë tjetër Shqipërisë dhe që e kanë bërë të mundur nxjerrjen e kartolinave me lehtësinë më të madhe, që nga Bajram Curri deri në Konispol, që nga hyrja dhe shëtitorja e Bajram Currit deri tek qendra e vogël e transformuar e Konispolit, duke kaluar një për një në të gjitha qendrat e bashkive të reja të Shqipërisë, pa përjashtuar asnjërën, nga Kopliku në Tepelenë, nga Puka në Memaliaj, nga Fushë Arrëzi në Sarandë e kështu me radhë, për të mos përmendur qytetet me më shumë peshë dhe ku ndërhyrjet kanë qenë masive.
Ky nuk është fundi. Ky është vetëm kapitulli i parë i një libri që ne do vazhdojmë ta shkruajmë, duke u përpjekur tanimë që këtë zinxhir transformimi, që magnetin e vet ka të bukurën, ta shtrijmë përtej qendrave, përtej lagjeve të qyteteve, duke shkuar drejt zonave rurale ku sapo kemi nisur projektet dhe kemi filluar të zbatojmë pak nga pak disa prej tyre, për programin e dytë të madh që është Programi Kombëtar i Rilindjes Rurale.
Është shumë çarmatosëse në momentin e parë shprehja “njerëzit nuk kanë bukë, ju bëni sheshe, mbillni pemë e vini drita”, por, në fakt, për aq sa mund të merret e mirëqenë si shprehje, sepse ata që flasin për mungesën e bukës në Shqipëri, nuk e kanë fare haberin se çfarë do të thotë një vend pa bukë, se çdo të thotë një vend në uri.
Problemi i Shqipërisë nuk është bukuria dhe uria.
Problemi i Shqipërisë në shumë zona janë shumë hallka të tjera të jetës së përditshme të qytetarëve, që janë të munguara apo të ndryshkura, ose që kërkojnë me patjetër të transformohen e që kanë të bëjë me fëmijët, me të moshuarit, në radhë të parë, pastaj me gjithë mundësinë për të pasur akses në rrugët e zhvillimit individual dhe të zhvillimit familjar. Por e sigurt është se gjithë ky projekt që i adresohet bukurisë si një kamerdare shpëtimi, për të dalë një herë e mirë nga dallgët mbytëse të vajtje – ardhjeve, pa pasur mundësi të prekin bregun, është një program fitues, jo thjesht sepse Sheshi “Skënderbej” si xhevahiri më i madh i kurorës së këtij Programi mori këtë vlerësim kaq të madh, as thjesht sepse në finalistët e Barcelonës, ne kishim dhe dy finalistë të tjerë, lungomaren e Vlorës dhe shëtitoren bregdetare të Himarës, por sepse flasin shifrat. E jo vetëm të bizneseve të vogla dhe të vetëpunësimit e të punësimit që krijohen e vazhdojnë të krijohen falë këtyre transformimeve, por edhe shifrat e xhiros së bizneseve aty ku deri dje mezi mblidheshin pak njerëz, për të mundësuar mbajtjen hapur të derës së një biznesi.
Unë isha në Vlorë dhe Vlora është një vend që ka shumë poetë e artistë, në tentativë që për 1001 arsye kanë zgjedhur rrugë të tjera të jetës dhe një nga këta artistë, një personazh me shumë cepa, më takoi dhe më tha, na ke marrë në qafë, sepse deri dje e kishim të sigurt që, kur ktheheshim në shtëpi, i gjenim gratë dhe fëmijët duke na pritur. Sot, gratë bashkë me fëmijët na lënë takim në lungomare dhe jemi të detyruar që në vend se të rrimë e të shikojmë televizor në shtëpi, t’i bëjmë shoqëri grave dhe fëmijëve, që nuk na kthehen në shtëpi pa takuar njëra – tjetrën e pa bashkuar fëmijët me njëri – tjetrin. Është thënë vlonjatëshe, por është e thënë në thelb, saktësisht dhe vërtetësisht, sepse unë kam qenë në Vlorë prej shumë e shumë vitesh dhe e njoh shumë mirë se si është zhvilluar Vlora e mund t’ju them që sot, kur shkon në Vlorë, shikon një qytet të tërë që jeton e pafundësisht familje, burra, djem, vajza e gra, që shoqërizohen në mundësinë që u jep një hapësirë tërësisht e re urbane. Kjo sigurisht që sjell shumë të mira, por sjell edhe ekonomi, siç po ndodh kudo, pak nga pak.
Nëse sot, Shqipëria është një vend ku po flitet kaq shumë, jo vetëm mes nesh, por dhe në të gjitha ambientet ku planifikohen investimet në turizëm në Europë dhe në Mesdhe, kjo lidhet drejtpërdrejtë me fuqinë tërheqëse që kanë pamjet e këtij transformimi tek ata, të cilët dëshirojnë ta vlerësojnë mundësinë e investimit në Shqipëri.
Përpara pak ditësh, me ministrin e Turizmit organizuam një takim me një grup impresionues për nga numri, investitorësh të huaj që tanimë janë duke vlerësuar mundësitë e investimeve për hotelet me 5 yje. Ishte një darkë e jashtëzakonshme ku pata mundësi të flas me të gjithë dhe pa përjashtim të gjithë flisnin me superlativa për Tiranën, flisnim me shumë entuziazëm për bregdetin e Shqipërisë, jo thjesht më si një bukuri e natyrës, por edhe si një zonë e mundshme zhvillimi, me shumë gjëra që deri dje ishin të fshehura nën plehra e në ngrehina të shëmtuara pa leje, që kanë filluar të marrin një shkëlqim rrezatues e tërheqës. Nëse ne do të mendonim se mund të kishim ndërtuar aeroportin e Vlorës qysh katër vjet përpara, do të kishim sigurisht pamundësi për të bindur këdo qoftë, që të vinte e të investojë për atë aeroport.
Aeroporti i Vlorës është premtuar shumë herë në të gjitha vitet, qëkur kanë filluar fushatat elektorale. Por kush dhe ku mund të gjendej një fuqi investuese për një vepër të atyre përmasave, që të thoshte po vij e po i hedh lekët në këtë gropë ku mungon gjithçka. Qyteti më i rëndësishëm bregdetar i Jugut, pa një hyrje në qytet. Një qytet ku hyhej si fshehurazi, duhet të ktheheshe pas një karburanti, të kaloje një zinxhir gropash, për të mundur të hyje në qytet e në qytet, nëse të qëllonte të hyje kur kishte rënë dielli, e kishte ta pamundur të kuptojë se ku ishe. Pa llogaritur pjesën e bregut të detit në qytet, që ishte një zonë e errët dhe e mbushur me ngrehina pa leje, e braktisur nga pjesa e qytetit që do t’i jepte asaj jetë e në mes të ujërave të zeza.
Shembuj të tillë mund të merren pa fund, por nuk dua të zgjatem duke i numëruar, dua thjesht të nënvizoj të vërtetën e madhe që një hapësirë si Sheshi “Skënderbej” është një magnet i fuqishëm, jo vetëm për të mbledhur njerëzit sëbashku në shesh, të cilët deri dje nuk kishin mundësi të mblidheshin sëbashku në një hapësire publike të të gjithëve. Deri dje, Tirana kishte Bllokun, ku mblidheshin më të rinjtë, apo ku mund t’ia lejonin vetes ata që kishin më shumë mundësi financiare, por Blloku nuk ishte vendi ku mund të mblidheshin të moshuarit, apo ku mund të shkonin për të shëtitur, lëre më pastaj për të vrapuar fëmijët.
Sheshi “Skënderbej” jo vetëm sjell këtë, por është dhe një magnet i fuqishëm për të gjithë ata që vizitojnë Tiranën dhe Shqipërinë, nga të cilët, kushdo që kthehet, kthehet këtu për të shpenzuar e kushdo që vjen me idenë se mund të investojë, rikthehet për të investuar sepse është realisht argument, flet vetë, pa pasur nevojë të shkosh e të takosh kryetarin e bashkisë, apo të takosh anëtarët e qeverisë për t’u thënë “çfarë mund të bëj në këtë vend”.
Jo, tanimë nuk është më pyetja se çfarë mund të bëj në këtë vend, pyetja është, si mund ta bëj atë që dua të bëj, sepse çfarë mund të bëj, unë e shoh se mund të bëhet. E janë argumente të gjitha këto vepra që ne kemi realizuar dhe nuk diskutohet që realizimi i këtyre veprave ka sjellë shumë më tepër pritshmëri dhe shumë më tepër padurim tek shumëkush që do që edhe aty ku jeton, larg qendrave kryesore të banuara, të ketë atmosferën, aromën dhe fuqinë energjizuese që krijojnë këto hapësira. Kjo është e mirëkuptueshme.
Paralelisht me të gjitha zhvillimet e mëdha në infrastrukturë, ne do vazhdojmë të zgjasim këtë zinxhir të transformimit të jetës së përditshme të komuniteteve, duke kaluar në një fazë tjetër, duke synuar të fillojmë ë ngacmojmë një zonë që është tërësisht e pa eksploruar, atë të agroturizmit, duke prekur një numër të konsiderueshëm fshatrash, ku jo vetëm potenciali është aty dhe mundësia për transformim është e shpejtë, por dhe ku mund të japim modelet, mund të krijojmë pasqyrat që të tjerët të shohin se si mund të reflektojnë në faqen e së nesërmes, ajo që sot kanë e që duket e pamundur për t’u transformuar.
Shumë faleminderit, të gjithë atyre që besuan, të gjithë atyre që këmbëngulën dhe të gjithë atyre që punuan, që nga ata që konceptuan idenë e që nuk janë sot këtu me ne për shkak të impenjimeve të tyre, deri tek kushdo që ka qenë ai që ka mbjellë lulen e fundit në hapësirën e mrekullueshme të sheshit “Skënderbej”.
Më vjen shumë mirë po ashtu, që sheshi është i të gjithëve, edhe i atyre që e kanë mallkuar, edhe i atyre që vazhdojnë ta refuzojnë. Sheshi është i hapur për të gjithë dhe të gjithë në fakt e shfrytëzojnë, sikundër dikush që ishte një ndër protagonistët e luftës me lodrat në parkun e liqenit, – është personazh shumë i njohur publik, e njohin të gjithë ata që i donin me patjetër lodrat dhe njëri prej tyre, që çon vazhdimisht tek lodrat e parkut të liqenit nipin e vet, ma tha se vjen me djalin, por vjen i mbuluar, se i vjen zor ta shikojnë që ai po e shfrytëzon parkun e lodrave për djalin e vet. Vë syze, vë kapele, vë shall, që mos kuptohet se kush është. Në fakt, parku i lodrave nuk u bë për të, u bë për djalin.
Sheshi “Skënderbej” nuk u bë vetëm për ata që e pëlqenin e nuk u bë kundër atyre që nuk e pëlqenin, u bë për të gjithë fëmijët. Edhe fëmijët e atyre që nuk e pëlqenin e që bënë çmos që ta shkatërronin, sot kanë një shesh për të cilin janë krenar si shqiptarë të gjeneratës tjetër, se me thënë të drejtën, po të ishte për disa nga këta tipa, nuk do ia vlente fare mundimi i përditshëm, nuk do ia vlenin fare sakrificat dhe streset e përditshme, nuk do ia vlente gjithë kjo lodhje, që dikush nga larg nuk e kupton e kujton se të drejtosh këtë vend, apo të drejtosh bashkinë, apo të jesh i përfshire në këtë politikë, duke pasur pozicione si këto të tonat, është qejf.
Nuk është aspak qejf, është ëndërr, është pasion dhe ka një çmim shumë të madh, por është një çmim që ia vlen shumë ta paguash për të gjithë fëmijët e këtij vendi dhe ia vlen dyfish edhe për fëmijët e atyre që nuk do ta kishin dashur kurrë që ky vend të zhvillohej në këtë formë e nuk patën aftësinë ta zhvillonin në asnjë formë tjetër, përveç formës së shëmtimit të përditshëm. Nëse historia dhe koha do të ndalej me ta, ata do të meritonin vetëm atë që ndërtuan, një grope ku të llokoçiteshin gjithë jetën, por fëmijët e tyre meritojnë diçka krejt tjetër dhe ne jemi këtu, edhe për fëmijët e tyre.
Shumë faleminderit dhe me shumë kënaqësi, sëbashku me Erjonin do dëshiroja të ndanim çmimin në pjesë, sepse, siç është i formësuar në pamjen e vetë çmimi në disa pjesë, edhe kontributi dhe merita për këtë vepër të madhe është e shumë pjesëve, e shumë njerëzve. Natyrisht nuk mund ta ndajmë në 2000 pjesë, edhe pse jam i bindur që të 2000 pjesët do të marrin një shenjë për ta mbajtur si kujtim të një kontributi historik që kanë dhënë për transformimin urban të Tiranës dhe transformimin e imazhit të Shqipërisë, por sot janë vetëm pak nga këto 2000 pjesë, që ne do të donim t’i ndanim për t’ju thënë të gjithëve, jo për protokoll, as për formalizëm e as për të qenë politikisht korrekt se, në fakt, kjo që është ndërtuar, nuk do të ishte e mundur edhe sikur 1 prej këtyre 2000 njerëzve të përfshirë të mos kishte bërë me devocion punën e vetë.