Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Qershor 2018:

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “HEKURUDHAT SHQIPTARE – REHABILITIMI I LINJËS HEKURUDHORE TIRANË – DURRËS DHE NDËRTIMI I LINJËS HEKURUDHORE PËR NË AEROPORTIN NDËRKOMBËTAR TË TIRANËS”, NË KUADËR TË GRANTIT TË INVESTIMIT NGA FONDI I PËRBASHKËT EVROPIAN I BALLKANIT PERËNDIMOR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, në kuadër të grantit të investimit nga Fondi i Përbashkët Evropian i Ballkanit Perëndimor”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES FINANCIARE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE CASSA DEPOSITI E PRESTITI S.P.A., PËR PROGRAMIN E ARSIMIT DHE FORMIMIT PROFESIONAL NËPËRMJET INOVACIONIT”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Cassa Depositi e Prestiti S.p.A., për programin e arsimit dhe formimit profesional nëpërmjet inovacionit”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË NDRYSHIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DUKE VEPRUAR NËPËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE, DHE TRANS ADRIATIC PIPELINE AG, LIDHUR ME MARRËVESHJEN ME QEVERINË E VENDIT PRITËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave,

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndryshimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR VEPRIMTARINË E STANDARDIZIMIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 8, të ligjit nr.9870, datë 4.2.2008, “Për standardizimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e rregullores “Për veprimtarinë e standardizimit” , sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit (DPS) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MALIT TË ZI, NË LIDHJE ME OPERACIONET NDËRKUFITARE TË PATRULLIMIT AJROR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, në lidhje me operacionet ndërkufitare të patrullimit ajror, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MALIT TË ZI, PËR BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E MBROJTJES SË BIMËVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes së bimëve, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E RAPORTIT VJETOR PËR NDIHMAT SHTETËRORE TË VITIT 2017

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17, shkronja “dh”, 18, shkronja “e”, dhe 32, pika 2, të ligjit nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e raportit vjetor për ndihmat shtetërore të vitit 2017, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.70, DATË 12.2.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË DOKUMENTACIONIT DHE TË PROCEDURËS PËR PAJISJEN ME CERTIFIKATË REGJISTRIMI NË PUNË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 71, pika 8, e 73, pika 4, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.70, datë 12.2.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Kudo në vendim, fjalët “… drejtoria që ka në përgjegjësi çështjet e migracionit në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë …”, zëvendësohen me “… zyra përkatëse e punësimit ose Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, nëse punëdhënësi, pranë të cilit do të punësohet, e ushtron veprimtarinë ekonomike në më shumë se një rajon gjeografik …”.

2. Shkronja “a”, e pikës 3, ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“a) kërkesën për pajisje me certifikatë regjistrimi në punë, sipas formatit të dhënë në aneksin që i bashkëlidhet këtij vendimi;”.

3. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“6. Zyra përkatëse e punësimit ose Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, nëse vlerëson se dokumentacioni i paraqitur nga personat e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, është i plotë apo, pas plotësimit të tij brenda afatit të përcaktuar, i përmbush kriteret e përcaktuara në pikat 1, 2 dhe 3, të nenit 73, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar, e pajis të huajin me certifikatën e regjistrimit në punë, sipas formatit për punësim, të miratuar me urdhër të ministrit të ngarkuar me çështjet e migracionit brenda 10 (dhjetë) ditëve pune.”.

4. Pika 9 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“9. Nëse kërkesa është paraqitur pranë përfaqësisë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në vendin e origjinës të të huajit ose pranë përfaqësisë diplomatike që mbulon vendin e tij të origjinës, kjo e fundit, nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, përcjell dokumentacionin në ministrinë që ka në fushën e përgjegjësisë çështjet e migracionit për punësim, e cila e dërgon kërkesën pranë zyrës përkatëse të punësimit/Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.”.

5. Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“10. Zyra përkatëse e punësimit ose Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, për pranimin/refuzimin e të huajit për pajisje me certifikatë regjistrimi në punë, ndjek procedurat e përcaktuara në pikat 5, 6, 7, e 8 të këtij vendimi, dhe ia përcjell njoftimin për pranimin/refuzimin e kërkesës të të huajit ministrisë që ka në ngarkim çështjet e migracionit për punësim.”.

6. Pika 11 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“11. Ministria, që ka në ngarkim çështjet e migracionit për punësim, përcjell në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftimin për pranimin/refuzimin e kërkesës të të huajit për t’u pajisur me certifikatë regjistrimi në punë.”.

7. Pika 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“12. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton përfaqësinë diplomatike në vendin e origjinës të të huajit për pranimin/refuzimin e kërkesës të të huajit për pajisje me certifikatë regjistrimi në punë.”.

8. Pika 16 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“16. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit/zyra përkatëse e punësimit bën regjistrimin e të huajve, sipas nenit 73, pikat 1, 2 e 3, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar.”.

9. Pika 18 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“18. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe strukturat në varësi të tyre për zbatimin e këtij vendimi.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

RISHPËRNDARJEN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ORGANIKË NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE PËR VITIN 2018

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Numri i punonjësve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për vitin 2018, shtohet me 4 punonjës për Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, duke e çuar numrin e përgjithshëm të ministrisë në 1951 veta.

2. Numri i punonjësve të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për vitin 2018, shtohet me 9 punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të ministrisë në 4271 veta.

3. Numri i punonjësve të sistemit të Ministrisë së Brendshme, për vitin 2018, shtohet me 3 punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të këtij institucioni në 14149 veta.

4. Numri i punonjësve të sistemit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për vitin 2018, shtohet me 21 punonjës për Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të ministrisë në 1101 veta.

5. Numri i punonjësve të sistemit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për vitin 2018, reduktohet me 21 punonjës të Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, duke e çuar numrin e përgjithshëm të ministrisë në 5705 veta.

6. Numri i punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, për vitin 2018, reduktohet me 16 punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të këtij institucioni në 315 veta.

7. Ngarkohen ministritë dhe institucionet e përmendura më sipër për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA TOKË BUJQËSORE NË TOKË TRUALL, PËR NDËRTIMIN E NJË FABRIKE PËR PRODHIMIN, AMBALAZHIMIN DHE SHPËRNDARJEN E UJIT TË PIJSHËM NGA SHOQËRIA “PUKA UJI NATYRAL”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga tokë bujqësore në tokë truall, të sipërfaqes prej 1 511 (një mijë e pesëqind e njëmbëdhjetë) m², sipas lidhjes 1, bashkëlidhur këtij vendimi, për ndërtimin e një fabrike për prodhim, ambalazhim dhe shpërndarjen e ujit të pijshëm nga shoqëria “Puka Uji Natyral”, sh.p.k.

2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës të Qarkut Shkodër të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral përkatës ndryshimet e kategorisë së resursit, nga tokë bujqësore në tokë truall, për sipërfaqen prej 1 511 (një mijë e pesëqind e njëmbëdhjetë) m², sipas pikës 1, të këtij vendimi.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Qarkut Shkodër, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Bashkia Fushë-Arës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), DHE SHOQËRISË RAJONALE TË MENAXHIMIT TË MBETJEVE TË KORÇËS (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT), DHE KFW, FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROJEKTIN “MENAXHIMI I MBETJEVE TË NGURTA NË SHQIPËRINË JUGLINDORE, MASA SHOQËRUESE, FAZA 2 (RAJONI KORÇË)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (marrësi), dhe Shoqërisë Rajonale të Menaxhimit të Mbetjeve të Korçës (Agjencia e zbatimit të projektit), dhe KfW, Frankfurt am Main (KfW), për financimin e projektit “Menaxhimi i mbetjeve të ngurta në Shqipërinë Juglindore, masa shoqëruese, faza 2 (Rajoni Korçë)”, nëpërmjet një granti në shumën 1 200 000 (një milion e dyqind mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 16.2.2017, PËR ÇËSHTJEN “HATIJA KUNDËR SHQIPËRISË” (KËRKESA NR.53103/15)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë’’, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 16.2.2017, për çështjen “Hatija kundër Shqipërisë”, (kërkesa nr.53103/15), në shumën 1 000 euro (një mijë euro), për kërkuesin, z. Shkëlqim Hatija, në lidhje me dëmin pasuror dhe jopasuror, si dhe kostot e shpenzimet, duke e përjashtuar nga çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1 të këtij vendimi të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.

3. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1 të këtij vendimi të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit, z. Shkëlqim Hatija, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 16.2.2017, për çështjen “Hatija kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.53103/15.

4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas pikës 3 të këtij vendimi, në favor të kërkuesit, z. Shkëlqim Hatija, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë pas paraqitjes së dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga data kur vendimi i Gjykatës është bërë përfundimtar.

5. Për mospagim brenda afatit tremujor, të përmendur në pikën 4 të këtij vendimi, mbi shumën e mësipërme paguhen interesa të thjeshta të barabarta me kursin marzhinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind.

6. Efekti financiar, i parashikuar në pikat 1 e 5 të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

7. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 16.2.2017, PËR ÇËSHTJEN “RUSHITI KUNDËR SHQIPËRISË” (KËRKESA NR.23136/13)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë’’, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 16.2.2017, për çështjen “Rushiti kundër Shqipërisë” (kërkesa nr.23136/13), në shumën 1 800 euro (një mijë e tetëqind euro), lidhur me dëmin pasuror dhe jopasuror, si dhe kostot e shpenzimet, duke e përjashtuar nga çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1 të këtij vendimi të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.

3. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1 të këtij vendimi të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkueses znj. Selvie Rushiti, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 16.2.2017, për çështjen “Rushiti kundër Shqipërisë” (kërkesa nr.23136/13).

4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas pikës 3 të këtij vendimi, në favor të kërkueses, znj. Selvie Rushiti, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë pas paraqitjes së dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga data kur vendimi i Gjykatës është bërë përfundimtar.

5. Për mospagim brenda afatit tremujor të përmendur në pikën 4 të këtij vendimi, mbi shumën e mësipërme paguhen interesa të thjeshta të barabarta me kursin marzhinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind.

6. Efekti financiar, i parashikuar në pikat 1 e 5 të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

7. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.37, DATË 18.1.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I NËNSTACIONIT 110/20 KV GJIRI I LALËZIT, DURRËS”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.37, datë 18.1.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

1. Tabela e përmendur në pikën 1 zëvendësohet me tabelën bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Në pikën 3, vlera e përgjithshme e shpronësimit zëvendësohet me 1 296 602 (një milion e dyqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e dy) lekë.

3. Në pikën 4, vlera e përgjithshme e shpronësimit zëvendësohet me 1 296 602 (një milion e dyqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e dy) lekë.

4. Pas pikës 4 shtohet pika 4.1., si më poshtë vijon:
“4.1. Vlera e shpenzimeve procedurale, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohet nga buxheti i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sh.a.”.

5. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Shpronësimi të fillojë menjëherë.”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 21.4.2016, PËR ÇËSHTJEN “TOPALLAJ KUNDËR SHQIPËRISË” (KËRKESA NR.32913/03)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë’’, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 21.4.2016, për çështjen “Topallaj kundër Shqipërisë” (kërkesa nr.32913/03), në shumën 1 000 (një mijë) euro, në lidhje me dëmin jopasuror, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës.

3. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit, z. Marketin Topallaj, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 21.4.2016, për çështjen “Topallaj kundër Shqipërisë” (kërkesa nr.32913/03).

4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas pikës 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit, z. Marketin Topallaj, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor, nga data kur vendimi i Gjykatës është bërë përfundimtar.

5. Për mospagimin brenda afatit tremujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumën e mësipërme paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin marzhinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind.

6. Efekti financiar, i parashikuar në pikat 1 dhe 5, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

7. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.452, DATË 11.7.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR LENDFILLET E MBETJEVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 43, pikat 6 e 7, 44, pika 3, 45 e 64, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.452, datë 11.7.2012, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Pikat 25, 26, 28 dhe 29, në kreun XI, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“25. Operatori i një venddepozitimi ekzistues, pavarësisht nëse ka ose jo leje mjedisi, deri në datën 31 dhjetor 2018 përgatit një plan përmirësimi të venddepozitimit dhe e paraqet atë për miratim në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.

26. Plani i përmirësimit, sipas përcaktimit të pikës 25, të këtij kreu, përfshin kërkesat e përcaktuara në pikën 6, të kapitullit VI, të këtij vendimi, dhe masat konkrete të përcaktuara në aneksin I/I, bashkëlidhur këtij vendimi.

28. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, pasi miraton planin e përmirësimit, e dërgon atë për shqyrtim në Komitetin Ndërministror për Mbetjet, i cili vendos për masat që duhen marrë dhe periudhën e nevojshme të tranzicionit për zbatimin e tyre. Kjo periudhë, në çdo rast, përfundon në datën 31 dhjetor 2020.

29. Plani i përmirësimit i miratuar, masat e nevojshme dhe periudha e tranzicionit, e referuar në pikën 28, të këtij vendimi, përbëjnë një pjesë të lejes së mjedisit për atë venddepozitim ekzistues. Subjekti paraqitet në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) për dorëzimin e planit. Në rastin kur subjekti është i pajisur me planin e përmirësimit përpara se të pajiset me leje mjedisi, atëherë, në momentin e aplikimit pranë QKB-së ai do të paraqesë këtë plan si dokument më vete, i cili do t’i përcillet në mënyrë elektronike Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, së bashku me dokumentet e tjera aplikuese.”.

b) Shkronja “b”, e pikës 31, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) nuk arrin të pajiset me leje mjedisi, sipas dispozitave të këtij vendimi.”.

c) Pika 32 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“32. Operatori i vendit të venddepozitimit ekzistues, sipas dispozitave të këtij kreu, përjashtohet nga detyrimi për plotësimin e kritereve të përcaktuara në aneksin I, të këtij vendimi, deri në datën 31 dhjetor 2030. Në çdo rast, ndalohet të depozitohen apo trajtohen mbetjet e ngurta në një venddepozitim ekzistues kur në atë zonë mbetjesh funksionon një impiant rajonal për trajtimin e mbetjeve, i cili plotëson standardet mjedisore dhe teknike.”.

ç) Pas aneksit I shtohet aneksi I/I, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.285, DATË 13.4.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “HIDROCENTRALI I BANJËS-GRAMSH DHE URA E TRASHOVICËS””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.285, datë 13.4.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat, si më poshtë vijon:

1. Pas tabelës së përmendur në pikën 3 shtohet tabela nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Pas pikës 3 shtohet pika 3.1., me këtë përmbajtje:

“3.1. Vlerës totale të shpronësimit i shtohet shuma prej 251 516 (dyqind e pesëdhjetë e një mijë e pesëqind e gjashtëmbëdhjetë) lekësh për pasurinë e llojit “drufrutorë.”.

3. Pas pikës 4 shtohet pika 4.1., si më poshtë vijon:

“4.1. Vlera e shpronësimit të pronarit, sipas këtij vendimi, në shumën prej 251 516 (dyqind e pesëdhjetë e një mijë e pesëqind e gjashtëmbëdhjetë) lekësh, do të përballohet nga buxheti i shoqërisë ‘Devoll Hidropower’, sh.a.”.

4. Pas pikës 5 shtohet pika 5.1., me këtë përmbajtje:

“5.1. Vlerës totale të shpenzimeve procedurale i shtohet shuma 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, e cila do të përballohet nga buxheti i shoqërisë ‘Devoll Hidropower’, sh.a.”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E BONUSIT, NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE, QË I JEPET SHOQËRISË PËR DHËNIEN ME KONCESION/PARTNERITET PUBLIK PRIVAT PËR “PROJEKTIMIN, NDËRTIMIN, FINANCIMIN DHE MIRËMBAJTJEN E SEGMENTIT RRUGOR MILOT-BALLDREN”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, në vijim të nenit 15, të rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale, miratuar me vendimin nr.634, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, si dhe të vendimit nr.504, datë 13.9.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e bonusit prej 8,5% (tetë presje pesë për qind) të pikëve, që i jepet shoqërisë “A.N.K.”, sh.p.k., për rezultatin teknik dhe financiar të propozimit të pakërkuar, të paraqitur për procedurën për dhënien me koncesion/partneritet publik privat për “Projektimin, ndërtimin, financimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot-Balldren”.

2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E LISTËS SË SUBSTANCAVE TË NDALUARA OSE ME PËRDORIM TË KUFIZUAR PËR PRODUKTET KOZMETIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 13, të ligjit nr.26/2017, “Për produktet kozmetike“, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e listës së substancave të ndaluara ose me përdorim të kufizuar për produktet kozmetike, përkatësisht sipas shtojcave I e II, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Ngarkohen ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe inspektorati që mbulon fushën e shëndetësisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.440, DATË 17.5.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E STANDARDEVE, TË KRITEREVE DHE PROCEDURAVE TË AKREDITIMIT TË OFRUESVE TË AKTIVITETEVE TË EDUKIMIT NË VAZHDIM PËR PROFESIONISTËT E SHËNDETËSISË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 33/1, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Në vendimin nr.440, datë 17.5.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në ndarjen I bëhen ndryshimet e mëposhtme:

a) Pas shkronjës “ç”, të pikës 5, shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:

d) “Të publikojë periodikisht informacionet e lidhura me aktivitetet e ofruesve të akredituar nga QKEV-ja. Këto informacione t’u jepen profesionistëve të shëndetësisë dhe strukturave e institucioneve shëndetësore, për të ndikuar në pjesëmarrjen sa më të gjerë të të interesuarve.”.

b) Pika 4, e ndarjes IV, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Ofruesi duhet të ketë një përvojë të provueshme nga QKEV-ja ose nga institucione të tjera akredituese në një vend tjetër të BE-së ose OECD-së prej të paktën 1 (një) viti në fushën e edukimit në vazhdim në Shqipëri dhe me jo më pak se 50 aktivitete të akredituara në fushën e edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë.”.

c) Në fund të pikës 1, të ndarjes VI, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:

“Ofruesi i akredituar duhet të njoftojë QKEV-në 3 (tri) ditë pune përpara zhvillimit të aktivitetit për datën, orën dhe vendin e zhvillimit të tij.”.

II. Ngarkohet QKEV-ja dhe të gjithë ofruesit e aktiviteteve të edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.