Fjala e Kryeministrit Rama në ngritjen e siparit të Skenës së re Arturbina:
Mirëmbrëma të gjithëve!
Ky është një tjetër realizim i bukur në rrugën e vështirë të ripërtëritjes dhe të zgjerimit të hapësirave të prodhimit kulturor të vendit. Një skenë e re për artistët e fjalës, tingullit, ngjyrës dhe trupit.
Dy salla teatri me kushte optimale, siç Tirana nuk i ka pasur kurrë më parë. Një rrënojë e një kohe të vdekur, e kthyer në një ngrehinë moderne si pikëtakim mes kujtesës dhe imagjinatës.
Ishte një kohë jo shumë e largët, fare e afërt në fakt, vetëm 4 vjet më parë, ku mbi truallin e trashëgimisë kulturore dhe të krijimtarisë artistike kishte rënë perdja e rëndë e braktisjes. Pas saj, në boshllëkun e indiferencës shtetërore, binin gurët, zhdukeshin koka, piktura e objekte të çmuara, shembeshin tavane e suva, zgjeroheshin hartat e lagështirës dhe sipërfaqet e mykut dhe natyrisht uleshin numrat e syve të interesuar për monumentet e të djeshmes dhe për krijimet e të sotmes.
Teksa qeveritë iknin e vinin, duke i anashkaluar përherë plagët rrëgjuese të tranzicionit mbi sistemin e kulturës dhe të artit, sallat e shfaqjeve u ngjanin varrezave dhe spektatorët, atyre të gjallëve që drejt varrezave i çon në data të caktuara forca e zakonit të kujtimeve.
Ndërkohë që politikat kulturore qenë kthyer në përshpirtje dhe investimet qenë katandisur në zërat më të mbytur të buxhetit të shtetit, Teatri i Operës dhe Baletit, Teatri Kombëtar, Galeria Kombëtare e Arteve e mbanin shpirtin gjallë me frymën e një grushti artistësh besnikë ndaj pasionit të tyre dhe me lëmoshat e dashurisë së paepur të një mase në tkurrje dashamirësish.
Hollet e hyrjes në to, më shumë populloheshin në ceremonitë funebër të yjeve të së shkuarës që shuheshin një e nga një, sesa në premierat e shfaqjeve dhe të ekspozitave, ku turma e ndjekësve të ndjekësve të jetës artistike tretej pak e nga pak në të ftohtin e pikut të sezonit artistik, apo në djersët e mjediseve të vaposura si s’ka më keq, në fund të tij. Tapetet që të çonin drejt brendësisë së tempujve të krijimtarisë kombëtare qenë kthyer në pasqyra të lodhura gjurmësh gërryese, ku e kuqja e origjinës ia kishte lënë vendin një shtrese të murrme mbi të cilën zvarritej jeta artistike në tempujt e rraskapitur. Ditët pas premierave treteshin në harkun bosh të një vetmie të madhe, nën të cilin autorët dhe kuratorët, regjisorët dhe aktorët ngushëllonin veten me vetveten, deri sa iknin dhe ata e mbeteshin vetëm muret, karriget, fotografitë, pikturat dhe ajri që kishte tretur në boshllëk tingujt e fjalëve, a fjalitë e tingujve të lëshuar në skenat që u ngjanin kraharorëve të deformuar nga plakja pa kthim.
Askush të mos kujtojë se pas kësaj hyrjeje, unë do flas për ndonjë lulëzim të jetës artistike, apo do them, larg qoftë, që ja, u bë kjo skenë e re dhe mbaroi rënkimi 20 e kusur vjeçar dhe nisi lulëzimi i jetës krijuese. Absolutisht jo. Ky nuk është fare e nuk mund të jetë qëllimi, por ky është një rast i mirë për t’i vënë disa pika mbi “i”, ndërkohë që peripecitë tona për shpëtimin e monumenteve dhe për rilindjen e institucioneve kombëtare të kulturës zhvillohen me një kolonë të çjerrë zanore të disave që paralelisht me kantieret tona të kulturës kanë çelur vajtimin për ardhjen e fundit të botës kulturore.
Sa më shumë hapa hedhim ne, në të përpjetën e stërvështirë të rimëkëmbjes pas dekadash të tëra rrënim, aq më lart ngrihet volumi i vajtimit për të zezën që e gjeti papritur kulturën, artin, teatrin, natyrisht për shkakun tonë, për shkakun tim, në radhë të parë.
Ne nuk kemi bërë asnjë çudi e asnjë lloj mrekullie, jo e jo, por ama disa gjëra që përndryshe e pa ne, kurrë nuk do ishin bërë, i kemi bërë që ç’ke me atë punë. Duan apo nuk duan ata që dinë çfarë nuk duan, por nuk dinë çfarë thonë.
571 monumente të trashëgimisë kulturore janë tanimë përtej greminës. Në buzën e të cilës i gjetëm e ku ka ende plot të tjera që presin shpëtim, teksa ndonjëra, tek tuk, këtu e atje, ka rënë edhe gjatë kësaj kohe. Ka rënë nga pritja shumë e gjatë, pritje gjatë të cilës, në 25 vjet, u zhdukën nga faqja e këtij dheu mbi 100 objekte e pasuri kulturore, ndërsa mbi 200 të tjera, ne i kemi gjetur në grahmat e fundit.
20 operacione shpëtimi po zhvillohen aktualisht, sot që flasim, në 20 kantiere të reja në territorin e vendit, ndërsa 67 projekte të tjera janë gati për t’u futur në zbatim. Do donim t’i kishim bërë të gjitha përnjëherë, nuk diskutohet, siç do donim t’i kishim bërë përnjëherë të gjitha rrugët, të gjitha shkollat, të gjitha qendrat shëndetësore, që u lanë rrugëve për çerekshekulli, shkel shko dhe ik, por mundësitë tona, deri dje tejet të kufizuara për shkak të borxheve të mëdha që na u desh të shlyenim e aspak të pakufizuara edhe sot që i kemi shlyer ato borxhe, nuk na lejojnë shërimin e menjëhershëm të të gjithë këtyre plagëve të vjetra të të shkuarës.
Gjithsesi nuk është e tepërt e as nuk është pak të kujtohet se pas dekadash pa as edhe një ndërtim të vetëm në fushën e kulturës janë ndërtuar 4 muze të rinj, në parametra europianë në çdo aspekt, ku janë strehuar 3 thesare që i gjetëm mes pasurive në buzë të greminës;
Thesari i dinastisë Marubi në Shkodër;
Thesari i ikonave bizantine në Korçë;
Dhe thesari i pasurive arkeologjike në Durrës.
Plus, Muzeu i Gjethit ku është strehuar një histori e errët për t’ju treguar fëmijëve dhe gjithë brezave që vijnë.
U rimëkëmb gjithashtu Galeria Kombëtare e Arteve ku situata e degradimit ishte e patregueshme. Sot kemi hapur garën për rehabilitimin e plotë të saj.
Muzeu Onufri në Berat, që ishte i katandisur si s’ka më keq dhe falë rimëkëmbjes është rritur pothuajse dyfish numri i vizitorëve.
Unë nuk dua të bëj këtu inventarin e gjithë ndërhyrjeve të munguara për dekada, por dhe disa investime, që nuk bëheshin prej shumë vitesh në mirëmbajtjen e ngrehinës tërësisht të amortizuar të Teatrit Kombëtar, ne i bëmë. Sëbashku me një drejtim dhe një organizim shumë më efikas të burimeve njerëzore erdhi dhe një rritje e konsiderueshme e numrit të spektatorëve. E sa për kuriozitet, në vitin 2017, numri i spektatorëve në Teatrit Kombëtar ishte 48 895, ose 5 herë më shumë se në vitin 2014. Shifra në vetvete është hiç, në krahasim me çfarë duhet të jetë shifra e një Teatri Kombëtar, por ama është shumë më tepër sesa shkretimi i katër viteve më parë.
Rindërtuam nga themelet Teatrin e Korçës, rindërtuam në mënyrë thelbësore edhe Teatrin Migjeni në Shkodër. Dhe pa ardhur ende tek kjo skenë e re, unë dua t’ju sjell në vëmendje se ndërkohë që flasim, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit është në rindërtim tërësor, pasi jo vetëm është shembur gjithçka brenda guaskës së Pallatit të Kulturës, por është gërmuar dhe njëherë aq në këmbët e dikurshme dhe më në fund, duke kapërcyer dhe njëherë greminën ku e gjetëm, Opera e Shqipërisë do ketë jo vetëm një sallë me akustikën e duhur dhe me komfortin e merituar për ndjekësit e saj, çka kurrë nuk e ka pasur qysh nga lindja dhe deri kur përjetoi ngjitjen në majën më të lartë, por do ketë edhe salla provash kolektive, edhe mjedise përgatitjesh individuale, veshjesh e zhveshjesh për artistët, me kushte optimale, ku nuk do jetë më turp, siç ka qenë për gjithë këto vite, të ftosh artisë, regjisorë apo dirigjentë të huaj. E ku Ermonela Jaho nuk do duket më si pianoja e Tefta Tashkos mbi qerren që e transportonte nëpër brazdat e Myzeqesë, ku kujtimet e Marie Krajës dhe të Vaçe Zelës nuk do jenë më si ato lulet në varrezat e Sharrës, që vidhen për t’u ripërdorur, duke u shitur sikur janë të gjalla, nga tregtarët e ceremonive fitimprurëse dhe ku në fund të fundit do të provohet më së miri se historinë e një teatri nuk e bën vjetërsia e mureve e nuk e nderojnë hartat e lagështirës nëpër mure, por vlerat që krijojnë protagonistët dhe kushtet që u krijohen atyre.
A janë shumë këto, nëse ne mendojmë për një moment që mjafton të shikosh Teatrin Kombëtar, Bibliotekën Kombëtare, Muzeun Historik Kombëtar që ende nuk është vënë dorë, për t’u ndjerë mirë?
Jo, nuk janë shumë ato që thashë për t’u ndjerë mirë. Nuk janë shumë në raport me çfarë mbetet akoma për t’u shpëtuar e për t’u rilindur në truallin e kulturës, pas një braktisjeje çerekshekulli të plotë nga shteti, por ama janë mjaft që të paktën gojëtoret e shqyera të baltës së përditshme të qepen e të mos bëjnë zë fare përballë raportit mes asaj që u shkatërrua e u rrënua për 20 e kusur vite e asaj që është ndërtuar dhe rindërtuar në vetëm 4 vite.
Kjo skenë e re është një infrastrukturë moderne për teatrin, baletin, muzikën dhe artet pamore, që për nga cilësia e kushteve dhe e mundësive për artistët dhe për dashamirësit e artit, fare mirë mund të ishte në Paris, mund të ishte në Londër, mund të ishte në Milano.
Nuk po e përshkruaj, por secili nga ju, kur të hyjë, do të mund të çmojë vërtetësinë e fjalëve që thashë, por do më falni dhe pak, përpara se të hapen dyert e kësaj skene, sepse dua të ndaj me ju sot, bindjen time se pyetja e vërtetë që duhet bërë në funksion të historisë dhe të ardhmes së teatrit shqiptar, nuk është, a duhet të ruhet ngrehina absurde e Teatrit Kombëtar, apo duhet të ndërtohet një teatër i ri, me parametra më në fund optimale, në territorin e saj.
Jo, nuk është kjo pyetja e vërtetë dhe nuk ka asnjë sens që ky të jetë shqetësimi i aktorëve dhe i regjisorëve të këtij vendi, të cilët kanë të drejtën legjitime të kërkojnë një sistem të besueshëm konkurrence e merite, me kushte optimale, për të bërë punën e tyre, por nuk kanë se si të marrin të drejtën e vendimmarrjes mbi ruajtjen e një godine të vjetër, apo ndërtimin e një godine të re në vend të saj. Sepse një teatër publik dhe aq më tepër një teatër kombëtar nuk është prona private, apo prona ekskluzive e aktorëve dhe regjisorëve të momentit, por është një mjedis i krijuar për publikun dhe u takon vendimmarrësve të votuar nga qytetarët, në bashkëpunim me specialistët e fushës e kur flitet për godina, nuk janë aktorët dhe regjisorët, por janë arkitektët, janë planifikuesit. Dhe natyrisht, edhe debati me aktorët dhe regjisorët, për si të jetë sa më e mirë godina, është i domosdoshëm, por nuk ka debat a duhet, apo nuk duhet.
Godina e Teatrit Kombëtar mund të jetë po dhe mund të mos jetë fare pjesë e historisë kombëtare të teatrit e në rastin tonë nuk është. Historia botërore e teatrit njeh plotë raste, kur godina të krijuara enkas për ta strehuar historinë, janë bërë pjesë e historisë, sepse kanë vlera jo thjesht moshore, por vlera arkitektonike dhe estetike që i përkasin në vetvete trashëgimisë së njerëzimit. Por historia botërore e teatrit njeh edhe plotë raste, kur historitë e trupave teatrore kombëtare, ose jo kombëtare janë shkruar në godina që i kanë lënë vendin njëra – tjetrës, si rrjedhojë e përpjekjeve të qeverive, ose bashkive, ose të të dyjave bashkë, për të rritur cilësinë e mjediseve dhe të zhvillimit të historisë së tyre të teatrit.
Shqipëria nuk e pati kurrë një godinë të denjë Teatri Kombëtar, sepse askush përpara nesh nuk deshi, nuk diti, apo nuk mundi ta ndërmarrë nismën e ndërtimit të një të tille. Mbreti Zog e kishte në planet e tij, tamam aty ku janë sot bustet e vëllezërve Frashëri përballë Piramidës, por nuk pati kohën në dispozicion për ta realizuar. Regjimi komunist e përfundoi në 1946 ngrehinën e nisur në 1938 për të qenë vatra e kulturës shqiptaro – italiane, për të cilën bëhet sot, e gjithë zhurma që pa pikë dyshimi përbën një moment kulmor në historinë e estradës politike të Shqipërisë.
Në 45 vitet e ekzistencës së vet, ai regjim ndërtoi Operën, Galerinë e Arteve Figurative, ndërsa Teatrin Kombëtar e futi dhe e harroi përgjithmonë në kompleksin e ndërtuar nga italianët për vatër kulture “dopo lavoro”.
Pastaj dihet si rrodhën më pas, në këto 28 vjet nga rënia e komunizmit e deri këtu, gjërat dhe sesi Shqipëria ka mbetur sot e gjithë ditën, i vetmi vend në Europë dhe i vetmi vend edhe në rajon pa një skenë të denjë të teatrit të vet kombëtar.
Të jemi të vërtetë deri në fund e ta bëjmë hapur pyetjen e vërtetë që duhet bërë për teatrin sot. Kjo pyetje nuk është, a duhet të ruhet për teatër kombëtar, apo duhet prishur për të ngritur në vend të saj një teatër të ri kombëtar, ajo godinë ku sot nuk bën dot një festival teatror mbarëshqiptar, jo më të bësh festival rajonal apo europian, që nuk bëhet fjalë se nuk ka shans që një trupë europiane të futet në atë vatër kulture të degraduar e nuk ka shoqëri sigurimesh që t’ia marri përsipër atë destinacion.
Pyetja është, çfarë duhet bërë.
Kjo është pyetja e vërtetë, për të mbushur gropat e mëdha që kanë lënë në rrugën e teatrit tonë ikjet pa kthim të Kadri Roshit, Sulejman Pitarkës, Agim Qiriaqit, Vangjush Furxhiut, Roland Trebickës, Bujar Lakos e me radhë, se kur e shoh sot, Robert Ndrenikën në tryezat për të ardhmen e godinës, më shumë se çfarë mendon ai për godinën, mua më pikëllon dukja e tij prej mohikani i fundit i një historie talentesh të mëdha, emocionesh të paharrueshme, ovacionesh të pafundme dhe lidhjesh të forta shpirtërore mes aktorëve dhe publikut të këtij vendi. Ndërkohë që nuk i shquan dot, sot, se ku janë në skenën e zemrave të publikut trashëgimtarët e fronit të Robert Ndrenikës, apo të mbretërve dhe të princave të historisë së teatrit shqiptar që nuk janë më mes nesh.
Kjo është pyetja e vërtetë që do meritonte një debat shumë serioz me aktorët, me regjisorët, me producentët, jo se çdo bëjmë me godinën, se godina e ka humbur bastin aventuresk me kohën, por se çfarë duhet të bëjmë të gjithë sëbashku, qeveri dhe komunitet teatror, që t’i përgjigjemi deficiteve krijuese dhe interpretuese të skenës sonë kombëtare. Janë deficite të mëdha, të cilat janë krijuar në inercinë e një tranzicioni aspak bujar me kulturën në tërësi, por dhe në inercinë e humbjeve të vazhdueshme të kuotave dhe të nivelit të krijimtarisë skenike në të gjithë sistemin, që nga shkolla e teatrit deri te skena më e lartë e vendit, në Teatrit Kombëtar.
Një sukses këtu, një sukses atje, natyrisht nuk ka munguar se nuk mungojnë padyshim talentet që kanë mbajtur gjallë, sidoqoftë, frymën e historisë së teatrit, por kriza e vërtetë e teatrit shqiptar sot nuk është mes qeverisë që do të ngrejë një teatër të ri kombëtar në vend të të vjetrit dhe një minorance të zhurmshme të komunitetit teatror, që sëbashku me minorancën ulëritëse të teatrit politik e konsiderojnë kriminal këtë synim komplet legjitim të qeverisë. Kriza e vërtetë është mes të djeshmes dhe yjeve të saj, që e bënë teatrin shqiptar mikun e shtrenjtë të publikut dhe gjendjes pa shkëlqim të së sotmes, që nuk premton asgjë të lavdishme për të nesërmen e teatrit shqiptar, nëse ne nuk e shikojmë bashkërisht të gjithë të vërtetën në sy e t’i themi të vërtetë asaj që është e vërtetë.
Nëse ka dëshirë dhe gatishmëri për këtë debat nga ana e krijuesve dhe e interpretuesve të skenës sonë teatrore, qeveria është gati të ulet me ta e të përpiqet shumë seriozisht që të kuptojë prej tyre, çfarë mund të bëhet më shumë, çfarë mund të bëhet më mirë, për të krijuar premisat që jo godina, por trupa e angazhuar e njerëzve, me shpirt e zemër, me mendje e me kokë ndaj rrugës së teatrit, të dalë nga udhëkryqi e të udhëheqë në të ardhmen rilidhjen e raporteve goxha të dëmtuara me publikun.
Nëse ka diçka në këtë përplasjen absurde të ditëve të fundit, që mund ta ndihmojë realisht teatrin dhe komunitetin, është pikërisht shfrytëzimi i hapësirës së këtij debati komplet artificial mbi godinën për të thelluar debatin mes komunitetit dhe qeverisë, jo duke u marrë me muret, por me shkaqet dhe me rrugëdaljet nga kriza shumëvjeçare e teatrit.
Natyrisht, në ndërkohë, askush nuk ka se si pret nga kjo qeveri që të zgjedhë rehatinë në karrige, të pranojë t’i mbyllë sytë, t’i mbyllë veshët përballë nevojës kaq shumëvjeçare të këtij vendi për ta pasur më në fund një godinë të denjë të Teatrit të vetë Kombëtar, në vend të një godine që e ka mbyllur misionin me kohë e me vakt, e cila nuk ka gojë të flasë. Por jam i bindur, po të kishte gojë, do thoshte lejomëni të vdes se nuk rri dot në këmbë.
E kanë bërë të tjerët përpara nesh, kjo është e vërtetë, i kanë mbyllur sytë, nuk kanë dashur të shohin dhe vërtetë nuk kanë pasur asnjë protestë, na ndërtoni një teatër të ri, se kjo duhet të kishte qenë protesta prej shumë e shumë vitesh, jo na lini të vdesim këtu, bashkë me godinën.
Po a më thotë dot njeri se çfarë ka fituar teatri nga kjo? Çfarë ka fituar publiku? Se, në fund të fundit, teatri është për publikun. Nuk është për t’u mbyllur brenda e për të bërë harakiri, ata që duan që t’i zërë brenda godina.
Asgjë nuk ka fituar publiku. Zero.
Unë i kam ndjekur me shumë vëmendje dhe ato që janë thënë nga njerëzit e angazhuar kundër zëvendësimit të godinës së vjetër me një të re. E sinqerisht, por shumë sinqerisht, mua më rezulton e pamundur që të kuptoj se si mund të ketë sot, që nuk ka mbetur njeri pa parë botë, qoftë dhe një regjisor, qoftë dhe një aktor, apo dhe një figurant të vetëm që ka hipur njëherë në skenën e teatrit për të qëndruar diku në sfond, që të mos dojë një teatër kombëtar dinjitoz, me salla shfaqjesh që meritojnë të quhen salla shfaqjesh. Me skena të pajisura me teknologjinë e fundit, me mjedise optimale për prova e me infrastrukturë mbështetëse, të denjë për hapësirën kryesore të fjalës skenike të kombit, me holle dhe me hapësira muzeale dhe rekreative në dispozicion të publikut, se publiku në teatër nuk shkon as për t’u plevitosur e as për të bërë sauna e nuk shkon as thjesht dhe vetëm për atë kohë kur mbyllen dritat. Publiku shkon për të jetuar një botë ëndrrash e ndjenjash të larta artistike, por dhe mes ndjenjash pozitive komunitare në orët përpara dhe në kohën mbrapa shfaqjes.
Kam dëgjuar dhe ndonjë që thotë, shumë dakord, ta bëjmë dhe një teatër të ri kombëtar, por ndërtojeni diku tjetër. As New Yorku e as Londra që mbajnë dy mushkëritë e jetës teatrore të planetit e ku janë shembur me dhjetëra teatro të vjetër, me historira të lavdishme, nuk janë aq të pasur, sa të ecin me këtë lloj logjike. Jo, ne as mundemi e as nuk kemi arsye që ta ndërtojmë gjetkë teatrin e ri kombëtar, kur në zemër të Tiranës trashëgojmë një hapësirë historie dhe mundësie unikale për ngritjen e tij dhe për vendosjen e një guri tjetër të çmuar në mozaikun e qendrës së kryeqytetit, ku e shkuara dhe e sotmja janë funksion i të ardhmes.
Kjo skenë e re është një tjetër provë, besoj, e vizionit, e shijes dhe e dëshirës sonë për të ndërtuar objekte dinjitoze, bashkëkohore në shërbim të kulturës, të artit apo të sportit. Sigurisht, ne parapëlqejmë të rindërtojmë qoftë dhe tërësisht, por sidoqoftë duke shfrytëzuar pjesërisht, diku më pak e diku më shumë, ngrehina godinash ekzistuese, siç kemi bërë me disa dhe siç po bëjmë me të tjera. Se sigurisht kushton më pak e buxheti ynë, edhe pse ende tejet i kufizuar në raport me nevojat e mëdha që ka sistemi i kulturës, na i mundëson hap pas hapi ndërhyrje të tilla, por në raste të tjera si rasti i stadiumit kombëtar, të Teatrit Kombëtar apo dhe të Bibliotekës Kombëtare, e cila sapo kaloi dhe një moment dramatik për shkak të prurjeve të ujit, rindërtimi duke shfrytëzuar mjedisin ekzistues, guackën ekzistuese është kohë e humbur, është para e hedhur dëm dhe është thjeshtë shtyrje për më vonë e zgjidhjes së problemit, por nuk ka të bëjë me zgjidhjen.
Pyetja është shumë e thjeshtë.
Si mund ti ndërtojmë ne vepra të kësaj rëndësie, të kësaj madhësie e të kësaj nevoje të menjëhershme në shërbim të kulturës dhe të sportit, ndërkohë që shuma e nevojshme për to i kapërcen me dhjetëra e ndoshta dhe 100-fish, mundësitë e buxhetit vjetor të investimeve në dispozicion të të gjithë sistemit.
E thjeshtë është edhe përgjigja, nuk e kemi shpikur ne dhe nuk ka nevojë të shpikim asgjë. Mjafton të mësojmë nga të tjerët që janë shumë më të pasur se ne dhe që shpesh herë kësaj pyetje i përgjigjen me partneritetin me privatin. Bashkim forcash për të ndërtuar vepra me interes publik, apo shërbime cilësore publike, ku shteti merr pjesë në asete apo garanton financiarisht mbrapsht në shumë vite atë që përfiton dhe kapitali privat mundëson realizimin e veprës apo të shërbimit në kohë reale.
E në rastin e Teatrit Kombëtar, ne do të vëmë në dispozicion truallin ekzistues, ku do të ndërtohet me 100% kapital privat, asnjë cent nga buxheti i shtetit dhe asnjë detyrim financiar për kthim mbrapsht. Ndërsa privati, në këmbim të një godine të re për teatrin brenda hapësirës ku ai kufizohet sot, disa herë më e madhe godina në sipërfaqe të përdorshme dhe pa diskutim të paktën 1000 herë më e denjë në çdo aspekt, do zhvillojë një projekt transformimi të zonës pas teatrit. E keni parë zonën pas teatrit? Disa mure të rrënuara, disa hapësira mbushur me mbeturina dhe disa karakatina që nuk kanë asnjë lidhje me qendrën e kryeqytetit.
E ku është problemi këtu? Ku është problemi?
Problemi këtu është se si me çdo fillim të një gjëje të re që sjell ndryshim, mua më kujtohen shumë nga këto spazma të ngjashme, që nga projekti i kthimit në identitet të ministrive dhe deri tek stadiumi kombëtar për të cilin askush nga kujëvënësit nuk donte t’ia dinte që UEFA e futi në listën e zezë dhe ndaloi zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Këto gjëra të reja, sa fillojnë, sjellin turbulenca. Sikur të kishte një UEFA teatrosh kombëtare, godina që po diskutojmë sot do ishte në listën e zezë prej 70 vitesh.
Pjesën tjetër nuk ka nevojë ta komentojmë pasi nuk ia vlen ta ndotim këtë mjedis e ta prishim këtë mbrëmje, për të komentuar ato bishtat që dalin gjithmonë nga mbrapa në përpjekjen për të përdorur gjithçka për top për mishin e qeverisë, por unë jam i bindur për një gjë, që, kur të mblidhemi për të kremtuar çeljen e siparit, ngritjen e siparit të shfaqjeve në Teatrin e ri Kombëtar, siç jemi mbledhur sot, do ketë mes nesh disa që mezi do presin që të fiken dritat e të fillojnë shfaqjen nga sëkëlldia se në dritë, fytyra e tyre do t’ju kujtojë njerëzve përreth kundërshtitë absurde për ta penguar arritjen deri në atë ditë. Njësoj si dikush që sot e shoqëron fëmijën e vet tek kodrat e liqenit, gjysmë i maskuar me kapele e me gjyzlykë, që të mos e shohin ata njerëzit atje e të kujtojnë fytyrën e tij ndër protestuesit agresivë që donin me çdo kusht të ndalonin ndërtimin e parkut të lodrave për fëmijët.
Ndaj sot le ti gëzohemi të gjithë bashkë këtij momenti të bukur për kulturën, teatrin dhe artin dhe me shprehjen më të lartë të mirënjohjes për durimin tuaj në dëgjimin në këmbë të një fjalimi tjetër të gjatë nga ana ime, unë dua t’ju urojë të gjitha forcave krijuese të skenës, por jo vetëm atyre, sepse këtu ka vend për të gjithë, që në këto mjedis ekselence të nxjerrin sa më shumë ekselencë artistike nga zemrat dhe mendjet e tyre.
Shumë faleminderit!