Fjala e Kryeministrit Edi Rama në konferencën për sigurinë “Forca e ligjit në veprim”:
Përshëndetje të gjithëve!
Sot, Shqipëria është një hap më pranë Bashkimit Europian. Të gjithë sëbashku, përfshirë edhe Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, jemi të sfiduar në një periudhë 12-mujore, qoftë për të realizuar me sukses të gjithë procesin analitik për negociatat, qoftë edhe për të materializuar të gjitha ato aspekte të domosdoshme për konsolidimin e procesit të shtetbërjes, që lidhen drejtpërdrejtë edhe me çdo standard për t’u plotësuar në funksion të procesit të vetë negociatave.
Është me rëndësi të mos harrohet, sa herë që diskutojmë për krimin e organizuar, për kriminalitetin në tërësi, për paprekshmërinë dhe ndëshkueshmërinë, se bëhet fjalë për një problematikë sa komplekse, aq edhe të lidhur me kompleksitetin e ndërveprimeve mes institucioneve ligjzbatuese.
Nëse deri 4 vjet më parë, Policia e Shtetit ishte institucioni më i diskretituar në sytë e opinionit publik, ishte institucioni me nivelin më të ulët të besimit të publikut, sëbashku me prokurorinë dhe gjykatat, sot ka një ndryshim rrënjësor dhe cilësor në perceptimin e opinionit publik, që në të njëjtën kohë shpreh në mënyrë shumë më kuptimplotë edhe mangësinë themelore në këtë proces për shkak të disnivelit të lartë midis asaj që bën Policia e Shtetit dhe asaj që bëjnë gjykatat e Republikës së Shqipërisë.
Policia e Shtetit është përgjegjëse, do thosha, për të garantuar prekshmërinë e kujtdo qoftë, ndërsa gjykatat janë përgjegjëse për të garantuar ndëshkueshmërinë e kujtdo qoftë.
E nëse flasim për prekshmërinë, nuk ka qenë shumë e shumë vite më parë, ka qenë vetëm 4 vite në parë, koha kur shqiptarët ishin ndarë në të prekshëm dhe të paprekshëm.
Ka qenë 4 vite më parë, koha kur semaforët ishin të kuq për njerëzit e zakonshëm dhe ishin gjithmonë jeshil për njerëzit e pushtetshëm.
Ka qenë vetëm 4 vite më parë, koha kur deputetët edhe ministrat e pastaj e gjithë arradheja e zyrtarëve të lartë mund të parkonin mbi çdo trotuar të Republikës së Shqipërisë dhe mund të bllokonin çdo kalimtar të Republikës së Shqipërisë, të paprekur.
Ka qenë vetëm 4 vite më parë, koha kur padallueshmëria e ngjyrave politike në adresimin nga ana e Policisë së Shtetit e nevojës për zbatimin e ligjit nga të gjithë ishte një utopi.
Kjo është e vërteta.
Ka qenë vetëm 4 vite më parë, koha kur raporti me ligjin i individëve kalonte përmes përkatësisë së tyre politike, përmes nivelit të influencës në shoqëri, qoftë për shkak të shkallës shoqërore, qoftë për shkak të statusit të pasurisë.
Ka qenë deri 4 vite më parë, koha kur operacionet e Policisë së Shtetit për të goditur kriminelë me profil të lartë tradhtoheshin nga kupola e Ministrisë së Brendshme dhe kur kriminelët me profil të lartë e merrnin vesh përpara, sesa ta merrnin vesh drejtorët e policisë, se kishte një operacion për goditjen e tyre.
Ka qenë vetëm 4 vjet më parë, koha kur nuk mund të imagjinohej se një ish-ministër i Brendshëm, i kërkuar nga drejtësia për një proces hetimi, të mos merrte asnjë mbrojtje politike dhe jo vetëm të mos merrte asnjë mbrojtje politike, por partia në pushtet të bënte një ndarje të qartë mes politikës dhe drejtësisë.
Ka qenë vetëm 4 vjet më parë, koha kur Shqipëria ishte e mbjellë nga të katër anët me kanabis. Kishte dhe një ambasadë të kanabisit në Europë, Lazaratin, me imunitet politik dhe diplomatik, botërisht të mbrojtur dhe kthyer në një resort të drogës, ku trupat e huaja shkonin dhe bënin xhirime, sikur shkonin në një park të mbrojtur, zonë natyrore e rëndësisë së veçantë dhe askush nuk lëvizte.
Ka qenë vetëm 4 vjet më parë, koha kur komunikatat e Policisë së Shtetit ishin sekret dhe të gjitha operacionet e kryera nuk ndaheshin as me publikun, as me median, jo e jo.
Të gjitha këto i përkasin të shkuarës.
Unë besoj se nuk është pak, për të parë të nesërmen përmes kësaj retrospektive në të shkuarën shumë të afërt, të nesërmen e sigurt lidhur me faktin që ne çka kemi shpallur si objektiv 5 vjet më parë në fushatën e zgjedhjeve për mandatin e parë do ta realizojmë në fund të këtij mandati.
Policia e Shtetit shqiptar, nga një trupë që ishte më e vjetra në moshë në rajon, më e pashkolluara në rajon, më e keqpaguara në rajon dhe më e keqpajisura në rajon, do të jetë një polici e parametrave të performancës mesatare të policive të Bashkimit Europian. Kjo as nuk ka më dyshim se është e realizueshme.
Mirëpo çështja e rendit ligjor dhe çështja e barazisë para ligjit nuk ka vetëm këtë anë të medaljes, garantimin e prekshmërisë së çdo individi që i bie ndesh ligjit dhe zerimin e paprekshmërisë, që është arritur nga ana e Policisë së Shtetit. Ka dhe aspektin tjetër, ndëshkueshmërinë e çdo personi në procesin hetimor dhe gjyqësor, pavarësisht gjatësisë, pavarësisht statusit shoqëror dhe pavarësisht pasurisë.
Në këtë aspekt, ne jemi të vetëdijshëm dhe është në sytë e të gjithëve se shkatërrimi i procesit ligjzbatues në sallat e gjykatave nuk është përjashtim, është normë. Ne e dimë se janë jo 5, jo 15, 20, as 100, por janë mbi 100 raste kriminelësh që janë liruar në sallë nga gjykatësit dhe kanë dalë e kanë përsëritur krimin, vrasje, përdhunime dhe grabitje me dhunë, si 3 kategori tipike që nuk mund të marrin dot pafajësinë direkt në sallën e gjyqit.
Ne jemi po ashtu të vetëdijshëm se ky nuk është një proces, i cili mund të ndodhë në një hark kohor të shkurtër, por ama është një proces që ka filluar dhe është pa kthim. Me vetting-un e prokurorëve dhe gjykatësve po vendoset baza për të pasur edhe anën tjetër të medaljes së luftës kundër krimit dhe korrupsionit, garanci.
Policia e Shtetit e ka garantuar, duan, s’duan ata që duan ta bëjnë këtë diskutim, qofshin shqiptarë, qofshin të huaj, që paprekshmëria e individit në Shqipëri nuk ekziston më, që nga shkeljet e vogla deri te shkeljet më të mëdha. Çështja është që sistemi i drejtësisë të garantojë që pandëshkueshmëria nuk ekziston më.
Më vjen shumë mirë që kemi këtu edhe kryetaren e Senatit të Holandës dhe dua ta përshëndes posaçërisht për vizitën e saj në Shqipëri. Kështu kemi dhe një dëshmitare shumë institucionalisht të padyshimtë të faktit se sa e vështirë është lufta kundër drogës. Një luftë, të cilën të gjitha vendet, që nga Holanda që është një ndër vendet më të zhvilluara dhe më të fuqishme, pavarësisht përmasës së vogël, deri te Shqipëria, sot janë të detyruara ta zhvillojnë në mënyrë të bashkëlidhur, sepse nuk ka më grupe që në trafiqet e drogave veprojnë të lokalizuara, janë të ndërkombëtarizuara, janë grupe që kanë zanafillën diku dhe e kanë fundin diku tjetër.
Është absolutisht jo vetëm e vërtetë, por dhe e domosdoshme, ajo çka u nënvizua këtu nga disa prej ambasadorëve, bashkëpunimi ndërkombëtar ku tanimë Policia e Shtetit është në terren në vende të tjera dhe do të shkojë edhe në të tjera. Sapo është firmosur një marrëveshje edhe me qeverinë holandeze, për të bashkëpunuar në terren, konkretisht, për të adresuar probleme që janë të përbashkëta dhe që kërkojnë zgjidhje të përbashkëta.
Hedhja e topit tek njëri-tjetri nuk na çon larg. Ndërkohë që bashkëpunimi me njëri-tjetrin na garanton shumë më tepër siguri dhe shumë më tepër efikasitet në luftën kundër rrjeteve të organizuara që janë rrjete ndërkombëtare. Edhe më i fundit i trafikantëve, në telefon ka kode telefonike të vendeve të tjera. Edhe më i fundit.
Ashtu sikundër unë e kam refuzuar dhe e refuzoj kategorikisht përshkrimin e Shqipërisë si një vend që ka ndonjë specifikë të veçantë për krimin e organizuar. Shqipëria nuk ka asnjë specifikë të veçantë.
Shqipëria, jo vetëm nuk është atdheu i krimit të organizuar, por në përmasën e vendit dhe në përmasën e problemit është një vend ku ka një problem serioz me krimin e organizuar, siç ka dhe në shumë vende të tjera të vetë Bashkimit Europian, që të jemi shumë korrektë e të ndershëm me njëri-tjetrin dhe është një vend ku krimi i organizuar po luftohet çdo ditë dhe po luftohet çdo ditë e me më shumë vendosmëri.
Sigurisht, nëse do diskutojmë për efikasitetin, këtu pastaj nuk kemi asgjë për t’ju mësuar partnerëve tanë europiane, por kemi vetëm për të mësuar prej tyre. Kjo është pak, por është e sigurt.
Më lejoni t’ju kujtoj se katër vjet më parë, Shqipëria trashëgonte një trend mesatar vrasjesh, 110 vrasje në vit, përtej çdo lloj kuadri statistikor që mund t’i referohemi në Bashkimin Europian. 110 vrasje mesatarisht në vit. Është ulur numri i vrasjeve në katërvjeçarin nga 2014 deri në 2017, në një mesatare 60 në vit. Është pothuajse gjysmë për gjysmë dhe jemi tanimë në trendin e mesatares europiane.
Ky 6 mujor është 6 mujori me numrin më të ulët të vrasjeve, historik dhe nëse i referohemi vitit 2014 me 58 vrasje, 2015 me 28, 2016 me 33 dhe 2017 me 28, jemi në 25 dhe ky vit, njësoj si viti i kaluar do të jetë një vit me numrin më të ulët të vrasjeve.
Unë nuk e di, – këtu ka plot ekspertë policie, vendas e të huaj, – a keni parë në ndonjë vend ku krimi i organizuar, ku mafia e ku dreqi dhe i biri të jenë aktorë kryesorë dhe parametrat e rendit dhe të qetësisë publike të jenë siç janë në Shqipëri sot. Nuk ka. Për arsye të nevojave të punës, unë i kam studiuar këto dy anë të medaljes. Në çdo vend ku ka një krim të organizuar, të strukturuar dhe të ndërlidhur deri në nivelet më të larta, ka vrasje në disproporcion me trendet e vendeve ku krimi i organizuar mund të jetë problem, patjetër, siç është dhe në Shqipëri, por ku luftohet. Ky është fakt.
Edhe një shifër tjetër. Në vitin 2013 janë sekuestruar 1 milionë euro asete kriminale. Vetëm në këto 6 muaj janë sekuestruar 18 milionë. 1 milionë euro asete kriminale në 2013-n është shifra më e lartë e viteve të dekadës së parë të 2000. Sot, në katër vjet, shuma është 137 milionë euro, plus 18. Janë para të sekuestruara nga krimi i organizuar. Nuk janë statistika që lidhen me të tjera gjëra, por janë para. Janë asete financiare të krimit të organizuar.
Tregon kjo se krimi i organizuar është një problem që mbetet aty ku ishte?
Jo, krimi i organizuar është një problem që mbetet aty ku ishte në aspektin e fokusit tonë dhe të domosdoshmërisë për ta ulur më tutje prezencën dhe influencën e tij, por sot, krimi i organizuar në Shqipëri është shumë më i dobët sesa ishte 4 vjet përpara. Kjo nuk diskutohet. Kush e diskuton këtë, ose nuk kupton fare nga kjo punë, ose ka arsye të tjera për ta vënë këtë punë në diskutim.
I gjithë ky proces lidhet edhe me një fakt që është sot i dukshëm për të gjithë. Këtu janë të gjithë partnerët tanë dhe bashkëpunimi, mbështetja dhe ndërveprimi me partnerët ka qenë kyç në gjithë këtë periudhë dhe mbetet kyç. Ashtu sikundër dhe gjithë procesi i integrimit europian, nga marrja e statusit të vendit kandidat deri sot ka qenë dhe mbetet kyç në këtë aspekt.
Unë e mirëkuptoj shqetësimin që nënvizoi për nuk e di se të satën herë ambasadori, lidhur me një nga profilet më të lartë të krimit të organizuar. Pa diskutim që arritja në kapjen e këtij personazhi të botës së krimit është një domosdoshmëri dhe do të jetë një sukses i madh, por mos harrojmë që nuk ishte 40 vjet përpara. Ishte vetëm pak vite më parë. Ky ishte drejtor, i lidhur politikisht, siç tha ambasadori dhe politikisht i promovuar drejtor dhe çuditërisht, jo drejtor peshkimi, por drejtor transporti. Sot është në kërkim dhe patjetër që në bashkëpunim me partnerët, më herët se vonë, ai do të kapet, edhe pse nuk është e lehtë, siç tregojnë dhe shembujt, qoftë të Amerikës, qoftë të Italisë, qoftë të vendeve të tjera, kur bëhet fjalë për profile të kësaj natyre që kanë lidhje shumë të forta në territorin e vogël ku operojnë.
Ama sot, ne jemi frontalisht të vendosur e pikërisht pse jemi frontalisht të vendosur, ne shikojmë deri dhe shfaqje të pabesueshme të bashkëpunimit të krimit me politikën. Ministri i Brendshëm u vu nën një sulm që synonte jo goditjen e tij, por diskreditimin e të gjithë luftës kundër krimit të organizuar në sytë e të gjithëve ju që jeni këtu me kufje e po më dëgjoni mua që flas shqip. Se në Shqipëri, shqiptarët nuk mund ta hanë dot atë lloj teatri, por për çdokënd që është në një skrivani në Berlin, në Hagë, në Paris, se këto janë tre kryeqytetet më të dashura të momentit në Europë dhe në kryeqytete të tjera, që merr raportin ku shkruhet “audio-përgjim, vëllai i ministrit duke diskutuar sasitë e drogës me trafikantët”, nuk ka as kohë e mbase nuk ka as dëshirë të marrë vesh si është e vërteta, sepse i bie më shkurt të thotë, “ja, kjo është Shqipëria”.
Në fakt, Shqipëria jo vetëm që nuk është kjo, por është e kundërta e saj. E unë e konsideroj atë një nga shfaqjet më shembullore të bashkëpunimit të politikës me krimin, për të goditur dhe frenuar pikërisht gjithë trupëzimin e shtetit kundër krimit, sado kjo mund të duket e ekzagjeruar. Unë besoj në këtë dhe e ndaj me ju këtë bindje. Nuk shoh asnjë mundësi e asnjë arsye tjetër, që një parti politike të bashkëpunojë me persona që kanë hyrë e kanë dalë nga burgjet si turistët në hotele, për të inskenuar një film me personazhe të pretenduar, tjetër për tjetër nga ajo që ata janë.
Jam shumë shpresëplotë se këtë çështje, prokuroria do ta zbardhë deri në fund, por ajo që është e rëndësishme të nënvizohet është sa e vështirë mbetet në këto kushte, kur politika me krimin është në funksion çdo ditë, për të luftuar krimin, pa qenë të penguar nga hijet e dyshimit që krijon kjo politikë, e krijuar dhe e stimuluar pikërisht për të krijuar hije dyshimi mes publikut dhe policisë, mes policisë dhe lidershipit politik, mes policisë shqiptare dhe partnerëve e kështu me radhë.
Nuk dua të zgjatem më tutje me atë që ishte dhe atë që është. Ajo që pamë në anketimin e prezantuar dashamirësisht nga organizatorët, për të ndarë perceptimin e publikut lidhur me Policinë e Shtetit me të pranishmit dhe me ata që na ndjekin, ka një të vërtetë të hidhur brenda. Sot, ne kemi një problem të madh të nivelit të edukatës dhe të nivelit të komunikimit të Policisë së Shtetit me qytetarin.
Nëse qytetari sot është shumë e shumë herë më i kënaqur nga Policia e Shtetit, pse ndihet shumë më i sigurt në jetën e përditshme, kjo nuk do të thotë aspak se Policia e Shtetit është aty ku udhët e ku duhet të jetë në raportin e vet me qytetarin; Për këtë arsye, Programi i ri Policimit në Komunitet është një hap në drejtimin e duhur.
Për këtë arsye, çelja e Akademisë së Sigurisë dhe tanimë funksionimi i plotë i Akademisë për të luftuar vjetërsinë e lartë të moshës në Policinë se Shtetit, është një hap në drejtimin e duhur;
Për këtë arse, ripërtëritja e trupës dhe vetting-u në Policinë e Shtetit është një hap në rrugën e duhur;
Për këtë arsye, rritja e pagave që kemi bërë e do vazhdojmë të bëjmë është një hap në rrugën e duhur;
Për këtë arsye, edhe programi i ri i fazës së dytë të transformimit teknologjik të Policisë së Shtetit, që do të lancohet nga ministri i Brendshëm, besoj në javët në vijim, qoftë për monitorimin online të të gjithë rrugëve të vendit, qoftë për heqjen më në fund, të atyre letrave të bakallit të gjobave dhe dixhitalizimin e procesit të kontrollit rrugor dhe të gjobitjes për shkak të shkeljeve të rregullave të qarkullimit, janë një hap në drejtimin e duhur.
Shkurt fjala, jemi në rrugën e duhur dhe jo për formalitetin e takimit, sepse shumë nga miqtë e mi këtu, ambasadorë, e dinë, unë vetëm diplomat karriere nuk do isha bërë dot kurrë dhe do më kishin përjashtuar kushedi sa herë nga karriera diplomatike për shkak të pamundësisë për të qenë një diplomat i mirë, por, për hir të së vërtetës, pa të pranishmit, pa vendet që ata përfaqësojnë, pa ndihmën dhe mbështetjen e të gjithë atyre që janë të pranishëm këtu, kjo rrugë e duhur do të ishte një rrugë e pamundur për t’u përshkuar deri në fund. Ashtu sikundër edhe pa gjithë ata që unë nuk i njoh, por e marr me mend, që janë të pranishëm këtu si ekspertë në mbështetje të Policisë së Shtetit, të gjithë ata që i kanë kufjet në vesh këtë moment dhe ndonjëri që di shqip dhe bën sikur nuk di shqip dhe i dëgjon me kufje, që mos kuptohet që ai di tamam se çfarë flasin ata që ka rreth e rrotull dhe i raporton tek Doni dhe tek kolegët e Donit, do ishte e pamundur.
Kështu që një falënderim shumë i sinqertë, mirënjohje për gjithë ndihmën dhe mbështetjen tuaj!
Shumë faleminderit të gjithëve!
Shpresoj që fjalimi, nuk diskutohet i gjatë, mund të jetë i diskutueshëm, por nuk ishte i mërzitshëm.
Faleminderit!