Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama në takimin javor me qytetarë, që kanë gjetur zgjidhje për problemet e tyre, përmes platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al:

 

Kryeministri Edi Rama: Në vazhdën e eventit të përjavshëm të dëshmive të platformës shqiperiaqeduam.al, platforma e bashkëqeverisjes, e cila pavarësisht periudhës së pushimeve ka vazhduar të jetë shumë aktive. 439 qytetarë i janë drejtuar platformës që prej 1 korrikut dhe çka është më e rëndësishmja, të gjithë ata, të cilët kanë adresuar halle apo probleme si rezultat i vonesave ose zvarritjeve burokratike në zyrat e shtetit kanë marrë zgjidhje në afatet e përcaktuara paraprakisht prej vetë platformës.

Ka kaluar 50.000 numri i qytetarëve që janë përfshirë në platformë, qoftë drejtpërdrejtë për të shprehur një shqetësim, për të adresuar një problem, për të kërkuar zgjidhjen e një halli, qoftë edhe si qytetarë aktivë për të përcjellë një opinion të tyren. Platforma është një urë e sigurtë bashkëpunimi dhe ndërveprimi, mes çdo njeriu të zakonshëm të këtij vendi dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar, sipas fushës së interesimit të qytetarëve. Ashtu sikundër është dhe një instrument i sprovuar tanimë për të zgjidhur në kohë reale një problem, një hall, një shqetësim, pavarësisht statusit special, pavarësisht moshës, pavarësisht gjeografisë dhe në rastet e këtyre 2 muajve, ka plot raste adresimesh nga bashkëqytetarë jashtë Shqipërisë, se platforma nuk ka kufij dhe duke qenë tërësisht një instrument dixhital, bën të mundur që qytetarë, të cilët kanë probleme me administratën këtu dhe e kanë të pamundur të vijnë në Shqipëri dhe prej vitesh madje kanë halle që nuk i zgjidhin dot, mund ta bëjnë këtë drejtpërdrejtë nëpërmjet platformës.

Sot janë disa raste domethënëse. Ne, këtë event e bëjmë për të promovuar platformën nëpërmjet zërit të vetë qytetarëve që e kanë shfrytëzuar dhe kanë marrë zgjidhje. Një zë i besueshëm dhe që përcjell drejtpërdrejt eksperiencën me platformën dhe inkurajon, besojmë ne, të tjerët që të mos ngurrojnë. Për më tepër, dua ta përsëris atë që kam thënë sa herë më është dhënë mundësia të flas për platformën, vetëm 3 minuta, – dhe për këdo që ka humbur vite apo ka humbur muaj në pritje të zgjidhjes së një problemi apo një halli sepse nuk e ka gjetur atë që është konsideruar tradicionalisht si rruga më e shkurtër, ndërkohë që dera e një zyre ka qenë e mbyllur, – tre minuta, nuk janë asgjë për të na vënë në provë. Platforma është në fakt rruga më e shkurtër. Është shumë më e shkurtër se rruga e mikut, se rruga e partisë, se rruga e ryshfetit dhe është një armë shumë efikase edhe për të çliruar çdo ditë mbi bazë të eksperiencave dhe mbi bazë të hetimeve administrative që pasojnë zgjidhjen e problemeve, administratën tonë nga shushunja dhe nga parazitë e grabitqarë, që janë ende nëpër këmbë në zyrat e shtetit, ku për hir të së vërtetës ka filluar të ndihet një ndryshim, ka filluar të ndihet një aktivitet shumë më i përgjegjshëm dhe ka shumë më tepër zgjidhje pavarësisht edhe vetë platformës.

Atëherë, duke ju shprehur përsëri falënderimin dhe koordinatoreve të bashkëqeverisjes që janë gjithë forca njerëzore mbas ekranit të platformës, dua të ftoj Egestën, për të prezantuar dëshminë e parë.

Egesta: Përshëndetje të gjithëve! Midis qytetarëve, të cilët na kanë nderuar me praninë e tyre sot në këtë takim, është edhe zonja Fatmire Llaha, një qytetare nga Elbasani, e cila adresoi kërkesën e saj në platformën e bashkëqeverisjes kundrejt Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Elbasan. Nga ana e kësaj drejtorie, që prej nëntorit të vitit 2017, nuk është përfshirë një periudhë prej 7 vitesh për të cilën ajo ka derdhur sigurim si e vetëpunësuar në bujqësi. Me ardhjen e ankesës nga ana e zyrës së bashkëqeverisjes, u trajtua çështja dhe ajo mori zgjidhje, në më pak se 10 ditë. Përfshirja e kësaj periudhe së munguar sigurimi, sigurisht që ndikoi në rritjen e masës së pensionit mujor që do të përfitojë zonja Fatmire dhe që nga momenti i lindjes së të drejtës, ajo do të përfitojë dhe diferencat kreditore që i takojnë sipas ligjit.

Dua të theksoj se për këtë rast, nga ana e institucionit përkatës, për dy punonjës, të cilët nuk kanë zbatuar detyrat funksionale, është marrë masa disiplinore përkatëse. Zonja Fatmire, lutem të ndani me ne eksperiencën tuaj me platformën e bashkëqeverisjes.

Fatmire Llaha: Ju përshëndes ju zoti Kryeministër. Falënderoj platformën e bashkëqeverisjes që ka një rrugëzgjidhje për ne. Falënderoj gjithë koordinatorët e këtij bashkëpunimi që punojnë këtu, për rrugëzgjidhjen që i dhanë problemit tim. Derdha kontributin për sa mundësi që kisha në atë kohë, nuk mu quajt. Shkoja për të marrë pensionin, dhe më dridheshin gjunjët se ishin shumë pak lekë. Të dëgjova në televizor për platformën. Nuk dija se si të shkruaja. Në këtë emision si sot, ishte një djalosh që kishte aplikuar për xhaxhanë e vet dhe kishte gjetur rrugëzgjidhje. Erdhi djali im në korrik, i tregova për platformën. Më tha, ja ta shikojmë njëherë, mirëpo iku në Greqi, vajti në Itali, me pushime të motra dhe aplikuan që atje. Nga fillimi i gushtit kishte ardhur përgjigja. Faleminderit të gjithëve dhe ju përshëndes të gjithëve.

Kryeministri Edi Rama: Këto janë dëshmi reale. Platforma është reale dhe pavarësisht atyre që shikojnë me dyshim janë të mirëkuptuar sepse kanë parë shumë në gjithë këto vite apo atyre që shikojnë me cinizëm, edhe ata meritojnë keqardhje në këtë rast, fakti është që platforma funksionon për këdo. E nga ana tjetër, dua ta theksoj për të gjithë ata që mund të jenë në pozitën që ka qenë zonja në momentin kur ka dashur ta hedhë këtë hap dhe nuk ka ditur se si, që në të gjitha njësitë administrative, në zyrat postare, në zyrat e hapura enkas prej nesh nga Partia Socialiste në këtë rast, nuk janë të detyruar të shkojnë tek këto zyra ata që kanë parti tjetër, por ndërkohë hallin e kanë dhe duan ta zgjidhini me ne, por thashë, në njësitë administrative, tek posta apo tek një komshi që ka një djalë apo një vazhdë të vogël që di të bëjë gjithçka me internetin, – është plotësisht e mundur që të bëhet aplikimi dhe rasti nuk është i vetëm. Ka pasur pothuajse çdo herë që kemi bërë eventin e përjavshëm një dëshmitar, dy nganjëherë, lidhur me pensionin, lidhur me vështirësitë për të marrë atë që i ka takuar, në raport me institucionin përkatës së sigurimeve shoqërore. Ashtu sikundër, e tha Egesta, ne nuk mjaftohemi me zgjidhjen e problemit, por i shkojmë pas për të gjetur përgjegjësit. Në rastin e zonjës, janë dy nëpunës, të cilët kanë mbuluar rastin, që janë ndëshkuar me masën përkatëse administrative. Masat variojnë nga vërejtjet, deri në ndjekje penale, pas kuptohet, lirimit nga detyra. Albana do të prezantojë një rast që lidhet me sipërmarrjen.

Albana: I nderuar zoti Kryeministër. Të nderuar pjesëmarrës! Rasti që unë prezantoj sot me ju dhe që e ndaj është një dëshmi, e cila vërteton që në luftën kundër informalitetit dhe për sigurinë ushqimore, faktori qytetar, platforma, kur bashkëpunojnë si duhet, japin rezultate pozitive në këtë sektor. Elton Shani është një qytetar, i cili iu drejtua platformës, duke prezantuar një problematikë të tillë. Me marrjen e kësaj ankese, ne adresuam problemin tek institucionet e zbatimit të ligjit, administrata tatimore dhe jo vetëm e në përfundim të gjithë këtij procesi inspektimesh e kontrollesh, rezultatet ishin pozitive, qoftë nga administrata tatimore, qoftë edhe nga inspektoratet e tjera. I ftoj të gjithë qytetaret apo dhe bizneset që të mos ngurrojnë të adresojnë në platformë çdo rast informaliteti dhe çdo fenomen, i cili ndikon jo vetëm në klimën e biznesit, por dhe tek siguria jonë si konsumatorë. Elton, të lutem!

Eltoni: Përshëndetje të gjithëve! Përshëndetje zoti kryeministër! Kemi një biznes familjar modest dhe kishim problem me biznesin tonë dhe u detyruam të bëjmë një kërkesë ndaj platformës së bashkëqeverisjes që reaguan në mënyrë konkrete duke u shprehur në detaj. U verifikua dhe gjithçka ishte në rregull. Ishte sikleti që ne kishim një problem me biznesin tonë. Problemi ishte që bizneset në zonë kishin informalitet të theksuar.

Kryeministri Edi Rama: Është i mirëkuptueshëm sikleti për shkak se e shohin komshinjtë rreth e rrotull në televizor dhe thonë e paskemi pasur nga ty këtë hall, megjithatë ke bërë gjënë e duhur dhe e vërteta është që edhe në aspektin e informalitetit, janë bërë hapa kolosalë përpara, por ka ende shumë për të bërë dhe çdo bashkëpunim që krijohet si rezultat i mosqëndrimit indiferent të qytetarëve apo të bizneseve është shumë i vlefshëm. Ashtu sikundër, për sigurinë ushqimore e preku Albana, është e padiskutueshme që nuk ka të krahasuar me situatën e mëparshme, por është ende larg situatës, ku të gjithë duam që të jemi dhe përsëri ka një rol të posaçëm çdo qytetar që aktivizohet, duke tërhequr vëmendjen në një adresë të caktuar apo në një aktivitet të caktuar që cenon sigurinë e konsumatorëve. Albana tjetër do referojë për një rast që lidhet me shërbimin shëndetësor.

Albana: Faleminderit zoti kryeministër! Përshëndetje të gjithëve! Si koordinatorë të platformës së bashkëqeverisjes jemi çdo ditë dëshmitarë të rasteve, ku qytetarët e përdorin platformën si një mekanizëm sinjalizimi kur ka mungesë shërbimesh, sidomos shërbimesh shëndetësore. E tillë është ankesa e drejtuar në platformën e bashkëqeverisjes për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku një qytetare ankohej në emër të prindërve të saj të moshuar, të cilët ishin paraqitur pranë ambulancës së lagjes, së qendrës shëndetësore nr. 1 në Elbasan dhe nuk kishin gjetur në vendin e punës mjekun e familjes. Me marrjen e ankesës, menjëherë u krye verifikimi nga drejtoria rajonale e shëndetësisë Elbasan, e cila mori masën e duhur, masën ndëshkimore ndaj mjekut të familjes që nuk ishte në shërbimin e duhur si për pjesën e recetës elektronike që mund të kishin nevojë qytetarët apo për një shërbim, vizitë mjekësore apo dhe për një rekomandim të kërkuar. Kam kënaqësinë të ftoj këtu zonjën Iliada Kuqi, e cila është e bija e prindërve që sot marrin edhe shërbimin në këtë qendër shëndetësore.

Iliada Kuqi: Përshëndetje të gjithëve! Përshëndetje zoti Kryeministër! Unë kam bërë ankesë në emër të prindërve të mi, një kategori që janë të moshuar, në pension, jetojnë vetëm në qytetin e Elbasanit. Janë një kategori që nuk mbrohet dot vetë, nuk i kërkon dot të drejtat vetë. Kështu që gjendur në këtë situatë, pas verifikimit të disahershëm, ku mua vetë më është dashur të shkoj të shtunave për të marrë shërbimin shëndetësor në emër të tyre, kam pasur vështirësi në gjetjen e personelit dhe ishte një nga ato ditët ku nuk mbante më dhe pas verifikimit të rastit që dera ishte e mbyllur fatkeqësisht, kam bërë ankesën në portal dhe brenda javës kam marrë një përgjigje. Rasti është verifikuar dhe situata ka ndryshuar. Tani është prezenca çdo ditë e mjekes dhe stafit të saj. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Më vjen shumë mirë që kemi një rast të tillë sepse nuk janë të pakta, përkundrazi janë rutinë rastet kur njerëzit gjenden përballë një sjelljeje të dyshimtë apo më shumë se kaq, një sjelljeje korruptive të një bluze të bardhe dhe hezitojnë të denoncojnë. Paguajnë, pastaj shfryjnë mllef dhe mërzi me të drejtë, por rruga është tjetër dhe është më e shkurtër për të mos paguar, për të mos pranuar mungesën e seriozitetit në shërbim dhe për të kontribuuar që të ndahet i miri nga i keqi, në sistemin shëndetësor, ku në mënyrën më absolute, shumica e bluzave të bardha kryesojnë detyrën ashtu siç duhet, por janë jo pak ata që duke mos e kryer detyrën si duhet, njollosin të gjithë sistemin dhe shkatërrojnë nervat e kujtdo, edhe të atyre që fatmirësisht nuk kanë shkuar kurrë në spital, sepse krijojnë një perceptim mizerabël me sjelljet e tyre të pa tolerueshme. Aq më tepër pastaj kur vjen fjala tek qendrat shëndetësore që janë një sistem jashtëzakonisht problematik i trashëguar, krejtësisht i degraduar. Ne sot, jemi në procesin e zbatimit të një programi për rindërtimin me themel të 300 qendrave shëndetësore, në territorin e Republikës së Shqipërisë. 80 prej tyre janë në proces ndërtimi dhe rindërtimi, por nuk bëhet fjalë vetëm për mure, por dhe për aparatura, edhe për shërbim të kualifikuar. Megjithatë, syri dhe zëri i qytetarëve është një domosdoshmëri për ta krijuar në të gjithë sistemin, kulturën e duhur të shërbimit, kështu që unë ju shoqëroj dhe përsëris, i jam mirënjohës të gjithë atyre që mbasi zgjidhin problemin e tyre, pranojnë ta marrin mundimin për të ardhur në këtë, si të thuash seancë publike dhe për të ndihmuar me dëshmitë e tyre që të gjithë të fitojnë si të thuash besim dhe të marrin kurajën që t’i drejtohen platformës së bashkëqeverisjes që nuk është asgjë tjetër përveç se një inovacion, një transformim inovativ i zyrave të dikurshme të marrëdhënieve me publikun që nuk i duheshin dreqit dhe që mbusheshin me letra e me ankesa e nuk kthenin kurrë përgjigje. Adela do të vijë për të referuar një tjetër rast që lidhet me shërbimin shëndetësor.

Adela: I nderuar zoti kryeministër! Të nderuar të ftuar! Në fakt, siç e tha dhe Albana, në ecurinë e punës sonë ë përditshme, ne trajtojmë çështje të problematikave të një game të gjerë. Rasti që dua të prezantoj sot, ka të bëjë me një çështje shumë sensitive pasi atakon drejtpërsëdrejti jetën e adoleshenteve të qytetit të Tiranës, por dhe shqetësimin e shumë familjeve. Një denoncim i ardhur në platformë në lidhje me dy farmaci, të cilat në mënyrë të jashtëligjshme tregtojnë barna, konkretisht antidepresantë, të cilat janë pa pullë dhe tregtohen pa recetën e mjekut përkatës. Me marrjen e këtij denoncimi, institucionet përgjegjëse u vunë në lëvizje. U kryen konstatimet përkatëse nga ku rezultoi se ky fenomen ndodh. Institucionet përgjegjëse brenda tagrit ligjor të tyre, institucionet shtetërore, brenda tagrit, morën masat administrative përkatëse dhe këtë problematikë e adresuan tek Urdhëri i Farmacistëve të Shqipërisë. Në fakt është për t’u përmendur që në vend që të reagonte, Urdhri i Farmacistëve, lidhur me këtë situatë dhe të merrte hapat konkrete, në lidhje me ushtrimin apo jo të aktivitetit të këtyre farmacive apo pse dhe jo të licencës dhe ndershmërisë së farmacistëve gjatë ushtrimit të tyre të profesionit, ka vendosur që ta kalojë këtë situatë në heshtje. Për më tepër unë do doja që të ndante eksperiencën e saj me ne, zonja Silvana Sinani.

Silvana Sinani: Kam ardhur këtu për të sjellë eksperiencën time. Unë ushtroj një shërbim infermieresh 24 orë në familje dhe jam gjetur katër herë para situatash dramatike. Të rinj që kanë marrë antidepresant me shumicë, bëhet fjalë për 10-20 kokrra në raste të ndryshme dhe kanë qenë në rrezik jete dhe jemi detyruar të aplikojmë lavazhe, të aplikojmë serume e të tjera sepse ka qenë emergjente, na kanë thirrur familjet. Duke biseduar me këto familje, më shpjeguan që fëmijët e tyre i marrin pa asnjë problem në farmaci këto ilaçe, sic janë për shembull stilnox, xanax edhe diazepam. Janë të gjitha antidepresivë të cilët të marra në masa të mëdha, shkaktojnë vdekjen. Kryesisht kemi gjetur raste adoleshentësh sepse janë në moshë delikate. Kush nga ne të rinj, në momente të caktuara, na është dukur vetja si pa rrugëzgjidhje ose  dhe kur kanë pirë diçka më tepër, e kam fjalën për pije alkoolike, nuk e kanë koshiencën të kuptojnë se sa ilaçe të tilla mund të marrin dhe janë gjetur përpara një situate të tmerrshme. Më është kërkuar nga ana e prindërve të ngre zërin për këtë rast sepse ndërkohë dhe sot që ne flasim, e para duhet t’ju them që i shkruajta menjëherë platformës dhe platforma më është përgjigjur brenda javës, me interesim shumë të madh. Më vonë u lajmërova dhe për efektet e kontrollit dhe rezultatet. Unë nuk jam këtu për të dënuar farmacistë. Unë jam këtu për të sjellë një fenomen, i cili duhet ndaluar sepse edhe sot që ne flasim, këta të rinj, më lajmërojnë familjet, vazhdojnë dhe shkojnë në dy farmaci më tutje dhe i marrin këto ilaçe, pa asnjë pengesë. Desha t’ju them nga eksperienca që kam dhe duke jetuar më parë jashtë shtetit, këto lloj medikamentesh, nuk jepen fare në farmaci por vjen mjeku i familjes dhe ia u jep, flas për shtete Amerikë, Itali, Francë. Prandaj do të kërkoja të shikohej pak më thellësisht ky problem, të shikohej dhe legjislacioni për sa i përket dhënies së këtyre antidepresive sepse janë vërtetë traumatike. Janë probleme që pastaj gjithë shoqëria jonë i vuan. Kush nga ne është imun nga një problem që mund ti ndodhi në jetë, nga fëmija që është adoleshent dhe nuk e kupton se çfarë po bën në ato momente.

Ju falenderoj shumë, pasi unë ndërkohë jua kam dhënë prindërve edhe përgjigjet dhe ata janë bashkuar me mua dhe thonë, nëse është nevoja, ne vijmë flasim personalisht. Është gjendje shumë dramatike. Unë e kam jetuar shumë rëndë dhe prandaj mundohem të shtoj fjalë për t’ju transmetuar në një farë mënyrë gjendjen shpirtërore të këtyre familjeve.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për qytetarinë tuaj dhe për ngritjen e zërit! Është një kontribut goxha i rëndësishëm për të vënë në lëvizje, jo thjeshtë administratën sepse në këtë rast nuk është vetëm administrata, por siç e nënvizoi dhe Adela është edhe Urdhri i Farmacistit. Ne kemi planifikuar që në ditët në vijim të organizojmë një takim me përfaqësuesit e Urdhrit të Farmacistit për të ngritur këtë problem shumë serioz. Ashtu sikundër kemi futur menjëherë në planin e punës edhe ndryshimet përkatëse në ligj për të ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme dhe me masa drastike në çdo rast kur shfaqet ky fenomen që mund të rezultojë edhe vdekjeprurës për adoleshentët. Do të qëndrojmë në kontakt sepse puna e koordinatorëve të bashkëqeverisjes nuk është thjeshtë, madje nuk është fare call center, por është një punë intensive mbrapa ekranit me ministrat, sepse janë ministrat që merren drejtpërdrejtë me të gjitha çështjet që vijnë në platformë. Kështu, Adela, Ministrja e Shëndetësisë, sëbashku me ju, me prindërit, zyra ime këtu në Kryeministri, unë personalisht do të angazhohem që ta çojmë deri në fund këtë betejë që ju e nisët vetëm dhe tani nuk jeni më të vetëm, falë platformës.

Floriani do të na referojë rastin tradicional të çdo eventi që lidhet me çështje të pronësisë dhe më vjen shumë mirë që në mënyrë të vijueshme kemi rezultate shumë pozitive, qoftë në raport me ALUIZNI, qoftë në raport me hipotekën e po vërejmë përmirësime të ndjeshme në të dyja këto institucione, sidomos në shërbimet e hipotekës, ku ajo që kemi thënë që në fillim, presioni qytetar dhe ideja që çdo qytetar që nuk merr shërbimin e duhur mund të të zbulojë, mund të të nxjerrë zbuluar përmes platformës, ka filluar të japë efekt, rritje të përgjegjshmërisë dhe ndërgjegjësimit të punonjësve të zyrave të shtetit. Si fillim është efekti “frika ruan vreshtin”, por pak nga pak ne kemi bindjen që kjo do të kthehet në një mendësi në zyrat e shtetit.

Floriani: Faleminderit zoti Kryeministër! Rasti që do ju paraqes i përket qytetarit Eqerem Petriti. Ai kishte aplikuar për legalizimin e shtëpisë dhe pronës së tij që në 2005, por pa marrë përgjigje përfundimtare. Iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes në korrik të këtij viti dhe brenda 9 ditë pune iu dha leja e legalizimit. Ftoj bashkëshorten e tij zonjën Zylfie, të ndajë me ne, historinë e tyre.

Zylfie Petriti: Përshëndetje! Faleminderit për thirrjen që më keni për t’ju sqaruar problemin tim që kam që në vitin 2005 në proces të legalizimit. I kam bërë të gjitha shlyerjet detyrimore që kam në bazë të kërkesave dhe nuk merrja dot asnjë përgjigje të saktë. Mua më ra një fatkeqësi, kam bashkëshortin të sëmurë, trajtohet me hemodializë dhe i kam ndjekur vetë të gjitha këto procedura. Kudo që drejtohesha na thonin “hajde javën tjetër, hajde mbas dy javësh, hajde mbas tre javësh”. Edhe policët më thonin, “prapë erdhe këtu ti”? Pastaj ju drejtova platformës. U bëj thirrje të gjithë njerëzve, kush ka sqarime, kur shkon të kërkojë një të drejtë, të drejtohet tek platforma, se mua për 9 ditë m’u dha e drejta dhe mora lejen e legalizimit. Pres të marr dhe hipotekën. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Edhe për hipotekën këtu jemi prapë. Këtë betejë kemi të përbashkët me qytetarët për të ngritur nivelin e shërbimit në zyrat e shtetit, aty ku duhet dhe mund të them se kanë filluar shenjat e para të një ndryshimi në sjellje, të një ndryshimi në shpejtësinë e reagimit dhe të faktit që platforma ka filluar t’i bëjë me hije një pjesë të atyre që ishin mësuar të silleshin me qytetarët, sikur i kishin shërbëtorë, madje as shërbëtorë jo, por sikur i kishin skllevër apo robër. Rasti i fundit do të referohet nga Flamuri dhe përsëri është një rast që lidhet me pronën dhe konkretisht me legalizimet.

Flamuri: Faleminderit, zoti kryeministër! Përshëndetje kolegë dhe qytetarë. Rasti që do sjell unë është një rast pak i veçantë. Qytetari nga Shkodra, zoti Tom Gilaj, kishte aplikuar tek ALUIZNI Shkodër për legalizimin e banesës së tij në 2005. Gjatë kësaj kohe ai kishte shkuar shumë mirë dhe përgjigja ishte që “nuk gjendet dosja”. Një ditë vendosi që nëpërmjet vajzës së tij ta regjistrojë ankesën e tij në platformë dhe brenda 10 ditësh, në korrik mori përgjigjen që leja e legalizimit ishte emetuar që në 2012 dhe Tomi duhet të vinte ta tërhiqte atë. Ishte rast i çuditshëm pasi Tomi shkonte gjithmonë dhe i thonin nuk gjendet dosja. Dosja u gjet dhe leja ishte emetuar. Për më tepër ftoj vetë zotin Tom të ndajë përvojën me ne.

Tom Gilaj: Përshëndetje zoti Kryeministër! Unë kam bërë kërkesën për lejen e legalizimit siç tha dhe zoti Flamur në 2005. Kam marrë një përgjigje negative gjatë gjithë kohës. Shkoja pranë hipotekës, hipoteka m’u përgjigj se do ta sjellim vetë tek shtëpia, do të njoftojmë në telefon. Në forma nga më të ndryshme për 3-4 vjet. Pas 3-4 vitesh u paraqita prapë, mbasi ndërruan 4-5 drejtorë dhe më thotë një nga sekretarët aty, të ka humbur dosja. Unë i them, po ta sjell dosjen nga shtëpia. Paraqita dosjen, më thanë tani nuk mund të hymë tek drejtori. Unë u mundova me të gjitha format. Takova njerëz që njihja dhe më thanë punonjësit që çdo gjë e ka në dorë drejtori. Kapja njerëz përjashta që a ka mundësi, me ndonjë formë a me ndonjë lek, po thonin “do lekë shumë, do 2-3 mijë euro”. Unë jam invalid dhe nuk kisha mundësi. Më thotë vajza, po aplikojmë tek portali, i them unë, nuk kam besim. Kur ka korrupsion këtu, ka dhe në qeveri, ka gjithandej. Si përfundim, aplikoi vajza tek portali dhe merr përgjigje brenda 10 ditësh. Mori zgjidhje problemi. Ju falënderoj!

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për dëshminë tuaj! Më vjen realisht keq, thellësisht keq, ndihem i keqardhur dhe i revoltuar sa herë që më duhet të dëgjoj histori që dihen, që merren me mend, por tjetër është kur i dëgjon konkretisht. Dua ta përsëris për të gjithë: Rruga më e shkurtër është platforma. Patjetër që ka pasur shumë, por nuk ka pak korrupsion në shërbime dhe sigurisht që një mënyrë për ta, si të thuash asgjësuar, praninë e kudondodhur të korrupsionit në shërbime është reformimi i institucioneve, dixhitalizimi i shërbimeve, rritja e përgjegjësisë. Por ndërkohë që ne po bëjmë këtë dhe e kam thënë dhe e përsëris, tani në shtator do të fillojë procesi i finalizimit të reformës që përgatisim prej një viti, të trajtimit të titujve të pronësisë, bashkimi i agjencive, Hipoteka dhe ALUIZNI nuk do jenë më dy agjenci që njëri ta jep e tjetri nuk ta jep, ping-pong, futboll, volejboll me fatet e të drejtat e njerëzve, por njëkohësisht duhet të bashkëpunojmë, bashkëpunojmë, ndërveprojmë, ndërveprojmë dhe qytetarët duhet të përdorin platformën si rrugën më të shkurtër. Nuk kushton asnjë lek, nuk merr asnjë minutë më shumë se 3 minuta dhe nuk duhet të kesh asnjë mik sepse mjafton të çosh aty sinjalin dhe ke ministrin aty në dispozicion. Me çështjen tuaj i nderuar, është marrë Ministrja e Drejtësisë, në bashkëpunim me koordinatorin e bashkëqeverisjes. Çdo ministër është në dispozicion të çdo qytetari kur çështja lidhet me sektorin e tij dhe kjo është rruga. Shumëkush thotë “po si ka mundësi, po çfarë është kjo, po kjo platforma është e paligjshme, po kjo ashtu se duhet të funksionojë në zyrë”. Platforma është thjeshtë dhe vetëm transformimi i zyrave të marrëdhënieve me publikun, nga një rrjet i kotë zyrash që torturonin njerëzit, në një adresë të vetme dhe çdokush e ka zyrën e marrëdhënieve me qeverinë në xhep, në telefonin e vet. E nëse zyrat e marrëdhënieve me publikun nuk arrinin kurrë që të çonin një letër ankesë, deri tek tavolina e ministrit, platforma e çon zërin e çdo qytetari tek veshi i ministrit dhe jo vetëm kaq, por ne çdo të mërkurë, – edhe tani mbas këtij takimi, kemi mbledhjen e qeverisë – dhe në çdo mbledhje qeverie nuk mbyllet pa pikën e fundit që është raportimi i çdo ministri për platformën dhe për hallet e drejtpërdrejta të qytetarëve. Kjo është arsyeja pse funksionon dhe në ndërkohë që ecim me reformën, duhet çdo ditë t’ju biem kokës atyre që bëjnë të tilla sjellje dhe krijojnë të tilla situata me një invalid, me një pensionist, me një familje njerëzish të urtë e të ndershëm që nuk kanë fuqi as në xhep, as në politikë dhe nuk kanë as lidhje gjaku apo tarafi me X apo Y. Kjo është rruga. Po bëjmë hapa dhe do të bëjmë edhe më shumë hapa e jam i bindur që në këtë mandat ne do t’ia dalim.

Prandaj duke e mbyllur, edhe njëherë me shumë mirënjohje për ata që erdhën këtu për të dëshmuar sepse zoti Tom e ka zgjidhur hallin e vet, invalid është, në Shkodër jeton, nuk kishte detyrimin që të çohej nga Shkodra për të dhënë këtë dëshmi, por i jam mirënjohës sepse ndihmon të tjerët. Vetë e ka zgjidhur, tani ndihmon të tjerët. Ndihmon të tjerët secili që vjen këtu. Shumë faleminderit!

E ndërkohë, siç thashë edhe për rastin e farmacive, jo vetëm zgjidhim halle, por adresojmë dhe probleme që janë më komplekse që lidhen me çështje të caktuara që prekin shumë njerëz apo me komunitete të caktuara.

Shumë faleminderit dhe njëherë të gjithëve për praninë! Faleminderit koordinatorëve!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.