Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me mësues dhe prindër të qytetit të Vlorës,  për  të promovuar masën e re të qeverisë, dhënien e librave falas për të gjithë fëmijët nga klasa e pare, deri në klasën e katërt:

Shumë faleminderit që na nderoni me këtë takim! Kemi ardhur për të promovuar masën e re të qeverisë, në favor të të gjithë fëmijëve nga klasa e pare, në klasën e katërt këtë vit dhe edhe në klasën e pestë pastaj, vitin e ardhshëm dhe të gjithë prindërve të tyre, duke u dhënë të gjithëve pa përjashtim librat falas.

Librat e shkollës, që siç e tha dhe ministrja, nuk janë thjeshtë dhe vetëm tekstet, por janë tekste me një cilësi të padiskutueshme, pasi tanimë ne jemi në mbyllje të një cikli të nisur, tre vjet më parë për zëvendësimin e gjithë teksteve aq shumë problematike, aq shume të ngarkuara, aq shumë të kontestuara nga prindërit, nga mësuesit dhe me thënë të drejtën dhe aq shumë të kritikuara dhe nga organizmat ndërkombëtare, -me tekste të Oxford, të Cambridge, të Pearson, tekste me të cilat mësojnë bashkëmoshatarët e të gjithë kalamajve këtu të pranishëm në Britaninë e Madhe, e jo vetëm.

Na vjen shumë mirë që ia dolëm në këtë proces, por na vjen edhe më mirë që tanimë kemi mundësinë që edhe një tjetër kontribut të prindërve për familjen, për fëmijët, ta zëvendësojmë me një kontribut të shtetit.

Na vjen shumë mirë që, hap pas hapi na jepet mundësia që gjithë ato përpjekje të bëra dhe ato sakrifica, dhe ato dhimbje që shoqërojnë reformat dhe masat e vështira, po sjellin ama dhe një forcim të shtetit dhe mundësi për shtetin, t’i kthejmë në investim për fëmijët e për familjet. E kështu, prindërit e fëmijëve të klasës së parë, të dytë, të tretë, të katërt dhe vitin e ardhshëm edhe të pestë, nuk do të shpenzojnë më për të blerë tekstet, por ato para do t’i kenë në arkën e buxhetit të familjes për shpenzime të tjera.

Nga ana tjetër, është po ashtu shumë e rëndësishme të nënvizohet sot edhe për femijet që janë këtu të pranishëm, që librat do të merren falas e do duhet të kthehen përsëri në fund të vitit. Do duhet të mbahen me kujdes, me dashuri e të kthehen. Nuk është një shpikje e jona. Kemi marrë disa kritika apo qesëndi për këtë, por nuk është një shpikje e jona dhe nuk është vetëm një çështje materiale, por është edhe një mënyrë për të krijuar një raport të posaçëm me librin. Franca nuk është një vend i varfër. Është nga vendet më të pasura. Franca e bën këtë. Kështu që, do t’ju uroja të gjithëve që të kenë të gjitha ato kënaqësitë që presin nga fëmijët që do çojnë në shkollë këtë vit dhe do t’i uroja të gjithë fëmijëve që të marrin sa më shumë kënaqësi dhe patjetër edhe sa më shumë njohuri nga këto libra.

Edhe një herë, shumë faleminderit!

* * *

Libra shkollorë falas për të gjithë fëmijët nga klasa e parë, deri në klasën e katërt. Kjo është nisma më e re e qeverisë, e para e këtij lloji, e cila shtrihet në të gjitha shkollat e vendit dhe për të gjithë fëmijët pa përjashtim.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Vlorë, ku së bashku me Ministren e Arsimit Lindita Nikolla, lançuan këtë nismë, në një takim me mësues dhe prindër në qytetin e Vlorës.

Ndërsa prezantoi risitë e këtij viti shkollor në sistemin arsimor, Ministrja e Arsimit Nikolla, theksoi se tashmë nxënësit në të gjithë sistemin, mësojnë me tekste të lehtësuara të standardeve europiane. “Janë 400 mijë nxënës në të gjithë sistemin tonë arsimor, që mësojnë me tekste të lehtësuara të standardeve europiane. Tekste shkencore vijnë nga “Oxford”, “Cambridge” dhe “Pearson”, të standardeve bashkëkohore, që do të thotë se çdo nxënës shqiptar që studion me këto tekste, është njësoj me bashkëmoshatarin e tij, në një shkollë tjetër të një vendi të BE.”

Një vëmendje të shtuar këtë vit, qeveria do të ketë ndaj nxënësve me nevoja të veçanta, të cilët do të asistohen nga mësues të posaçëm që do të ndihmojnë ecurinë e tyre në mësime. “Ky vit i ri shkollor nis me një risi, me një kujdes të shtuar, me një vëmendje të posaçme të qeverisë  shqiptare për nxënësit me aftësi të kufizuar. Cdo nxënës me aftësi të kufizuar do të ketë një mësues të posaçëm, i cili do të asistojë të gjithë procesin e tij të dijes dhe të edukimit në shkollë. Në gjithë sistemin nga një shërbim i munguar, – sepse ne gjetëm, jo vetëm zero mësues ndihmës, por asnjë studim apo politikë se si do të ecej në këtë drejtim, – ne sot kemi 700 mësues ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuar. Por jo vetëm kaq, por mësues ndihmës që e ofrojnë me cilësi këtë shërbim sepse ne po i trajnojmë me universitetet dhe me partneret tanë të rëndësishëm në këtë proces.” – u shpreh ministrja Nikolla.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.