Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 04 Shtator 2018:

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E DEKLARATËS PËR PJESËMARRJEN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË SONDAZHIN SOCIAL EVROPIAN – KONSORCIUMI EVROPIAN I INFRASTRUKTURËS KËRKIMORE (ESS ERIC)

Në mbështetje të nenit 100 Kushtetutës, dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e deklaratës për pjesëmarrjen e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në Sondazhin Social Evropian – Konsorciumi Evropian i Infrastrukturës Kërkimore “ESS ERIC” (European Social Survey – European Research Infrastructure Consortium), duke marrë përsipër të gjitha detyrimet financiare, infrastrukturore dhe politike që rrjedhin nga ky anëtarësim, si vend i ftuar për raundin e nëntë të Sondazhit Social Evropian.
2. Autorizohet Zëvendëskryeministri të paraqesë pranë organeve përkatëse të ESS ERIC-së, deklaratën për pjesëmarrje, si vend i ftuar në ESS ERIC.
3. Autorizohet Zëvendëskryeminstri të caktojë përfaqësuesin e Shqipërisë në asamblenë e ESS ERIC-së.
4. Ministri i Financave dhe Ekonomisë të kryejë pagesën për tarifën e pjesëmarrjes së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në ESS ERIC. Shpenzimet për realizimin e sondazhit të nëntë, për koordinimin dhe zbatimin e tij do të mbulohen nga projekti “PERFORM”.
5. Me qëllim zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga pjesëmarrja, autorizohet Zëvendëskryeministri për të lidhur marrëveshjen përkatëse me projektin “PERFORM”.
6. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË BOSNJËS DHE HERCEGOVINËS DHE QEVERIVE TË VENDEVE TË TJERA ANËTARETË INICIATIVËS SË GADISHMËRISË DHE PARANDALIMIT TË FATKEQËSIVE PËR EVROPËN JUGLINDORE, MBI MARRËVESHJET E VENDIT PRITËS, PËR SEKRETARIATIN E INICIATIVËS SË GADISHMËRISË DHE PARANDALIMIT TË FATKEQËSIVE PËR EVROPËN JUGLINDORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe qeverive të vendeve të tjera anëtare të Iniciativës së Gadishmërisë dhe Parandalimit të Fatkeqësive për Evropën Juglindore, mbi marrëveshjet e vendit pritës, për Sekretariatin e Iniciativës së Gadishmërisë dhe Parandalimit të Fatkeqësive për Evropën Juglindore, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE NDËRKOMBËTARE KËSHILLIMORE PËR MENAXHIM PËR MASA SHOQËRUESE NË KUADËR TË PROGRAMIT “LINJA UNAZORE 110 KV E SHQIPËRISË SË JUGUT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (marrësi), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për financimin e shërbimeve ndërkombëtare këshillimore për menaxhim për masa shoqëruese në kuadër të programit “Linja unazore 110 kV e Shqipërisë së Jugut”, me një grant në shumën prej 2 000 000 (dy milionë) eurosh, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË FRANCËS, LIDHUR ME BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E MBROJTJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Francës, lidhur me bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.149, DATË 29.2.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE PËR PUNONJËSIT E DREJTORISË SË SHËRBIMEVE QEVERITARE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Lidhja nr.1, e përmendur në pikën 1 dhe bashkëlidhur vendimit nr.149, datë 29.2.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numërtim dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Efektet financiare të këtij vendimi fillojnë në datën 1 shtator 2018 dhe përballohen nga fondet e planifikuara për vitin 2018, për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare.
3. Ngarkohet Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KUSHTET DHE PROCEDURAT E DHËNIES DHE AUTORIZIMIT TË DISA KATEGORIVE TË NDIHMËS SHTETËRORE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8/1, pika 2, 10, 11, pika 3, 12, pika 2, 13/1, pika 3, dhe 14, pika 3, të ligjit nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullores “Për kushtet dhe procedurat e dhënies dhe autorizimit të disa kategorive të ndihmës shtetërore”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Komisioni i Ndihmës Shtetërore dhe dhënësit e ndihmës, sipas përcaktimit në ligjin nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I RRUGËS “DEVOLL””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i rrugës “Devoll””.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Gramsh.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës të paraqitur në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 3 717 507 (tre milionë e shtatëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e pesëqind e shtatë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 3 717 507 (tre milionë e shtatëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e pesëqind e shtatë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Gramsh.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
7. Pronarët në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Gramsh.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Gramsh, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Gramsh, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Gramsh të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Gramsh dhe Bashkia Gramsh për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

 

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.55, DATË 27.1.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PARAQITJES, TË FORMËS DHE SPECIFIKIMEVE TEKNIKE TË GRADAVE, SIMBOLEVE, UNIFORMAVE DHE SHENJAVE TË POLICISË SË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 62, 97 dhe 98, pika 1, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në albumin bashkëlidhur vendimit nr.55, datë 27.1.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në lidhjen 1, “Paraqitja, forma dhe të dhënat teknike të gradave të Policisë së Shtetit”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
i. Në faqen 2, pas gradës “INSPEKTOR”, shtohen gradat:
1/1.“INSPEKTOR I DYTË”;
1/2.“INSPEKTOR I PARË”.
ii. Figura nr.1, në faqen 3, zëvendësohet me figurën me të njëjtin numër, sipas lidhjes që i bashkëlidhet këtij vendimi;
iii. Pas figurës nr.1, në faqen 3, shtohen figurat nr.1/1 dhe nr.1/2, sipas lidhjes që i bashkëlidhet këtij vendimi.
b) Në lidhjen 4, “Shenjat e Policisë së Shtetit”, figura nr.1, në faqen 53, zëvendësohet me figurën me të njëjtin numër, sipas lidhjes që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Brendshme, programi buxhetor “Policia e Shtetit”.
3. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

– SHERBIMET E KUJDESIT SHOQEROR

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.