Nis operimin landfilli sanitar i Maliqit, investim prej 14 milionë euro. Landifilli mundëson trajtimin në mënyrë të sigurt të mbetjeve të ngurta për rajonin e Korçës dhe Pogradecit, ndërkohë që rrjeti i stacioneve të transferimit u mundëson bashkive të këtij rajoni të dërgojnë mbetjet e ngurta të tre në këtë landfill. Projekti, bashkëfinancim i qeverisë gjermane përmes KfË, shtrihet në një sipërfaqe prej 19.5 hektarë dhe ka një kapacitet përpunues prej 1 milionë metër kub mbetjesh. Në përurimin e landfillit ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri dhe ambasadorja gjermane në Shqipëri, Susanne Schütz.
Sipas stafit të landfillit, bashkia e Maliqit dhe e Korçës ka nisur depozitimin e mbetjeve pranë landfillit dhe ka nisur mbyllja e të gjitha venddepozitimeve ekzistuese. Teknologjia në përdorim mundëson jo vetëm përpunim mbetjesh, por edhe trajtimin e ujërave të ndotura.
“E veçanta e këtij investimi është fakti që ai është konceptuar dhe ndërtuar në mënyrë të tillë që të trajtojë njëkohësisht edhe të gjitha ujërat e ndotura, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm si për banorët e kësaj zone, ashtu dhe për zhvillimin e turizmit,” u shpreh ambasadorja Schütz.
Ministri Gjiknuri informoi se së shpejti do të nisë puna për landfillin e Vlorës, i cili është kthyer në domosdoshmëri për këtë zonë turistike tejet të frekuentuar. “Sot kemi përpara një impiant modern të trajtimit , një landfill me kushte bashkëkohore. Shumë shpejt do të fillojmë edhe ndërtimin e landfillit të Vlorës edhe kjo një pjesë shumë e rëndësishme , një infrastrukturë kaq e nevojshme për një zonë shumë turistike,” theksoi ministri Gjiknuri, duke falënderuar qeverinë gjermane për mbështetjen e ofruar, mbështetje që do të vijojë më tej në këtë drejtim.