Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklaratë për shtyp e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, mbi rezultatet javore të luftës kundër korrupsionit: 

Task Forca Antikorrupsion, së bashku me institucionet ligjzbatuese, po vijon me përpikmëri zbatimin e planeve të punës për verifikimin e denoncimeve të kryera në platformën shqiperiaqeduam.al, si dhe të informacioneve të ardhura, duke ushtruar kontrolle në të gjitha institucionet shtetërore për të cilat qytetarët janë ankuar.

Task Forca Antikorrupsion në javën që lamë pas, ka përfunduar një sërë kontrollesh në disa institucione të rrethit të Lezhës, që ofrojnë shërbime publike në këtë rreth, konkretisht si:

  • Spitali Rajonal Lezhë,
  • AKU, Drejtoria Rajonale Lezhë,
  • Drejtoria Bujqësore Lezhë,

Si rezultat, i gjetjeve të inspektimeve të Task Forcës, janë rekomanduar 26 masa disiplinore për punonjësit e këtyre institucioneve, prej të cilave, 7 masa janë për largim nga shërbimi civil.

Konkretisht është rekomanduar largim nga shërbimi civil për:

  • 1 inspektor të Drejtorisë Rajonale lezhe AKU si dhe 6 inspektorë të Drejtorisë Tiranë të AKU, të cilat janë angazhuar në inspektime pranë drejtorisë së Lezhës.

Nga kontrollet janë konstatuar shkelje të rënda, në kufijtë e veprës penale për të cilat Task Forca Antikorrupsion së bashku me strukturat përgjegjëse ka depozituar kallëzimet penale pranë organit të prokurorisë së rrethit gjyqësor, Lezhë.

Bazuar, në shkeljet e konstatuara është depozituar kallzim penal për 7 punonjës të niveleve të ndryshme të këtyre institucioneve.

Konkretisht për:

Ish-drejtorin e AKU-se Lezhë si dhe 6 inspektorë të këtij institucioni, të cilët dyshohet të kenë kryer në bashkëpunim veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke kryer veprime që kanë cënuar rëndë përmbushjen e detyrimeve ligjore në lidhje me sigurinë ushqimore.

Gjithashtu, një sërë operacionesh të finalizuara me sukses gjatë kësaj jave, falë procedimeve proaktive të policisë së shtetit në bashkëpunim me strukturat përkatëse, kanë goditur disa raste të korrupsionit, duke arrestuar në flagrancë punonjës të niveleve të ndryshme:

  • 2 punonjës të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë;
  • 8 punonjës policie, nga të cilët 2 në Komisariatin Nr.1 në Tiranë dhe 6 në Stacionin e Policisë Kufitare Kakavijë në Gjirokastër.
  • 2 inspektorë të hetimit tatimor, në Drejtorinë Rajonale të Tatim Taksave Tiranë, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim.

Rezultatet e arritura javë pas jave në evidentimin dhe ndëshkimin e çdo rasti korruptiv të zbuluar, falë edhe bashkëpunimit shumë të mirë të të gjithë strukturave, atyre antikorrupsion,

policisë së shtetit dhe institucioneve ligjzbatuese, janë një tregues i qartë i vendosmërisë sonë ndaj luftës kundër korrupsionit.

Bashkëpunimi dhe besimi që qytetarët kanë treguar duke denoncuar rastet e tyre në platformën shqipëriaqeduam.al, na mundësojnë që të gjithë strukturat e qeverisë të bashkëveprojnë për një qëllim të vetëm, për të mos toleruar asnjë punonjës të administratës që abuzon me detyrën dhe kërkon rryshfet për shërbimin ndaj qytetarëve.

Ne jemi të vendosur ta kryejmë me Zero Tolerancë, luftën kundër korrupsionit, këtë sfidë kaq të rëndësishme për forcimin e shtetit ligjor dhe sigurimin e shërbimeve publike cilësore për qytetarët.

Faleminderit

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.