Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në 1-vjetorin e Platformës së Bashkëqeverisjes, takimi javor i Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë me qytetarë që kanë marrë zgjidhje nga Platforma, u zhvendos në sallën e mbledhjeve të qeverisë:

Kryeministri Edi Rama: Kjo është një mbledhje shumë e posaçme qeverie, në momentin kur bëhet një vit nga lançimi i projektit të bashkëqeverisjes dhe nga fillimi i punës për platformën e bashkëqeverisjes, e cila ka hyrë në funksion të plotë, në muajin nëntor.

Por sot, ne e pamë të udhës që simbolikisht të bëjmë këtë mbledhje me të gjithë ju që jeni këtu të pranishëm në tryezën e qeverisë dhe që keni adresuar shqetësimet tuaja tek platforma e bashkëqeverisjes, duke ju falënderuar shumë përzemërsisht dhe shumë ngrohtësisht, pasi na ndihmoni me praninë tuaj, për të përcjellë përmes dëshmisë, pamjes, zërit tuaj si njerëz të zakonshëm të këtij vendi tek gjithë njerëzit e zakonshëm, pikërisht mesazhin se platforma e bashkëqeverisjes është instrumenti në duart e tyre.

Përpara se sa t’ju jap fjalën një nga një, dua të ritheksoj dhe një herë se nga platforma, ne kemi pritshmëri të lartë për shkak se funksionon dhe na ndihmon jashtëzakonisht shumë, jo vetëm që të gjendemi pranë njerëzve, por dhe që të ndjekim më pas, ecurinë e punës në zyrat e shërbimeve, duke hetuar administrativisht çdo rast kur konstatohen, falë denoncimeve, vonesa, zvarritje, padrejtësi.

Sot, mund të themi me plot gojën që zyrat e shërbimeve nuk janë aty, ku ne presim dhe ku do bëjmë çmos që të jenë. Kanë disa përmirësime të lehta, por sidoqoftë, vazhdon të mbetet problem shërbimi me cilësi, shërbimi në kohë, shërbimi transparent dhe i drejtë i qytetarëve dhe platforma është një rrugë shumë e shkurtër, më e shkurtra për të krijuar një lidhje direkte mes çdo qytetari dhe qytetareje dhe çdo anëtari të kabinetit qeveritar dhe për ta vënë qeverinë në shërbim të drejtpërdrejtë të një qytetari të zakonshëm, duke adresuar hallin e vet.

Kështu besoj konkretisht, materializohet një fuqi bashkëqeverisëse nga poshtë lartë dhe nga lartë poshtë, duke futur në mes dhe duke bërë presion maksimal mbi zyrat e shtetit dhe mbi të gjitha ata drejtues e punonjës që janë aty për të bërë detyrën karshi çdo qytetari pa asnjë dallim.

Atëherë, këtu bashkë me ne janë të gjithë ministrat që faktikisht e ndjekin me përgjegjësi direkte çdo rast që adresohet në platformë për sektorin e tyre dhe duke i dhënë fjalën një nga një të gjithëve ju që jeni këtu në tryezë, njëkohësisht besoj që ia vlen që pas secilit ose secilës, çdo anëtar i kabinetit të marri fjalën shkurtimisht për të bërë një përmbledhje të ecurisë së punës së platformës, në sektorin që drejton.

Atëherë, po e nis nga Florika, e cila ka shkruar në platformë, në emër të një komuniteti banorësh dhe pastaj pas Florikës, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë do të bëjë përmbledhjen e punës së bërë nga ajo ministri dhe nga institucionet e saj për të adresuar ankesat, kërkesat dhe problemet e shtruara nga qytetarët qoftë individualisht, qoftë si grup në komunitet.

Zonja Florika Topalli: Përshëndetje! Ankesa ime është në emër të një komuniteti të përbërë nga 30 familje të qytetit të Pogradecit ose më saktë të lagjes numër 4. Para dy vitesh, filloi rregullimi i rrugës në lagjen tonë dhe është bërë një devijim rruge. Ky devijim është bërë burim aksidentesh. Nuk ka fushë pamje dhe iu drejtuam platformës, i shkruam për këtë shqetësim. Kemi shkruar më parë në bashkinë e Pogradecit, nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Kemi shkuar në bashkinë e Korçës, edhe aty asnjë përgjigje, autoriteti rrugor gjithashtu. Më vonë i shkruam platformës për këtë. Të nesërmen, këta u përgjigjen shumë shpejtë, erdhën një grup inxhinierësh aty, bën takim me banorët dhe problemi u zgjidh. E falënderoj ministrin Gjiknuri për këtë.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit zonja Topalli. Ajo që duhet theksuar vazhdimisht është se platforma ka një afat 10 ditor për adresimin e një problemi të shtruar nga qytetarët dhe brenda 10 ditësh, qytetarët marrin përgjigje në rastin kur kërkesa apo ankesa e tyre konsiderohet e drejtë dhe në përputhje me ligjin dhe në përputhje me të dhjetat e tyre, marrin zgjidhje. Pas marrjes së zgjidhjes nga ana e qytetarëve, vazhdon hetimi administrativ për arsyet e vonesave dhe zvarritjeve të shkaktuara. Por, sidoqoftë dhe në rastin kur kërkesa konsiderohet në mospërputhje me ligjin apo ankesa i adresohet qeverisë, por nuk është në kompetencën e pushtetit ekzekutiv, sidoqoftë marrin përgjigje në kohë. Mosdhënia e përgjigjeve në kohë dhe zvarritja pafund e njerëzve, hajde nesër, hajde pasnesër, është një nga sëmundjet e mëdha që ne kemi trashëguar dhe që platforma e lufton në mënyrë shumë efikase. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka pasur një sërë rastesh të kësaj natyre për vetë funksionet që ka, por për më shumë, në mënyrë të përmbledhur, ministri besoj do të bëjë një pasqyrë informuese të plotë.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri: Mirëdita! Faleminderit për fjalët e mira zonjë. Rasti juaj nuk është rast individual, por është edhe rast komunitar. Pra, nëpërmjet platformës mund të zgjidhen dhe probleme të një komuniteti të caktuar dhe rasti konkret, me sa kam dijeni ka dhe raste të tjera që zona të caktuara kanë pasur një problem komunitar dhe nëpërmjet një përfaqësuesi, një qytetari që i është drejtuar platformës, në rastet kur ka qenë e mundur për të marrë zgjidhje, është marrë zgjidhje. Natyrisht, ministria ka një gamë shërbimesh dhe ka një shtrirje të gjerë në territor, sidomos për sa i përket punëve publike në infrastrukturë, gjë që natyrshëm krijon dhe probleme me qytetarë dhe mund të ketë probleme me shpronësime, situata të ndryshme apo me çështje të energjisë elektrike.

Një përmbledhje, që kjo është sa për ta ditur publiku, nga 1573 ankesa që kanë ardhur në ministri nëpërmjet platformës, 1489 prej tyre kanë gjetur zgjidhje. Pjesa tjetër është kthyer përgjigje, por mund të kenë qenë raste që kanë kaluar afate apo kanë qenë raste apo çështje që nuk mund të merrnin zgjidhje, nëpërmjet platformës.

Kuptohet, kjo ka shërbyer dhe si një mënyrë e mirë për të komunikuar me grupime të caktuara më të gjera, siç ka qenë dhe rasti i 3 interpelancave  sepse edhe kjo është pjesë e integruar e platformës. Se në fund të fundit, nëse unë do ta etiketoja platformën është një formë moderne e peticionit, pra një e drejtë kushtetuese qytetare që ekzistonte, por kishte humbur me kohën, por nëpërmjet mjeteve të sotme elektronike, është mënyra më e drejtpërdrejtë për të aksesuar qeverinë dhe realisht për mendimin tim i ka dhënë rezultatet, pavarësisht se dikush mund të ketë qenë skeptik, por rezultatet janë të dukshme dhe numrat flasin vetë.

Personalisht edhe për mua ky është një mjet i duhur për të kontrolluar cilësinë e punës në administratë dhe pikërisht për shkak të këtij kontrolli, janë marrë dhe masa për mbi 49 punonjës, të cilët janë gjetur në shkelje të detyrës për shkak se nuk kanë zbatuar kërkesat që kishte ligji dhe kanë shkaktuar probleme tek qytetarët. Mendoj që tashmë kjo platformë është bërë një sistem i ngritur që vetëm do të përmirësohet e do të ecë më tej. E besoj që do kemi shumë raste si zonja Florika që besoj do të dëshmojnë që platforma funksionon edhe përtej një individi. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit ministër! Është e vërtetë që ka një qasje, nganjëherë të keqkuptuar ndaj platformës, që është në inercinë e skepticizmit fillestar dhe nuk kuptohet ose nuk ekziston dëshira që të kuptohet një e vërtetë shumë e thjeshtë. Platforma nuk është asgjë tjetër, veçse transformimi teknologjik i të ashtuquajturave zyra të marrëdhënieve me qytetarët apo zyra të ankesave të qytetarëve.

Nëse të gjitha institucionet, duke filluar nga kryeministria, kanë pasur historikisht zyra të marrëdhënieve me publikun, zyra pritje për ankesat e qytetarëve dhe ka qenë një eksperiencë shumë e hidhur për shumë qytetarë, pasi kanë bërë shume ecejake ose kanë harxhuar shumë kohë, kanë pritur dhe nuk kanë marrë dot kurrë as përgjigje, – sot në 3 minuta maksimumi, ata mund të adresojnë problemin, jo tek një zyrë fizike, por drejtpërdrejtë përmes telefonit, përmes kompjuterit, tek ministri përkatës, se në fund të fundit dhe ankesa në zyrën e marrëdhënieve me publikun të ministrisë apo të një institucioni, synon të çojë tek autoriteti më i lartë, shqetësimin për mosfunksionimin e një shërbimi apo për mos marrjen e një të drejte, e njëjta gjë është. Por, në rastin konkret efikasiteti është maksimal, mjafton që t’ju them që platforma është vizituar nga 58220 qytetarë, 22553 janë fiks shqetësimet e ngritura në rubrikën “Ankesa ime” dhe nga ana tjetër, ka kategori të tjera siç janë interpelancat, siç janë opinionet, siç janë kontributet e kështu me radhë, që në tërësinë e tyre, përbëjnë të gjithë jetën e brendshme të këtij komunikimi, por po të kemi parasysh se janë mesatarisht 1900-1950, midis këtyre dy numrave varion, çështje që trajtohen çdo muaj dhe për të cilat ka interesim dhe përgjigje brenda 10 ditëve. Ky është një revolucion, në raportin e qeverisë dhe të shtetit me qytetarin. Po të mendosh se bëhet fjalë për 1950 çështje, që përndryshe do të mbeteshin pezull çdo muaj, siç kanë mbetur për vite të tëra – dhe eksperiencat e platformës tregojnë se janë raste vitesh që kanë mbetur pa zgjidhur, – atëherë është një punë e mbarë që duhet të çohet më tutje.

Dua të ftoj Elion Cinarin. Faleminderit për praninë. Është një tjetër rast i platformës, këtë herë i trajtuar nga Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural për të cilin rast Elioni do të bëjë prezantimin.

Zoti Elion Cinari: Përshëndetje! Jam nga fshati Guras i Pogradecit. Ankesa ime ka të bëjë me problematikën që kemi me rritjen e rasatit të troftës në pjesën lumore që ka grykëderdhjen në liqenin e Ohrit. Unë me një shok, e kemi pasion peshkimin dhe shkonim peshkonim për qejf. Me këtë personin për të cilin kam bërë ankesën, kemi patur konflikt. Nuk më lejonte të peshkoja, jo tek pjesa e atij, por tek pjesa e lirë. E kam unë, – thoshte. Kam menduar të bëj ankesë tek ministria e bujqësisë për këtë pjesën e rritjes së rasatit. Nuk lejohet rritja e rasatit të troftës në derdhjen e pjesëve ujore në liqenin e Ohrit. Mendova të bëja ankesën tek platforma dhe para dy ditësh kam takuar inspektorin e peshkimit dhe është vendosur që ditën e nesërme, të enjten, rasati është larguar i gjithi dhe do prishen të gjitha vaskat e peshkut.

Kryeministri Edi Rama: Po, faleminderit! Ministri do shpjegojë në mënyrë shteruese rastin sepse ka nisur si një ankesë për ndalim të konkurrencës së lirë në kapjen e peshkut, por pastaj është zbuluar diçka më e rëndë që bëhet fjalë për një peshk të një lloji që është dëmtues për vezët e koranit, që është dhe pasuria e madhe e liqenit dhe për një mënyrë rritjeje që rezultoi të ishte në kundërshtim të plotë me gjithë normat e parashikuara nga legjislacioni.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi: Përshëndetje! Ky është një rast tipik kur një ankesë personale e një qytetari, në fakt bëhet shkak dhe indicie e fortë për të zgjidhur një problem shumë më të madh. Siç e thatë ju zoti Kryeministër, kjo zbuloi një problem në dëm të komunitetit, por dhe në dëm të një pasurie shumë të madhe që ne pretendojmë të jetë pjesë e rezervës së UNESCO, pasi ankesa e Eliontit, ne na shtyu, na detyroi, pra bëri presion mbi drejtorinë tonë të peshkimit për të kontrolluar të gjithë zonën. Ne zbuluam jo një subjekt, por 13 subjekte të cilat diku me licencë, në shkelje të licencës dhe diku pa licencë, ushtronin aktivitetin e kultivimit të troftës, ndërkohe që është kategorikisht e ndaluar. U mor menjëherë masa për të hequr të gjithë rasatin e troftës dhe tani ka një urdhër në proces për prishjen e të gjitha këtyre ministabilimenteve le të themi, të troftës. Ne kemi 226 raste të zgjidhura gjatë këtij 1 viti. 226 kërkesë/ankesa dhe 226 raste të zgjidhura brenda afatit 10 ditor që tani është një normë detyruese. E reja e platformës nuk është vetëm rruga më e shkurtër apo mundësia për t’i shërbyer mijëra e mijëra qytetarëve, por e reja e kësaj platforme është që siç e thashë, ne na ndihmon të nxisim përmes një presioni të fortë, të gjitha strukturat tona, të lëvizin, të zgjohen nga gjumi e mbi të gjitha të mbajnë përgjegjësi për çdo shkelje. Ne kemi 8 penalitete të ndërmarra me indicien e platformës së qytetarëve. Nuk mund të themi akoma që e kemi arritur por disa hapa të parë janë bërë me sukses. Dalëngadalë duam që të instalojmë në të gjitha zyrat tona një kulturë të re, të bashkëngjitjes së një shkelje me shkelësin e vet. Kemi 8 penalitete, ndërkohë vetëm Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka 60 persona, inspektorë dhe subjekte në shkelje, të çuar për ndjekje penale. Është rikthyer besimi, jo aty ku duhet, por kemi tani, së paku, qytetarë që e vizitojnë platformën, çojnë ankesën e tyre. Ndërkohë që deri dje, deri para një viti, as nuk e merrnin fare mundimin që të çonin një letër apo të bënin një ankesë, pasi e dinin që do të binin në vesh të shurdhër. Ne kemi bërë një interpelancë dhe me komunitetin e gjerë të operatorëve të mishit dhe të qumështit, me rastin e aksionit tonë për sigurinë ushqimore, kemi në proces disa interpelanca të tjera dhe përmes platformës i shërbejmë, jo vetëm një qytetari për të adresuar kërkesën e vetë, por dhe një komuniteti më të gjerë.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit zoti ministër. Një tjetër temë e nxehtë e kësaj periudhe hera, herës është shfaqur tema e ilaçeve. Pas një mase të domosdoshme të marrë nga Ministrja e Shëndetësisë, lidhur me listën e rimbursimeve dhe pas një përplasjeje të fortë me ato lobet farmaceutike, të cilat kanë dhe fuqinë të influencojnë jo pak, qoftë politikën qoftë edhe mediat, u krijua dhe një situatë dezinformimi dhe një situatë ankthi për qytetarët. E sigurisht, një situatë ku, jo pak forca brenda sistemit të interesuara për të mbajtur status quo-në, u angazhuan dhe praktikisht na vunë për një periudhë në një pozitë të vështirë. Mirëpo, për të mos u zgjatur shumë më tutje me këtë temë, duke u përqendruar tek platforma, platforma ka qenë ndihmë për shumë njerëz dhe një rast të tillë e kemi zgjedhur sot. Gëzimin, i cili vjen nga Laçi dhe është ndër ata që i është drejtuar platformës pikërisht për një medikament të munguar. Ministrja do të flasë më pas, por Gëzimi të sjellë konkretisht rastin vetë që është një inkurajim për të gjithë ata që kanë problemin më të vogël me sistemin shëndetësor, qoftë për sa i përket rimbursimeve, qoftë për sa i përket medikamenteve qoftë për sa i përket shërbimit në qendrat shëndetësore, qoftë për sa i përket spitaleve që të mos pranojnë standard tjetër, përveç asaj që kërkojnë dhe që meritojnë: Shërbim cilësor, shërbim korrekt, shërbim transparent pa ryshfet dhe e them këtë sepse shumë ankohen, natyrisht për spitalet ankohen më shumë ata që nuk kanë qenë ndonjëherë në spital, por ajo që është e vërtete, është se ndërkohë që ne kemi investuar e do vazhdojmë të investojmë shumë fort për një transformim të rëndësishëm të spitaleve, të qendrave shëndetësore, prania e ryshfetit në sistem mund të luftohet vetëm bashkërisht, me qytetarë, të cilët nuk e pranojnë. Për sa i përket sinjalizimeve, lidhur me ryshfetin në sistemin shëndetësor, ka një kanal të posaçëm në platformë, që nëse ti shkruan, në 3 minuta, sinjalizimi merret menjëherë nga skuadra e platformës dhe i çohet ministres direkt.

Zoti Gëzim Prenga: Unë vij nga qyteti i Laçit. Kisha prej 5 muajsh që nuk kishte në treg medikamentin me të cilin unë kurohem. Këtë medikament e sillja nga jashtë. Ma sillte motra nga Gjermania. E blinte dhe ma sillte. Unë jam i sëmurë kronik që prej 15 vitesh. Duke parë televizorin, dëgjova për bashkëqeverisjen, dhe thashë, të regjistrohem. U regjistrova, në kohë rekord. Nuk e besoja, as 5 ditë nuk bëri, në kohë rekord më kanë marrë në telefon gocat dhe më thanë “shko në farmaci dhe merr ilaçin”. I thashë, si ka mundësi? Mora ilaçin dhe falënderoj ministren, kryeministrin, të gjithë.

Kryeministri Edi Rama: Kjo është dhe arsyeja e falënderimit tim të përsëritur për të gjithë ata, që njësoj si ti vijnë dhe kontribuojnë që mesazhi të shkojë tek të tjerët. Ju që jeni këtu e keni mbaruar punën tuaj.

Zoti Gëzim Prenga: Unë tani e besoj që bashkëqeverisja funksionon se deri dje nuk e besoja.

Kryeministri Edi Rama: Është i mirëkuptueshëm dhe mosbesimi. Ka pasur shumë arsye në të kaluarën për të mos besuar në asgjë më, por kontributi juaj është shumë i rëndësishëm, se kur e them unë, të gjithë politikanët janë njësoj, mendojnë njerëzit, të gjithë gënjejnë, të gjithë janë hajdutë. Por kur e thoni ju, kur dëgjojnë nga bashkëqytetarë që janë njerëz të zakonshëm, pa asnjë lloj pushteti, atëherë mesazhi kalon më kollaj dhe duhet përsëritur e përsëritur.

Zoti Gëzim Prenga: Unë përplasem shpesh me spitalet dhe ndryshimi duket me sy. Nuk është se e thua ti dhe nuk e besoj. Unë përplasem me spitalet dhe ka ndryshim si nata me ditën.

Kryeministri Edi Rama: Si nata me ditën, por si nata e thellë me ditën që sapo ka zbardhur, diell nuk ka akoma. Kështu që për këtë jemi të vetëdijshëm. Shume faleminderit!

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu: Në fakt, problemi që Gëzimi ngriti në platformë është një shqetësim që ne e morëm menjëherë në konsideratë, pasi platforma i shërben jo vetëm një qytetari, por dhe gjithë komunitetit. Fakti që Gëzimi ngriti një shqetësim për sa i përket një bari, i cili duhet për trajtimin e tij në kuadër të sëmundjes kronike për të cilën ai trajtohet, ne arritëm që menjëherë të vinim në funksion të gjithë instrumentet që duheshin nga fondi i detyrueshëm i kujdesit shëndetësor për të lidhur menjëherë një kontratë me një depo farmaceutike dhe për të bërë të mundur që në qytetin e Laçit të mundej të ishte ky bar, jo vetëm për Gëzimin që trajtohet, por dhe për pjesën tjetër të pacientëve që trajtohen për këtë sëmundje kronike. Nga ana tjetër, unë dua të them që për sa i përket Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, platforma është vërtetë mekanizmi i duhur për të adresuar në kohë reale, është posta më e shpejtë që ka në dorë qytetari, për shqetësimet, problemet dhe ankesat për sa i përket sistemit shëndetësor dhe padyshim edhe të gjithë sistemit të mbrojtjes sociale, programeve sociale që ne zbatojmë. Kanë adresuar shqetësimet, ankesat, problemet e tyre, 1618 qytetarë për këto 11 muaj. Nuk janë pak. Nuk janë dhe shumë besoj unë, pasi janë të shumtë qytetarët të cilët ndeshin problematika me sistemin shëndetësor, duke filluar nga qendrat shëndetësore, spitalet. Ne kemi ende shumë për të bërë dhe jemi shumë të ndërgjegjshëm që problematikat në sistemin shëndetësor ekzistojnë, por nga ana tjetër ky është instrumenti i duhur për të mos folur me vete, për të mos folur me komshiun apo me të afërmin, por për të folur direkt me ata që kanë përgjegjësinë për t’i shërbyer në sistemin shëndetësor apo në sistemin e mbrojtjes sociale. Nga këto ankesa të depozituara, janë 1424 problematika apo ankesa, kërkesa të zgjidhura nga strukturat tona, të cilat padyshim janë ndjekur dhe janë verifikuar, nëse kanë qenë problematika, të cilat kanë qenë neglizhim nga ana e stafit në shërbime apo kanë qenë vonesa të pajustifikuara. Pas këtyre verifikimeve që ne kemi bërë, janë 55 masa ndëshkimore të ndërmarra për arsye të problematikave që mund të kenë shkaktuar dhe vonesa në marrjen e shërbimit të qytetarëve. Patjetër që ka pasur dhe raste suksesi dhe raste tipike suksesi të cilat kanë kontribuuar për t’i zgjidhur shqetësimet dhe problemet, jo vetëm një qytetari, por një grupi qytetaresh dhe komuniteti në tërësi. Ne, nëpërmjet platformës kemi arritur që të shtojmë shërbimet shëndetësorë në qytete të caktuara, të shtojmë orarin e shërbimeve të kujdesit shëndetësore, për shembull në qytetin e Rubikut, ku shërbimi kërkohej të ishte me dy turne, për të aksesuar më shpejtë shërbimin apo problematika të tjera, lidhur me një grup pacientës të dializës peritonale,  kur sot nuk duhet të vijnë deri në Tiranë për të marrë shërbimin, por e marrin shërbimin në rrethe, për arsye pikërisht të një mungese të komunikimit të drejtpërdrejtë, që ne kemi pasur me qytetarët. Është instrumenti më i mirë dhe dua të inkurajoj të gjithë qytetarët, që vetëm në 3 minuta kohë mund të depozitojnë kërkesë-ankesën e tyre dhe më shpejtë madje se 10 ditë ne mund ti adresojmë për zgjidhje këto problematika. Në fund, thjesht dua të falënderoj Gëzimin që na vuri në dispozicion dhe na paraqiti ankesën e tij dhe të inkurajoj edhe qytetarë te tjerë që të vijojnë për të komunikuar sëbashku nëpërmjet kësaj platforme.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit ministre. Një tjetër komponent, i rëndësishëm i platformës është komponent i  komunikimit të menjëhershëm me gjithë shqiptarët që janë jashtë atdheut. Pra kemi pasur një sërë rastesh, për të cilat do flasë besoj Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, kur qytetarë që jetojnë në Amerike, jetojnë në Europë apo jetojnë dhe në Australi, i janë drejtuar platformës për të zgjidhur një problem. Ministri, sigurisht do të fokusohet tek rastet që lidhen me shërbimin tonë jashtë, por ne kemi raste legalizimesh, ne kemi raste hipotekimesh, ne kemi raste pensionesh të trajtuara nga platforma këtu, për qytetarët dhe për familje që janë matanë oqeanit. Kështu që ky dimension është një dimension që zyrat e vjetra të marrëdhënieve me publikun, nuk kishin si ta kishin, sepse ishin zyra të lidhura me vajte-ardhjen fizike dhe me kontaktin fizik. Rasti i zgjedhur nga ekipi i platformës është rasti i zotit Reshit Ismaili, i cili ka pasur një odise të gjatë për një dokument dhe është këtu për ta dëshmuar. Ju falenderoj shumë që keni ardhur sepse e përsëris, efektin që bën dëshmia juaj, që bëjnë dëshmitë tuaja nuk e bëjnë kurrë fjalët e mia dhe fjalët tona.

Zoti Reshit Ismaili: Unë kam një problem që prej vitit 2017. Me 12 tetor, shkon djali nga Spanja për një pasaportë biometrike, me dokumente të rregullta që ja çova unë nga këtej, dorëzon fotokopjen dhe i thonë ata të konsullatës që “ik se do të lajmërojmë ne kur do vish ta bësh pasaportën”. Mbasi iku 10 orë me makinë, i thonë pas dy ditësh që hajde bëj pasaportën. Djali nuk u paraqit dot në atë kohë. Fotokopjet e dokumenteve u përcollën  për në Tiranë. Se ku shkuan 8 muaj, nuk u mor vesh. Më datë 3 dhjetor erdhi policia dhe bëri verifikimin, pra detyrën e vet që ka dhe nuk u mor vesh më. Çfarë bëhet? Biseduam me konsullatën në Itali. Ata i thanë djalit, “z. Ismaili, dokumentet tuaja i ka bllokuar ministria e jashtme.” Shkoj tek ministria e jashtme dhe më pritën në mënyrë të përsosur. Nga ora 10, deri në orën 4 pas dreke mbarova punë. Lajmëruam djalin të shkojë filan datë të bëjë pasaportën. Pra një pritje e shkëlqyer. Jam tepër i kënaqur nga Ministria e Jashtme. Tani, ai e bëri këtë punë. Unë kisha një propozim tjetër për këta që janë jashtë shtetit. Në atë ditë që dorëzon dokumentacionin, të bëjnë dhe foton dhe të marrin shenjat e gishtave dhe të pastaj le të vonohet pashaporta. Por jo ti thuash ti që “ik tani dhe hajde mbas dy ditësh”. Ku të shkoj mbas dy ditësh unë? Ai është në punë. Ai kur ka ikur, ka ikur me pasaportë tjetër. Unë dua ti bëj pasaportë biometrike dhe e realizuam këtë punë. Ai ka ikur në vitin 1998 si emigrant në Spanjë dhe ka punuar në punë të pastër deri më sot. Ka 20 vjet që nuk ka ardhur në Shqipëri dhe nuk vjen dot se nuk ka dokumente.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit edhe në fakt unë pash datat këtu që ka qenë një afat shumë i shkurtër i zgjidhjes për një histori shumë të gjatë. Ministri mbase do të shfrytëzojë rastin edhe për të thënë dy fjalë për konsullatën dixhitale që ne kemi krijuar që është një ndihmesë e madhe për të gjithë ata, që janë mësuar thjesht të nisen e të shkojnë në konsullatë, ndërkohë që shumë shërbime mund ti bëjnë drejtpërdrejtë nga telefoni.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati: Ju faleminderit zoti Kryeministër! Në radhë të parë për platformën që siç u tha edhe nga të gjithë miqtë që janë këtu, ekziston dhe pas saj ka një armatë të tërë njerëzish që merren me të dhe është ndoshta pasqyra më e mirë e punës sonë të përditshme për të kuptuar cilësinë e shërbimit që ne ofrojmë, që zyrat që janë në varësi tonën ofrojnë dhe nivelin e përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve. Mund t’ju marr vetëm një rast që vetëm shifrat e 8 mujorit të parë të 2018, flasin për rreth 500. 000 raste ku shërbimi konsullor ka vepruar ndaj kërkesave të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut. Brenda kësaj kategorie të madhe, siç e tha edhe babai i Ridvanit ka disa fasha. Ka shqiptarë, të cilët kanë dy nënshtetësi, pra shqiptaren dhe të vendit ku jetojnë. Ka që mbajnë vetëm nënshtetësinë shqiptare, por që jetojnë me dokumentacion plotësisht të rregullt, qoftë ne SHBA apo vende të BE, ku është dhe shumica e shqiptareve që jetojnë jashtë atdheut. Ka dhe raste siç ishte rasti në fjalë ku ende nuk janë përfshirë plotësisht në këtë proces. Puna jonë është e lidhur gjithashtu me dy fasha të mëdha. Nga njëra anë, ndërveprimi me institucionet e shtetit shqiptar. Ju e përmendët zoti Kryeministër. Ky është rasti tipik, ku ping-pongu institucional i krijon pasoja njerëzve sepse për rastin në fjalë, do të duhej që të ndodhte verifikimi i të dhënave biometrike, duke qenë se ishte për herë të parë që do të lëshohej në policinë e shtetit, siç e kërkon ligji dhe për shkak të ping-pongut institucional për të cilin unë i pari nuk jam i kënaqur, pavarësisht fjalëve të mira që u thanë këtu për institucionin, vonon edhe përgjigja dhe askush nuk merr përgjegjësinë. E dyta, është një situatë tjetër që nuk varet në dorën tonë, sepse bëhet fjalë për shembull për sekuestrim pasaportash apo patentash apo dokumentesh të tjera që bëhen nga vende ku janë shtetasit shqiptarë apo ku udhëtojnë dhe është shumë e vështirë që në 10 ditë kohë, të trajtohet zgjidhja e problemit. Por nga pikëpamja e kthimit të përgjigjes, tek afati stritk që imponon ligji dhe jo thjesht kjo platformë që bazohet në atë ligj, ne jemi përpjekur për të vendosur standard. Nga 127 ankesa sepse dhe vetë natyra e punës është dhe pak më e kufizuar se ministritë e tjera që u prezantuan këtu, 119 janë rastet e zgjidhura. Për sa i përket shërbimit konsullor e vërteta është që pavarësisht platformës telefonat tanë nuk pushojnë, qoftë mesazhet apo ëhatsapp në shumë raste që verifikohen, rezultojnë që nuk kemi në lartësinë e detyrës, siç shpesh ka dhe alarme fallco. Me shërbimin konsullor online, ne i krijojmë mundësi çdokujt për të aplikuar online. Me përjashtim të pranisë që duhet për sa i përket të dhënave biometrike, siç e kanë të gjitha vendet e botës sepse nuk ka një mundësi tjetër për ti depozituar të dhënat. Me programin që jemi duke zbatuar synojmë që të kemi gjithashtu një reduktim të kohës, përmes së cilës do të procesohen të gjitha shërbimet konsullore. Një fjalë tjetër, në lidhje me platformën. Këtu u trajtuan probleme edhe të karakterit komunitar nga institucionet e tjera. Në rastin tonë, ne jemi përpjekur për tju përgjigjur interesit të qytetarëve, qoftë për sa i përket procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, cështjeve që po trajtohen me Greqinë dhe kam përshtypjen që në të njëjtën kohë, jemi përpjekur për të qenë krejt të haur dhe dashamirës ndaj nismave, të cilat kanë ardhur në platformën tonë dhe sot për sot ka njerëz që bëjnë praktikën pranë institucionit tonë, bazuar mbi një ide që e kanë hedhur në këtë platformë.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit zoti ministër! Po vijojmë me një rast tjetër që është në këtë rast tipik të proceseve kafkajane që kalojnë njerëzit me administratën e shtetit, konkretisht me gjendjen civile në këtë rast dhe përsëri dua të këmbëngul tek mesazhi që rruga më e shkurtër, rruga më e shpejtë, rruga më e sigurtë për të zgjidhur një hall, apo për të adresuar një problem me zyrat e shërbimeve të shtetit është platforma e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al. më e shpejta, më e sigurta dhe pa diskutim më e shkurtra. Është rruga për të mobilizuar drejtpërdrejtë titullarin e institucionit dhe për të zgjidhur dhe një rast si ky, që do ta tregojë zonja nga Korça, një rast absurd të dhënash personale, në regjistrin kombëtar të gjendjes civile që i ka shkaktuar zonjës shumë shqetësim për muaj e muaj të tërë, në pamundësi për ta zgjidhur.

Zonja Stoli Agolli: Përshëndetje! Problemi im kishte të bënte me gjendjen civile të qytetit. Më duhej të merrja një certifikatë personale për t’ia dërguar djalit që e kam me studime në Francë. Duhet t’ja dërgoja brenda një jave e kur shkoj ta marr has në problemin që kishin ndryshuar mbiemrin e vajzërisë nga Hysenaj në Hipenaj. Pas një kalvari të gjatë stërmundimesh, sorollatjesh nëpër zyra, nëpër arkiva, edhe pse unë e kisha letërnjoftimin të marrë me mbiemër të qartë që në moshën 16 vjeçe, përsëri ato ngulnin këmbë që gabimi i bërë nga të tjerët nuk mund të korrigjohej. Kur unë i mbledh të gjithë dokumentacionet dhe i dorëzoj aty, fjala e fundit e punonjësve të gjendjes civile ishte: Ne do t’i dërgojmë në Tiranë por ju duhet të keni një mik atje, pasi ndryshe nuk merrni përgjigje. Ka qytetarë që kanë një vit dhe nuk u ka ardhur përgjigja. Unë shkoj në shtëpi, meqë nuk kisha mik diku, hyj në platformë, shkruaj problemin që kisha dhe ditën e dytë punonjëset më marrin në telefon më thonë të vish se problemi u zgjidh dhe shkoj marr certifikatën me mbiemrin e korrigjuar.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për krahasimin me mikun sepse unë e kam thënë dhe e përsëris që nëse do të fusësh një mik, platforma ta gjen mikun më të sigurtë dhe më të detyruar karshi teje, që është ministri apo ministrja përkatëse që vë në lëvizje menjëherë gjithë mekanizmin për të kuptuar ku qëndron problemi e mekanizmi jep zgjidhje kur zgjidhja të takon. E ndërkohë pastaj vazhdon procesi, qoftë siç e solli këtu rastin, ministri i bujqësisë për të adresuar një problem që është më i madh se sa rasti konkret.

Është një problem i fushës, qoftë për të adresuar çdo rast që lidhet me vonesa të qëllimshme. Në rastin konkret, vonesa nuk ka qenë e qëllimshme, në kuptimin për t’ju marrë juve ryshfet por ka qenë e papranueshme. Sidoqoftë, por në rastet kur ka dyshim për vonesë të qëllimshme, atëherë fillojnë hetimet administrative dhe besoj që në fund, ministrja e drejtësisë do bëjë një raport për këtë gjë. Po ia kaloj fjalën në mungesë të ministrit të brendshëm, zëvendësministres për të thënë shkurtimisht edhe ajo në emër të institucionit punën e bërë me platformën e bashkëqeverisjes.

Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda: Në fakt, sot unë e njoh, por dhe e shoh për herë të parë Stolinë që ka bërë këtë ankesën në platformën e bashkëqeverisjes dhe ndoshta duhet të ishte dhe mesazhi më i mirë që e theksuat ju kryeministër, miku më i mirë ndoshta sot për qytetarët është platforma e bashkëqeverisjes. Në fakt, në Ministrinë e Brendshme që prej 1 viti që ka filluar platforma, janë adresuar një numër i madh ankesash. Në total 773, por më vjen mirë të them që 660 prej tyre janë të zgjidhura dhe një pjesë, pra diferenca, 114 janë quajtur të përfunduara, pasi ose janë adresuar në një institucion tjetër, ose ne ndoshta i kemi ende në proces për shkak se disa gjëra kanë dhe pengesa ligjore dhe qytetarët na kanë mirëkuptuar. Për t’u përgjigjur në kohë, sepse vlen të përmendet tek rasti i Stolisë, përgjigja ka qenë brenda 24 orëve, pra në datë 10 ka ardhur ankesa, në datë 11 qytetarja ka marrë përgjigjen. Ne jemi munduar të bëjmë një lloj organizimi të brendshëm për t’ju përgjigjur brenda afatit 10 ditor, kemi vënë pika kontakti në të gjitha drejtoritë apo departamentet e mëdha pasi e dimë që ministria e brendshme është një nga institucionet ndoshta me strukturën më të madhe, duke qenë se përfshin dhe policinë e shtetit. Kemi pikë kontakti në Policinë e Shtetit, pikë kontakti në drejtoritë e përgjithshme të gjendjes civile, kryesisht në drejtorinë e inspektimit ku kemi dhe numrin më të madh të ankesave. Më vjen mirë të them që platforma ka shërbyer dhe si një lloj mekanizimi për të vëne në jetë tre parimet të administratës publike. Un do veçoja tre, transparenca, llogaridhënia dhe eficensa. Ndoshta ky është një vete ushtrim i administratës sonë publike për të kuptuar që ka ardhur koha që këto parime të mos jenë thjesht në letër, por të jetë ajo administratë publike, të cilën ne kemi kohë tashmë mbas edhe reformës së suksesshëm që po mundohemi ta vëmë në zbatim. Un do thoja dhe një gjë, në kuadër të zgjidhjes së rasteve të komunitetit, kemi patur një rast të suksesshëm interpelance me konfederatën e prodhuesve shqiptarë të peshkimit dhe akuakulturës ku jemi munduar që ti gjendemi pranë dhe duke qenë se është një nga bizneset më të mira dhe me një peshë specifike këto vitet e fundit.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit zonja zëvendësministre. Nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë që është një institucion që ka një peshë jo të vogël në atë ndarjen e barrës së temave dhe të problemeve të platformës është zgjedhur një rast që përsëri tregon se si nga ankesa e një personi, jo vetëm zgjidhet problemi i personit, por hapet rruga për të adresuar një problem që prek më shumë se sa një person, një grup njerëzish. Është i ftuar Erioni këtu, faleminderit për praninë dhe për ndihmën që na jep sepse është ndihmë shumë e çmuar, çdo dëshmi e juaja dhe je i lutur që ta prezantosh rastin tënd.

Zoti Erion Çodo: Unë vij nga Durrësi dhe kam kryer studimet e larta pranë Universitetit të Sporteve, ku në ciklin e parë bachelor kam mbaruar për veprimtari fizike dhe rekreacion, kurse në ciklin e dytë master u diplomova në fushën e veprimtarisë fizike në mësuesi.

Më pas, pas përfundimit të studimeve iu drejtova drejtorisë arsimore Durrës për të çuar dokumentacionin përkatës dhe për të filluar stazhin dhe më pas pajisjen me licencë për të ushtruar profesionin. Atje më komunikuan që bachelori nuk përputhej me mësuesinë që kisha studiuar dhe nuk kisha rrugë tjetër, pasi 5 vite të arsimit, po më shkonin dëm. Iu drejtova platformës, ku në një kohë rekord më edhi një përgjigje që problemi kishte marrë një rrugë të drejtë dhe po zgjidhej. Kështu në këtë pjesë falënderoj zonjë ministre që i dha zgjidhej shumë të shpejtë këtij problemi ku nuk përfitoj vetëm unë, siç e thatë dhe ju, por përfitojnë shumë studentë si puna ime. Faleminderit!

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla: Faleminderit dhe përshëndetje! Falënderoj Erionin dhe 1170 ankesat e ardhura në portalin e bashkëqeverisjes, nga të cilat 9984 kanë gjetur zgjidhje dhe sigurisht të gjitha janë ankesa të përfunduara, duke marrë përgjigje. Unë do doja të ndalesha në fakt në një moment shumë të rëndësishëm se si ky portal i bashkëqeverisjes ka shërbyer për të përmirësuar unë vetë punën time. Nuk ndodhte një vit më parë që vetë unë, mesatarisht 5 ankesa në ditë të adresoja, jo thjesht për të adresuar një përgjigje, por për të mësuar një monitorim nga një instrument i një viti më parë i munguar që ishte direkt vëmendje dhe syri i qytetarit se sa dhe si po funksionon gjithë sistemi hierarkik i arsimit në vend. Ndaj lejomëni të them që kjo platformë e bashkëqeverisjes ka mundësuar jo vetëm përmirësimin e shërbimit në sistemin arsimor. Sigurisht mbetet ende shumë për të përmirësuar. Por lejomëni t’ju them që thelbi i bashkëqeverisjes ka bërë të mundur që 430 mijë nxënë dhe 30 mijë mësues, sot nga një ide e ardhur përmes platformës “nisma ime” të jetë kthyer në një standard të ri, në sistemin arsimor dhe bëhet fjalë këtu, për gjithë propozimin e ardhur nga platforma “3 lëndë në 6 orë”. Lejomëni gjithashtu t’ju them që rasti që përmendi Erioni që impaktonte dhe 900 studentë të tjerë që kanë përfunduar si Erioni, por dhe të tjerët që do të vinin, sot është kthyer në një ndryshim në ligj. Është kthyer në një standard të ri për të përmirësuar gjithë aktet ligjore dhe po ashtu do doja të thoja që nga platforma e bashkëqeverisjes, pra keni bashkëqeverisur në sistemin arsimor,  jo thjesht dhe vetëm keni marrë shërbim, keni dhe një udhëzim të ri që mban numrin 30, krejtësisht i përmirësuar dhe ku janë parë të gjitha problematikat që vinin nga platforma dhe që adresonin mësues të sistemit tonë arsimor. Dua të them të gjithë qytetarëve, që jo vetëm kjo është një platformë që na shërben të gjithëve, ju për të marrë shërbimin, ne për të përmirësuar shërbimin, por nga ana tjetër është dhe një instrument që mat punën tonë, përgjegjësinë tonë. Nuk mundet më ministri t’i bishtnojë gjithckaje që vjen drejt platformës së bashkëqeverisjes, pasi jo vetëm është kthyer në një instrument në të cilët matet puna jonë përmes kartës së performancës që ne kemi me kryeministrin e vendit, por nga ana tjetër në gjithë hierarkinë e sistemit është kthyer në një instrument të rëndësishëm për të matur performancën e çdo drejtuesi. Kemi 37 raste ndëshkimi në sistemin arsimor për shkak të mos dhënies drejtësi apo shërbim nga të gjitha ankesat që kanë ardhur nga platforma e bashkëqeverisjes, por nga ana tjetër është kthyer në një instrument me të cilin Ministria e Arsimit dhe gjithë hirerakia që monitoron punën në arsim, mat punën e çdo drejtorie dhe zyre arsimore. Nuk mund të bishtnojë, ashtu sikurse ministrja nëse nuk jepet shërbim dhe nuk bëhet drejtësi për çdo ankesë të ardhur në platformën e bashkëqeverisjes po ashtu dhe çdo drejtori arsimore dhe zyrë arsimore edhe pse nuk impaktohet drejtpërdrejtë titullari, ka përgjegjësi nëse në rankim rezulton që numri i madh i rasteve pa përgjigje apo numri i madh i ankesave i adresohen një drejtorie apo zyre arsimore. Lejomëni po ashtu t’ju them gjithë qytetarëve që është kthyer platforma e bashkëqeverisjes dhe në një instrument, në një urë të re komunikimi dhe me institucionet tona të arsimit të lartë, që edhe pse janë autonome, ka shërbyer ky si një instrument shumë i rëndësishëm që edhe ato të vihen në punë dhe në kohën e duhur dhe në mënyrën ligjore të duhur të japim përgjigje dhe zgjidhje, shumë problematikave të qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit zonja ministre! Është absolutisht e vërtetë dhe ia vlen të ritheksohet se platforma me rastet konkrete është bërë sebep falë qytetarëve që e kanë marrë atë mundim dhe e kanë marrë ato si të thuash kurajo për të sfiduar mosbesimin edhe për ndryshime ligjore edhe për ndryshime në akte nënligjorë apo për akte të reja nënligjore. Po ashtu, mjedisi është një fushë ku hera-herës ka denoncime dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit është përgjigjur gjithnjë me shumë shpejtësi, duke jo vetëm garantuar atë që garantojnë të gjithë anëtarët e kabinetit përmes institucioneve, përgjigjen për qytetarët, por duke qenë ai vetë personalisht në terren menjëherë për të verifikuar ankesat e për të marrë masat përkatëse. Këtu, skuadra e platformës dhe përfitoj nga rasti ta përsëris që platforma nuk është thjesht ai ekrani që shikojnë qytetarët por pas ekranit janë rreth 30 vajza dhe djem që punojnë pa orar për të mbledhur informacion e për t’ia kaluar pastaj ministrave. Pra, skuadra ka zgjedhur rastin e zotit Shaqja nga Shijaku, i cili ka marrë iniciativën ti drejtohet platformës jo thjesht për një çështje personale, por në emër të komunitetit ku ai banon. Faleminderit për praninë dhe ju lutem.

Zoti Armelin Shaqja: Problemi im ka qen se ngjitur me shtëpinë time funksiononte një punishte duralumini e mobileve. Aty lyenin duraluminet. Sharrat kanë qenë shumë të zhurmshe deri sa u bë e pamundur jetesa në shtëpinë time. Kam trokitur në dyert e Policisë së Shijakut dhe të bashkisë. Kam qenë disa herë dhe nuk më kanë dhënë zgjidhje. Pastaj ju drejtova Platformës. Bëra ankesën time aty dhe shumë shpejt më erdhi një përgjigje. Më erdhën inspektorët e Durrësit, të mjedisit, erdhën disa herë dhe më në fund i bën pezullimin këtij aktiviteti dhe u larguan nga aty. Falënderoj Zotin, falënderoj dhe bashkëqeverisjen, inspektoratin e mjedisit të Durrësit.

Kryeministri Edi Rama: Rrofsh! Më bëri të buzëqesh, por ishte kënaqësi të dëgjoja që falënderove Zotin dhe Bashkëqeverisjen. Po ia kaloj fjalën ministrit.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi: Në fakt, në shkëmbim të falënderimit që Armelindi bëri për Zotin dhe për bashkëqeverisjen, do doja të falënderoj Armelindin dhe plot 390 qytetarë të devotshëm të këtij vendi, të cilët kanë denoncuar raste të ndryshme në platformën e bashkëqeverisjes gjatë këtij viti, raste që kanë gjetur zgjidhje në 345 prej tyre. Pra, pothuajse çdo ditë jemi përpjekur të zgjidhim një rastm paçka se rastet kanë qenë jo të gjitha vetëm një përgjigje kompjuterike apo vetëm me një shkresë apo zgjidhje e një rasti, i cili zgjidhet vetëm me një letër, por si në rastin e Armelindit ka pasur procedurë të caktuar, e cila u evidentua si në shumë raste të tjera, që shteti nuk funksiononte siç duhej. Pra, përveç faktin që ai biznes funksiononte në atë zonë të Shijakut në mënyrë abuzive me ligjin, nuk kishte fare leje mjedisi dhe prezenca e inspektorëve atje evidentoi një rast tjetër që ishte mungesa e lejes mjedisorë, e cila iu refuzua biznesit mbasi aplikoi. Nga ai moment biznesi nuk mund ta ushtrojë funksionin në atë zonë. E thash me pak më shumë fjalë rastin në fjalë, pasi do doja të thoja që në shumë raste në kemi marrë indice nga platforma e bashkëqeverisjes për raste që na kanë shoqëruar gjate gjithë këtij viti të funksionit të institucionit tonëk me platformën e bashkëqeverisjes, si problematika e guroreve që mund të themi që kemi bërë shumë progres, por jemi larg zgjidhjes përfundimtare. Kemi ndërmarrë një vendimmarrje qeveritare siç ju e përmendët zoti kryeministër, ku kemi ndryshuar mënyrën se si funksionon raporti i shtetit me poseduesit e guroreve, duke dashur të themi që ne jemi pro atij biznesi, por ai biznes nuk mund të bëhet në kundërshti me interesat e qytetarëve.  Bllokimi i gjithë guroreve në malin e Tomorit po themi ka qenë një histori, e cila nuk përfundoi vetëm nga shkrimi i qytetarëve të Poliçanit në platformën e bashkëqeverisjes, por morëm disa masa edhe në një betejë të vazhdueshme me sistemin shumë problematik të gjyqësorit që akoma kemi në vendin tonë dhe karshi qytetarëve, ne ndihemi përsëri debitorë, pasi nëse gjykata e Vlorës do kishte marrë një vendim në interes të qytetarëve, ne sot do kishim një mal të Tomorit të rehabilituar. Kemi akoma problematika në atë zonë, por e them këtë rast, pasi do doja të isha fare i sinqertë me qytetarët që përsëri shkruajnë në platformën e bashkëqeverisjes përpjekja jonë nuk ka përfunduar me kaq. Po kështu, ka qenë një nismë e nisur nga një grup intelektualësh për sa i përket përdorimit të qeseve në vendin tonë. Ishte një ligj i qeverisë shqiptare, që nga viti 2015 i cili kërkonte reduktimin e përdorimit të qeseve. U desh iniciativa e një grupi intelektualësh, profesorësh të universitetit që shkruajtën në platformën e bashkëqeverisjes në rubrikën “Nisma Ime” dhe pastaj morëm një vendim, i cili sot ka sjellë një efekt shumë pozitiv për sa i përket raportit që kemi me mjedisin dhe trajtimin e mbetjeve urbane. Ka pasura masa të marra në kuadër të këtij raporti që ne kemi me qytetarët, pasi siç përmenden disa raste këtu dhe rasti i Shijakut është mosfunksionim i inspektoratit mjedisor apo njerëzit që kanë detyrën të kontrollojnë këto biznese dhe prandaj ne kemi marrë 30 masa. Në rastin e Malit të Tomorit  kemi çuar dhe për ndjekje penale drejtuesin e kryeinspektorit dhe gjithë stafin e këtij inspektorati. I solla këto raste për të thënë që ne do donim shumë që ky bashkëpunim të shumëfishohej, pasi tashmë bisedën më të madhe që ne kemi për mbrojtjen e mjedisit, për pasjen e një Shqipërie të pastër dhe turistike, nuk mund të funksionojë nëse s’kemi edhe në vazhdimësi opinionin e qytetarëve dhe evidentimin e problematikave, kudo që ato shfaqen.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit Zoti ministër! Më pak ankesa ka pasur në adresë të ministres së Kulturës, sepse është dhe një fushë me specifikat e veta, por është zgjedhur një rast tipik i një shqetësimi që ka sjellë shpëtimin e një monumenti kulture, specifikisht të Kishës së Profet Ilisë. Shumë mirënjohës për Zonjën Doloreza Mosko që është këtu e pranishme.

Zonja Doloreza Mosko: Vij si përfaqësuese e komunitetit të banorëve të fshatit Stegopul, komuna Libohovë, krahina Lunxhëri, për një problem me një kult fetar të Shën Ilisë që ndodhet në këtë fshat. Pas një kalvari të gjatë të prindërve tanë që nuk janë, që e kanë bërë të mundur, ta rindërtonin këtë nuk arritën dot. Ne brezat më vonë menduam që t’i drejtohemi pikërisht portalit tuaj të bashkëqeverisjes, duke shpresuar, por njëkohësisht edhe duke hezituar se mund të mos na bëhej asgjë. Po “çudia” ndodhi. Ne për 3 ditë morëm përgjigje pozitive. Për 7 ditë një grup i nisur nga Ministria e Kulturës erdhi verifikoi  gjendjen e këtij monumenti. Dje, prapë të entuziazmuar sepse erdhën edhe piktorë, skulptorë për të rifreskuar ikonat që janë atje. Një shpresë e humbur nga këta banorë, na e rikthyet ju, bashkëqeverisja. Unë jam mësuese në pension. Banoj kryesisht në Tiranë, por më shumë në fshat. Jam kthyer tani në trojet e babait tim dhe e shikoj që në ato fshatra, duke zbatuar dhe politikën e bashkëqeverisjes për t’i kthyer këto fshatra në turizëm, rindërtimi dhe rifreskimi i këtij manastiri do të bëjë që, me të vërtetë, ne t’i kthejmë këto zona në turistike. Janë të mrekullueshme. Falë ministres së Kulturës, në takimet që bëri me banorët e këtij fshati, e shkeli vetë këtë vend, u dha fjalën dhe e mbajti, por letra që i drejtohet bashkëqeverisjes na ka befasuar. Zoti Kryeministër, do të përmend këtu një shprehje të Kipling, një poet filozof shumë i madh, ai në një varg të tij thotë: “Ktheji minutat e tua në vepra të mëdha.” Ju si bashkëqeverisje i keni kthyer në të gjithë Shqipërinë.

Kryeministri Edi Rama: Ishte një poete që thoshte, nëse do të sillesh njësoj me të pushtetshmit dhe me të pafuqishmit, atëherë ti je njeri.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro: Në fakt, duke falenderuar Dolorezën, jo vetëm për shqetësimin që ka sjellë pranë Platformës, por edhe për shpjegimin që unë se bëj dot aq mirë sa ajo, megjithëse mësuese letërsie po ashtu. Në datën 2 ka ardhur kërkesa e komunitetit. Të gjithë ata që mendojnë se kultura nuk është hall, Doloreza është shembulli që tregon se shqetësimet shpirtërore janë po aq të domosdoshme dhe të përditshme për njerëzit dhe komuniteti i Stegopulit që jeton kryesisht në Tiranë tregon se sa e rëndësishme është trashëgimia kulturore në mirëqenien e përditshme dhe në identitetin e gjithsecilit, por edhe si një potencial turistik dhe ky është në fakt vlerësimi që i bëri komunitetit, kur bëri këtë kërkesë. Pavarësisht se Ministria e Kulturës në këtë periudhë ka rreth 33 kantiere ndërtimi në të gjithë territorin, duhet ta pranoj se kjo kishë në fakt nuk ishte në këto kantiere dhe ishte ky rizgjim, kjo trokitje e menjëhershme e komunitetit të Stegopulit, në 2 shtator. Në 9 shtator, ekipi i inxhinierëve ka shkuar në vend, ka bërë të gjithë matjet e nevojshme. Është punuar shumë intensivisht për hartimin e projektit të konsolidimit të kishës dhe në datë 26 shtator, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve është miratuar tashmë projekti. Ashtu sikurse Doloreza tha, në fakt vijuam pjesën e dytë me pikturat murale të jashtëzakonshme të këtij objekti kulti, që do të avancojë me projektin e financimit, duke iu bashkangjitur kështu programit të qeverisë “Rrugët e besimit”, që ne kemi në të gjithë territorin e Shqipërisë. Kështu që unë dua të falënderoj Dolorezën, por edhe të gjithë ata që sjellin të tilla shqetësime, që na tregojnë se kultura vazhdon të jetë një vlerë shpirtërore e jashtëzakonshme.

Kryeministri Edi Rama: Unë do të kaloj tek një rast që është shumë përfaqësues për një temë tjetër goxha tipike dhe shqetësuese të Platformës, që është tema e pensioneve, tema e humbjes së dokumentacionit të pensioneve, e keqllogaritjes së pensioneve. Më vjen jashtëzakonisht mirë që falë Platformës janë një numër i vogël, në krahasim me ata që e kanë këtë hall, por i konsiderueshëm pensionistësh që kanë arritur të zgjidhin një problem të pazgjidhshëm për vite të tëra. Kur mendoj që shumë pensionistë janë ndarë nga kjo botë pa arritur dot të adresojnë këtë problem nuk mundem veçse t’i nxis vazhdimisht anëtarët e skuadrës së Platformës, që çdo herë që bëjmë pasqyrimin e rasteve të kemi mundësi që një rast të jetë nga pensionet, për të inkurajuar pensionistët që ndjekin ekranet, që na dëgjojnë, që t’i drejtohen Platformës. Në rastin konkret është zonja Luljeta që e ka bërë këtë për të atin, ish-ushtarak. Shpesh ndodh që janë nipërit, janë mbesat, janë dhëndurët që e bëjnë këtë për pensionistët, që nuk kanë të njëjtin akses të shpejtë në teknologjinë digjitale, siç e kanë zotërinjtë. Zonja Luljeta t faleminderit për prezencën.

Zonja Luljeta: Jam vajza e një ish-ushtaraku, i cili për vite me radhë, që nga hyrja e ligjit në fuqi për përfitimin e pensionit suplementar në vitin 2009, babai nuk e përfitonte pensionin suplementar, sepse i kishte humbur dosja. Kalvari i vuajtjeve të babait tim ishte pafund. Ai shkonte dhe ne bashkë me të, në çdo zyrë të institucioneve dhe përgjigja ishte se dosja kishe humbur. Atëherë humbën edhe shpresat e babait tim për përfitimin e pensionit suplementar. Mirëpo, falë Platformës së Bashkëqeverisjes, me një klikim të shpejtë, unë munda të zgjidh problemin e babait tim. U gjet dokumentacioni, u gjend dosja dhe ai e përfiton sot dhe është shumë i lumtur për pensionin suplementar të ish-ushtarakut. Unë kam ardhur në emër të tij t’ju falënderoj pafund për këtë risi të qeverisë shqiptare.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Është shumë e thjeshtë dhe e tmerrshme njëkohësisht, kur e mendon, sepse që nga 2009-ta ju keni ngecur për shkak se të gjitha letrat, të gjitha përsiatjet kanë ngecur në një nivel të caktuar të administratës dhe asnjëherë nuk ka pasur mundësi që një autoritet më i lartë të vihet në lëvizje. Për sa kohë nuk e kemi një administratë që funksionon si një mekanizëm autosufiçent, që nuk ka nevojë fare për të pasur vëzhgim dhe presion nga lart, është e domosdoshme që të jetë autoriteti më i lartë që ndërhyn. Babai ka kaluar 10 vjet pa arritur të marrë zgjidhje, ndërkohë që Platforma bën pikërisht këtë, kapërcen të gjitha shkallët menjëherë dhe me një mesazh bëhet lidhja mes qytetarit dhe autoritetit më të lartë të fushës. Nga kjo lidhje krijohet menjëherë ajo marrëveshja e bashkëqeverisjes për të zgjidhur problemin, duke e vënë mekanizmin në funksion të qytetarit. Faleminderit! Ftoj zëvendësministrin e Mbrojtjes të bëjë një rezyme të shkurtër të historikut të punës së Ministrisë së Mbrojtjes me Platformën e Bashkëqeverisjes.

Zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi: Unë dua të falënderoj rreth 200 qytetarë që i janë drejtuar Platformës së Bashkëqeverisjes për problematika që kanë pasur në marrëdhënie me Ministrinë e Mbrojtjes, apo Forcat e Armatosura. Dua të theksoj se Platforma e Bashkëqeverisjes është jo vetëm një rrugë e shpejtë, efikase, e shkurtër, por është dhe rruga më e pastër për të ndërtuar një marrëdhënie të tillë. Unë besoj se platforma është pushtet për qytetarët. Rasti i Luljetës e tregon këtë, por edhe shumë raste të tjera. Ne kemi rreth 9 raste suksesi që kanë gjetur zgjidhje spektakolare për shkak të faktit se rastet kanë qenë të tilla që kanë shënuar shumë vite vuajtjesh në marrëdhënie me zyrat e shtetit. Nga këto 200 raste që përmenda, 170 kanë gjetur zgjidhje totale. Pra, do të thotë se përqindja më e madhe e qytetarëve që i janë drejtuar Platformës kanë pasur të drejtë, nuk e kanë patur gabim ankimimin që i kanë adresuar Platformës. Nga ana tjetër, unë dua të theksoj që Platforma është bërë dhe një shans shumë i madh për arsye të tjera. Fakti që ne kemi dhe nisma të propozuara nga qytetarë, nga ish ushtarakë, ose jo, që janë të mirëpritura, siç është fakti që për çështjen e përballimit të emergjencave civile propozohet që të ngrihen grupe vullnetare civile në përballimin e fazës së parë të këtyre emergjencave, pra, në pritje të ardhjes së Forcave të Armatosura, është një propozim shumë i mirëpritur nga ne, apo siç është fakti që propozohet që në radhët e nënprefektëve, p.sh, të ketë prapë ish ushtarakë, siç është rasti i prefektëve, sepse ata janë shumë efikasë në përballimin e emergjencave, meqenëse emergjencat vitet e fundit janë shtuar. Nga ana tjetër, platforma na ka shërbyer për të zbuluar rastet e zyrtarëve të papërgjegjshëm dhe ne kemi 3 raste që janë ndëshkuar për shkak të Platformës dhe një prej tyre është larguar dhe nga puna, sepse qytetari që është ankuar, duke u marrë në shqyrtim është bërë zbulimi se zyrtari përkatës është treguar i papërgjegjshëm. Kështu që unë dua të falënderoj sërish të gjithë ata që i janë drejtuar Platformës dhe dua të inkurajoj këdo që i drejtohet kësaj Platformë. Nga ana tjetër është një arsye më shumë që nismës që kemi marrë për të rritur shërbimet online, t’i japim më shumë vullnet, më shumë këmbëngulje, në mënyrë që gjërat të ecin shumë, shumë më shpejt.

Kryeministri Edi Rama: Platforma ka dhe një rubrikë pak të veçante që është rubrika e kontributit, pra, kontributi im, ku qytetarë mund të ofrohen për të kontribuuar në funksion të qeverisjes, duke vënë në dispozicion ekspertizën e tyre, duke vënë në dispozicion sugjerimet e tyre dhe punë e tyre vullnetare, përfshirjen në grupe pune, qoftë nëpërmjet përfshirjes së drejtpërdrejtë, qoftë nëpërmjet përfshirjes online. Këtu është rasti i Suelës, e cila është diplomuar jashtë vendit dhe ka ofruar kontributin e vet si eksperte për diasporën në skuadrën e ministrit të Shtetit për Diasporën, i cili e ka vlerësua ofertën e Suelës dhe Suela është këtu, për të shpjeguar eksperiencën e saj me Platformën.

Zonja Suela:  Unë vij nga qyteti i Elbasanit, edhe pse aktualisht vij nga një eksperiencë jetese akademike dhe profesionale prej 14 vitesh jashtë Shqipërisë, midis Italisë dhe Gjermanisë. Kam shkuar në vitin 2003, në Itali, për të studiuar për Shkenca Politike, me fokus të veçantë zhvillimin në bashkëpunim ndërkombëtar. Le të themi që figura ime profesionale është kooperuese zhvillimi. Pas përfundimit të studimeve jam angazhuar me OJQ në Itali, kryesisht në fushën e emigracionit, duke pasur parasysh të gjitha problematikat që target grupi i emigrantëve ka në lidhje si me vendet ku jetojmë, me vendet pritëse, po ashtu edhe me vendet e origjinës, në këtë rast me Shqipërinë. Eksperienca në Gjermani ka qenë edhe ajo e fokusuar në punën me organizatat  e shoqërisë civile në fushën e integrimit të emigrantëve dhe pas kësaj eksperience të gjatë, domethënëse, ku unë jam formuar nga ana akademike, humane dhe profesionale mbi temat e mirëqeverisjes, të transparencës, të ngritjes së kapaciteteve të institucioneve shtetërore dhe jo shtetërore, mora vendimin e vështirë, drastik, por të mirëmenduar për t’u kthyer në Shqipëri, vendim i cili u bazua jo vetëm në lidhjet emotive me familjen, me vendlindjen, që pas një cikli emigrator të gjatë fillojnë të ndihen më shumë, por ka qenë dhe një zgjedhje e mirëmenduar duke ndjekur zhvillimet e fundit në Shqipëri. Ndërkohë që unë isha akoma jashtë, po ndiqja reformat e reja që po zbatoheshin në Shqipëri, thirrjet e herëpashershme të qeverisë shqiptare për rikthimin e trurit, për kontributin që diaspora ose emigrantët në përgjithësi mund të japin në vendin e tyre dhe vendosa të kthehem. Aktualisht jam prej një viti në Shqipëri. Kam punuar kryesisht nëpërmjet programit të migracionit për zhvillim me shoqatat lokale në Qarkun e Elbasanit, ku kam pasur edhe përqasjen e parë me Platformën e Bashkëqeverisjes, sepse nga prindërit e personave për të cilët ne advokonim kishe ankesa të shumta dhe i kemi përqasur ato te Platforma, i kemi ndihmuar që të paraqesin ankesat, kërkesat, problematikat  tyre. Ndërsa vetë personalisht përqasja me Platformën ka qenë momenti kur unë vendosa të jap kontributin tim në një nivel institucional. Duke pas një ekspertizë në terren vendosa që këto kapacitete, të arrira dhe nëpërmjet formimit akademik, t’i jepja në një institucion qeveritar, për të kontribuuar akoma dhe më tepër. Për fat të mirë mora një përgjigje pozitive. U ftova në një intervistë nga ministri i Shtetit për Diasporën. Në ato momente kishte nevojë për figura profesionale, të cilat janë të familjarizuar me çështjet e diasporës. Jam duke kontribuuar përsa i përket Fondit Shqiptar të Zhvillimit për Diasporën, i cili në vetvete ka të njëjtin qëllim për të cilin unë jam kthyer që të mbështesë anëtarët e diasporës në të gjitha format e mundshme, në mënyrë që të nxitet zhvillimi social, ekonomik, kulturor, të nxiten prirjet filantropike dhe dëshira e tyre për të investuar, d.m.th për të ruajtur akoma ato lidhjet e ngushta me vendlindjen. Jam mirënjohëse për këtë ftesë sot, këtu, sepse mendoj që është dhe një detyrë e imja në emër të të gjithë të rinjve që në këto momente kanë përfunduar studimet, apo të rinjve që duan të rikthehen në vendlindjen e tyre, që t’i përdorin këto kanale zyrtare të vëna në dispozicion, sepse janë me të vërtetë efektive. Unë mund ta dëshmoj këtë gjë.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit, Suela. Fjalën e ka ministri i Shtetit për Diasporën. Përfitoj nga rasti që të them se bashkërisht me ministrin kemi propozuar në mbledhjen e qeverisë në Korçë diçka që gabimisht mua më rrëshqiti në prezantimin e pas mbledhjes, që, pas dhe një konsultimi me shumë grupe interesi në diasporë, Samiti i ardhshëm i Diasporës të zhvillohet në 2 mars në Lezhë.

Ministri Pandeli Majko: Në përkujtim të 475-vjeorit të Kuvendit të Lezhës, vendi pastaj do diskutohet se mund të jenë më shumë sesa mund të mbajnë kapacitetet, por mendoj që është një nga rastet që ne, në bashkëpunim me Fondin Gjerman GIZ, jemi duke zhvilluar. Ma merr mendja që janë mjaft gjëra që ia vlen t’i rishikojmë. Si reflektim dhe i asaj që dëgjova, unë mendoj që një shtet që nuk përgjigjet, të gjitha fjalët, pastaj, që shkruhen nëpër ligje për barazi para ligjit janë të tepërta. Ne na njohim kur shkojmë në spital, kur shkojmë në hipotekë, kur shkojmë nëpër zyrat e shtetit, kurse juve jo. Kështu që mendoj se ky takim i sotëm ka kuptimin pikërisht që shteti po përpiqet në një mënyrë të vetën, pavarësisht se pak i vonuar, t’ju bëjë pjesë të asaj që është shkruar në letër. Në thelb më shumë sesa sukses është shprehje e detyrimit karshi të gjithë juve sot, këtu. Kemi filluar me këto detaje, sepse në përvojën time si deputet, një nga problemet që unë kisha, ishin njerëzit që na prisnin përpara godinës së Partisë Socialiste kur bënim mbledhjet e grupit parlamentar. Sot, ajo turmë njerëzish nuk ekziston më. Përsa i takon çështjeve të njerëzve që dëshirojnë të kthehen, është një frikë shumë e madhe, sepse besoj që gjithë secili prej jush ka në familjen e vet njerëz që jetojnë jashtë vendit, të cilët thonë jemi të huaj atje ku jemi dhe kur kthehemi këtu në vendin tonë, ndihemi përsëri të huaj. Bazuar në këtë, ne kemi filluar të përgatisim edhe ndryshime të tjera ligjore dhe një nga këto, të cilat mund të depozitohet pranë qeverisë, në bashkëpunim dhe me Ministrinë e Brendshme, do të jetë një propozim që e kemi diskutuar dhe me Këshillin Konsultativ të pushtetit lokal, për të krijuar pranë çdo bashkie zyrën e diasporës, pasi njerëzit  kanë shumë shqetësime, shumë problematika, shumë halle, të cilat sa janë pjesë e përgjegjësive të ekzekutivit, janë edhe pjesë e përgjegjësive të pushtetit lokal dhe të cilat ne duhet t’i ballafaqojmë të gjithë sëbashku, me kthimin e përgjigjeve, pastaj me këto sherret dhe debatet e dorës së dytë që ka politika.

Kryeministri Rama: Shumë faleminderit zoti ministër! Është pikërisht ky qëllimi i Platformës, që shteti të përgjigjet në kohë reale dhe Platforma kompenson mungesën e kapacitetit të administratës prej shumë e shumë vitesh për të funksionuar si një mekanizëm autosuficent dhe në ndërkohë që reforma e sistemit, ndryshimet brenda për brenda sistemeve janë duke u bërë dhe kërkojnë kohën e tyre, Platforma e kapërcen kohën dhe i jep mundësinë secilit që të marrë shërbimin, ndërkohë që ne nuk gjendemi përpara asnjë justifikimi. Zoti Shpëtim është këtu, me ne, nga Saranda. Faleminderit për mundimin, sepse është një kontribut i veçantë kur gjithsekush e ka zgjidhur një hall pranon të marrë mundimin për ta transmetuar, se kështu ndihmohen të tjerët që të besojnë tek kjo eksperiencë. Pa humbur kohë, po ua kaloj fjalën për odisenë tuaj me tatimet dhe me administratën.

Zoti Shpëtim Ahmeti: Është disi specifik problemi ynë, pasi vij në emër të një komuniteti biznesi. Jam kryetar i shoqatës ndërkombëtare të udhëtarëve dhe një nga administratorët e kompanisë “Butrinti Travel” që operon në linjat e rregullta me Greqinë. Kemi mëse 12 vjet që operojmë në këtë linjë transporti të rregullt, të licencuar nga Ministria e Transpotit shqiptar dhe Ministria e Transportit grek, sipas marrëveshjeve dhe konventave, por kemi mëse 2 vjet, që kur qeveria juaj në mandatin e dytë doli me platformën luftë kundër informalitetit, që hallakatemi në zyrat e shtetit. E para i jam drejtuar Ministrisë së Transportit, e cila ka licencuar këtë objekt veprimtarie që bëjmë, na ka dhënë të drejtë publikisht dhe ligjërisht, por organet ligjzbatuese nuk kemi të drejtë që t’i ndalojmë. Ne na është bërë gangrenë transporti i paligjshëm në informalitet, me furgonat 8+1. Është për të ardhur keq se këto bëhen në portat e shtetit, bëhen në doganat, Kapshticë, Kakavijë, Qafë Botë, flas gjithmonë për Greqinë, pa përmendur pjesën e Italisë. I jemi drejtuar me letra, me shkresa, që Platforma e Bashkëqeverisjes i ka parë, i ka trajtuar, na ka kthyer përgjigje, por na ka kërkuar dhe ndihmë, të cilën ia kemi dhënë. I kemi bërë të mundur identifikimin e të gjithë targave që punojnë në të zezë. Janë bërë me nja 2-3 shoferë, janë duke falimentuar të gjithë shoqëritë. Pasi i shkruam Ministrisë së Financave në qershor dhe ka pasur edhe aksion kundër informalitetit në bregdet të Shqipërisë, identifikoi këtë fenomen, janë penalizuar 2-3 subjekte, por është e pamjaftueshme, sepse në Kapshticë, Kakavijë dhe në Qafë Botë kemi denoncuar dhe targat kaluan në sistemin TIMS. Për ne, shpresa e vetme ishte kjo Platformë. I jemi drejtuar Drejtorisë së Kufirit me letra, me dokumente si shoqatë, iu drejtuam Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave, i vetmi institucion që vuri Drejtorinë e Hetimit Tatimor ka qenë Ministria e Financave që e identifikoi si fenomen, por është i pamjaftueshëm deri tani.

Kryeministri Rama: Kjo është dhe arsyeja pse ne deshëm që ju të ishit këtu sot, sepse bëhet fjalë për një betejë që vazhdon, as për të mos krijuar idenë që të gjitha gjërat janë rozë, as për të mos u dorëzuar kur bëhet fjalë, jo për një shërbim, në kuptimin e një dokumenti, por kur bëhet fjalë për të luftuar sëbashku me ata që janë të ligjshëm, një fenomen dhe për këtë arsye është angazhuar dhe do të angazhohen shumë struktura, edhe Ministria e Brendshme, edhe Policia e Shtetit e të gjithë, në mënyrë që ky fenomen të marrë fund. Zoti zëvendësministër, shkurtimisht për pjesën e Ministrisë së Financave.

Zëvendësministri i Financave: Platforma ka një vit që funksionon dhe ajo që sapo dëgjuam tregon se kjo Platformë funksionon dhe është një vlerë e shtuar për mirëqeverisjen. Të mos harrojmë që është vetëm viti i parë dhe u desh pak kohë që platforma të kolaudohej, por tani jemi në ritëm të plotë dhe mendojmë dhe shpresojmë që viti që pason do jetë akoma më rezultativ. Ashtu si rasti i Shpëtimit, në Ministrinë e Financave kanë ardhur 1768 kërkesa, një numër i konsiderueshëm për shkak edhe të fushës së përgjegjësisë që Ministria mbulon. Fushë përgjegjësie kjo, që të mos harrojmë që një pjesë e tyre rregullohet dhe me një ligj të veçantë të ankimimeve, siç është ai i procedurave tatimore, megjithatë është dashur që një numër i konsiderueshëm qytetarësh dhe biznesesh ti drejtohen kësaj Platforme, që tregon edhe rëndësinë e funksionimit të kësaj Platforme. Nga këto raste kanë gjetur zgjidhje 1502 raste, që do të thotë që 9 në 10 raste kanë pasur të drejtë dhe kanë gjetur të drejtën dhe vetëm 1 në 10 qytetarë nuk ka qenë në gjendje që të kërkojë diçka sipas ligjit. Ministria në përgjigje të këtyre shkeljeve ka konstatuar dhe disa raste për të cilat ka qenë e nevojshme të ndërmerren masa ndëshkimore dhe këto kanë qenë 24 dhe ka realizuar dhe 3 interpelanca me grupe të ndryshme biznesi. Gjej rastin këtu që t’i bëj thirrje edhe qytetarëve të tjerë, apo biznesmenëve, që si Shpëtimi përballen me konkurrencë të pandershme dhe me informalitet, që pa një bashkëpunim me biznesin, lufta jonë kundër informalitetit do të jetë akoma më e vështirë. Kështu që i bëj thirrje që t’i drejtohen Platformës, apo dhe mjeteve të tjera të komunikimit me Ministrinë.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Zonja Sadiku është përfaqësuese e një subjekti prodhues dhe ka hequr keq me shumë padrejtësi në një degë doganore. E kemi ftuar këtu për të sjellë eksperiencën e saj dhe në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrëse.

Zonja Shukrie Sadiku: Përshëndetje zoti Kryeministër! Përshëndetje të gjithë ministrave! Kam bërë një biznes me thonj, me një gjilpërë 200-lekëshe. Kam arritur të vij të blej një tokë me atë gjilpërë 200-lekëshe me fëmijët e mi dhe kam arritur që deri në 4 maj të 2015 të punoj në një punishte birre për ambientin që kam për ta furnizuar, siç është në perëndim. Ajo ishte ideja ime. Kam arrit deri në katin e tretë në kolona. Më 4 maj 2015 kam bërë një koktej dhe pas këtij kokteji kam pas 60 policë, kontrabanda. Vetëm iu bëra një pyetje: autorizim për kontroll keni? “Jo”. Kanë hyrë kanë parë, kanë gjetur 1500 litra birrë pa dalë në treg se kjo administrohet vetëm brenda për brenda ambientit. Më kanë thënë, “dokumentet”. Kam nxjerrë dokumentet. Nuk kishim ditur që duhej dhe një autorizim për shitjen e birrës. Vetëm këtë nuk e kishim, nuk dinte ku me u kap, tek autorizimi. Nuk ke autorizim për shitjen e birrës je kontrabandë. I thashë, po, mund të na vini gjobë. Përfundimisht ato lanë proces verbal. Më çuan firmën te Krimi Ekomomik. E çoi në Prokurori. Prokuroria pushoi çështjen, se nuk kishte vepër penale. Shkoi në Gjykatë, në Shkallën e Parë, edhe ajo e pushoi se s’kishte vepër penale. Arriti dhe në Apel. Pushoi. Unë ngela duke bërë shkresa. As asgjësimi i mallit nuk bëhej. Përfundimisht jam takuar me një mik timin dhe më ka thënë, bëji platformës një sms dhe ia kam bërë. Për 2 orë më kanë marrë në telefon dhe më kanë thënë ti do t’i drejtohesh Ministrisë së Sipërmarrjes. I kam bërë telefon po atë ditë ministres që e respektoj shumë, nuk e di ca falënderimi t’i jap, po kjo është një model i kryeministrit që ju ka mësuar juve. Përnjëherë më ka marrë sekretarja në telefon dhe më ka thënë nesër në orën 2 të jesh në Kryeministri. Më ka pritur zonja Alketa në Ministri, në emër të ministres. Pas 3 ditësh më ka thirrur përsëri. Bëra letrat që më kërkuan.

Kryeministri Edi Rama: Rrofsh Shukrie! Do t’i bëjmë të gjitha. T’ia kalojmë fjalën Sonilës! Të falënderoj shumë!

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato: Faleminderit zonja Sadiku! Në fakt, kompleksiteti i problematikave që zyra jonë si Mbrojtje e Sipërmarrjes trajton janë të ndryshme dhe prekin disa dikastere dhe disa ministri për trajtimin e tyre. Ndaj unë e falënderoj shumë zonjën Sadiku, sepse ka qenë ndër të parat sipërmarrëse të Kukësit që ka pasur besim te Platforma e Bashkëqeverisjes dhe tek roli i ri në këtë kabinet qeveritar i ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Vërtet së bashku e kemi trajtuar shumë gjatë në vijim çështjen e saj sikurse dhe çështjen e rreth 225 ankuesve të Platformës së Bashkëqeverisjes nga të cilat, rreth 197 prej tyre janë të zgjidhura, por në fakt nuk janë kaq ankesat që zyra jonë ka trajtuar, sepse për shkak të aktivitetit tim të përditshëm në kontakt me sipërmarrjet dhe kudo në Shqipëri ku ne bëjmë vizita mbajmë shënim ankesa të tyre dhe vazhdojmë t’i trajtojmë në mënyrë të njëpasnjëshme ndaj janë më shumë sesa kaq. Gjithsesi, ashtu sikurse ishte rasti i paraqitur nga zonja Sadiku, administrata jonë ka një problematikë shumë të madhe gjë të cilën ne jemi duke e trajtuar, është fakti që sipërmarrësit nuk janë të mirëinformuar me të gjitha të drejtat që ata kanë përballë çdo nëpunësi publik që paraqitet në kontakt me ta dhe mbi detyrimet që ata duhet të përmbushin, në mënyrë që aktivitetet e tyre të jenë legjitime dhe të mos bëhen objekt të penaliteteve, apo të dënimeve të ndryshme. Ndaj ne kemi pranuar në platformën e bashkëqeverisjes edhe një nismë të ardhur nga një i ri dhe së bashku me të ne jemi duke punuar në lidhje me ndërgjegjësimin e sipërmarrësve për sa i përket çfarë detyrimesh duhet të plotësojnë për të qenë në rregull me ligjin, por edhe për denoncimin e rasteve të korrupsionit ndaj të gjithë atyre nëpunësve të administratës publike të cilët guxojnë të trokasin në dyert e tyre dhe të shkaktojnë situata kaq të rënda dhe kaq me pasojë për këto sipërmarrje. Një aspekt tjetër që është shumë i rëndësishëm dhe për të cilin ne trajtojmë në vijimësi me kolegët ministra të këtij kabineti është fakti që secili nga ne në këtë tavolinë dhe në këtë sallë duam të luajmë një rol shumë të madh për ndërgjegjësimin e të gjitha strukturave tona të varësisë për të zbatuar me rigorozitet ligjin për konsultimin publik, kaq të nevojshëm për sipërmarrjet në rastet kur kemi aksione, apo akte nënligjore që rregullojnë, apo ndryshojnë veprimtarinë e tyre me qëllim që të jemi sa më korrekt në raport me sipërmarrjen dhe të mund të zgjidhim bashkërisht problematikat të cilat prekin të gjithë ministritë. Faleminderit shumë zonjës Sadiku! Inkurajoj çdo sipërmarrës të ketë besim te platforma e bashkëqeverisjes për zgjidhen e këtyre problematikave.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit zona ministre! Në mbyllje është radha e Ministrisë së Drejtësisë, që ka edhe peshën më të madhe në të gjithë ndërveprimet e Platformës, ku, dua ta theksoj, nuk ka asnjë lloj preference, dallimi, diskriminimi, asnjë lloj favorizimi për askënd. Platforma ka virtytin e vet që je i ri, je në moshë, je në fshat, je në qytet, je i kamur, je i varfër, je grua, je burrë, je nga veriu, je nga jugu, je i majtë, je i djathtë, je socialist si puna ime dhe Shukries, apo je demokrat si Ditmiri dhe Pandi, mund të adresosh kërkesën pa asnjë lloj rezerve dhe kërkesa merret parasysh. Arbeni është këtu sot për të sjellë një rast, se s’mund të kishim dot një takim të Bashkëqeverisjes pa pasur pak ALUIZNI-n dhe pak Hipotekë.

Zoti Arben Lila: Ju faleminderit! Jam nga Xhafzotaj Durrës. Kam mbaruar arsimin e lartë ushtarak dhe kam punuar prej shumë vitesh, tani jam në lirim prej 2-3 vitesh. Kam kaluar një kalvar të gjatë me ZRPP-në e Durrësit dhe me ALUIZNI-n e Durrësit. Menjëherë sa ka ardhur Platforma në korrik, mund të kem qenë nga të parët që kam aplikuar për t’iu adresuar Platformës tuaj dhe për të shprehur ankesën ndaj këtij institucioni. Unë kam aplikuar në Hipotekë për leje legalizimi që në 16 qershor 2016 dhe për tu prezantuar dhe në atë institucion nga ana ligjore kam marrë edhe ligjin e funksionimit të ZRPP-ve ashtu dhe VKM për bashkëpunimin mes ALUIZNI-n dhe ZRPP-së që me çdo përballje të kisha dhe unë argumentet e mia. Problemi im ka ecur shumë ngadalë. Unë kam filluar kalvarin që në 2016-ën. Kam bërë ankesë në Zyrën qendrore të Hipotekave në Tiranë. Kam bërë ankesë ministrit Manjani dhe nuk kam gjetur asnjë lloj përkrahje. Megjithatë, pas shumë problemesh, në shkurt arritëm që të bëjmë azhornimin e zonës. Bëhet fjalë vetëm për një numër pasurie dhe jo për një zonë kadastrale. Edhe pse e kemi çuar atje, rreth 10 persona, zvarritet përsëri. Nga 4 certifikata, unë kam marrë vetëm 3 certifikata. Nxjerrin probleme nga më të ndryshmet.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Faktikisht, arsyeja pse është zgjedhur rasti juaj që është një rast specifik dhe i paplotë është pikërisht për shkak të faktit se, paralelisht me procesin e dhënies së të drejtës për qytetarët, zhvillohet një betejë reale e task-forcës antikorrupsion dhe rasti juaj është një nga rastet që janë përzgjedhur për të qenë objekt i task-forcës. Ministrja e Drejtësisë që drejton task-forcën antikorrupsion do të marrë fjalën dhe do të bëjë një përmbledhje përfundimtare të të gjithë këtij takimi, duke referuar, jo vetëm aspektet që kanë të bëjnë me institucionet e varësisë së Ministrisë së Drejtësisë, por edhe aspektin tjetër që është task-forca antikorrupsion.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj: Ju faleminderit zoti Kryeministër! Çështja e zotit Lila është ndër çështjet tipike që kanë të bëjnë me ping-pongun e procedurave institucionale sa nga një agjenci në një agjenci tjetër, pavarësisht se ato janë nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë. Është e vërtetë që çështja e zotit Lila është që në vitin 2016 por gjatë muajit shtator më së shumti janë kryer një sërë veprimesh procedurale të cilat do t’i japin zgjidhje për certifikatën e truallit që zoti Lila e ka paraqitur me kërkesë në ALUIZNI-n e Durrësit. Asht si rasti i zotit Lila në Ministrinë e Drejtësisë ankesat janë pothuajse të njëjta, ku, jo vetëm përfshijnë një sërë procedurash dhe vendimesh gjyqësore, por gjithashtu vuajnë shumë nga mos marrja përsipër e institucioneve për ta zgjidhur atë në mënyrë tërësore dhe për të patur bashkëpunimin ndërmjet institucioneve posaçërisht për çështjen e pronave. Numri i ankesave në Ministrinë e Drejtësisë që ka ardhur nëpërmjet platformës së bashkëqeverisjes është 6698 ankesa, numri më i lartë nga të gjithë ministritë e tjera ku 50% e këtij numri i përket ZRPP-së dhe 30% janë ankesa që i përkasin procedurave të legalizimit për agjencitë e legalizimit. Ajo që është për tu theksuar është, pavarësisht numrit të lartë, janë përfunduar në total 6450 ankesa, por nuk mund të themi që të gjitha 6450 ankesat janë zgjidhur tërësisht, apo në mënyrë përfundimtare. Vetëm 3697 raste janë të zgjidhura përfundimisht. Çështjet e tjera janë në trajtim, për shkak se një pjesë e tyre janë kërkojnë edhe ndryshime të akteve nënligjore, apo miratime me VKM të parcelave ndërtimore siç është dhe rasti i zotit Lila. Megjithatë, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë më një ndihmë dhe asistencë shumë të madhe edhe nga koordinatorët e platformës, rastet që kanë ardhur pranë kësaj platforme janë zgjidhur brenda afatit ligjor 10-ditor. Në rastet kur ankesat nuk janë zgjidhur brenda këtij afati janë marrë gjithashtu dhe masat ndëshkimore për punonjësit e institucioneve përkatëse. Gjithashtu, si numrin e lartë të ankesave që i janë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë gjithashtu ka dhe numrin më të lartë të masave administrative disiplinore për punonjësit e këtyre zyrave. Është pikërisht numri prej 255 masash disiplinore që janë marrë për punonjësit e këtyre institucioneve ku pjesa më e madhe e tyre është për largim nga puna. Gjithashtu janë evidentuar një sërë rastesh suksesi, të cilat, pavarësisht se janë zgjidhur për qytetarët, janë marrë masa disiplinore për ata punonjës të administratës të cilët e kanë patur për detyrë dhe përgjegjësi ligjore për ta zgjidhur, por nuk e kanë zgjidhur atë brenda afatit. Shpesh herë dukej si paradoksale ku raste të zgjidhura me sukses ku qytetari kishte marrë certifikatën e pronësisë, apo kishte marrë certifikatën e legalizimit të barazohej me një masë, apo më shumë masa disiplinore për punonjësit e këtyre institucioneve. Megjithatë, nëpërmjet platformës dhe qëllimi kryesor që ka platforma është jo vetëm që qytetarët të kenë akses te ministrat për të zgjidhur hallet e tyre dhe të trajtohen ankesat e tyre, por njëkohësisht ka dhe një qëllim tjetër e cila është evidentimi i atyre rasteve të abuzimit të detyrës nga ana e punonjësve të administratës publike, që ashtu siç edhe kryeministri e përmendi, është burimi kryesor për task-forcën antikorrupsion. Task-forca antikorrupsion e cila drejtohet prej meje si ministre Drejtësie tashmë ka rreth 4 muaj që operon në një mënyrë shumë të shpejtë duke kryer një sërë inspektimesh ku burimin kryesor të informacionit e merr nga denoncimet që qytetarët bëjnë në platformë, por jo vetëm, gjithashtu dhe nga një hetim paraprak administrativ që bëhet nga vetë koordinatorët e bashkëqeverisjes kur shikohet që ka raste të abuzimit të procedurave nga administrata publike. Të gjitha këto raste përzgjidhen, kalendarizohen, konkretizohen në plane pune dhe plane inspektimi dhe task-forca antikorrupsin shkon dhe verifikon dhe thellon në mënyrë administrative të thelluar të gjitha rastet kur ka denoncime për korrupsion, për abuzim detyre. Gjithashtu, rastet e sorollatjes, ashtu si dhe rasti i zotit Lila është një ndër llojet e rasteve që përzgjidhen për tu inspektuar nga task-forca antikorrupsion. Vetëm për 4 muaj janë kryer 46 inspektime nga task-forca antikorrupsion, ku janë marrë rreth 265 masa disiplinore të tjera veç atyre që janë marrë në mënyrë konkrete nga të gjithë ministrat, apo dhe nga unë si ministre drejtësie për institucionet e mia të varësisë. Ajo çfarë është për tu theksuar është që 28 punonjës nga inspektimet e bëra nga task-forca antikorrupsion janë kallëzuar penalisht në organin e Prokurorisë. Nga një anë, platforma e cila zgjidh hallin e qytetarëve dhe nga ana tjetër, task-forca antikorrupsion, e cila në mënyrë paralele vazhdon veprimtarinë e saj për të ndëshkuar dhe për të dërguar pranë Prokurorisë të gjitha rastet kur evidentohet që ka abuzim me detyrën nga punonjësit e administratës shtetërore dhe aq më tepër kur ka raste të dyshimit për korrupsion. Task-forca antikorrupsiond o të vazhdojë në mënyrë të thelluar të hetojë administrativisht të gjitha rastet që furnizohen nga Platforma me qëllim që të ndiqen të gjitha ato raste kur qytetarët jo vetëm mund të kenë gjetur zgjidhjen, por nga ana tjetër, kanë denoncuar ryshfet, abuzim me detyrën, sorollatje, të gjitha ato elementë që përbëjnë në fund të fundit indicie për shpërdorim detyre, apo për çështje korruptive. Ajo për të cilën ne po punojmë fort dhe me task-forcën antikorrupsion dhe me platformën është që, nga një anë, të zgjidhim hallin, nga një anë të ndëshkojmë, nga ana tjetër të çojmë në Prokurori ata që kanë abuzuar dhe më së fundi janë pikërisht masat administrative të cilat e rivendosin në vend të drejtën e shkelur në rastet e abuzimit të detyrës nga administrata publike e cila mund të ketë ardhur në dëm të një qytetari tjetër, apo në dëm të shtetit. Ashtu siç mund të ketë raste kur certifikatat e legalizimit janë dhënë në mënyrë të padrejtë dhe nga task-forca antikorrupsion është inspektuar që ka pasur abuzim me detyrën është nxjerrë pikërisht akti administrativ për anulimin e këtyre lejeve të legalizimit që janë dhënë në mënyrë të padrejtë. Prandaj, unë do të përfundoj nga rasti, ashtu si çdo të mërkurë unë dal përpara publikut në konferencë për shtyp dhe prezantoj pikërisht gjetjet e punës dhe veprimtarisë së javës për task-forcën antikorrupsion, t’ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të cilët kanë dhe qoftë indicien më të vogël që ka një abuzim detyre, ka një rast korruptiv, ka një rast kërkimi ryshfeti të bëjnë denoncimin pranë Platformës www.shqiperiaqeduam.al dhe menjëherë task-forca antikorrupsion kryen inspektimet e thelluara në të gjitha institucionet ku ofrohet shërbimi, jo vetëm në institucionet e varësisë së Ministrisë së Drejtësisë, por në të gjitha institucionet si në ato shëndetësore, arsimore, inspektoratet e mjedisit, të sigurisë ushqimore, hetimin tatimor, doganat dhe në çdo agjenci, apo institucion tjetër që ofron shërbime ndaj qytetarëve. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit ministre! Faleminderit të gjithëve! Nuk po zgjatem më tutje. Një plotësim të vogël. Tani është faza e shtjellimit në procesin legjislativ të reformës së agjencive të titujve të pronësisë. Besoj që bashkimi i Hipotekës dhe ALUIZNI-t në një institucion do tu japë fund shumë odiseve si ajo që dëgjuam dhe këtu dhe që dëgjojmë çdo javë. Nga ana tjetër, shumë faleminderit të gjithëve ju që ishit sot të pranishëm, që keni bërë dhe rrugë për të ardhur deri këtu, sepse na jepni një ndihmë shumë të vyer për t’iu përcjellë të gjithë qytetarëve mesazhin se platforma është e juaja, platforma është mishërimi i vullnetit tonë për ta pasur të gjithë vëmendjen te ju. Përdoreni platformën! Na vini në provë! Na vini në krah dhe ne do të jemi gjithmonë aty për të trajtuar drejtpërdrejtë një problem që mund të jetë mikroskopik në raport me Shqipërinë, por që për ju është një problem individual, i familjes tuaj dhe është problemi më i madh.

Shumë faleminderit dhe njëherë të gjithëve!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.