Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklaratë për shtyp e ministres së Drejtësisë, njëkohësisht Koordinatore Kombëtare e Antikorrupsionit, Etilda Gjonaj, mbi masat ndëshkimore të Task Forcës Antikorrupsion:

Veprimtaria e Task Forcës Antikorrupsion dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese, për identifikimin dhe dokumentimin e të gjitha akteve korruptive dhe shkeljeve ligjore të kryera nga punonjësit e administratës me synim përfitimin e paligjshëm është intensifikuar gjatë kësaj jave.

Bazuar në denoncimet e qytetarëve në Platformën e Bashkëqeverisjes, shqiperiaqeduam.al, Task Forca Antikorrupsion ka realizuar inspektime dhe kontrolle në disa institucione si:

  • ALUIZNI Durrës;
  • ALUIZNI Kavajë;
  • Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Dega Tiranë.

Grupet e kontrollit në raportet përfundimtare kanë rekomanduar 26 masa disiplinore, prej të cilave 5 largime nga puna. Në personat e shkarkuar nga pozicioni janë:

3 përgjegjës sektori dhe 2 specialistë pranë Drejtorisë Rajonale ALUIZNI Durrës

Nga kontrollet e bëra dhe gjetjet e tyre ka rezultuar se në disa raste shkeljet e kryera nga punonjësit e administratës kanë elemente të veprave penale. Në këto kushte nga ana e Task Forcës Antikorrupsion janë kryer kallëzime penale në Prokurori për 6 punonjës. Përkatësisht për:

Ish- Drejtorin e Drejtorisë Rajonale ALUIZNI Durrës,  3 përgjegjës sektori dhe 2 specialistë, të këtij institucioni, të cilët dyshohen të kenë kryer në bashkëpunim veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke legalizuar objekte në mos respektim të procedurave për rastet e legalizimeve.

Konkretisht rezulton se këta punonjës kanë legalizuar objekte të cilat nuk kanë ekzistuar, ose janë legalizuar në sipërfaqe më të mëdha, nga gjëndja e faktit.

Duke patur parasysh gjetjet e sipërpërmendura, është proceduar pa asnjë vonesë për rivendosjen e së drejtës të cënuar nëpërmjet anullimit të pasojave të këtyre veprimeve. Bazuar në rekomandimin e Task Forces Antikorrupsion, është shfuqizuar leja e legalizimit nga autoriteti që ka lëshuar aktin, e dhënë në kundërshtim të ligjit si dhe është lëshuar urdhër kufizimi të pasurisë me qëllim mbrojtjen e pronës.

Bashkëpunimi institucional mes Task Forcës Antikorrupsion, Prokurorisë, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera ka vijuar të jetë në nivele shumë të mira, dëshmi e vullnetit të plotë strukturave shtetërore për të luftuar këtë fenomen që minon themelet e shtetit ligjor, dobëson demokracinë dhe dëmton zhvillimin ekonomik të vendit.

Nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve pranë Ministrit të Drejtësisë janë dërguar për ndjekje penale Drejtori, një përgjegjëse sektori dhe një punonjës i IEVP Krujë si dhe dy punonjës policie të Burgut të Vaqarrit për shpërdorim detyre.

Ndërkohë që është larguar nga detyra, Specialistja në Sektorin e Regjistrimit dhe Hartografisë në Zyrën Vendore të Regjitstrimit të Pasurive të Paluajtshme Devoll, e cila është denoncuar nga një qytetar në media, për arsye se i kishte marrë para në mënyrë të paligjshme për një shërbim publik.

Qytetarët dhe shërbimi i cilësor ndaj tyre do të vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes së punës së qeverisë, ashtu sikurse edhe ndëshkimi i të gjithë atyre që shfrytëzojnë detyrën në administratë për të bërë korrupsion dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme.

Ndaj e përsëris thirrjen drejtuar të gjithë qytetarëve, që të bëhen pjesë e përpjekjes sonë të përbashkët për goditjen ndaj korrupsionit.

Të denoncojnë pa asnjë hezitim në platformën e bashkëqeverisjes, duke qënë të bindur se çdo informacion i tyre do të verifikohet dhe kontrollohet me seriozitetin e duhur nga Task Forca Antikorrupsion në bashkëpunim me të gjitha strukturat e shtetit si dhe shkelësit e ligjit do të vihen përpara përgjegjësisë ligjore.

Faleminderit

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.