Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit:
Kam kërkuar sot që të flas me ju dhe përmes jush, me të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit.
Fillimisht, një parantezë. Po kalojmë një moment kur mbi publikun, e për fat të keq edhe mbi Policinë e Shtetit, është ndërmarrë një ofensivë shpifjesh dhe fabrikimesh, sa të neveritshme, aq edhe të rrezikshme. Bota demokratike i njeh me emrin “fake news”, lajme të rreme, që përhapen si një virus epidemik, falë kanaleve dhe llagëmeve digjitale. Për botën është diçka e re, e ardhur bashkë me epokën digjitale dhe edhe fuqitë më të mëdha po japin e marrin për t’u përballur me këtë mortje. Për ne, e re është vetëm përmasa, sepse lajmi i rremë, shqip shpifja, ka qenë mes nesh, denbabaden, në faqet e para të gazetave dhe në edicionet informative të mediave tradicionale.
Por, unë s’kam ardhur këtu të mbaj një fjalim mbi fenomenin e shpifjes dhe shkaqet e tij në kohët e sotme. Jo.
Kam ardhur këtu, sepse dalldia e shpifjeve dhe fabrikimeve nuk duhet të ndikojë në asnjë mënyrë në punën tuaj.
Kam ardhur këtu, sepse intensifikimi i gjyleve të baltës në drejtim të kësaj godine dhe fëlliqësitë e hedhura mbi uniformat tuaja, “narkopolicia”, e me radhë, nuk duhet t’u shpërqendrojnë në asnjë moment nga misioni dhe qëllimi i kësaj trupe.
Kam ardhur këtu sepse ofensiva politike dhe mediatike për të krijuar te njerëzit e këtij vendi perceptimin e pasigurisë dhe të kriminalitetit të dalë jashtë kontrollit, meriton një kundërpërgjigje dhe si kundërpërgjigje shumëfishimin imediat të goditjeve ndaj krimit dhe ndaj çdo shkelësi të ligjit, që nga “të fortët” e llojit të atyre që sollën përgjakje në mes të bllokut në Tiranë, deri te kundërvajtësit që shkelin rregullat e qarkullimit, dëmtojnë mjedisin apo cenojnë në një formë, ose në një tjetër qetësinë e komunitetit.
Kriza ulëritëse e politikës, që synon të helmojë gjakun dhe të errësojë sytë e publikut është një mundësi që duhet shfrytëzuar për të dhënë gjithçka, një shtysë për t’i mbledhur të gjitha fuqitë dhe energjitë e brendshme, duke e ngjitur në një shkallë tjetër Policinë e Shtetit.
Kriminaliteti matet me statistika, por vlerësohet edhe me perceptim. Statistikat janë nga dje, sot, në anën tonë. Flasin qartë për ku ishte dhe ku është vendi, në raport me krimin, vit pas viti. Por, lufta e egër politike dhe mediatike për të krijuar perceptimin e kundërt as do ndalet, as do zbutet. Vetëm do përshkallëzohet. Më shumë shpifje. Më shumë fabrikime. Më shumë aktorë videosh dhe audiosh. “Krimi, krimi, krimi”. “Krimi” në Konferenca. “Krimi” në postime. “Krimi” në fjalime. “Krimi” në debate. “Krimi” në komente. “Krimi” në mëngjes. “Krimi” në drekë. “Krimi në darkë dhe përsëri “krimi” sapo gdhihet deri kur ngryset.
Përse kështu vallë?!
Është thjeshtë. Quhet luftë e dëshpëruar për pushtet e të mbyturit që kërkon të të mbysë me çdo kusht, me çdo mjet për pushtetin që “u merrka me forcë”, kur nuk merret me votë.
Por kjo pjesë nuk është puna juaj, e Policisë së Shtetit. Kjo është puna ime dhe e qeverisë. Puna juaj është të kundërpërgjigjeni ndaj kësaj barbarie politike dhe mediatike më fort dhe më qartë se asnjëherë, me shumë më tepër rezultate sesa deri më sot, në çdo drejtim dhe shumë më shpejt se deri sot.
Unë nuk e di, a ju ka qëlluar që t’i shikoni ndonjëherë bashkërisht në ekran, disa statistika krahasuese të punës së Policisë së Shtetit në vite, – me siguri i keni parë veç e veç – dhe disa krahasimeve mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera në aspektin e sigurisë.
I solla me vete për t’i parë së bashku dhe për t’i pasur si sfond në këtë takim, sepse krimi matet me statistika, por statistikat nuk mjaftojnë për perceptimin.
Ka pasur më shumë vrasje vitin e shkuar, po është folur shumë më pak për krimin e vrasjes sesa c’flitet sot. Madje, në këtë pikë dukej sikur edhe ata që sot i festojnë me breshëri akuzash dhe shpifjesh vrasjet, sikur e kishin lënë mënjanë atë drejtim se s’kishte mish për dhëmbët e tyre.
40 vrasje sivjet. 43 vjet, në të njëjtën periudhë. Por dhe më shumë parvjet, nga janari në shtator, 54. Po dyfish, 84, në janar-shtator të 2013-ës. Më keq akoma në 2012-ën, 92. Pra, sot, 40 vrasje, nga janari në shtator dhe në 2012-ën më shumë sesa dyfishi.
Mirëpo, ja që sot ka nisur një kujë e zezë, kanal më kanal, portal më portal, foltore më foltore, sallon më sallon, banak më banak, që rreket të ushqejë çdo ditë popullin me idenë se krimi po bën kërdinë, se njerëzit po vriten si kurrë më parë, se Policia nuk po lufton krimin, por është bërë njësh me të.
Shikoni pak disa krahasime që i mora nga burimet zyrtare të statistikave në Europë! Indeksi i krimit, i krahasuar, mes qyteteve europiane. Bëhet fjalë për burimin zyrtar dhe këtij burimi i referohet edhe vetë Komisioni Europian. Roma, Athina dhe plot qytete të tjera e kanë më të lartë se Tirana indeksin e krimit.
Shikoni indeksin e sigurisë! Tirana ka indeks më të lartë sigurie se Roma, apo Athina. I mora Romën dhe Athinën, sepse janë shumë të afërta dhe me to jemi shumë familjarë të gjithë ne si shqiptarë dhe nuk ka shqiptarë që të mund të dëshmojë se në Romë, apo në Athinë ka parë ndonjëherë ndonjë kërdi zifti dhe helmi, ekran më ekran, radio më radio, portal më portal, postim më postim, faqe të zezë më faqe të zezë për krimin.
Indeksi i sigurisë në rajon, është një krahasim i Shqipërisë, ku ishte para 5 vitesh e ku është sot, nga pikëpamja e sigurisë në rajon. Ja ku e keni! (treguesit në tabelë)
Pastaj ka një sërë indeksesh në rreshtin e të gjitha vendeve të Europës.
Shkoni indeksin e krimit, të krahasuar me të gjithë vendet europiane. Aty është edhe Shqipëria. Po të shikoni kolonën e vendit tonë është qartësisht, jo në mesataren, apo mbi mesataren, por pak nën mesataren e vendeve të të gjithë Europës. Nuk dua të bëj këtu listën se cilat vende janë më mbrapa, por, p.sh. Britania e Madhe, apo Suedia, Italia po e po, Franca, Bulgaria, Belgjika kanë një indeks kriminaliteti më të lartë sesa Shqipëria dhe aty nuk i shkon mendja kujt që të marrë mikrofonin dhe të bëjë katran me bojë vendin e vet, duke sulmuar egërsisht Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit të vet për të krijuar një perceptim të kundërt me realitetin.
Shikoni indeksin e sigurisë të krahasuar mes vendeve të Europës! Në kemi një indeks sigurie që është në një mesatare. Pa dashur t’ju marr shumë kohë me statistika, shikoni pak disa krahasime interesante për Shqipërinë në hartën e përgjithshme dhe këto janë krahasime të bëra nga Komisioni Europian, jo nga unë, jo nga Policia e Shtetit!
Pyetjes: “a ka qenë ndonjë anëtar i familjes i agresuar për vjedhje, apo për dhunë në 5 vitet e fundit?” – në vitin 2013 i përgjigjeshin shumë më tepër njerëz me “Po” sesa në 2018-ën.
Shikoni këtu tjetrën: “Sa të sigurtë ndihen njerëzit në mjedisin e tyre në komunitet?” Shikoni Shqipërinë e 2013-ës! Është në fund fare. E fundit. Shqipëria e 2018-ës është sot pak nën mesataren e Bashkimit Europian, për nga siguria e personit në komunitet. Ndjenja e sigurisë.
Shikoni krimet e dhunshme, në pikën tjetër! Shikoni Shqipërinë e 2013-ës! E para për nga fundi, në fund. Shqipëria e 2018-ës sot, është midis fundit dhe mesatares, por rreth e rrotull nuk është në një shoqëri fort të keqe, me thënë të drejtën. Shikoni pak Policinë e Shtetit lidhur me vendimmarrjet dhe veprimet e Policisë së Shtetit, në raport me influencën politike.
Shikoni ku ka qenë Shqipëria e 2013-ës! Politikisht e influencuar totalisht. Sot, jemi midis fundit dhe mesatares, por sigurisht duke qenë pranë Sllovenisë, Portugalisë, apo dhe vetë Hollandës, nuk jemi në pozicionin më keq të mundshëm, apo jo?
Shikoni pak, si ka ndryshuar raporti i Policisë së Shtetit me ryshfetin!
Në vitin 2013 ishim kampionët e ryshfetit, bashkë me Ukrainën, që ishte një zullum botëror. Sot, shikoni 2018-ën, po i afrohemi mesatares së Bashkimit Europian. Pra, jemi më pranë mesatares seç është Kroacia, apo Hungaria, apo Sllovakia, apo Greqia, janë vende të Bashkimit Europian.
Këtu kemi një problem, një problem që e dimë mirë, që ka të bëjë me vullnetin, gatishmërinë e njerëzve për të dalë para Gjykatës, për të dëshmuar kundër kriminelëve. Këtu kemi një problem. Këtu jemi pak më mirë sesa në 2013-ën, që ishim fundi i botës bashkë me Ukrainën, të dy palët, ne në mes të Europës, Ukraina në mes të zullumit sovjetik dhe këtu përgjigja është komplekse, por fillon nga reforma në drejtësi dhe zbatimi i saj dhe sigurisht shtrihet edhe tek masat e reja që ne do të marrim ndaj këtyre, për të cilët do flas më poshtë.
Nuk po zgjatem me statistika, po bëj vetëm një pyetje: Këto të gjitha dhe janë shumë, janë lehtësisht të verifikueshme, pra nuk është se dola i thashë unë, apo doli i tha ministri i Brendshëm, apo dolëm i thamë në një Konferencë edhe mbaroi. Këto janë lehtësisht të verifikueshme, me një klikim, në burime zyrtare të Komisionit Europian dhe të Bashkimit Europian, të cilave iu referohen të gjithë, kur vjen puna për statistikat e krimit.
Atëherë, pse shqiptarëve këto nuk iu tregohen?
Pse kur i nxjerr Ministria, apo qeveria, ata që kanë detyrë t’i publikojnë si informacion për publikun, mbasi t’i kenë verifikuar patjetër, jo vetëm nuk e kanë po atë zell me të cilin publikojnë dhe komentojnë si lajme të para, si faqe të para shpifjet dhe fabrikimet, po as që e marrin mundimin të publikojnë?
Madje nganjëherë, është e vërtetë, e kundërta, i përqeshin me komentet e tyre të mbushura me thashetheme dhe me një mllef të pangushëllueshëm.
Ndërsa opozita i sfidon statistikat që ne publikojmë vetëm me shpifje të reja.
Është gjithmonë e më e qartë në këtë fazë se politika me krimin është aleat i krimit, siç është thënë dhe pranuar botërisht dhe është fakt që kjo politikë akuzash, shpifjesh dhe fabrikimesh kriminale, policin mund ta dekurajojë, ndërsa kriminelin vetëm e frymëzon.
Por qeveria nuk e zgjedh dot politikën që bëjnë kundërshtarët e saj, sado e ulët qoftë ajo. Ne mund të zgjedhim vetëm politikën tonë qeverisëse dhe mënyrën se si reagojmë ne ndaj sulmeve që na bëhen.
Zgjedhja jonë është e qartë, flas për politikën, edhe pse në ndonjë moment nuk ia dalim dot as ne të ngrihemi mbi baltën e përditshme!
Zgjedhja jonë është të çojmë përpara punën në çdo drejtim, duke vazhduar me vendosmëri dhe më të madhe dhe gjithnjë me gatishmërinë për reflektim të vazhdueshëm, në rrugë e sipër, betejat që kemi marrë përsipër.
Duke u kthyer tek ajo që thashë në fillim, statistikat janë termometri që mat temperaturën e krimit, por perceptimi është një barometër, përmes të cilit kalon vlerësimi për situatën e kriminalitetit.
Unë kam ardhur këtu sot, që t’ju bëj juve një apel të qartë dhe të drejtpërdrejtë që të vazhdoni me vendosmëri edhe më të madhe dhe me gatishmëri më të lartë se dje, për reflektim dhe vetëkorrigjim, përpjekjen për të realizuar një objektiv super ambicioz që ne e kemi shpallur publikisht.
Policia e Shtetit, në fund të këtij mandati, duhet të jetë në çdo aspekt tek shigjeta e mesatares së performancës, të policive të Bashkimit Europian në të gjitha aspektet, jo vetëm në ato që janë në atë pasqyrë.
Çfarë është arritur deri këtu, çfarë tregojnë statistikat dhe të dhënat strukturore të Policisë së Shtetit, duhet të shërbejë si një shtysë e madhe dhe e sigurte për të arritur vendosmërinë, për të pasur besim të plotë në vazhdimin e rrugës së nisur.
Ndërsa objektivi ynë, -kemi vetëm 3 vjet akoma për ta çuar shigjetën në të gjitha aspektet në mes, në ato pasqyra, -duhet të shërbejë si shtysë konstante për reflektim dhe për vetëkorrigjim, jo vetëm sepse koha është e shkurtër, por çka duhet të bëjmë nuk është aspak e lehtë.
Dhe kjo e dyta sot ka rëndësi themelore. Akuzat, shpifjet, fabrikimet në të gjithë pavërtetësinë e tyre nuk mund të ushqejnë dhe s’duhet lejuar të ushqejnë asnjë justifikim. Kjo klimë që synon çoroditjen e njerëzve, nuk mundet në asnjë mënyrë të cenojë asnjë milimetër shënjestrën e përqendrimit të Policisë së Shtetit, duke shkaktuar veprime dhe ndikuar mosveprime që e cenojnë cilësinë e punës dhe në raste të caktuara cenojnë imazhin e Policisë së Shtetit.
Do jem shumë i hapur dhe i drejtpërdrejtë me ju!
Është një arritje e madhe e qeverisë sonë në këto 5 vjet që ju, Policia e Shtetit fitoi pavarësinë nga partia në pushtet. E kam thënë dhe herë të tjera, po bie në një përsëritje, por mbase vlen, kur isha kryetar i Bashkisë Bilbil Mema ishte drejtor i Policisë së Tiranës dhe sa herë e takoheshim, kur mbaronte biseda thoshte, “nuk është puna tek të gjitha këto, puna është kur do mundet të pushojnë telefonat nga lart që i devijojnë rrugën Policisë së Shtetit?”
E pra, sot, Policia e Shtetit është e pavarur nga partia në pushtet.
Deputetë, ministrat, Kryeministri, politikanët në tërësi nuk i fusin dot hundët në emërimet në Polici dhe nuk guxojnë të ngrenë telefonin për t’i kërkuar favore cilitdo prej jush, drejtues policie, madje, më vjen shumë mirë që në ndonjë rast kur kanë tentuar ta bëjnë kanë marrë ankesat e tyre sepse drejtuesi përkatës nuk i është përgjigjur dhe nuk u shkon mendja të shkelin rregullat e qarkullimit. Ashtu sikundër, është një fakt kuptimplotë që sot polica e shtetit nuk e favorizon, por e trajton si gjithë të tjerët djalin e një deputeti të partisë në pushtet, duke mbajtur anën plotësisht të ligjit, në mbështetje të një vajze që e denoncoi atë për dhunë dhe duke referuar çështjen në prokurori, pa një, pa dy.
Edhe për një shkelje në këtë hap e sipër, punonjësi i policisë nuk u gradua, por u pezullua. Sot djali i deputetit është aty, ku e ka çuar drejtësia dhe jo aty ku do ta kishte lënë dje partia. Por ama, unë dua t’ju them po ashtu, se duhet një reflektim i plotë, një reagim i drejtë ndaj një fakti që pavarësisht se policia e shtetit u godit nga brenda radhëve të saj, prej një shpifësi të provuar katërcipërisht u desh që shpifja të merrte dhenë dhe imazhi i gjithë policisë së shtetit të goditej mbi bazën e një shpifjeje që struktura përgjegjëse të çmontonte shpifjen.
Kjo është e pajustifikueshme.
Ku ishte drejtori i SHÇBA-së kur shpifësi nën uniformë e solli me shkrim shpifjen e tij?
Pse nuk u veprua menjëherë për të bërë kontrollin e plotë, që u bë pastaj, kur letra u bë publike dhe doli që policia e kishte bërë detyrën e vet që në momentin e parë.
Pse ju la një shpifësi brenda radhëve të policisë së shtetit e tërë koha që të krijonte një vorbull siç e kishte synuar, pasi kishte hedhur shpifjen në kazanët e duhur dhe ia kishte mbathur që të kërkojë azil politik si i përndjekur?
Kujt ia kishte borxh kjo trupë njerëzish që kanë meritën kryesore për tërë ato rezultate të pamohueshme që i risolla para jush dhe pak më parë një pjesë të tyre, mosreagimin me kohë dhe me qartësi të SHCBA-së ndaj agresionit që ju bë policisë së shtetit me një shpifje aq të rëndë dhe që tororisi gjithë dynjanë, një javë rresht.
Pse ju mohua publikut shqiptar e drejta për të parë të vërtetën në kamerat e komisariatit lidhur me të gjithë skenën e fantazuar nga shpifësi nën uniformë. Ndërkohë që në pamjet e kamerave, del qartë tamam si ato kronikat No comment se e tërë skena që ngriti gjithë atë dallgë balte mbi policinë se shtetit dhe mbi të gjithë ne, e përshkruar në letrën e shpifësit, është një sajesë e tij, fund e krye. Nuk mund të mjaftojë fakti që kamerat iu dërguan prokurorisë sepse kjo është njëra anë. Por, nuk e justifikon gjithë atë baltë që mori policia e shtetit. U la gjithë Shqipëria të përpëlitej në vorbullën e një fantazie me deputetë të armatosur që futen në komisariat dhe i vënë pushkën në ballë një punonjësi policie që kamerat thonë se as ishte aty, as ishin aty dhe as kishte asgjë të kësaj natyre aty.
E vërteta e tëra në krahun e policisë së shtetit dhe policia e shtetit që rri dhe pret të reagojë në këtë kohë të re dixhitale dhe me të gjitha të zezat e saj, duke thjesht respektuar procedurën ligjore.
E dini besoj atë shprehjen e famshme, “kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërteta akoma nuk ka veshur pantallonat”. Por unë nuk mund ta pranoj dot që një jashtënxjerrje kaq e fëlliqur politike mbi policinë të marrë dhenë dhe një provë aq vrastare për gjithë mizërinë e llafeve si ajo e kamerave të komisariatit, nuk i jepet publikut, po thjesht çohet në prokurori dhe praktikisht aty mbyllet e papërdorshme sepse është provë hetimore.
Një film me krim për vëllain këtu. Një audio me krim për motrën atje. Një video me krim për djalin nesër, një dokumentar me krim për krushkun pasnesër. Krimi këtu, Taulanti nuk diskutohet po aty. Krimi dhe krimi, Fatmiri sot, krimi dhe krimi, unë po e po, krimi dje, sot e nesër. Tjetri e tjetri kushedi se kush krimi pasnesër, kjo është sipas të gjitha gjasave koha që do të jetojmë dhe për ca kohë. Jashtënxjerrja e re e barkut të sëmurë të politikës dhe të medias shqiptare. Por nëse ne të akuzuarit direkt, të audio video Babale rrëfenjave, kësaj jashtënxjerrjeje të re nuk kemi çfarë i bëjmë tjetër, përveç se të telendisim gjyqeve çdo shpifës dhe nganjëherë edhe të humbasim përqendrimin e të merremi me sqarime, rëndom të padobishme që vetëm shtojnë zhurmën dhe baltën, Policia e Shtetit duhet të marrë të gjitha masat për të mos u prekur, as në moralin e brendshëm, as në imazhin e saj, nga kjo politikë me krimin që është aleati i krimit.
Policia e shtetit është çdo ditë përballë krimit dhe ka ditë-natë në vesh, politikën me krimin. Është sfidë, që duhet fituar. Duhen mbyllur veshët siç i mbylli Odiseja kur kaloi këngët e sirenave dhe duhet përqendruar e gjithë fuqia e mendimit dhe veprimit tek misioni i Policisë së Shtetit. Një gojë e shqyer, jashtë nxjerr një tjetër copë babale rrëfenje për drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit në një sallon televiziv dhe autoriteti më i lartë i uniformave blu, reagon emocionalisht, duke u thithur nga vorbulla e kësaj jashtënxjerrjeje politike.
Unë e di shumë mirë i dashur drejtor. Më beso që e di jashtëzakonisht mirë, e di në mend dhe ma di çdo pore e lëkurës time, se sa e rëndë është të të sulmojnë publikisht në dinjitet dhe në nder, duke të të akuzuar për gjëra që as i ke çuar ndonjëherë në mend, madje jo, për gjëra kundër të cilave ti lufton. E vërteta është se në Shqipërinë tonë ende të pamësuar me bashkëjetesën demokratike është kthyer përmbys, komplet përmbys dhe falë të paudhëve të katundit tonë politik dhe mediatik, vetë e drejta romake, që në kohën e Romës, qytetërimi, qytetërimet e kanë bërë zgjedhjen e tyre, ato demokratike. Barra e provës i bie akuzuesit, jo të akuzuarit thotë e drejta romake, ndërsa birbot dhe firaunët e këtyre katundeve, të kërkojnë llogari sot pa pikën e turpit, shtrirë nëpër sallone televizive, pse ta përmend dikush ty emrin në telefon. Por sidoqoftë nuk i takon kurrsesi autoritetit më të lartë të Policisë së Shtetit të replikojë me një politikan, aq më tepër dhe të biodegraduar dhe me një kriminel ordiner, aktualisht të pandehur për mashtrim me pagesë. Juve ju takonte, patjetër t’i drejtoheshit menjëherë prokurorisë, i gatshëm për t’u dëgjuar në lidhje me shpifjen e bërë ndaj jush dhe të ngrini pse jo një padi për shpifje për shkak të detyrës ndaj politikanit të biodegraduar. Pjesën tjetër, ju dhe policia e shtetit, duhet t’ia lini drejtësisë sepse misioni juaj është të mos lini gurë pa luajtur që çdo kriminel të shkojë para drejtësisë dhe jo të bëni replika me shpifësit.
Prandaj, dhe unë ju sugjeroj zoti drejtor që çdo shpifje në adresë të policisë së shtetit, pasi dhe nëse verifikohet si e tillë natyrisht, përcillet në gjyq, duke vërë menjëherë në dijeni opinionin publik. Raporti i kësaj trupe me shpifjet nis me verifikimin dhe mbaron me informimin e publikut për padinë përkatëse. Replika, deklaratat individuale, nuk i përkasin qenies dhe mënyrës së funksionimit të Policisë së Shtetit. Kjo polici shteti që kemi sot do të bëhet nesër ajo që duam dhe që kemi shpallur si vizion dhe si ambicie dhe në këtë përpjekje jashtëzakonisht të vështirë duhet fokus, dinjitet dhe meritokraci, në çdo hap.
Fokus do të thotë, përqendrim tek objektivat dhe arritjen e tyre me çdo kusht.
Janë disa punë që duhen çuar përpara dhe mbi të gjitha për mua janë punët që lidhen drejtpërdrejtë me publikun, jo se të tjerat janë më pak të rëndësishme, pa diskutim. Për shembull Policia Rrugore, ka një plan shumë të mirë në tryezë për një reformë që do ta çojë më tej, një përmirësim të padiskutueshëm që është bërë me policinë rrugore në këto vite, por policet vajza në rrugë nuk duhet të pakësohen, duhet të shtohen. Edhe këtu, nuk di çfarë thonë shifrat, por perceptimi ka rëndësinë e vet.
Mosha mesatare në tërësi, duhet të ulet, dukshëm. Policët që janë fizikisht të papërshtatshëm për atë detyrë, janë pakësuar, por ka plot akoma nëpër rrugë.
3 vjet kohë kemi për të arritur objektivin dhe nuk mund të kemi në rrugë policë, që nuk i shikon në asnjë rrugë të Europës. Mund të bëjë një punë tjetër, por jo atë punë.
Akoma me fletë gjobash të shkruar me dorë, në epokën dixhitale, kamerat e trupit, kamerat e rrugëve, radiot sipas planit të ri, numri i unifikuar i emergjencave dhe me radhë sepse ka një sërë planesh, projektesh, objektivash dhe mund të ketë justifikime për të gjitha këto, se jo kjo këtu e jo ajo aty, jam i bindur, por këto gjëra duhen bërë me maksimumin e shpejtësisë. Duhen bërë me “se s’bën”, prandaj duhet fokus.
Dinjitet do të thotë të mos e pranojmë dot, asnjë që vesh uniformën tuaj dhe del nga shtëpia që komunitetet tona të kenë problem, kur del nga shtëpia një “i fortë”, por të garantojnë që çdo “i fortë” kur del nga shtëpia të ketë problem policinë e shtetit.
Dinjitet do të thotë që çdo vajzë, çdo nënë, çdo prind dhe çdo familje të jetë si në shtëpinë e vetë në çdo hapësirë publike të këtij vendi ndërsa “të fortëve”, rrugët, parqet, restorantet, klubet e qytetit duhet t’u duken tokë e huaj dhe të maten mirë kur e hedhin hapin apo kur hapin gojën. Dinjitet do të thotë që asnjë profil kriminal i kësaj republike të mos kthehet dot në legjendë urbane, as si gjobëvënës biznesesh, as si pushtues klubesh me bodyguard-ë të armatosur pa leje, dhe as si konsumator shampanjash të shtrenjta mes Bllokut.
Për shembull, unë nuk dua, i dashur drejtor i përgjithshëm i policisë së shtetit që të presim të vijë ambasadorja e re amerikane për të na kujtuar gjatë ndonjë fjalimi përshëndetës që Klement Balili nuk është kapur akoma. Ashtu sikundër, nuk dua që të vazhdojnë të rrinë në detyrë, drejtorë dhe shefa komisariatesh, në zona apo në pika ku dinjiteti për të cilin fola vihet në diskutim, jo vetëm nga “të fortët” dhe nga makinat e tyre, por as nga kundërvajtësit që gërryejnë lumenjtë e male, që presin pemë, që ndërtojnë tek-tuk ende, por ndërtojnë, pa leje, që hedhin plehra dhe inerte, në vende të paautorizuar dhe me radhë.
Unë e di shumë mirë se sa seriozisht po përpiqeni, qoftë për të kapur Klement Ballilin, qoftë për të gozhduar zvarranikë të tjerë të botës së krimit, përmes operacionit Forca e Ligjit, statistikat e punës së të cilit flasin qartësisht për këtë përpjekje apo qoftë për të parandaluar edhe autorët e krimeve ndaj mjedisit, që sot janë shumë më pak se dje, por ne nuk kemi luksin që të vazhdojë të pritet, qoftë dhe një pemë.
Ne nuk kemi luksin që të vazhdojë të shfrytëzohet Mali i Tomorrit pasi është shpallur Park Kombëtar. Ne nuk kemi luksin që X apo Y të marrin dhe të hedhin inertet në vende të paautorizuara. Ne nuk kemi luksin që Llogaraja të mbushet me inerte, qoftë dhe nga forca brenda shtetit që shkojnë atje me demek për të pastruar dhe i marrin këtej dhe i hedhin andej. Kjo është Polica e Shtetit. Kjo është Policia e Shtetit që i vë gjobë një ministri nëse shkel rregullin dhe kalon me të kuqe dhe kjo është Policia e Shtetit që duhet ti vërë gjobë kujtdoqoftë edhe brenda shtetit, që shkel vijën e kuqe të ligjit dhe të rregullit.
Dhe ajo që unë dua që ju ta dini, është se jo vetëm mbështetja ime është e pakufishme, por edhe kërkesa ime për të bërë shumë më tepër e për ta bërë me intensitet, të dukshme, të prekshme, shumë më shpejtë, duke mos parë majtas – djathtas, duke mos pyetur për askënd por vetëm për dinjitetin uniformës suaj, është më e madhe se asnjëherë tjetër.
E fundit, jo nga rëndësia, është meritokracia.
Meritokracia duhet të jetë ylli polar i kësaj trupe dhe unë do ju sugjeroja modestisht që është koha të merrni në konsideratë, opinionin lidhur me faktin, që po, vërtetë ne i kemi larguar, Kryeministrin, ministrat, deputetët, politikanët nga promovimet dhe nga emërimet në policinë e shtetit, por brenda për brenda Policisë së Shtetit ama, nuk e kemi krijuar ende kulturën e rezultatit individual të çdo drejtuesi dhe të çdo punonjësi policie.
Është gjëja më e vështirë, është sfida më e madhe, por është rruga më e sigurt dhe mungesa e kësaj kulture, është kërcënim për unitetin e qëllimeve që duhet të ketë organizata. E thënë ndryshe, unë kam qenë që ditën e parë dhe jam entuziast për programin e ri të policisë në komunitet, por ndërkohë jetësimi i programit do marrë kohën e vet. Është imediate që të gjendet mënyra e të pyeten komunitetet sot, për drejtuesit e policisë, se në fund të fundit, ky është dhe një nga qëllimet kryesorë që ka programi.
E thash në fillim dhe po e përfundoj me një të vërtetë të njohur botërisht, të pranuar shkencërisht dhe të mohuar barbarisht këtu në Shqipëri, që kriminaliteti matet me statistika. Por ama, kriminaliteti vlerësohet dhe me perceptim dhe jam i bindur që në këtë moment është koha për t’i vënë të dyja në peshoren e një gjykimi të mirëfilltë profesional, komisariat më komisariat, drejtori më drejtori, qark më qark, sektor më sektor, sepse nuk e kemi dot luksin ne të ndalemi tek statistikat dhe tek përmirësimi vërtetë i madh që është bërë deri këtu, por krejt i pamjaftueshëm, në raport me objektivin tonë.
Nuk e kemi as luksin që të vazhdojmë përpara, pa marrë seriozisht, në konsideratë efektet e kësaj politike, me krimin që vetvetiu e frymëzon krimin. Krimi sot, merr një frymë plus për shkak të kësaj politike dhe për shkak të gjithë kësaj barbarie mediatike, duke goditur policinë e shtetit. Kjo për policinë e shtetit do të thotë çfarë? T’ia marrim frymën krimit si asnjëherë më parë, frymën që ka dhe frymën që i japin. Shumëfishim forcash, energjish, goditjesh dhe rezultate të reja dhe domethënëse për “të fortët”.
Është shumë e vogël Shqipëria për të mbajtur në gjirin e vetë emra të famshmish në botën e krimit. Për fat të mirë dhe për meritën tuaj një pjesë e atyre që vazhdon u del emri janë brenda dhe uroj që drejtësia të bëjë gjënë e duhur me ta, por ndërkohë, një pjesë tjetër duhet të marri mesazhin shumë të qartë dhe shumë të prerë. Mes nesh dhe jush nuk ka paqe, sa gdhihet, e deri sa ngryset. Ju dilni nga shtëpia, fillon lufta me ne, edhe për mënyrën se si shikoni një kalimtar. Dolët nga shtëpia, nuk mund të jetë problem i komunitetit që shiko se doli “ai”, por duhet të jetë vetëm problemi i atyre. Kur të jenë në shtëpi, ata duhet të mendojnë vetëm si të zhduken, jo si të duken, jo si të kapardisen, jo si të shikojnë shtrembër, jo policin e shtetit, por askënd.
Këtë mesazh, duhet me patjetër që policia e shtetit t’ia çojë këtyre mostrave dhe gjithë atyre që janë rreth tyre, që nga Vermoshi, deri në Konispol. Kudo ku ka një zonë të banuar urbane dhe kudo ku ka një “trim” si këta. Është e domosdoshme.
Nga ana tjetër, sigurisht që ka 1001 gjëra të tjera për të bërë sepse lufta me krimin nuk është thjesht lufta frontale e Policisë së Shtetit, por kjo është një temë tjetër. Tema që unë doja të trajtoja me ju është thjesht dhe vetëm kjo që sapo trajtuam, e cilido nga ju që do dijë ta përcjellë këtë mesazh do të ketë mbështetje të pakufishme. Ata që nuk janë në gjendje ta përcjellin këtë mesazh, duhet ta hapin krahun vetë.
Sot, përballja me krimin duhet të njohë një përshkallëzim si asnjëherë më parë.
Qytetet tona, komunitetet tona duhet të ndihen si asnjëherë më parë të çliruara, jo nga perceptimi, por nga ideja se dikush mund të bëjë ligjin në gjirin e bashkëjetesës së tyre.
Shumë faleminderit!
Respekte dhe kurajë për të çuar përpara punën!