Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklaratë për shtyp e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, mbi rezultatet e luftës kundër korrupsionit:

Masat e marra në inspektimin, evidentimin dhe procedimin e rasteve dhe formave të korrupsionit vijojnë në mënyrë intensive nga Task forca antikorrupsion, Policia e Shtetit dhe organet ligjzbatuese në fushën e sigurisë, të cilat, në bashkëpunim dhe me Prokurorinë kanë dhënë rezultatet e duhuara në luftën kundër korrupsionit në rastet e ndjekura gjatë kësaj jave.

Kontrollet dhe inspektimet e Task Forcës Antikorrupsion në zyrat dhe institucionet që ofrojnë shërbime për qytetarët, po vijojnë me rregullsi dhe seriozitet maksimal.

Nisur nga ankesat dhe denoncimet e qytetarëve të ndryshëm në platformën e bashkëqeverisjes, Shqiperiaqeduam.al, Task Forca Antikorrupsion ka realizuar kontrolle të detajuara në disa institucione si:

 Inspektoriati Qendror Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore;

 Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore dega Durrës.

Task-forca antikorrupsion në raportet përfundimtare janë rekomanduar 24 masa disiplinore për punonjësit e këtyre institucioneve, prej të cilave 9 prej tyre janë shkarkime nga puna.

Personat e shkarkuar nga pozicioni janë:

1 drejtor,

1 inspektor,

3 përgjegjës sektori dhe

4 specialistë pranë Inspektoriatit Qendror Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore

Për rastet kur shkeljet e konstatuara janë në kufijtë e veprës penale, Task Forca Antikorrupsion ka kryer kallëzime penale për personat përgjegjës.

Janë kallëzuar penalisht 2 punonjës:

Ish-Kryeinspektori i Inspektoriatit Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore Qendër, i cili dyshohet të ketë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës, me veprime dhe mosveprime në shkelje të hapur të ligjit – shkelje në procedurën e prokurimit të me objekt “Digjitalizimi i arkivit” të Inspektoratit të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore; Si dhe Kryeinspektori i Inspektoriatit Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Dega Durrës, e cila dyshohet të ketë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke kryer veprime konkrete në shkelje të ligjit nr.10433, datë 16.06.2011 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, si dhe akteve të tjera nënligjore në zbatim të tij.

Në të njëjtën kohë, institucionet ligjzbatuese për sigurinë kanë vijuar me përpikmëri ndjekjen, evidentimin dhe procedimin e rasteve të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Nga strukturat e policisë së shtetit, janë evidentuar 21 vepra penale në fushën e korrupsionit me 27 autorë të proceduar penalisht, nga të cilët 4 të arrestuar apo ndaluar dhe 23 të proceduar në gjendje të lirë.

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve pranë Ministrit të Drejtësisë ka proceduar penalisht në Prokurori dy punonjëse pranë IEVP Vlorë, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” si dhe ka rekomanduar marrjen e masave administrative për 20 punonjës të tjerë në burgjet e Vaqarrit, Lezhës, Fierit dhe Sarandës.

Po ashtu në rastin e bërë mediatik, lidhur me ndalimin e punonjëses të ZVRPP Devoll, e cila u denoncua në media pasi i mori rryshfet një qytetari për një shërbim publik, u shkarkua menjëherë nga detyra.

Falë bashkëpunimit me Task Forcën Antikorrupsion dhe Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Fier, u mor masa e sigurisë arrest me burg, për një ish-jurist i ZVRPP Fier, i kallëzuar penalisht për “Korrupsion pasiv”, që në muajin maj të këtij viti.

E gjithë vëmendja për qytetarët, nuk është thjesht një slogan, por është parimi mbi të cilin kemi vendosur të mbështesim qeverisjen tonë.

Prandaj, i gjithë mekanizmi antikorrupsion që kemi ndërtuar, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e tjera ligjzbatuese, nuk do të ndërpresë për asnjë çast aktivitetin e tij në funksion të kësaj sfide vendimtare për shtetin ligjor, por edhe procesin e integrimit europian të vendit.

Më lejoni ta mbyll këtë raportim javor të rezultateve të luftës antikorrupsion duke falënderuar të gjithë qytetarët që janë bërë pjesë e kësaj lufte përmes platformës së bashkëqeverisjes, shqiperiaqeduam.al si dhe të gjitha mediat që me denoncimet e tyre kanë ndihmuar në identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të çdo nëpunësi të administratës që ka kryer akte korruptive apo që ka abuzuar me detyrën.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.