Nga fjala e Kryeministrit Edi Rama në dëgjesën publike me qytetarë në Librazhd:
Ne duam të jemi një qeveri koalicioni me njerëzit e zakonshëm. Këtë, ne duam ta ndërtojmë përmes një mekanizmi, përmes teknologjisë së re të informacionit, platformës dixhitale ku njerëzit kanë akses të barabartë. Pavarësisht se janë në kryeqytet apo në fshat do t’i krijohet mundësia të gjithë atyre që dëshirojnë të jenë aktivë në këtë bashkëqeverisje, të regjistrohen për të qenë anëtar të koalicionit, të kenë akses në të gjithë procesin politikbërës dhe vendimmarrës të qeverisë, të kenë mundësinë të thonë fjalën e tyre. Ashtu sikundër, të gjithë njerëzit e këtij vendi, pavarësisht se janë apo nuk janë anëtarë të koalicionit, duan apo nuk duan të jenë anëtarë të koalicionit, do të kenë akses të drejtpërdrejtë deri në nivelin më të lartë qeverisës, për të bërë me dije ankesat, problemet që lidhen me shtetin dhe marrëdhëniet mes tyre dhe shtetit.
Ne do t’i jap mundësi anëtarëve të koalicionit që vijnë nga radhët e njerëzve të zakonshëm të bëjnë me dije nismat e tyre. Në Shqipëri ka mijëra nisma, pikërisht nga njerëzit e zakonshëm, nga organizata shumë të vogla që nuk i njeh e përfill njeri, por që përmes nismave të tyre bëjnë gjera pozitive për komunitetin. Ne duam që t’i japim akses drejtpërdrejtë në platformën e bashkëqeverisjes këtyre nismave dhe të gjejmë mënyrën për t’i inkurajuar, për t’i mbështetur, për t’i bërë shembull e kështu me radhë.
Temat e aktualitetit qeverisës, kur kanë një rendësi të veçantë për opinion publik, do jenë të ekspozuara për debate publike brenda platformës, në një agorë të madhe, në një Kuvend të madh të njerëzve dhe të anëtarëve të qeverisë. Anëtarët e qeverisë kanë detyrimin të shkojnë dhe të përgjigjen në parlament, sa herë të thirren në interpelancë nga një grup deputetesh. Ne duam të bëjmë të njëjtën gjë, anëtarët e qeverisë të kenë detyrimin të paraqiten në interpelancë me grupe të këtyre të anëtarëve të koalicionit, që janë njerëz të zakonshëm, për çështje të rëndësishme. Këto interpelanca mund të zhvillohen pa asnjë problem në platformën online, që është e hapur për të gjithë dhe të gjithë mund t’i ndjekin këto interpelanca përmes platformës, mjafton të jenë të regjistruar, në celularë, në kompjuter nga shtëpia.
Ajo që është e rëndësishme, madje thelbësore është që ne të jemi një qeveri e njerëzve dhe mandatin politik për të qeverisur vendin në katër vitet e ardhshme ta përdorim për të luftuar bashkë me njerëzit, kundër të gjithë atyre aspekteve të sjelljes dhe të veprimeve të shtetit që ia kanë nxirë jetën këtij populli. Ajo që duhet të ndodhi e që ne duam ta bëjmë të ndodhi është se në çdo rast që një qytetar i zakonshëm ka një problem me një zyrë të shtetit, këtë problem ta bëjë me dije përmes platformës dhe shteti të japi llogari, zyra të japi llogari, personat përgjegjës të japin llogari.
Platforma nuk do të jetë një Facebook ku secili bën muhabetin e tij, por do të jetë një mekanizëm pas të cilit do të jetë një ushtri e tërë, me njerëz të qeverisë, që do të ndjekin ligjërisht çdo ankesë, çdo kërkesë, çdo problem deri në fund, jo vetëm për t’i dhëne fund hallit të personit kur ka të drejtë, jo vetëm për t’i dhënë përgjigje kur personi nuk ka të drejtë, por për të marrë masa për gjithë shkaktarët e kësaj torture. Këto janë shkelje me të dyja këmbët të të drejtave kushtetuese të njerëzve dhe këto shkelje bëhen nga ata që paguhen nga taksat tona dhe rrinë në zyrat e shtetit në pritje për të grabitur njerëz, jo vetëm kur ndodh që i grabisin, por edhe kur ndodh që i keqtrajtojnë me sjellje të këqija.
Ne do ta bëjmë administratën e shtetërore, do t’i bëjmë zyrat e shtetit që të dinë të thonë “mirëmëngjes”, “mirëserdhe”, “ju lutem” e “faleminderit”, të dinë të trajtojnë me dinjitet ata që u vijnë tek dera, t’ju çohen në këmbë dhe jo t’ju përplasin derën në fytyrë.
Është një mal i lartë për t’u ngjitur, por, ose do ta ngjisim këtë mal, ose nuk ia kemi dalë dot që të pastrojmë rrugën për ta zhvilluar vendin më shpejt, sepse këto nuk janë thjesht një zinxhir i tërë, i përditshëm, i shfaqjes së arrogancës, të brutalitetit, të korrupsionit, të parazitizmit, të fodullëkut, por janë pengesë në rrugën e zhvillimit. Këto janë situata që marrin energji pa fund, janë situata që dëshpërojnë pa fund njerëz, janë situata që nuk e motivojnë njeriun ta shikojë me optimizëm të ardhmen. Në këtë aspekt, ne duam dhe jemi shumë të vendosur që të ndërtojmë ferrin e ligjit dhe të kornizave kushtetuese për këta lloj individësh. Këta njerëz jetojnë mbi ligjin, mbi të drejtat kushtetuese të njerëzve dhe s’duan t’ia dinë fare.
Ne do të bëjmë një reformë shumë të thellë në administratë, duke filluar nga niveli i parë, nga qeveria. Do ta reformojmë thellësisht qeverinë, strukturën e qeverisë, mënyrën e funksionimit dhe të gjitha institucionet. Do të bëjmë shkurtime drastike të të gjithë degëve të thata, apo të të gjithë pjesëve parazite dhe të infektuara të administratës shtetërore dhe do të bëjmë çmos që të lehtësojmë burokracinë. Ka shumë burokraci, ka shumë letra, ka shumë licenca. Arrihet deri aty, sa një njeriu që është invalid t’i kërkohet çdo “x” muaj dokumenti i noterizuar i invaliditetit. Absurde!
Duam që në 4 vite të arrijmë që për çdo letër që shteti kërkon nga individi dhe që është letër që individi do ta marrë brenda shtetit, shteti ta sigurojë vetë tek sporteli ku individi kërkon shërbimin. Nëse një qytetar shkon të marrë një shërbim në një sportel dhe i kërkojnë 17 dokumente që janë në 17 zyra të ndryshme, ne duam që këto 17 dokumente të shkurtohen dhe për të gjithë pjesën që janë dokumente të shtetit, nuk do të shkojë individi në 10 zyra, po ajo zyrë që jep shërbimin do t’i marrë për llogari të individit. Në vend që individi të paguajë 10 tarifa në 10 zyra, bashkë me bakshishet, të paguajë vetëm një tarifë shërbimi.
Një gjë është e sigurt, ne nuk i bëjmë dot këto pa njerëzit. Nëse ne nuk i vendosim parazitët, dallkaukët dhe grabitësit e zyrave të shtetit nën presionin e njeriut të zakonshëm, ne nuk ia dalim dot. Nëse çdo punonjës i shtetit, kur i vjen një qytetar përpara nuk e ka frikë, siç ka frikë drejtorin, ministrin, ne nuk ia dalim dot.
Ne s’flasim këtu për gjueti shtrigash. U bë nami për një listë që doli në Facebook-un tim. Ajo listë është thjesht nga komentet e njerëzve. Komentet ishin aty. Ishte thjesht një përmbledhje. Nuk është as listë për të nxjerrë të këqijtë, as listë për t’i dënuar, as listë për t’i ndjekur administrativisht. Është thjesht një përmbledhje e emrave që janë përmendur nga njerëzit që kanë komentuar. Njerëzit që kanë komentuar janë njerëz realë, apo njerëz që fshihen pas profileve të të tjerëve. Por mekanizmi që ne do të ndërtojmë nuk do jetë ky, nuk do jetë kështu. Mekanizmi do të jetë i qartë, transparent dhe gjithkush që do të ngrejë një problem do jetë me identitetin e vet, do thotë “jam anëtar i koalicionit”, me këtë numër telefoni, me këtë identitet dhe unë i dal për zot kësaj që them.
Historia që, nga një anë, njerëzit mezi nxjerrin muajin, nga ana tjetër duhet të tregojnë xhepat kur shkojnë të marrin shërbime që iu takojnë, nuk mund të vazhdojë kështu. Por këtë mund ta bëjmë së bashku. Të jeni të sigurt që do jetë luftë. Kazani mediatik do ziejë si asnjëherë më përpara, për lirinë, për të drejtat, për Kushtetutën, për demokracinë. Ata ziejnë në çdo rast, por do ziejnë si asnjëherë më parë. Kazani politik do ziejë, do thotë “iku demokracia, erdhi diktatura”, “dolën fletë-rrufetë, u kthye Enver Hoxha”. Të gjitha do t’i dëgjoni. Do jetë luftë. Këtë luftë jemi gati ta bëjmë, se për këtë e kemi marrë mandatin. Por që ta fitojmë, duhet ta bëjmë bashkë me ju, bashkë me popullin.
Kush është pjesë e jona dhe sillet keq me njerëzit nuk është më pjesë e jona. Ne jemi për njerëzit, nuk jemi për pjesën tonë. Nuk kemi marrë votat për ta marrë tepsinë për vete. I kemi marrë votat që ta çojmë tepsinë për skrap. Këtë kemi thënë dhe këtë do bëjmë. Nuk kemi marrë votat që të zgjerojmë hapësirat ku të fusin duart më shumë njerëz te byreku.
Neve nuk na kanë dhënë njerëzit një besim kaq të madh se kemi bërë një mrekulli, nuk na kanë votuar, sepse ne kemi bërë çdo gjë mirë, por na kanë votuar, sepse besojnë që duke na e dhënë timonin vetëm, ne mund të bëjmë gjëra që deri tani s’janë bërë. Ky është një besim me kushte të rënda, sepse, nëse ne nuk do i përgjigjemi këtij besimi, shumë shpejt nuk do jemi dhe nuk do të kemi këtë mbështetje që kemi sot. Duhet të justifikojmë këtë mbështetje. Kush merr përsipër një përgjegjësi, janë aty për të justifikuar këtë mbështetje.
Unë kam besim se do ia dalim, sepse është momenti për të bërë gjërat që janë vonuar për shumë vite. Kemi bërë reforma të rëndësishme në pjesën e parë. Tani është pjesa e dytë, ku duhen bërë disa reforma të tjera, që janë reforma shumë të rrezikshme përsa i përket ekuilibrave, sepse prekin drejtpërdrejtë interesat e atyre që kanë ndërtuar një kështjellë të privilegjuarish në mes të Tiranës, janë gjithë ditën nëpër TV, janë gjithë ditën rrotull dhe përcaktojnë kush do bëjë çfarë. Bëjnë edhe sikur luftojnë me njëri-tjetrin. Aty do ketë një kryengritje, nuk diskutohet. Por ne mund ta përballojmë pa problem, nëse jemi bashkë me njerëzit. Kjo është bindja ime.
Të gjithë këto dëgjesa janë bazë për të ndërtuar bashkëqeverisjen. Është bazë për të filluar për të futur në mendjen e çdokujt, që ne kemi nevojë për çdo njeri. Kur vjen puna te halli dhe problemi që duhet të zgjidhim, nuk ka halle e probleme “socialiste” dhe halle e probleme “demokrate”. Janë halle shqiptare. Sfidat nuk janë as socialiste as demokrate. Janë sfida shqiptare.
Ne duam të qeverisim me të gjithë shqiptarët bashkë, me njerëzit e zakonshëm. Opozita të bëjë punën e vet. Opozita jonë është: Paraziti dhe grabitqari në zyrën e shtetit. Me ata e kemi luftën. S’kemi luftë as me opozitën e vjetër, as me opozitën e re. Ne luftën e kemi me çdo parazit dhe me çdo grabitqar në zyrat e shtetit, që i lejon vetes t’i trajtojë njerëzit e zakonshëm, kur i vijnë tek dera, si pre të gjuetisë së xhepave. Këta do i nxjerrim jashtë nga zyrat e shtetit me çdo çmim, bashkërisht, me drejtësi, me ligj, me transparencë, pa i rënë në qafë askujt dhe pa lejuar që kujtdo qoftë t’i preket një fije floku, nëse i bien në qafë kot. Çdo gjë e verifikuar deri në fund. Çdo anëtar i koalicionit që futet aty dhe shpif e hedh baltë mbi tjetrin, natyrisht s’është më anëtar i koalicionit, çregjistrohet.
Shumë faleminderit!