Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala Kryeministrit Edi Rama në takimin me studente e pedagoge, në Universitetin “Eqerem Çabej”, në Gjirokastër: 

Prej kohësh rektori më ka kërkuar që të vij dhe unë nuk e kam pasur të mundur, por kur më thanë që takimi do bëhej sot, e kisha pak me merak me thënë të drejtën, por më bindën që nuk do na e marrin për keq, kështu që mirë se ju gjeta!

Dua ta nis nga vizita që bëmë pak më parë në qendrën e shërbimeve që hapet sot në Gjirokastër, ku një numër shumë i madh shërbimesh do të merren në një sportel të vetëm. Qytetarët nuk do kenë më nevojë të bredhin zyrë më zyrë, pasi mjafton të aplikojnë në atë sportel dhe është skuadra e këtij shërbimi që bën gjithë punën e nevojshme për ta sjellë dokumentin e kërkuar në shtëpi, apo për të lajmëruar qytetarin se është gati për ta marrë në zyrën përkatëse. Aty pashë edhe mundësinë që në pjesën tjetër të godinës të mund të strehohet në kushte optimale Fakulteti i ri Ekonomik.

Besoj që jemi në një mendje me rektorin dhe me drejtuesit e universitetit që më treguan edhe projektin për Fakultetin e ri Ekonomik. T’ju them të drejtën, nuk e kam kuptuar dot, kur e mora vesh që ju kishit problem, sepse nuk kishte një fakultet ekonomik ashtu siç duhet, sepse o mësohet kursimi në Gjirokastër, o nuk mësohet në asnjë vend në Shqipëri; O mësohet në Gjirokastër që çdo borxh ka një problem mbrapa, o nuk mësohet në asnjë vend në Shqipëri. Besoj që fakulteti i Gjirokastrës shumë shpejt do jetë dhe qendra më e specializuar për makroekonominë dhe do të nxjerrë ekspertë që do e pengojnë rregullisht në vijim, qoftë Ministrinë e Kulturës, qoftë ministritë e tjera për të marrë më shumë fonde, duke krijuar probleme me tavanin e borxhit.

Deri atëherë, ne do i kemi kryer punët tona për Gjirokastrën. Besoj nuk është e largët dita dhe do jetë një qytet universitar, pasi jam i bindur se rijetëzimi i shtëpive të Gjirokastrës do të bëhet jo vetëm përmes transformimit të tyre në bujtina apo restorante, siç po ndodh gjithmonë e më shumë, por në radhë të parë përmes transformimit të tyre në shtëpi për studentët.

Jam i bindur po ashtu, që qoftë Fakulteti Ekonomik, qoftë edhe dega e re për Trashëgiminë Kulturore është një vlerë e shtuar për këtë universitet, pasi mungesa e specialistëve të fushës së trashëgimisë kulturorë është e ndjeshme. Për vite të tëra, trashëgimia kulturore u la në mëshirë të fatit dhe asnjëherë nuk krijoi interes tek të rinjtë për të studiuar rreth saj e për t’i shërbyer vendit në këtë fushë, ku ne kemi kaq shumë gjëra akoma për të bërë.

Po ashtu jam i bindur që ligji i ri i Arsimit të Lartë, që  ka filluar të japë rezultatet e para të rritjes së cilësisë, do na japë në harkun e 5 viteve të ardhshme, një pamje tërësisht të re të universiteteve tona, të cilat falë konkurrencës që garanton ligji dhe meritës që garantohet përmes konkurrencës, do të jenë realisht vatra të dijes dhe të njohurive të çuara në drejtimin e duhur dhe pastaj të përcjella nga universiteti në treg, përmes njerëzve të duhur.

Sfida jonë është të lidhim sa më shumë universitetin me tregun, të lidhim sa më shumë nevojat e vendit me çfarë thuhet në universitete dhe sigurisht, të plotësojmë nevojat më specifike të vendit, duke stimuluar studentët që të shkojnë në degë që nuk janë shumë popullore, nëse mund ta përdor këtë term, por që i duhen vendit, për shembull, në shkencat ekzakte, ku kemi nevojë të mbushim një boshllëk të madh. Një boshllëk i krijuar ndër vite nga mungesa e specialistëve të rinj në mësimdhënien nëpër sholla, gjë që ndihet shumë dhe që besoj se e kemi kapur në kohën e fundit përpara se të kthehej në një humnerë mes fëmijëve dhe të rinjve të vendit tonë e bashkëmoshatarëve të tyre në Europën ku duam të integrohemi.

Reforma e Arsimit Profesional, e cila ka filluar të japë rezultatet e para duke shënuar rritje të ndjeshme të numrit të nxënësve që zgjedhin arsimin profesional, do ta lehtësojë në vazhdimësi barrën e universiteteve dhe mbipopullimin e tyre. Gjë që mund të na krijojë kushte të reja për të mundur që të financojmë realisht kërkimin shkencor dhe të ndërtojmë eksperienca zinxhir, në shembullin e eksperiencës së këtushme të bashkëpunimit të degës së trashëgimisë kulturore me Macerata-n, që ka një nga degët e ekselencës në këtë fushë.

Nga ana tjetër të bëjmë të mundur që universitetet të kthehen në partnerë të qeverisë qendrore dhe vendore, për të siguruar realizimin e projekteve të natyrave të ndryshme, duke filluar të spostojmë financimet e mëdha që bën shteti, prej shumë vitesh, në funksion të partnerëve privatë, për projekte që fare mirë mund t’i bëjnë universitetet, duke u kthyer në një kanal fitimprurës komunikimi mes shtetit dhe universiteteve. Nuk shoh asnjë arsye pse Fakulteti Ekonomik i Gjirokastrës apo fakultete të tjera ekonomike në vend të mos jenë asistentët e preferuar të pushtetit vendor për sistemin e taksimit, për buxhetin, për auditimin, për gjithë atë punë të rëndësishme që është puna e çdo bashkie në këtë aspekt, ku ne lexojmë mangësi katastrofike në bashki të ndryshme, pikërisht për shkak të mungesës së burimeve të duhura njerëzore.

Përfshirja e pedagogëve dhe studentëve me projekte pranë bashkive, pranë departamenteve, seksioneve të tyre të ekonomisë dhe financave, do jetë një vlerë e madhe e shtuar për rritjen e efikasitetit financiar të bashkive dhe sigurisht do të mund të krijojë të ardhura për universitetin. Nuk flas për projekte që universiteti i bën për bamirësi, flas për projekte që janë të financuara nga bashkitë apo qeveria qendrore, me shumë më pak para se a paratë që harxhojmë për të financuar projekte me studio apo me organizata dhe ekspertizë të brendshme e të huaj, që në fund të ditës nuk është se rezultojnë projekte të një cilësie të pamundur për t’u arritur nga universiteti. Për më tepër, e vërteta është që edhe ato projekte kanë brenda individë që janë pedagogë, apo që sapo kanë dalë nga këto aula.

Futja e universitetit në një rrugë të re dhe krijimi në çdo universitet i sensit të fitimit përmes dijes, jo vetëm që do të krijojë një premisë të re për fuqizimin financiar dhe për aplikimin real të autonomisë financiare, jo vetëm për të harxhuar ato pak para që janë në dispozicion nga buxheti i shtetit, por dhe për të fituar më shumë para e për t’i administruar ato vetë.

Është shumë e rëndësishme që përmes këtij procesi, studentët të hyjnë që kur janë në bankat e universitetit në kornizën e kulturës së projektit. Nuk janë paratë që bëjnë projektin. Është projekti që nxjerr paratë. Nuk janë paratë që prodhojnë idetë, janë idetë që bëjnë paratë. Nëse kjo kulturë ushqehet konkretisht në aulat e universitetit, atëherë, studentët kuptojnë që në bankat e klasave apo të mjediseve, – ku bashkë me pedagogët do bëjnë këto projekte, – që e ardhmja  nuk është thjesht një punë në shtet.

E ardhmja është në mendjen dhe në kurajën e tyre për t’i vënë dijet që marrin në universitetet në shërbim të ideve dhe të sipërmarrjeve të tyre. Është fatkeqësi e trashëguar nga çerekshekulli parazitizëm i madh, ku shteti u bë punëdhënësi më i madh, që studentet të dalin nga dyert e universitetit dhe përqindjen më të madhe, pikësynim të vetëm kanë një punë në shtet. Ndërkohë që është krejt anormale të vazhdohet me këtë balancë të pajustifikueshme, që nuk është vetëm tek ne, por është në gjithë rajonin tonë, mes studentëve që duan të punojnë në shtet dhe studentëve që pranojnë të punojnë dhe në privat.

Nga të gjitha anketimet e bëra, më shumë se 80% e studentëve duan të punojnë në shtet. Kjo është vërtetë e pajustifikueshme për një vend demokratik që synon të rritet ekonomikisht përmes sipërmarrjes dhe nga ana tjetër ku shteti nuk mund të jetë punëdhënësi më i madh, por duhet të jetë mbështetësi kryesor për krijimin e kushteve për rritjen e vazhdueshme të ekonomisë përmes rritjes së punësimit.

Jam i bindur që futja e kulturës së projektit, jo vetëm në universitet, por që në shkollën e mesme dhe pastaj edhe më poshtë në nivelet e shkollës 9 vjeçare, do të vendosë themelet për një kulturë të re sipërmarrjeje dhe pune në Shqipëri. Dallimi mes studentëve që shkojnë jashtë pasi mbarojnë shkollën dhe studentëve që dalin nga shkolla dhe presin në kafene punën që tua sjellë shteti, tregon që nuk është një problem i njerëzve. Sepse janë të njëjtët njerëz. Ata që shkojnë jashtë nuk i bëjnë naze asnjë pune. Pranojnë çdo punë me ambicien për të arritur që një ditë të punojnë në profesionin e tyre, por pa thënë që, po nuk mora punë në profesionin tim, unë po rri në klub.

Ndërkohë që ata që mbarojnë dhe pastaj presin në klub që të vijë puna, janë viktima të një sistemi të tërë të të menduari dhe të vepruari. Kjo për studentin shqiptar ose çdo shqiptar tjetër. Kështu shpjegohet dhe suksesi i jashtëzakonshëm i shqiptarëve në emigracion dhe unë me sukses nuk kam parasysh vetëm ata që bëhen të famshëm, por kam parasysh çdo shqiptar që ka shkuar dhe shkon në emigracion dhe ia del të jetojë me punën e tij. Se aty nuk ka mundësi t’i shkruajë kryeministrit në Facebook “më gjej një punë”,  nuk ka as mundësi gjejë deputetin e zonës që t’i thotë më jep teserën se do të fus unë në punë shteti, nuk ka as mundësi që të gjejë kushëririn me pushtet apo me njohje në pushtet që t’i thotë të çoj unë të fillosh punë. Nuk ka as mundësi që përmes babait me para të shkojë ta fitojë një punë shteti në emigracion, me ryshfet. Në këto kushte ka vetëm mendjen, zemrën, krahët dhe detin për të kaluar në këmbë.

Fakti që shqiptarët kur janë në këto kushte nuk mbyten kurrë, tregon që nuk është çështje e njerëzve, por është çështje e sistemit dhe këtë sistem të ndërtuar për së prapthi,  në raport me punën që ka ushqyer për kaq shumë vite parazitizmin, dembelizmin dhe iluzionin se vetëm puna në shtet është dinjitoze, por edhe dëshira për të punuar në shtet se të jetohet pa stres, pa llogaridhënie, pa orare, duke u marrë gjithë ditën me muhabete, ne duhet ta çmontojmë dhe çmontimi i këtij sistemi, në këndvështrimin tim fillon nga universiteti.

Universitetet sot janë gati, falë ligjit të ri që të fillojnë të veprojnë si aktorë në treg, jo thjeshtë si pritës të të rinjve qëllimmirë  që duan të marrin njohuri, por dhe si aktorë në treg, duke i vënë pedagogët dhe studentët bashkë, në presionin pozitiv të nevojës për të fituar para. Ju siguroj që qeveria, unë personalisht do jemi më shumë sesa të gatshëm të bashkëpunojmë me universitetet, për të bërë të mundur që në hapat e parë, universitetet të kenë prioritet, kur ne duhet të financojmë projekte të ndryshme për të cilat kemi nevojë si qeveri.

Në nivelin vendor unë do bëj çmos që kryetarët e bashkive të jenë pranë universitetit dhe lidhja e universitetit me bashkinë të jetë një lidhje organike për t’i ofruar bashkisë shërbime të një natyre krejt të posaçme. Projekte, programe që stafet e bashkive, ju e dini më mirë se unë, nuk i bëjnë dot. Nuk i bëjnë dot për 1001 arsye dhe ne nuk mund të rrimë dot të presim kur bashkitë të çlirohen përfundimisht nga influenca partiake mbi administratën dhe nga përzgjedhjet që kalojnë përmes zyrave të partisë, por paralelisht duhet t’i ushqejmë me dije, me njohuri të reja dhe burime njerëzore alternative që janë burimet e universitetit, në mënyrë që të kenë një ecuri të suksesshme, në mënyrën sesi e shikojmë botën.

Ne sot akoma kemi një pushtet vendor që nuk prodhon para. Nuk ka pushtet vendor që nuk prodhon para. E me prodhim parash, unë nuk nënkuptoj mbledhjen e taksave. Nënkuptoj krijimin e ndërmarrjeve fitimprurëse, nënkuptoj krijimin e partneriteteve publik-privat me interes reciprok. Nënkuptoj transformimin e shërbimeve, nga shërbime të lodhshme shtetërore, në shërbime aktive në bashkëpunim me aktorët jashtë burokracisë. Ama ju e dini më mirë se unë që të gjitha këto kërkojnë projekte. Të gjitha këto kërkojnë mbrapa një vizion ekonomik. Një vizion financiar dhe dije për artikulimin e këtij vizioni.  Ku do e gjejnë bashkitë këtë vizion, nëse nuk e gjejnë në universitet dhe është fat për bashkinë e Gjirokastrës, për bashkinë e Tepelenës, për bashkinë e Sarandës, për bashkinë  e Memaliaj, për bashkinë e Këlcyrës, për bashkinë e Përmetit dhe për bashkitë e minoritetit, Finiqit, apo Dropullit, që kanë këtë universitet këtu.  Është fatkeqësi që pas çerek shekulli e kusur, s’ka lidhje fare mes këtyre dy aktorëve që janë të destinuar të punojnë me njeri-tjetrin për interes reciprok.

Për çfarë arsye duhen bërë tendera të kripur për projekte, ndërkohë që mund të bëhen kontrata bashkëpunimi me universitetet që kushtojnë më lirë për bashkinë dhe që i sjellin universitetit, para.

Ne do ta investojmë fakultetin ekonomik, pra nuk do t’ju themi juve; merreni ato dy katet dhe filloni rregullohuni vet. Por nuk mjafton. Nuk mjaftojnë muret dhe mobiliet për të patur një pol kreativ dhe të suksesshëm universitar. Duhen nxjerrë para dhe  universiteti duhet ta mendoje kështu. Dhe ju në Gjirokastër duhet t’i prini këtij trendi se ju raportin me lekun e keni një raport që është sa i admirueshëm aq edhe i frikshëm. Përtej shakasë, që është më shumë se gjysma e së vërtetës në Gjirokastër, unë besoj se ne mund t’ia dalim të ndërtojmë këtë urë. Dhe kjo është arsyeja pse erdha me dëshirë sepse doja të flisja për këtë pjesë, jo të mbaja ato fjalimet e zakonshme dhe besoj që me Universitetin e Gjirokastrës duhet të angazhohemi bashkërisht që të ndërtojmë një model dhe të jeni të bindur që, nëse modeli do ketë sukses dhe është një model që do ketë sukses këtu, më shumë sesa në Tiranë sot për sot. Sepse është një realitet më i mbledhur dhe janë lidhjet më shpejt të vendosshme.

Ne do vazhdojmë të jemi shumë të vendosur në çlirimin e universitetit nga perdet e parazitizmit, dembelizmit, të status quo-s, ligji i arsimit të lartë është i duhuri. Nxënësit që në gjimnaz duhet të mendohen mirë. Nuk mund të vazhdojnë të pretendojnë që po vumë mesataren 6, kemi stresuar psikologjikisht brezin e ri, se këtu shumica e pedagogëve vijnë nga koha kur me mesatare 6, jo nuk të shkonte mendja të shkoje në universitet, por nuk e dije a do të ngelej ndonjë bisht kazme që të vazhdojë jetën. Ndërkohë, ne këtu vumë mesataren 6, na u hodhën në fyt se po “na stresoni fëmijët”. Sesi mund të bëhen fëmijët të gatshëm të përballojnë jetën, pa kaluar përmes stresit të konkurrencës që të vegjël e pastaj në dyert e universitetit, unë nuk e di. Me saktë e di, nuk mund të bëhen. Jeta pa stres, në gjithë procesin e arsimimit, me nota të marra qyl, me provime të marra me kopje, me maturë shtetërore që është kopje shtetërore, me dyer të universitetit të shqyera, bën atë që është pastaj fatkeqësia e çdo familje dhe çdo të riu, që kur del në fund fare me diplomë në dorë, shkon te klubi dhe pret partinë, që t’i vijë partia e t’i thotë të çoj unë te republika brenda shtetit që ka, në një shtet që për më shumë se çerekshekulli është bërë si Bosnja.

Bosnja është e ndarë në republika dhe është një federatë komunitetesh të ndryshme, serbe, kroatë, myslimanë. Shteti shqiptar është i ndarë në republika partish. Këto i ka ajo republikë, ato i ka kjo republikë dhe qytetarët e Shqipërisë nuk janë të barabartë, në raport me të drejtën e tyre për të shërbyer në administratë, por dhe në raport me të drejtën e tyre për të marrë shërbim nga administrata. Pabarazinë e krijon “bosnjëzimi” i administratës. Duhet t’i japim fund kësaj, nëse duam ta çojmë më tej projektin për të bërë shtet dhe në këtë aspekt unë jam besimplotë që universitetet mund të japin një kontribut të jashtëzakonshëm, ashtu sikundër kam bindjen se ligji i arsimit jep një kontribut të madh duke tundur gjithë sistemin, duke i thënë çdo fëmije, çdo të riu e të reje se të shkosh në univeristet është me konkurrencë, me pikë mesatareje, me pikë Mature Shtetërore, dhe nuk është as me partinë, as me njohje dhe as me lekë.

Kush shkon në universitet nuk do të thotë mund të jetë më i suksesshëm se ty. Mund të shkosh në arsimin profesional, merr një zanat, që nuk do të thotë se, nëse bëhesh hidraulik, elektricist, marangoz, kuzhinier, je i destinuar të shkosh të punosh për dikë, po mund të hapësh biznesin tënd.

Nëse sot poli i ekselencës në arsimin profesional është Europa Qendrore dhe nëse në Europën Qendrore, duke filluar nga Gjermania, në Austri, në Zvicër dhe në të gjithë atë pellg është papunësia më e ulët dhe qëndrueshmëria më e lartë ekonomike kjo lidhet me arsimin profesional dhe me faktin që pjesa më e madhe e bizneseve të vogla dhe të mesme në këto vende hapen nga njerëz që mbarojnë arsimin profesional, bëjnë kompanitë e tyre, kompanitë e shërbimeve hidraulike, kompanitë e shërbimeve informatike, apo të shërbimeve inxhinierike. Kjo është rruga.

Në këtë rrugë jo vetëm që nuk do tolerojmë uljen e konkurrencës, por përkundrazi, do shkojmë duke e ashpërsuar konkurrencën, sepse vetëm kështu nuk i gënjejmë dhe nuk i marrim në qafë fëmijët e këtij vendi. Vetëm kështu në viktima të dembelizmit për shkak se i mësojmë keq gjatë gjithë kohës me tekste pa lidhje dhe me mësimdhënie pa lidhje. Ju jeni dëshmitarët e kësaj masakre sepse kur vinin në Universitet, ju keni pasur raste kur duhet ta fillosh nga alfabeti. Vijnë për tu bërë ekonomistë, duhet ta fillosh jo nga matematika, po nga aritmetika. Kjo nuk mund të vazhdojë kështu! Studentë që mbarojnë Universitetin, aplikojnë për punë në shërbimin civil dhe nuk dinë të bëjnë një kurrikul, nuk dinë ta shkruajnë. Që të gjitha këto vijnë nga mungesa e stresit të konkurrencës.

Ne kemi një projekt me Ministrinë e Kulturës për të krijuar një rrjet të ri atraksioni turistik për Gjirokastrën, rrjetin e shtëpive të shkrimtarëve. Kemi shtëpinë e Ismail Kadaresë këtu dhe duam që të krijojmë një rrjet shtëpish që do të rikonstruktohen, do të mbajnë emrin e një shkrimtari dhe do të të kthehen në bujtina, por do të kenë dhe një dhomë pritjeje për një shkrimtar shqiptar, apo të huaj. Duam ta bëjmë Gjirokastrën një qytet festivalesh të poezisë, të tregimit, të romanit, duke shfrytëzuar sigurisht impaktin që ka emri i Ismail Kadaresë dhe nëse vendosim një çmim, apo nëse vendosim një program që lidhet me emrin e tij sigurisht që do të ketë mjaftueshmërisht edhe tërheqje.

Përsëri këtu na duhet të bëjmë një projekt në pikëpamjen ekonomike dhe financiare, se nga pikëpamja e restaurimit dhe të gjithë procesit për t’i bërë këto shtëpi gati, s’kemi nevojë në këtë rast për Universitetin, por sigurisht studentët që janë këtu për trashëgiminë kulturore fare mirë mund të jenë pjesë e grupit të punës për ta ndjekur gjithë procesin e restaurimit dhe të përfundimit të këtyre veprave, sigurisht duke lidhur një kontratë

Ndërkohë, për mënyrën se si do të administrohet ky rrjet duhet një plan financiar dhe ekonomik. Këtu mund të ngrihet një grup pune për të bërë provën e parë me pedagogë të ekonomikut, me Ministrinë e Kulturës, me Bashkinë, në mënyrë që të shikojmë si t’ia dalim në këtë proces, si mund të angazhojmë sipërmarrësit në këtë proces, si do i përfshijmë pronarët e shtëpive në këtë proces, çfarë do të bëjmë që pronësia të mos të jetë pengesë, por pronarët të dalin të fituar gjithsesi, si do të ndërveprojë sipërmarrësi privat me Bashkinë dhe me Ministrinë e Kulturës në administrimin e këtij investimi nesër. Pra, janë shumë pikëpyetje që do kërkojnë një zgjidhje.

Besoj që këtu mund t’i gjejmë njerëzit e duhur për të bërë një projekt të tillë dhe me projekte të tilla Universiteti i Gjirokastrës mund t’i ofrohet pastaj më tutje Bashkive të të gjithë këtij pellgu. Mos harroni që ka universitete në Europë në qytete më të vogla se Gjirokastra që japin shërbime konsulence në mbarë botën, universitete që e kanë axhendën e shërbimeve të konsulencës të zënë për vite të tëra. Nëse do konsulencat e tyre duhet të prenotosh për kushedi se sa vite më pas. Kini besim që kjo mund të bëhet dhe që së bashku ne s’kemi asnjë rrugë tjetër, përveçse ta bëjmë dhe do ta bëjmë.

Faleminderit!

***

Jam studente e Fakultetit Ekonomik. Cila është vëmendja në qeverisjen e ardhshme juaj për të rinjve, veçanërisht në jetën social kulturore të të rinjve në Gjirokastër.

Kryeministria Edi Rama: Do më japësh leje të mos përgjigjem, sepse nuk dua të bëj fushatë elektorale këtu për qeverisjen e ardhshme. Dua të përfitoj nga rasti të nënvizoj edhe njëherë ato që thashë, se është shumë e rëndësishme që të krijojmë sa më shumë premisa që të rinjtë të hyjnë sa më shumë në rrugën e kulturës së projektit dhe të kuptojnë sa më shumë që pasuria është në mendje. Më kujtohet gjithmonë një takim me të ndjerin ish Presidentin e Izraelit, Shimon Peres, i cili më tregoi momentin kur u krijua shteti, atëherë një djalë i ri. Krijuam një shtet, – më tha, – me dy dete që nuk janë si të tjerët.” E keni parasysh, Detin e Vdekur. “Krijuam një shtet pa armë, të rrethuar nga armiqtë. Krijuam një shtet ku ishte vetëm një lumë, lumi i historisë, po s’kishte ujë dhe duhet të jetonim në atë shtet. Ishte shteti ynë. E kishim kërkuar me shumë luftëra e sakrifica dhe tani duhet të jetonim, sepse atdheu, – vazhdoi – nuk i ka rrënjët në tokë, por në bukën e trupit dhe të shpirtit. Në qoftë se kjo bukë mungon, atdheu nuk e mban dot të lindurin në atë tokë. Kemi bërë – tha – lloj-lloj marrëzish për të ndërtuar një sistem bujqësie. Provonim t’i ujisnim ullinjtë me ujë të ngrohtë, se mendonim që uji i ngrohtë mund t’i ndihmonte. Lloj-lloj eksperimentesh dhe pak nga pak kuptuam ku ishte pasuria jonë. Naftë jo, minerale jo, ujë jo, fqinj që të jepnim dhe të merrnim jo. Pasurinë – tha – e kuptuam që e kishim këtu [në mendje] dhe filluam të investojmë gjithçka për trurin.

Sot, Izraeli, që është një vend që s’ka ujë, ka sistemin më ekselent të ujësjellësve të ujit të pijshëm dhe sistemin më ekselent të ujitjes në bujqësi. Ne që jemi një nga vendet më të pasura me ujë, kemi akoma probleme me të dyja. Pse? Sepse diferencën mes vendeve nuk e bën çfarë të ka dhënë Zoti, diferencën e bën çfarë ke në kokë, e bën dija. diferencën nuk e bën çfarë ke, por çfarë di.

Në këtë aspekt besoj se sa më shumë ne të shtyjmë njerëzit tanë, veçanërisht të rinjtë, në rrugën e dijes, sa më shumë t’i aftësojmë ata që dijet e tyre teorike t’i kthejnë në pasuri për vendin dhe për vete, aq më pranë suksesit jemi. Sepse ne i kemi të gjitha, nuk jemi si Izraeli që s’ka asgjë dhe që është një nga vendet më të zhvilluara të botës për shkak të dijes. Ne i kemi të gjitha, kemi klimën, jemi të pasur me ujë sa më s’ka, kemi mundësi të zhvillojmë bujqësi, blegtori, kemi minerale, naftën nuk është aspak çudi që të zbulojmë gaz e me radhë. Zoti këtij vendi ia ka dhënë të gjitha. Njeriu e ka penguar që të bëhet shtet dhe të bëhet vendi ku njerëzit s’kanë nevojë të largohen, por i kanë këtu të gjitha ato që iu duhen të jetojnë normalisht.

Baza është tek shkolla. Çfarë presim ne të korrim pas çerekshekulli pa arsim, se quhet pa arsim, pavarësisht gjithë sforcove që kanë bërë pedagogët në kushte tmerrësisht të vështira, pavarësisht gjithë sforcove që kanë bërë nxënësit dhe studentët, sistemi si sistem nuk e ka prodhuar mesataren jetike.

Përshëndetje Zoti Kryeministër. Së pari, ju uroj mirëseardhjen në universitetin tonë. Unë jam Zamira Veizi, pedagoge e Fakultetit të Ekonomisë, Departamenti Kontabilitet-Financë. Cila është strategjia juaj në fushën e turizmit, në qytetin e Gjirokastrës, duke marrë parasysh edhe statusin e veçantë që ka qyteti ynë si pjesë e UNESCO-s? A janë parashikuar investime në restaurimin e pjesës muzeale të qytetit tonë dhe cilat janë planet e qeverisë shqiptare për investime te mëtejshme në qytetin tonë. Ju faleminderit!

Kryeministri edi Rama: Në Gjirokastër, në 44 muaj, ne kemi investuar sa nuk është investuar në 44 vjet. Me shifra e jo me fjalë. Patjetër që tani jo vetëm që s’ka kthim mbrapa, por do të bëhet, kushdo që të jetë, edhe shumë më tepër, sepse shenjat janë shumë të qarta. Ne kritikohemi shpesh për programin kombëtar të Rilindjes Urbane, që në të vërtetë ushtë një program që duhet të ishte bërë 25 vjet përpara. Ashtu duhet të kishte filluar rindërtimi i Shqipërisë në kushtet kur ndryshoi sistemi. Demokracia ka nevojë për sheshe. Demokracia lindi në shesh. Qytetërimet, njëra pas tjetrës lanë gjurmët e tyre në vendbanimet e njerëzve, duke filluar nga sheshi. Këtu jemi akoma në epokën e gurit, ku dëgjon njerëzit që thonë, ç’na duhen sheshet, pemët, dritat e trotuaret. Po t’i heqësh të gjitha këto, mbetet për njerëzit vetëm çfarë i duhet deleve.

Qytetet tona për shumë vite u kthyen në konvikte, ku njerëzit s’kishin ku të bënin një aktivitet, që e bën njeriun njeri në ndërveprim me tjetrin. Po të vijmë tek Gjirokastra, tek Berati dhe vende të tjera, ne aty kemi një nga burimet më të rëndësishme të rritjes të ekonomisë kombëtare. Gjirokastra është fabrikë parash, që na e kanë lënë ata që e ndërtuan, nëse e marrim nga pikëpamja ekonomike. Gjirokastra është një shëmbëlltyrë unikale e trashëgimisë kulturore botërore, jo shqiptare dhe ta lësh kështu!

Ndërkohë është shumë e qartë se të gjitha investimet që ne kemi bërë, që janë shumë pak në krahasim me atë që duhet bërë, janë edhe arsyeja pse njerëzit kanë filluar të ndërtojnë hapësira të reja mikpritjeje. Për çfarë ta ndërtojë një hapësirë mikpritjeje, kur qyteti është duke rënë përditë! Ndërkohë, kur njerëzit shikojnë se ka një dallgë ndryshimi që po vjen, bëhen gati. Ata që janë më kurajozë dhe më të shpejtë janë të parët, pastaj janë të tjerët.

Falë Rilindjes Urbane, në dhjetë vjet do të kuptojmë se çfarë i kemi bërë vetes për çerekshekulli dhe sa kohë kemi humbur. E jo vetëm kaq, por sa shumë dëme kemi bërë. Se nuk është se në çerekshekulli nuk u bë asgjë. U bënë shumë dëme, u dëmtuan shumë pjesë të kësaj pasurie. Do të kuptojmë se vetëm vlera e pasurisë personale të njerëzve është rritur falë këtij programi. Sot kushton shumë më tepër të tentosh të blesh një shtëpi këtu apo në Berat. Vlera do të shkojë duke u rritur. Është dyfishuar, trefishuar, pesëfishuar vlera. Kjo është pasuria e njerëzve. Në momentin kur projekti bëhet, unë kam shtëpinë aty, falë atij projekti unë mund ta shes shtëpinë dyfishin e vlerës, pavarësisht se unë nuk e shes dhe e mbaj, por ama jam më i pasur. E njëjta gjë me biznesin, sepse rritet konsumi, rritet nevoja për industrinë e mikpritjes.

Padiskutim që, nëse ne jemi strategjikë në këtë qasje, Gjirokastra është gati të bëhet një qytet universitar, u turizmi dhe universiteti të mbajnë qytetin ekonomikisht gjithë vitin. Natyrisht nga e thëna në të bërë është një rrugë e gjatë, por është shumë e thjeshtë si vizion. Imagjinoni sikur  të kishte filluar kështu përpara 20 vjetësh, ku do ishim sot, se nuk do ishim duke bërë çdo vit, sheshin, s’do bënim çdo vit, Qafën e Pazarit. Do kishim mbërritur deri në fshatin më të fundit dhe do rrisnim ditët e qëndrimit në Gjirokastër. Nëse vjen në Gjirokastër dhe ju thonë se ka një gjë për të parë atje lartë, po s’ka rrugë , ti nuk do rrish të flesh dhe një natë këtu për të shkuar atje, por do kthehesh.

Kështu është kur gjërat nuk kapen nga koka, po kapen nga bishti. Kemi harxhuar për ujësjellësit një çerekshekulli, një fond, nga buxhet i shtetit dhe nga kreditë e marra, të barabartë me fondin e mjaftueshëm për t’i ndërtuar dy herë ujësjellësit e Shqipërisë dhe akoma s’i kemi ndërtuar njëherë.  Kemi harxhuar për ujitje dhe kullim në bujqësi në  25 vjet, një fond të barabartë me financimin tre herë të sistemit të ujitjes dhe kullimit dhe deri përpara 44 muajsh kishim vetë 120 ha tokë që ujiteshin, në Shqipëri. 420 e kusur mijë ha ish në vitin 1989, 120 mijë në 2013-ën. Ndërkohë themi se bujqësia është prioritet. Sot është 240 mijë. 400 mijë ha nuk e kapim më se ka shumë ish toka buke që tani janë bërë vendbanime, por do ta çojmë mbi 300 mijë që të vendosim bazën. Nuk është e mjaftueshme, sepse edhe në atë kohë, megjithëse ishin 420 e ca mijë ha, konsiderohej sipërfaqe e pamjaftueshme. Megjithatë, në kushtet e ekonomisë së tregut dhe në kushtet e stimujve të këtij sistemi, me mbi 300 mijë ha, ne mund të mendojmë se kemi vendosur bazën për ta nxjerrë fshatin nga varfëria. Po me 120 mijë dhe pjesën tjetër të pavaditur që si rezultat është shkretuar, është normale që në çerekshekulli kemi lënë një shkretëtirë ku ka mbirë kudo ferra e varfërisë.

Shumë Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.