Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në procesin e shpërndarjes së lejeve të legalizimit në Kamëz:

 

Kur lexonte Lamja letrat, po mendoja, Lamja në gjithë jetën s’ka bërë aq letra dashurie sa letra i ka çuar Xhelalit, edhe prapëseprapë Xhelali nuk i përgjigjet. Ndërkohë që, ajo historia e rrugëve, emrave, e vijave të ndërtimit me sa duket, sa më i madh emri që ka rruga, aq më i madh problemi që ka Xhelali me vijën e ndërtimit. Po vetëm një emër rruge s’ka për të pasur kurrë Kamza, sa të ketë Xhelalin, rruga “Vettingu”. Rrugën “Vettingu” s’ka për ta pasur asnjëherë, se Vettingu është tmerri i Xhelalit dhe i atyre që janë në çadër, bashkë me të.

Sot është aktiviteti i fundit publik që ne bëjmë për legalizimet. Legalizimet do vazhdojnë, por nuk do ketë më aktivitete publike, sepse në 1 Maj zyrtarisht fillon fushata dhe këto janë aktivitete që nuk duhen përdorur për fushatë dhe ne nuk do t’i përdorim për fushatë.

Ne kemi kaq kohë që bëjmë aktivitete të tilla. Shumë njerëz, edhe ata që në përgjithësi nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë të presësh një leje legalizimi për vite të tëra dhe të marrësh një leje legalizimi, nuk e kuptojnë pse unë duhet të marr pjesë në këto aktivitete. Janë edhe shqiptarë që jetojnë jashtë, dashamirës, që thonë se nuk kemi parë ndonjë kryeministër në Europë që të shpërndajë leje legalizimi.

Por në Europë nuk ka ndërtime pa leje. Ajo që është më e rëndësishmja e duhet kuptuar dhe që është arsyeja themelore pse unë marr pjesë në këto aktivitete, është për të sensibilizuar sa më shumë njerëz që të kuptojnë se leja e legalizimit nuk është thjesht garancia që nuk do të prishet shtëpia. Leja e legalizimit është mundësia që gjithë ato para që janë harxhuar për shtëpinë të kthehen në një titull pronësie. Nëse sot, njerëzit kanë ndërtuar 20 vjet me sakrifica e mundime, duke hequr edhe nga buka gojës dhe gjithë ato para janë të vdekura se janë thjesht tulla, llaç, tjegulla, dritare, në momentin kur shtëpia regjistrohet në Hipotekë, ato para nuk janë më të vdekura. Ajo është një vlerë, një kapital që njeriu që e zotëron, familja që e zotëron mund ta përdorë për ta vënë në lëvizje, duke marrë një kredi në bankë për një biznes të vogël, apo për ta zgjeruar biznesin ekzistues, për një fermë të vogël e kështu me radhë.

Legalizimet janë ekonomi. Shtëpia e palegalizuar është një strehë për t’u mbrojtur nga shiu, për t’u mbrojtur nga i ftohti, për të fjetur, për të ngrënë, por shtëpia e legalizuar është kapital, është një vlerë e rëndësishme që familja e ka në dispozicion. Për këtë arsye, legalizimet janë një nxitje shumë e rëndësishme për ekonominë familjare të gjithsecilit. Ne akoma nuk e kemi kulturën e trajtimit të këtyre kapitaleve. Shumë njerëz as nuk e kanë çuar nëpër mend që ato para që i kanë hedhur për të ndërtuar shtëpinë janë një vlerë që mund ta vënë në lëvizje, për të mundur që të huazojnë nga banka të tjera para. Unë jam i bindur që ky proces, pak nga pak do t’i japi shumë energji ekonomisë familjare, të të gjithë atyre që legalizojnë shtëpitë e tyre, legalizojnë bizneset e tyre.

Pak më parë ne dhamë lejen e legalizimit tek një fabrikë, e cila prodhon për firma shumë të famshme ndërkombëtare, “Benetton”, “MaxMara” e kështu me radhë. Nga momenti që ajo godinë legalizohet dhe regjistrohet në Hipotekë, i zoti i godinës ka mundësi të marrë kredi në bankë, duke përdorur godinën dhe të ndërtojë një kapanon tjetër, apo të bëjë një aktivitet tjetër e me radhë.

Këtu në Kamzë, në periudhën 2006, kur Shabani filloi punë, deri në 2013-ën, kur Shabani la punën, janë bërë gjithsej 538 legalizime. Domethënë, në një përudhë prej 7 vitesh janë 538 legalizime. Ajo që është më e tmerrshmja me periudhën e legalizimeve të Shabanit, është se shumica e legalizimeve, 21 mijë gjithsej në të gjithë Shqipërinë, janë afro 80% lokale, bare, restorante, hotele, motele, magazina, pishina, që janë legalizuar kryesisht në pika shumë nevralgjike, shumë të rëndësishme për qytetet, për zonat e banuara dhe që tani janë pronë.

Aktualisht, sot mora informacionin që për të hapur oborrin e spitalit të Elbasanit, i pushtuar nga ndërtimet e paligjshme, ne tani duhet të shpronësojmë, – a thua se ata ishin pronarë aty dh ua kishte lënë stërgjyshi atë tokë, – për të liruar oborrin e spitalit. Dhe janë lokale. Në vend të bënin legalizime për shtëpitë, për njerëzit që i hynë kësaj aventure të madhe që të jetojnë më mirë, u përqendruan te legalizimet për biznes. Natyrisht, ju e kuptoni më mirë se unë, që këto legalizime janë bërë edhe sepse ka pasur para mbi dorë dhe nën dorë.

Nga viti 2014 deri në vitin 2017, në Kamzë, ne kemi arritur 5449 legalizime. Në më pak se gjysmën e kohës së tyre, ne kemi bërë 10-fishin e punës së tyre. Jemi shumë krenarë për faktin se nga këto 5449 legalizime, 97% janë shtëpi. Po ashtu jemi shumë krenarë që kemi arritur sot në mbi 130 mijë dhe deri në fund të qershorit do të arrijmë në mbi 150 mijë legalizime në rang Shqipërie.

Ju që keni ardhur të merrni lejen e legalizimit, sot janë 1001 leje të tjera që i shtohen të gjithë kapicës së dosjeve për Kamzën. Besoj e keni parë vetë se nuk ju është dashur juve të shkoni te ALUIZNI dhe të mbani radhë, siç mbanit dikur radhë për të parë Shabanin, por kanë ardhur punonjësit e ALUIZNI-t tek ju. Ju kanë ndihmuar të mbushni të gjithë formularët, pasi kanë bërë matjet etj. dhe për këtë procedurë ju nuk keni paguar asnjë lek. Kjo procedurë është bërë e gjitha falas.

Ndërkohë që ne, aty ku shtëpia është parcelë shtetërore, nuk marrim asgjë, as për tokën. Ndërsa, aty ku shtëpia është me tokë-pronar, ka një pagesë, por është 50% më e ulët se pagesa që merrte Shabani. Është një pagesë që shkon në fondin e kompensimit të pronarëve, sepse ne nuk duam ta lëmë litarin jashtë, që në brezin tjetër, apo në një brez tjetër, nipi i pronarit të vijë te nipi i familjes, kur të jenë më të rritur, e t’i thotë se këto letrat i ke marrë, por nuk kanë asnjë vlerë, se unë s’kam marrë asgjë. Ligjërisht, edhe pronarët kompensohen, kështu që nuk kanë çfarë kërkojnë më aty, ku përfundimisht shtëpia bëhet pronë e atyre që e kanë ndërtuar me aq mund e aq sakrifica.

Ne e ulëm faturën përkatëse edhe për truallin, nëse kush donte të legalizohej, tregonte që kishte paguar një vit rregullisht energjinë elektrike, që e ka detyrim. Kjo ka qenë një nga masat më të suksesshme që kemi marrë. Kjo i ka stimuluar njerëzit, që në vend të paguajnë lekë për parcelën, të paguajnë për energjinë. Kështu kursejnë edhe diçka nga fatura e parcelës.

Sot, aktualisht, edhe aplikimi për hipotekën bëhet nga ALUIZNI. Ju do merrni lejen e legalizimit dhe leja do shkojë në hipotekë. Aplikimin për ju e bën ALUIZNI dhe kur të shkoni në hipotekë, do merrni thjesht hipotekën. Nuk do shkoni atje të luteni, të kërkoni, prisni e me radhë. Nuk është një proces që shkon gjithmonë vaj, por sidoqoftë është një proces, i cili që nga momenti i parë deri te momenti i fundit është shteti dorë për dore me të interesuarin, me familjen që merr pjesë në këtë proces.

Faktet flasin shumë më tepër sesa fjalët. Kamza është një nga zonat ku faktet flasin dhe më qartë, 10-fish legalizime falas, krahasuar me 10 herë më pak legalizime me lekë, në kohën e Shabanit. 10–fish legalizime më shumë, edhe në një kohë shumë më të shkurtër. Ata në 7 vjet, ne në 3 vjet.

* * *

Sot, 1001 leje të tjera legalizimi, falas për Kamzën. Mijëra pronarë, tashmë të ligjshëm, ndihen zotër të vërtetë të shtëpive të tyre, pas vitesh të tëra pritjeje.

Kamza  është zona më e madhe informale e vendit, e cila përfshin një numër të pafund ndërtimesh pa leje, të nisura që prej viteve ‘91-92. Pikërisht, për shkak të madhësisë së zonës dhe të densitetit të saj, ALUIZNI ngriti edhe dy zy të tjera, në Paskuqan dhe në Kamëz, përveç drejtorisë së kësaj zone. Pas tre viteve që prej nisjes së procesit, Kamza numëron 5449 legalizime falas, kundrejt vetëm 538 legalizimeve të bëra në 8 vitet e qeverisjes së mëparshme.

Kryeministri Edi Rama ishte sërish sot mes banorëve të Kamzës për t’ju dorëzuar personalisht lejet e legalizimit falas. Musa Burreli është banori i parë që merr prej Kryeministrit lejen për shtëpinë e tij.  “Ju falënderoj ju nga zemra dhe stafin e ALUIZNIT të Kamzës.” shprehet ai.

Alfred Vata, është me aftësi të kufizuara. Për këtë kategori personash, kryeministri shpjegon se i gjithë procesi është falas, përfshirë edhe pagesa për tokën, kur ajo është pronë e tjetërkujt. “Për kategorinë e personave me aftësi të kufizuar edhe  procesi për parcelën është i gjithi falas.” tha ai.

Më pas lejen e legalizimit e përfiton zonja Age Mata e cila prej 7 vitesh ka bërë aplikimin. “Ju falënderoj shumë zoti kryeministër, ju dhe drejtorin e ALUIZNIT të Kamzës.”

Mirënjohjes së saj, kryeministri iu përgjigj: “Kur qeveria bën diçka të mirë, nuk duhet falënderuar qeveria, por ata që votuan që të bëhet ajo qeveri. Kur qeveria bën diçka të keqe, atëherë duhet sharë qeveria. Punët e mira të qeverisë janë vetëm rezultat i votës. Shumë njerëz thonë  se përse duhet votuar se “këta janë të gjithë njësoj”. Në fakt nuk janë të gjithë njësoj sepse nëse do të ishin të gjithë njësoj, në 3 vjet ne do të kishim bërë 200 legalizime, jo 5449. Si mund të jenë të gjithë njësoj ata që bëjnë një fish me ata që bëjnë 10 fish punë.”

Ardian Suçi, ndërsa merr lejen e legalizimit falënderon drejtorin e ALUIZNI-t për Kamzën. Ardianit si votues i djathtë, Kryeministri i përgjigjet me humor: “Për punë na ke ne. Ne këtë detyrë kemi, për ju do të punojmë. Ju votoni kundër nesh, ne punojmë për ju. Kështu i kemi ndarë punët.

Ashtu si në qytete të tjera, përfituese të legalizimit janë edhe objektet e kultit. Aqipeshkvia Metropolitane Tiranë-Kamëz dhe një  Xhami me godinën e saj social-kulturore, morën prej kryeministrit lejen falas të legalizimit. Kryeministri premtoi se shumë shpejt do të mbarojë legalizimi i të gjithë tempujve fetarë në Shqipëri. “Janë 1028 tempuj, kisha, xhami, teqe pa letra, janë të vjetra, që kanë qenë të djegura të shkatërruara, dhe janë rindërtuar; janë nga ato që i ktheu partia e parë Saliut në magazina, etj; janë edhe të rejat. Ne gjetëm gjithë këto asete të komuniteteve fetare të palegalizuara. Në një kohë fare të shkurtër, legalizuam pothuajse gjysmën dhe shumë shpejt do të mbarojmë legalizimin e të gjithë tempujve fetarë në Shqipëri.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.