Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama në takimin me nxënës të shkollës së mesme të përgjithshëm “Sami Frashëri”, në kryeqytet:

 

Së pari, më vjen shumë mirë për disa të vërteta që janë fakte, nuk janë opinione dhe që sot janë pjesë e realitetit të shkollës sonë, në një periudhë kur pak kush mund ta imagjinonte se mund të arriheshin. Ndërkohë që shumëkush ka besuar se në Shqipëri është e kotë, pasi në Shqipëri gjërat gjithmonë do shkojnë njësoj.

Shkolla sot, jo vetëm që nuk po shkon njësoj si më parë, por ka hyrë në një rrugë të re. Është një rrugë e gjatë, do të kërkojë kohën e vet për t’u shtruar deri në fund dhe për të qenë solide, por është një rrugë e re.

Nuk e di a ka më mësues, si një mësuese që dikur u bë hit nëpër rrjetet sociale, që u thoshte nxënësve “kush janë vëllezërit Frashëri?” dhe përgjigjej po vetë, – “Sami Frashëri dhe Ismail Qemali”. Apo një mësues tjetër që u thoshte nxënësve, “në vitin 1912, Ismail Kadare ngriti flamurin e pavarësisë në Vlorë”.

Nuk e di a ka më të tillë, por di që deri përpara pak vitesh, të tillë ishin mbi 5000 mësues që qëndronin në një vend pune e merrnin rrogën pa arsimin përkatës dhe jepnin mësim jashtë profilit të tyre, në rastin kur kishin arsimin përkatës. E thënë ndryshe, mësues fizkulture që jepnin histori, mësues historie që jepnin matematikë, mësues gjeografie që jepnin letërsi e kështu me radhë.

Sot janë shumë pak dhe vetëm në zona shumë të largëta, mësuesit që janë të detyruar të japin më shumë sesa lëndën e tyre, për shkak të vazhdimit të ekzistencës së klasave kolektive që janë një sfidë më vete.

Më vjen shumë mirë që ne ia dolëm të fshijmë një mal me tekste të gabuara, – për t’i përmbledhur me një fjalë të gjitha epitetet që mund t’i vihen, -që rëndonin mbi kurrizin e nxënësve dhe që përcaktonte mbrapsht të ardhmen e tyre. Sot, në vend të mijëra librave të llojllojshëm, të kopjuar keq, të përkthyer mbrapsht dhe të imponuar, ne kemi librat e Oxford, të Cambridge, të Pearson, që janë zgjedhje e nxënësve tanë dhe u japin atyre mundësinë që të shkollohen me libra si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në vendet e zhvilluara europiane.

Nga ana tjetër janë lehtësuar mësuesit, por janë lehtësuar edhe prindërit, sepse librat e mëparshëm ishin të vështirë për nxënësit, ishin të vështirë për mësuesit, ishin të vështirë dhe për prindërit.

Më vjen shumë mirë po ashtu, që ne arritëm të rikthejmë gjuhën shqipe në vendin që i takon. Ishim vendi i vetëm në Europë, – nuk e di në botë, por në Europë, – që gjuhën amtare e morëm dhe e bashkuam me letërsinë dhe gjuhës amtare i hoqëm vendin e nderit në rrugën e shkollimit. E pastaj nuk është aspak e rastësishme, përkundrazi, është rezultat i këtij keqtrajtimi të gjuhës amtare që ne sot shikojmë pasoja të rënda që mund të shihen, mjafton të jesh pak i vëmendshëm dhe është vështirësi në vete të gjesh një tekst të shkruar pa gabime nga fillimi në fund, qoftë në media, qoftë në komunikime shkresore në administratë dhe kështu me radhë.

Po ashtu më vjen shumë mirë që ne zgjidhëm një problem historik dhe këtë e zgjidhëm falë ndërveprimit me një grup mësuesish dhe nxënësishqë morën iniciativën të na propozojnë atë vezën e Kolombit: Tre lëndë në gjashtë orë. Gjëja më e thjeshtë në botë kur e sheh sot, por gjëja që nuk e gjetën dot, për 20 e ca vite, ekspertë vendas, ekspertë ndërkombëtarë, grupe pune, komisione që u ngritën për të bërë studime për ngarkesën, mbingarkesën, uljen e ngarkesës, u zgjidh shumë thjesht, nëpërmjet Platformës sonë së Bashkëqeverisjes.

Por më e rëndësishmja, sipas meje, nga pikëpamja e spostimit në kohë, e spostimit në të ardhmen të rrugës së re të arsimit, është që ju sot jeni maturantë që nuk ka pikë rëndësie çfarë pune ju bën babai, si quhet babai, çfarë partie ka babai, sa lekë ka babai, – po i them të gjitha babai, sepse nuk dua të përfshij nënat në këtë bisedë, prindërit. Ka vetëm një gjë rëndësi, çfarë niveli dije keni për të marrë nesër atë që dëshironi në rrugën drejt universitetit.

Ne kemi arritur të bëjmë atë që nuk mund të imagjinohej në këtë vend; T’i japim meritës vendin e palëvizshëm të nderit në rrugën drejt universitetit. Që do të thotë, asnjë fëmijë i privilegjuar, që mund ta ketë babanë kryeministër, ministër, apo biznesmen të madh, nuk mundet dot të parakalojë qoftë dhe fëmijën e një çobani në malin më të lartë e më të largët të Shqipërisë, nëse fëmija i çobanit merr më shumë pikë.Është shumë e thjeshtë. Sistemi është i tëri dixhital, pikëzimi është i tëri objektiv dhe rankimi është i tëri i bazuar tek “çfarë di” dhe jo tek “kush je”.

Në këtë aspekt, besoj se është shumë domethënës fakti që, nëse kjo që po them nuk do të ishte e vërtetë, do të kishim hyrje në universitet me ankesa të pafundme, me denoncime të pafundme dhe me përgënjeshtrime të pafundme të kësaj që unë po them, por kjo është jo 99, është 100% e vërtetë. Çdokush merr atë që i takon.

Mjekësia nuk është më vendi i të privilegjuarve. Po ashtu fakultetet e tjera, që deri dje ishin vendi që kishte hapësirë për më të pasurit, sepse paguanin shumë dhe për më të njohurit sepse kishin influencë politike, nuk i kanë më. Në platformën elektronike ka vetëm pikëzim të bazuar tek dija. Platforma elektronike nuk njeh emra, mbiemra, familje, njeh vetëm kode dhe në bazë të kodeve të jep rezultatin.

Përtej të gjitha këtyre, ju jeni maturantë. Drejtoresha shprehu mirënjohje për çfarë kemi bërë ne për shkollën, por nuk kam bërë asgjë për shkollën tuaj, që të jemi të qartë. E kam lyer në fillim, kur isha kryetar bashkie. Ngjyrat e reja nuk i keni tamam siç duhet. Nëse keni nevojë për ndonjë këshillë artistike, jam gati ta jap, por më shumë se kaq, unë për shkollën nuk kam bërë. Kemi bërë rindërtimin në fakt dhe laboratorët e të gjitha këto nuk janë merita ime.

Një gjë dua ta dini ju, të gjithë nxënësit, ne kemi në Platformën e Bashkëqeverisjes, shqiperiaqeduam.al, një seksion, “Shkolla ime”. Në atë seksion ka hapësirë për të gjithë ata që bëhen bashkë dhe kur them bëhen bashkë, jo gjithë shkolla, një grup nxënësish, një grup mësuesish, një grup nxënësish dhe mësuesish, një grup nxënës, mësues, prindër, nuk ka rëndësi, për një iniciativë ekstra kurrikulare që ka nevojë për mbështetje. Mbështetje të natyrave të ndryshme. Natyrisht, edhe mbështetje financiare. Flasim për iniciativa të brendshme të shkollës, për iniciativa me natyre shkencore, iniciativa me natyrë artistike, iniciativa me natyre ekologjike, këto janë të gjitha në një spektër të gjerë që ju takon juve, i takon nxënësve që t’i vlerësojnë. Nëse cilido nga ju, cilado nga ju – dhe më vjen shumë mirë që këtu, shumica janë vajza, sepse nuk diskutohet që në finale, Shqipërinë do e shpëtojnë gratë dhe vajzat, – të merrni mundimin të aplikoni duke prezantuar një ide, një projekt të thjeshtë e duke thënë “ne deri këtu jemi, tani nëse keni mundësi, na jepni një ndihmë, sepse duam të bëjmë bibliotekën e shkollës, apo të bëjmë këtë festival” e kështu me radhë.

Nëse do bëni diçka të tillë, aty po, unë mund të jem një nga mbështetësit dhe atëherë po, mund të meritoj edhe ndonjë falënderim, nëse ia dalim me sukses.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.