Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancë parlamentare:
Ky Kuvend ka zgjedhur shtatë Presidentë të Republikës. Shumë nga ne në këtë sallë kemi votuar për Ilir Metën si president. Atë ditë, ne nuk e kishim shumicën absolute që kemi sot, por unë e kisha sidoqoftë bindjen e plotë se Ilir Meta ishte kandidatura më e përshtatshme në rrethanat kur Kuvendi i Shqipërisë duhet të zgjidhte Presidentin e shtatë të Republikës.
Për hir të së vërtetës, qëkur hyri në Presidencë, pas asaj dalldisjes fatkeqe rrugëve të Shqipërisë me flamurin e LSI-së, ai e ka justifikuar thuajse plotësisht votën tonë. Ka respektuar Kushtetutën, ka peshuar fjalën dhe ka baraspeshuar qëndrimin.
Por, që prej të shtunës mbrëma, ne kemi një problem me Presidentin e Republikës, ose më saktë, një problem, i krijuar nga Presidenti i Republikës, në punën tonë si shumicë qeverisëse na ka mbledhur sot, këtu.
Puna jonë është të hartojmë e të miratojmë ligje, deri kur të kemi besimin e popullit sovran dhe të qeverisim deri kur të kemi besimin e të paktën 71 ligjvënësve, të cilët e mishërojnë dhe ushtrojnë vullnetin e sovranit mes dy raundeve zgjedhore.
Ne kemi detyrën kushtetuese ta bëjmë këtë punë, pavarësisht nëse e kemi apo jo besimin e kujtdo qoftë tjetër, përfshirë dhe Presidentin e Republikës. Kushdo ka të drejtën e vet të mos na besojë, të na kritikojë, të hidhet edhe përpjetë kundër nesh, po të dojë, por ama askush tjetër, përveç popullit sovran, as e ka dhe as e merr dot të drejtën të na pengojë në ushtrimin e mandatit tonë kushtetues. Kjo vlen edhe për Presidentin e Republikës.
Kushtetuta i ka të përcaktuara një për një, e zeza mbi të bardhë, të 12 kompetencat e Presidentit të Republikës. Ndër to nuk figuron gjëkundi kompetenca e refuzimit të Kryeministrit, për sa kohë ky gëzon besimin e shumicës në Parlament dhe po njësoj, të ministrave që gëzojnë besimin e Kryeministrit. Është pak, por e sigurt që, nëse do të ekzistonte një kompetencë e tillë, qoftë dhe e fshehur nëpër rreshtat e atyre 12 kompetencave të shkruara qartësisht, nuk ka diskutim që paraardhësi i Ilir Metës nuk do e kishte lënë pa e zbuluar, edhe pse haptazi partiak, botërisht i njohur si artiljer i zellshëm i Partisë Demokratike, pasi e bombardoi me gjithë furinë e grykës së gojës, ministrin e propozuar prej meje, Presidenti i gjashtë i Republikës e firmosi dekretin për atë ministër, me duart e lidhura nga Kushtetuta e Shqipërisë.
Sepse Kushtetuta, ua ka thënë copë, në një nen të veçantë, të tërë presidentëve që janë betuar për të, se nuk mund të ushtrojnë asnjë kompetencë tjetër, përveç atyre që u njihen shprehimisht prej saj dhe u jepen me ligje të tjera, të nxjerra në pajtim me të. E pikërisht pse Kushtetuta nuk i njeh Presidentit të Republikës, as shprehimisht, as me nënkuptim, e lëre pastaj t’i ketë dhënë me ndonjë ligj të nxjerrë në pajtim me të, kompetencën për të refuzuar propozimet e Kryeministrit për anëtarët e kabinetit qeveritar, Presidenti Ilir Meta ka formuluar një letër refuzimi, pa asnjë referencë kushtetuese apo ligjore.
Ja letra që mua më ka mbërritur të shtunën mbrëma:
“Lënda: Kthim përgjigje mbi propozimin e emërimit të Zotit Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm.
Zoti Kryeministër, në përgjigje të shkresës suaj numër 494 datë 27.10.2018, lënda: “Propozim për emërim ministri”, nëpërmjet të cilës Zoti Sandër Lleshaj i propozohet Presidentit të Republikës për t’u emëruar Ministër i Brendshëm, dëshiroj t’ju bëj me dije se:
Presidenti i Republikës, në cilësinë edhe të Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në mbështetje të Kushtetutës, nuk krijoi bindjen e plotë për t’i dhënë besimin e tij kandidaturës së Zotit Sandër Lleshaj si Ministër i Brendshëm.”
Në mbështetje të Kushtetutës, por se ku është mbështetja, këtu nuk thuhet.
“Në këto kushte, Presidenti i Republikës, nuk mund t’i përgjigjet pozitivisht, propozimit tuaj për emërimin e Zotit Sandër Lleshaj në detyrën e Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë.
Me respekt Ilir Meta.”
Kjo është letra. Pra, Presidenti i Republikës nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin e tij kandidaturës së Sandër Lleshit për Ministër të Brendshëm, – në certifikatë kanë të njëjtën gjë, ky e ka Lleshaj, ai e ka Metaj – dhe prandaj nuk mund t’i përgjigjet pozitivisht propozimit tim.
Keqkuptimi i madh i Presidentit të Republikës është në faktin se unë nuk i kam propozuar atij një kandidat për ministër. Jo, unë Presidentit të Republikës i kam çuar dekretin për një ministër, jo për një kandidat. Ministër, të cilin, sipas Kushtetutës sonë, Presidenti nuk ka kompetencë ta refuzojë, por ka detyrën ta miratojë.
Presidenti i Republikës sonë parlamentare, përveç 12 kompetencave që Kushtetuta ia njeh shprehimisht dhe ligjet e nxjerra në pajtim me të, ia përkufizojnë qartësisht, ka edhe detyra siç kanë të gjithë subjektet e Kushtetutës. Ndër këto detyra është edhe detyra për të dekretuar qeverinë, si dhe çdo anëtar të saj, sipas kërkesës së Kryeministrit, madje brenda 7 ditësh me një dispozitë taksative. Nuk lë asnjë vend për interpretim.
Ndërkohë unë, sinqerisht nuk e kuptoj pse Presidenti i Republikës e ndjen të nevojshme të përsërisë, madje me deklaratë zyrtare, se ai nuk do të lejojë asnjë përpjekje për të sfiduar autoritetin e tij, sepse unë nuk e kam parë gjëkundi një përpjekje të tillë.
Ndërsa personalisht, jo vetëm që nuk di të kem bërë ndonjëherë ndonjë përpjekje për të sfiduar autoritetin e Presidentit të Republikës, por as në mendje nuk do ta çoja dot një akt kaq të padobishëm për njerëzit, për qeverinë, për mua vetë.
Natyrisht që të gjitha këto, unë ia kam thënë Presidentit të Republikës. Si zakonisht kemi pasur edhe pardje një shkëmbim të hapur pozitiv dhe në këndvështrimin tim konstruktiv, pavarësisht mosdakordësisë që kishim, vazhdojmë të kemi, lidhur me temën e ditës.
Edhe pse, siç e thashë më lart dhe siç e ka thënë dhe paraardhësi i Ilir Metës, kur me pahirin më të madh që historia e institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë ka njohur, ai firmosi dekretin e ish ministrit të Brendshëm për t’u dekretuar ministër, mjafton të plotësosh kriteret që duhen për t’u bërë deputet. Unë nuk pata megjithatë, e nuk kam as sot, asnjë objeksion pse për gjeneral Sandër Lleshin u kërkuan letra pastërtie si për asnjë ministër në historinë e republikës, në adresa të pavizituara ndonjëherë më parë nga postieri i Presidencës, madje e falënderoj edhe publikisht Presidentin për hulumtimin tejet skrupuloz të së kaluarës së largët e të afërt të ministrit të Brendshëm që ai la pa dekretuar, pavarësisht pastërtisë aq të stërvërtetuar të figurës së tij, sa një mendje e keqe mund të thotë, “ore, mos është pikërisht kjo pastërti kaq skëndërbegase që e shqetëson Ilir Metën?”
Por kjo nuk është mendja ime. Mua mendja ma thotë që kjo nuk mund të jetë e vërtetë. Nuk ka se si e ky duket hë për hë, si një keqkuptim i pafajshëm me Kushtetutën, në kërkim të një bindjeje të plotë, lidhur me ministrin e Brendshëm, në një moment kur gjendja e dëshpëruar e opozitës dhe humbja e plotë e qetësisë së saj e shqetëson me plotë të drejtë Presidentin e Republikës.
Koha e plotë që mori Presidenti, duke shfrytëzuar edhe minutat e fundit të shtatë ditëve me radhë dhe fakti që në këtë vend ku edhe xhamia futet në thes me kollajllëkun më të madh, apo prifti bëhet me barrë me lehtësinë më të pashoqe, për gjeneral Sandër Lleshin, as Kino-SHQUPI nuk prodhoi jo ndonjë video apo audio, por qoftë dhe ndonjë llaf të rëndë goje, për 7 ditë me radhë, – nuk janë pak, si fillim i mbarë për një ministër të Brendshëm.
Prandaj unë vetë nuk e kam humbur besimin se Presidenti i Republikës nuk e ka thënë akoma fjalën e fundit mbi këtë temë, edhe pse afati ka skaduar. Ashtu siç, nuk e kisha humbur besimin se një tjetër figurë e pastër, e kyçur prej një viti në sirtarin e propozimeve për Presidentin, Elidon Bendo do të dekretohej drejtor i Shërbimit Informativ, pavarësisht burimeve të sigurta të qimkave.net të kohës sonë plot llafe pazaresh të vjetra, të cilat i hedhin përditë kazanit mediatik thashetheme e hakërrima të supozuara presidenciale në 360 gradë.
Sot, Eldion Bendo u dekretua drejtor i SHISH dhe jo pse populli thotë më mirë vonë se kurrë, por sepse, realisht, çdo reflektim pozitiv është për t’u përshëndetur, aq më tepër kur reflekton institucioni i Presidentit të Republikës. Unë e përshëndes dekretin presidencial dhe i uroj përzemërsisht drejtorit të ri të Shërbimit të vijojë me sukses punën e nisur dhe ta çojë tani me shpejtësi përpara për reformimin e thellë të atij institucioni kyç për sigurinë tonë kombëtare.
Ky lajm i parë i mëngjesit të sotëm ma përforcoi shijen e mirë të takimit që pata me Presidentin, nga ku dola me ndjesinë pozitive të nevojës reciproke për mirëkuptim dhe për një zgjidhje konstruktive edhe pse është e qartë, nuk ishim aspak me një mendje dhe ende nuk jemi lidhur me arsyen e mos arsyes së dekretimit të Ministrit të Brendshëm.
Të njëjtën ndjesi pozitive pata edhe kur e lexova deklaratën e djeshme të Presidentit, pavarësisht mbylljes së dhimbshme të saj me atë shprehjen e bindjes “se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë.”
Në një tjetër kohë dhe vend nuk do e kisha mbytur dot brenda vetes replikën që më erdhi në majë të gjuhës për një mbyllje kaq të pazakontë për një deklaratë presidenciale. Nuk do kisha lënë po ashtu pa i komentuar edhe referencat e sforcuara që Presidenti i bën vetes si Komandant i Përgjithshëm, apo Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, qoftë tek letra e refuzimit, qoftë dhe deklaratën lidhur me takimin tonë shumë pozitiv.
Por kjo kohë dhe ky vend imponojnë përqendrim tek rrugëdalja nga situata e paprecedente që është krijuar prej refuzimit të paprecedent të Presidentit të Republikës për të firmosur dekretimin e një ministri.
Ky është një moment delikat, sepse është vënë në pikëpyetje një ekuilibër i rëndësishëm institucional i vendit. Uroj me gjithë zemër që e gjitha kjo të mos behet me një qëllim që shkon përtej dekretit për gjeneral Sandër Lleshin.
Këtë ia thashë dhe Presidentit, shumë sinqerisht. Por koha mos e sjelltë që të më duhet ta ndaj me shqiptarët përse po e bej këtë urim sot.
Unë e di shumë mirë, e dinë të gjithë, Shqipëria ka parë shumë më keq se kaq. Shqipëria ka parë kryeministra që talleshin publikisht me presidentët, apo i thoshin publikisht Presidentit “horr bulevardi”.
Shqipëria ka parë presidentë që nuk mblidhnin dot Këshillin e Sigurisë Kombëtare se nuk u shkonte kush në takim, apo që betoheshin me mustaqe para popullit sovran dhe pastaj shërbenin të rruar nën sqetullën e sovranit pa popull.
Ohu, sa ka parë dhe ka kaluar Shqipëria, krahasuar me këtë furtunën në gotën e besimit dhe të mosbesimit dhe të një ministri të Brendshëm që si asnjë paraardhës i tij disponon dhe certifikatën më të lartë të sigurisë së NATO-s, të quajtur TOP Cosmic! Por ne s’kemi qenë asnjëherë si ata që i detyruam të largoheshin nga pushteti para 5 vjetësh dhe as si ata që na detyruan t’i largojmë nga koalicioni para një viti. Dhe as nuk jemi dot ne, ata që krisjet i kthejmë në thyerje, paçka se kemi dhe ne tonat, nuk diskutohet dhe as që vihet në dyshim se ne nuk jemi pa të sharë.
Krisja në këtë rast nuk është personale, as politike.
Krisja është kushtetuese dhe ne jemi këtu, mishërimi i vullnetit të popullit sovran mes dy raundeve zgjedhore, do të bëjmë çmos në radhë të parë për ta ngjitur. Uroj të gjejmë edhe nga ana e Presidentit të Republikës dëshirën dhe durimin për të mos ta çuar krisjen në thyerje, që sigurisht nuk do të jetë fundi i botës, por patjetër është në të mirën e vendit dhe të gjithëve bashkë që ta shmangim. Është e shmangshme.
Është e qartë që, nëse Gjykata Kushtetuese nuk do të ishte në rindërtim për shkak të reformës së thellë dhe aq shumë të padëshiruar nga shumë të tjerë dhe jo nga Presidenti, në drejtësi, nuk do të ishim përpara kësaj vështirësie që saç është artificiale, është edhe serioze. Por fakti që mungon Gjykata Kushtetuese, fakti që punohet ditën dhe natën për ta bllokuar reformën në drejtësi, nuk është mungese e pakapërcyeshme për ne.
Ne duhet vetëm të kemi dëshirën për mirëkuptim dhe e kemi.
Durimin për t’i dhënë zgjidhjen, në radhë të parë me mirëkuptim dhe e kemi.
Vendosmërinë për të arritur qëllimin, që është baza e ekzistencës, mbrojta e Kushtetutës dhe e kemi.
Me këto të tria, mungesa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese është e kapërcyeshme, nëse dhe Presidentit të Republikës nuk do i mungojë qoftë njëra nga këto të tria, dëshira për mirëkuptim, – kjo krisje zhduket në pak kohë.
Sidoqoftë, ne do t’i bëjmë hyzmetin këtij procesi dhe do të vazhdojmë të komunikojmë me Presidentin në ditët në vijim.
Këtu kam një ndjese dhe realisht shumë ndjesë, Presidentit në radhë të parë, nëse çka do të sapo shtoj këtu në kllapa, është sajesë mediatike, por meqë më informuan dhe prapë e konfirmova sot, – duke qenë se vetë nuk i disponoj në ekranin e shtëpisë kanalet e klubeve mediatike të Shqipërisë, – që përmes një gazetari në një klub mbrëmë, shefi i kabinetit të Presidentit paska hedhur me SMS dorashkën presidenciale për t’ju drejtuar grupit tonë parlamentar, apo krejt Kuvendit nuk e di, me dyer të mbyllura, për të rrëfyer arsyen e vërtetë të mos dekretimit, – që mos o Zot, mos qoftë ajo që unë ende se besoj që ma kanë dëgjuar veshët në takimin me të, madje jam gati të pranoj që kam problem unë me veshët, para se të pranoj ma ka thënë Presidenti i Republikës mua atë arsye, në vendin ku unë jetoj me kujtimet dhe ëndrrat e mia, – mirë se të vijë Zoti President dhe të na rrëfejë me dyer të mbyllura, apo të hapura, vetëm me ne, apo bashkë me gjysmën e familjes sonë politike, këtu në Parlament, gjithçka që e ka mbajtur përbrenda, me shumë gjasë pa arritur të ma thotë dot as mua në sy.
Por mos qoftë ajo që më kanë thënë mua, larg qoftë! Se çdo gjë mund ta përballoj, por një President qesharak për atdheun tim nuk mund të përballoj dot.
Të dashura kolege dhe të dashur kolegë,
Më vjen mirë që ne këtu kemi dakordësi të plotë në këtë moment, kur dëshira për mirëkuptim shumëkujt i ngjan si dobësi, durimi për të gjetur një zgjidhje shumëkujt i ngjan si pamundësi, vendosmëria në arritjen e qëllimit shumëkujt mund t’i ngjajë si vetëngushëllim, përsa kohë Presidenti i papranueshëm për ne qëndron përballë nesh si fakt i kryer. Por më besoni që nuk është kështu.
Koha më ka mësuar që unë të mos e them fjalën e fundit të parën dhe vendi më kanë mësuar që ta respektoj radhën e lëvizjes.
Sot le të votojmë shkarkimin e Fatmir Xhafës, të cilin unë e falënderoj edhe një herë për kontributin që dha. Më pas do të vendosim në qeveri ministrin e Brendshëm, të refuzuar nga Presidenti për dekretim, natyrisht në drejtimin e Ministrisë së Brendshme si zëvendësministër dhe do t’i japim ca ditë kohë, jo vetëm Presidentit të Republikës që ta bluajë këtë çështje dhe të punojë për të krijuar bindje të plotë, por dhe vetes për të hedhur hapin tjetër.
Dua ta mbyll fjalën time para jush, duke ju falënderuar ju dhe të gjithë ata, të njohur dhe të panjohur, që brenda vendit dhe jashtë vendit, përmes mesazheve të panumërta dhe të një lumi të pafundmë komentesh në rrjetet sociale e kanë shprehur me një forcë të madhe mbështetjen për gjeneralin, që nga sot do të drejtojë punët e brendshme të Shqipërisë.
Kam shumë besim se jo vetëm nuk do të zhgënjejë askënd në punën e tij, por dhe do të japë një shtysë të fortë dhe të domosdoshme përpara punëve të brendshme.
Shtatë ditët e pamjaftueshme që Presidenti mori për të krijuar bindjen e tij, mua më tepruan për të konsoliduar më tej bindjen time se gjeneral Sandër Lleshi, në krye të punëve të brendshme është njeriu i duhur, që vjen në kohën e duhur dhe gjendet në vendin e duhur, si përfaqësues i shumicës së duhur, sot dhe nesër të Republikës së Shqipërisë
Ju faleminderit!