Niko Ahmeti dhe familja e tij, këtë prag dimri janë të zotët e një shtëpie të re, komode, të ndriçuar nga energjia elektrike, shumë larg asaj rrënoje ku jetuan për vite të tëra, në errësirë të plotë, që tashmë ka mbetur vetëm në kujtesën e tyre.
Banesa e rindërtuar nga themelet, në fshatin Vajzë të Vlorës, megjithëse në një zonë të izoluar, rreth 2 kilometra larg rrjetit më të afërt energjitik, sot ka gjithçka që i duhet një familjeje për të jetuar normalisht të përditshmen e saj.
Vizitorët e parë që uruan Nikon, bashkëshorten dhe fëmijët e tij për shtëpinë e re ishin kryeministri Edi Rama, sëbashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri.
Gjatë vizitës së parë, që bëri në shtëpinë e Nikos, Kryeministri u premtoi se do të bëhej i mundur furnizimi me energji elektrike dhe se djemve do t’u mundësohej ndjekja e kurseve profesionale në zanatet që ata do dëshironin, në mënyrë që të kenë një profesion me të cilin mund të jetojnë mirë e të mbështesin familjen. Për fat të keq, të tre djemtë e tij, pavarësisht dëshirës së madhe për t’u shkolluar nuk e patën kurrë këtë mundësi.
Sot, këto premtime janë realitet.
“Shtëpia është shumë e izoluar nga pjesa tjetër. U bë një linjë e dedikuar që nuk ishte më parë, por ja që u zgjidh”, – tha Kryeministri. Ndërkohë që ministri Gjiknuri vlerësoi zanatet, të cilat kanë zgjedhur djemtë, “Janë zanate të mira me të cilat jeton mirë, se për hidraulikë dhe elektricistë ka nevojë vendi”, tha ai.
Në shtëpinë e Niko Ahmetit, të gjithë ndihen mirë në këtë fillim të ri.