Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me drejtues të Policisë së Shtetit:

 

Shumë të nderuar drejtues të Policisë së Shtetit,

Zoti Drejtor i Përgjithshëm,

Kryetar i Komisionit të Sigurisë dhe anëtarë të këtij Komisioni,

Zoti Ministër!

Kam kënaqësinë dhe nderin të jem sot, këtu, për t’i uruar punën më të mbarë ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe për t’ju uruar të gjithëve një vazhdim sa më të mbarë dhe sa më të suksesshëm të një pune të madhe, të nisur 3 vjet e gjysmë më parë nga një pikë kritike për Policinë e Shtetit, për të ardhur sot në një pikë ku shumë është bërë, por më shumë mbetet për t’u bërë.

Asnjëherë nuk mund të harrojnë se 3 vjet e gjysmë më parë, Policia e Shtetit ishte një institucion po aq i pabesueshëm për opinionin publik, sa edhe gjykatat e prokuroria.

Pas 3 vjet e gjysmë, bazuar jo në opinionin tonë, por në anketimet profesionale të Komisionit Europian, Policia e Shtetit është sot institucioni më i besueshëm në opinionin publik.

Rritja e besueshmërisë së kësaj strukture jetike për shtetin e të drejtës dhe në rrugën tonë për të bërë shtet dëshmohet në shumë drejtime, duke filluar nga rritja eksponenciale e numrit të telefonatave në drejtim të emergjencave kombëtare, numri unik 112, apo rritja e vazhdueshme e shkarkimeve dhe raportimeve në aplikacionin e Komisariatit Dixhital.

Ajo që është motiv krenarie dhe kënaqësie për të vazhduar më tutje, me edhe më shumë vendosmëri, është reagimi gjithmonë e më pozitiv i qytetarëve, pas telefonatave dhe denoncimeve të tyre për shkelje të rregullave të bashkëjetesës apo të ligjit përmes Komisariatit Dixhital. Një histori suksesi që duhet të vazhdojë, si shprehja më kuptimplotë e faktit se Policia e Shtetit mbështetet te qytetarët, u shërben qytetarëve dhe bashkë me qytetarët vazhdon përpjekjen për të bërë shtet.

Sfidat janë të mëdha dhe jo të panjohura, duke filluar nga sfida për një përshkallëzim të thellë dhe të mëtejshëm të luftës kundër kultivimit të kanabisit. Pas shkatërrimit të “republikës së turpit” në Lazarat dhe rezultateve jashtëzakonisht kuptimplota dhe inkurajuese kundër kultivimit të kanabisit në këtë periudhë, ne kemi të gjitha arsyet ta konsiderojmë vitin 2017 si vitin që i vë kapak kësaj historie të gjatë. Histori që nuk filloi në 2013-ën, i ka rrënjët larg në të shkuarën, por që në 2017-ën janë të gjitha premisat që të ketë dhe epilogun e saj.

Puna e nisur këtë vit, me kontrolle të imta e të vazhdueshme në të gjithë territorin për të parandaluar mbjelljen dhe kultivimin e mëtejshëm të kanabisit, duke përfshirë dhe struktura të tjera shtetërore në kuadrin e Planit të ri Kombëtar kundër kanabisit, si dhe zbritja deri në përgjegjësi personale për çdo punonjës policie për çdo rrënjë të kultivuar, përbën një bazë inkurajuese, që në vjeshtën e këtij viti të dalim krenarë përballë popullit dhe partnerëve ndërkombëtarë dhe t’i japim Shqipërisë një notë shumë pozitive në raport me këtë fenomen të trashëguar nga e shkuara dhe të zhvilluar në vite.

Sot, Policia e Shtetit është në kontroll të plotë të territorit edhe përsa i përket ndërtimeve pa leje, prerjes së pyjeve dhe vazhdimit të punës së përbashkët me strukturat e tjera të shtetit, për të mos lejuar abuzimet me pasuritë e përbashkëta të energjisë dhe të ujit. Por edhe në këtë aspekt ka ende shumë për të bërë, sidomos për të vazhduar e për të mos lejuar në këtë fazë që politikisht krijon hapësira për spekulime dhe abuzime, për shkak të zgjedhjeve, qoftë ndërtime pa leje, qoftë prerje pyjesh, apo të tjera shfaqje abuzive që vijnë si inerci e të shkuarës.

Një shifër shumë inkurajuese, për të parë përpara me edhe më shumë kurajo, edhe më shumë vendosmëri dhe më shumë optimizëm, është sekuestrimi i rreth 100 milionë euro pasuri kriminale, krahasuar me vitin e mëparshëm, përpara sesa ne të hynim në këtë rrugë të re për të bërë shtet, ku u sekuestrua vetëm 1 milionë euro pasuri kriminale.

Nuk ka diskutim se në këto 3 vite e gjysmë, Shqipëria ka shënuar një ulje historike të  vrasjeve, krahasuar me 25 vjet me radhë. Kjo falë edhe punës parandaluese të Policisë së Shtetit që trajton në kohë, me përgjegjshmëri, konflikte që pengojnë degradimin e mëtejshëm të tyre në vetëgjyqësi. Zero vrasje për gjakmarrje në 3 vitet e fundit përbën një tjetër arsye për të qenë krenarë dhe për të qenë optimistë se shumë ende mund të bëjmë.

Sigurisht parandalimi nuk përbën lajm. Vrasja përbën lajm. Ato që janë ndaluar të ndodhin, janë pjesë e punës suaj dhe bazë për analizat tuaja, por, në fund të ditës, puna juaj matet me atë që ndodh në sytë e publikut.

Jam i bindur që ministri i ri do të vazhdojë me kompetencë të lartë profesionale dhe vullnet të palëkundur, një proces reformimi tërësor të Policisë së Shtetit, ku si kryetar i Komisionit të Ligjeve ka qenë një pikë e fortë mbështetjeje e qeverisë sonë, sëbashku me kryetarin e Komisionit të Sigurisë dhe anëtarët e Komisionit të Sigurisë, që janë mbështetja kryesore e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme në procesin e reformimit, përmes, deri tani, miratimit të 13 ligjeve që reformojnë sektorin e sigurisë për Policinë e Shtetit, për Shërbimet, Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, për shërbimin privat të sigurisë fizike, për armët, për azilin dhe me radhë.

Marrëdhënia e re dhe funksionale me Parlamentin, pas hyrjen në një fazë ku ligj nuk është më tesera partiake, është një marrëdhënie që pa diskutim do të vazhdojë.

Jam i bindur që ministri i ri do të përforcojë në mënyrë të konsiderueshme aspektin e rëndësishëm të vijimit të një reforme modernizimi në Policinë e Shtetit. Zyrat unike në shkallë vendi, ku ofrohen 75 shërbime në një sportel të vetëm, janë një risi dhe një bazë për transformim në mendësi të marrëdhënieve të Policisë së Shtetit me qytetarët. Ministria e Brendshme mbetet kampione në revolucionin teknologjik. Përmes projekteve të transformimit teknologjik dhe risive teknologjike, si kamerat e  trupit apo komisariati dixhital, për transparencë të shërbimeve dhe garanci konkurrueshmërie, Ministria e Brendshme ka sot, jo vetëm të drejtën që të ndihet krenare për sa është bërë, por edhe detyrimin që të bëjë ende më shumë në këtë aspekt.

Fakti që është në krye të listës, bazuar në analizën e fundit që ne i kemi bërë këtij sektori të transformimit teknologjik, e bën Ministrinë e Brendshme një lider në procesin e inovacionit dhe i jep Policisë së Shtetit instrumente të rinj, shumë efikase, për ta bërë punën e saj me shumë më tepër rezultat, duke shpenzuar shumë më pak energji fizike në territor.

Sfida për ta rinuar Policinë e Shtetit është e hapur. Sfida për të rritur nivelin e arsimimit të Policisë së Shtetit është e hapur. Mos harrojmë që trashëguam policinë më të vjetër dhe më të paarsimuar në rajon, pa hyrë në krahasimin me Bashkimin Europian. Sot kemi një rritje 33% të numrit të punonjësve me arsim të lartë. Nuk mjafton.

Sot kemi 1500 studentë të pranuar në 3 vitet e fundit në Akademinë e rilindur të Policisë së Shtetit. Nuk mjaftojnë, sepse ndërkohë kemi hesape ende të pambyllura me një të shkuar, ku në 10 vjet nuk u formua asnjë oficer policie.

Po diskutonim me Drejtorin e Përgjithshëm dhe shifrat e tij, në aspekt të boshllëkut që është ende për t’u mbushur, janë shumë shqetësuese. Duhet të ecim shumë më shpejt në këtë drejtim. Ministri i ri do të fokusohet në mënyrë të posaçme tek Akademia e Policisë, për t’i dhënë të gjithë mbështetjen logjistike dhe financiare dhe për të kërkuar një rritje të mëtejshme të nivelit të mësimdhënies dhe të trajnimit të oficerëve të rinj të policisë.

Një histori suksesi e njohur botërisht është Polica Rrugore, përmes një transformimi jo vetëm në dukje, por edhe në sjellje dhe në rezultate, që duhet të vijojë. Fushatat ndërgjegjësuese dhe ashpërsimi i masave ndëshkuese për shkeljet e rregullave të sigurisë kanë dhënë rezultate inkurajuese. Kjo duhet të vijojë jo vetëm me fushata, por edhe me rezultate të mëtejshme që me të drejtë priten nga aplikimi i gjobës progresive, si dhe ndryshimet që do t’i bëhen Kodit Rrugor për të ashpërsuar masat për përdoruesit e telefonit në timon, apo të tjera aspekte dhe për t’i njehsuar të gjitha këto masa me legjislacionin e Bashkimit Europian, ku lodrat me makina janë jo vetëm të ndaluara, por të ndëshkueshme shumë rëndë.

Kemi një histori suksesi që duhet të vazhdojë me rikthimin e besimit të agjencive ndërkombëtare ligjzbatuese tek Policia jonë e Shtetit dhe me përmirësimin e shkëmbimit të informacionit. Numri i informacioneve të shkëmbyera është i jashtëzakonshëm, nëse e krahasojmë me 3 vjet e gjysmë më parë. Edhe bashkëpunimi ndërkufitar i Shqipërisë me Kosovën apo Malin e Zi cilësohet jo prej nesh, por prej partnerëve tanë, si bashkëpunimi më shembullor në rajon. Ashtu sikundër mund të cilësohet i përmirësuar ndjeshëm, edhe bashkëpunimi me Greqinë, Italinë, Maqedoninë. Por ka ende shumë për të bërë.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i punës së Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit është përshkallëzimi profesional dhe i inteligjencës së rritur kundër radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, si pasojë e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, në kuadër të angazhimit tonë solemn si anëtarë të koalicionit kundër ISIS dhe gjithë shfaqjeve e formave të tjera të terrorizmit, që në kuadër të sigurisë rajonale ka pasur një vlerësim të lartë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, qoftë për ndryshimet e bëra në kuadrin ligjor, qoftë për procedimet penale, qoftë për rezultate në bashkëpunim me partnerët e rajonit.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Shqipërinë një aleat shumë të rëndësishëm në këtë betejë dhe një aktor me rëndësi themelore për rajonin kundër rrjeteve rekrutuese të luftëtarëve të huaj, qoftë në Republikën e Shqipërisë, qoftë më gjerë në rajon.

Dolëm nga lista e zezë e Departamentit të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore dhe trajtimin e viktimave të trafikimit, por edhe në këtë aspekt, sfida nuk është mbyllur. Është e hapur. Duhet të vazhdomë punën me seriozitet dhe vendosmëri.

Nuk ka qenë e rastësishme, përkundrazi ka qenë një qasje shumë e qartë dhe e vendosur e politikës së qeverisë, rritja e pagave të Policisë së Shtetit, rritja e vëmendjes ndaj trupave të saj në aspekte të shërbimit shëndetësor dhe të sigurimeve.

45% janë rritur pagat e Policisë së Shtetit, në këto 3 vjet e gjysmë. Qeveria ka vendosur të marrë përsipër zhdëmtimin e pasurisë së çdo punonjësi policie, nëse ajo dëmtohet për shkak të detyrës.

Nëse në 8 vite që pararendën ardhjen tonë në detyrë, pagat e policisë ishin ulur dy herë dhe për më shumë se dy vjet nuk morën shpërblimet për orët jashtë orarit, sot, kjo është një histori që i përket të shkuarës. Ne, nderimin tonë për sakrificën e çdo punonjësi policie dhe për rezultatet e Policisë së Shtetit e kemi treguar dhe do vazhdojmë ta tregojmë vendosmërisht, duke siguruar që kjo polici të jetë policia më e mirëpaguar në rajon dhe prej saj të kërkojmë të kthehet në policinë më shembullore të rajonit. Kjo është plotësisht e mundur, për të shkuar drejt objektivit që e kemi shprehur publikisht, në 8 vjet, domethënë na mbeten dhe katër, Policia e Shtetit të jetë mbi mesataren e policive të Bashkimit Europian.

Nga pikëpamja e infrastrukturës është bërë shumë. Ju e dini këtë, sepse punoni me automjete të reja, me motorë të rinj e kështu me radhë, por jemi të vetëdijshëm se më shumë duhet të bëhet. Mezi pres të jemi sëbashku me ministrin dhe Drejtorin e Përgjithshme në repartin e ri të forcave speciale RENEA, që më në fund do kenë një shtëpi të tyre, siç e meritojnë për gjithçka i kanë dhënë dhe gjithçka i japin popullit dhe vendit në fushën e sigurisë.

Ajo që ka qenë deviza e ministrit Tahiri mbetet deviza e ministrit Xhafaj: lufta kundër korrupsionit, në të cilën policia duhet të jetë gjithmonë e më e angazhuar, nis çdo ditë nga vetja. Zbatimi i ligjit dhe ndëshkimi i sjelljeve abuzive të të gjitha niveleve fillon në Policinë e Shtetit nga vetja. Ndëshkimi penal apo disiplinor i mbi 25% të trupës policore, duke filluat nga viti i parë i detyrës së ministrit Tahiri, është një shembull pozitiv që duhet të vazhdojë. Nuk mund të ketë vend në Policinë e Shtetit për punonjës që shkelin ligjin, apo abuzojnë me uniformën e policit të shtetit, për punonjës që ndërveprojnë me ata, të cilët Policia e Shtetit ka detyrë t’i luftojë, t’i arrestojë dhe t’i çojë përpara organeve të drejtësisë. Në këtë aspekt ka një bazë shumë solide, por ka ende shumë për të bërë.

Ka ende shumë për të bërë që jo shkeljet e ligjit, por edhe shkeljet e etikës në komunikim të policëve të shtetit me qytetarët të mbeten histori dhe mos jenë aktualitet në asnjë cep të Shqipërisë ku qytetari duhet të flasë me policin, apo polici me qytetarin. Funksionimi i numrit falas për të denoncuar sjelljet abuzive të punonjësve të policisë, apo afishimi i numrit të ministrit në çdo rajon policie apo pike kufitare kanë dhënë rezultatet e para, por duhet të vazhdojnë të japin rezultate të tjera.

Më lejoni që përpara jush, edhe një herë t’i shpreh të gjithë mirënjohjen, respektin, vlerësimin, ministrit paraardhës, për gjithçka bëri sëbashku me ju. Njëkohësisht t’ju shpreh bindjen më të thellë se ministri i ri i Brendshëm, bashkë me ju do ta çojë përpara, me rezultate të reja, me arritje të qëndrueshme dhe me një vijë të palëkundur suksesi, punën që kemi nisur tre vite e gjysmë më parë. Jam i bindur se ministri Xhafaj sjell në këtë institucion eksperiencë, profesionalizëm, integritet dhe një sens shumë të spikatur të respektit për çdo punonjës, por edhe të disiplinës së hekurt në funksionimin e gjithë zinxhirit të komandës në Policinë e Shtetit.

Jam i bindur po ashtu se, siç ka filluar fuqizimi i rolit të Drejtorit të Përgjithshëm dhe drejtorëve të tjerë, duke i konsideruar dhe respektuar si profesionistë, do të vazhdojë dhe procesi i ndërveprimit mes ministrit, ekipit politik dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit do të çojë më tutje një proces, ku ne duam që Policia e Shtetit të bëhet e paprekshme në autoritetin e punën e saj dhe në karrierën e secilit nga çdo ndryshim politik. Nuk flas për ndryshimin brenda për brenda një force politike, por flas për ndryshimin në perspektivë të forcave politike në qeveri.

Shumë respekt!

Punë të mbarë dhe suksese ministrit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.