Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në lançimin e projektit të Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Tiranë, për ndërtimin e shkollave të reja në kryeqytet:

Më vjen shumë mirë, që sot jemi në një moment si ky, ku materializohet një fazë e gjatë përgatitore dhe çelet rruga për një ndër kantieret më të rëndësishëm të programit tonë të “Rilindjes urbane”, ai i ndërtimit të 20 shkollave të reja. 20 shkolla që do të bëjnë më në fund diferencën, pas 25 vitesh vështirësi prej mbipopullimit dhe mbingarkesës që natyrisht kanë cenuar jo pak cilësinë e jetës dhe të mësimit  për shumë fëmijë, që tanimë  janë të rritur.

Më vjen mirë që me Bashkinë e Tiranës, sot lançojmë një projekt që është edhe një model i parë i projekteve të programit tonë “1 miliardë dollarë për rindërtim”.

“1 miliardë për rindërtim” është një program që do të bëjë të mundur realizimin në një kohë shumë të shkurtër të atyre veprave, që përndryshe  do të donin një kohë të gjatë, si pasojë e pamundësisë së  arkës së shtetit  për t’i financuar. Një program që do të sjellë shumë afër të ardhmen, në raport me disa nevoja jetësore, shumë të rëndësishme, për infrastrukturë arsimore, për infrastrukturë shëndetësore, për infrastrukturë rrugore të niveleve të ndryshme. Nga ana tjetër do t’i japë një shtysë të jashtëzakonshme ekonomisë dhe punësimit.

Ajo që ne bëjmë dhe që sot Bashkia e Tiranës prezanton si dallëndyshja e parë, – siç i takon të jetë – që lajmëron një stinë të re transformimesh të mëdha, jo vetëm infrastrukturore, por edhe ekomomike e sociale, është një ndërveprim intesiv me sipërmarrjen dhe bankat. Një ndërveprim për të siguruar që me të njëjtat para që buxheti i shtetit do të investonte në 20 vitet e ardhshme, – sepse aq janë mundësitë për të ndërtuar në këtë rast, 20 shkolla të reja, Bashkia e Tiranës, – të mund të ndërtohen këto 20 shkolla të reja dhe në vitet e ardhshme, buxheti të financojë shlyerjen e këtij investimi.

Ky program vjen si rezultat i nevojës për të përshpejtuar ritmin e ndryshimit, për të përshpejtuar ecjen tonë në rrugën e rilindjes së të gjithë sektorëve dhe për të përshpejtuar në raport me një nevojë, që nuk është e tillë që mund të shtyhet për nesër, të fëmijëve për të marrë sot, mësimin cilësor dhe për të pasur sot, një shkollë të denjë, me hapësira dhe mundësi që duhet të jenë të barabarta në akses për të gjithë fëmijët  e Tiranës. Jo vetëm ata që vijnë tek “Fan Noli”, apo ata që mund të shkojnë tek “Ismail Qemali”, “Qemal Stafa” apo  “Petro Nini” e disa të tjera, por të gjithë sëbashku.

Në këtë aspekt, ky moment ka një rëndësi të madhe për të çelur kantieret e tjera. Janë 150 shkolla, prej të cilave 53 do të ndërtohen të reja, aty ku nuk ekzistojnë dhe 97 do të  rindërtohen nga themeli  në zonat e tjera të vendit. Plus 20 shkollat e reja të Tiranës, janë 170 shkolla që janë në listën e nevojave të Ministrisë së Arsimit prej kush e di sa vitesh dhe që janë në kërkesat e përsëritura të njësive vendore prej  kush e di sa vitesh, të cilat me këtë program do bëhen realitet. Do bëhet realitet edhe ëndrra, ambicia e dëshira e kaq  shumë prindërve  dhe e kaq shumë fëmijëve, që të kenë akses të njëjtë në arsim, përsa i përket standardëve, siç kanë ata që i kanë tanimë mjediset e kushtet e nevojshme.

Edhe për shkollat që janë në aktivitet të plotë do të bëhet realitet, më në fund, çlirimi nga turni i dytë dhe harmonizimi i të vetmit turn mësimi me turnin tjetër të aktiviteteve të shkollës si qendër komunitare. Ne kemi parë që shkolla qendër komunitare është një histori suksesi. Unë do ta quaj histori suksesi për nga sa shumë tregon për mundësitë, sesa shumë arrin të realizojë ende, pikërisht sepse ka plot shkolla qendra komunitare që duhet të çlirohen nga stresi i mbipopullimit dhe duhet të kenë plotësisht në dispozicion për orët e pasdites, të gjithë hapësirat e tyre, në mënyre që të funksionojnë ashtu siç duhet si  qendra komunitare.

Kjo shkon më së miri, paralelisht, edhe me kthimin e Bashkisë së Tiranës në drejtimin e  duhur, duke shpenzuar gjysmë milionë euro në vit për nxënësit me notat 10-të . Një praktikë që u tret gjatë 4 viteve, kur Bashkia e Tiranës u kthye në një fjetore dhe ku kriteri kryesor ishte kush gërhet më fortë sesa i pari i shtëpisë dhe të gjithë sëbashku mund të krijonin një kor gërhimash, që në momente stresi përktheheshin në ulërima. E faktikisht për 4 vjet,  nxënësit me 10-ta humbën bursën. Një bursë që edhe financiarisht nuk është pak, për të plotësuar nevojat e këtyre fëmijëve të shkëlqyer për libra, apo për argëtimet e tyre të veçanta, por mbi të gjitha është shprehje respekti e qytetit, e komunitetit për këta fëmijë shembullorë, të cilët, besoj unë nga eksperienca ime, duhet t’i shërbejnë si shembull çdo kryetari bashkie. Mesa duket, kjo ishte edhe një nga arsyet që iu hoq bursa, sepse shembulli i të shkëlqyerve e streson shumë gjumin.

Me shumë rëndësi është fakti që Bashkia e Tiranës ka rikthyer edhe çekun e bebes. Edhe kjo një praktikë që ne aplikuam në  atë kohë për të  gjithë  të sapolindurit në Tiranë dhe që u hoq në 4 vitet e shkuara.

I them këto për të rinënvizuar vlerën e zgjedhjes, vlerën e votës. Rëndom njerëzit diskutojnë nëse ia vlen apo jo të votosh, sepse rëndom përsëritet lajtmotivi që “se votove, se nuk votove”, në fund fare, të gjithë janë njësoj, asgjë nuk ndryshon. Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Natyrisht, të gjithë njësoj jemi në kuptimin që kemi dy këmbë, dy duar, dy sy, edhe pse gjatësi të ndryshme. Përtej kësaj nuk mund të quhet njësoj një situatë si kjo në Tiranën e sotme, ku çdo ditë punohet në çdo drejtim dhe çdo ditë hidhet një hap në çdo sektor, me Tiranën e para kësaj periudhe rizgjimi. Me atë Tiranë, kur jo vetëm nuk punohej, por ndjehej pesha e madhe e një rrënimi të përditshëm dhe e një braktisjeje të qytetarëve dhe e problemeve, që nuk mund të braktisen, por duhet të përballen dhe të zgjidhen.

Unë jam i bindur që shumë shpejt, ne do të jemi përpara komunitetit ku do të çelen dyert e shkollave të para të reja. Po ashtu jam i bindur që ky program për Tiranën do të sjellë një impakt të madh ekonomik dhe social dhe për Shqipërinë do bëjë që në 2 deri në 3 vitet e ardhshme, rritja jonë ekonomike të dyfishohet. Çka do të thotë se nga një rritje ekonomike që sot është shumë domethënëse, 3 – 3.5%, nëse llogarisim që u nisëm nga një situatë ku ishim midis zeros dhe  1%, por që nuk ndjehet aq sa duhet në tryezën familjare të njerëzve të zakonshëm, shkojmë në një rritje 6 e më shumë %, por së paku duke kaluar në nivelin e 5 %-it, dihet botërisht se mund të kalohet çdo prag, në çdo shtresë dhe aksesi në rritjen ekonomike kthehet në një akses që iu vlen të gjithëve.

Ky program do të vazhdojë në arsim me të gjitha zonat e tjera të vendit, sipas nevojave të identifikuara nga Ministria  e Arsimit, në bashkëpunim me bashkitë e reja. Do të vazhdojë me qendrat shëndetësore të ekselencës dhe me një spital të ri rajonal që është i domosdoshëm, jo thjeshtë për zonën  poshtë të Fierit dhe më gjerë, por në rang kombëtar, si dhe me disa vepra shumë të rëndësishme në infrastrukturë, që do t’i shërbejnë qarkullimit në nivel kombëtar, do t’i shërbejnë zonave me prioritet zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë rurale në zonat e zhvillimit intensiv të bujqësisë.

Kjo është hera e tretë që unë vij tek shkolla “Fan Noli”. Herën e parë kam ardhur kur kemi sistemuar këto fusha ku jemi sot. Herën e dytë kur erdha, fushat nuk ishin në gjendje të mirë, se askush nuk merrej me to. Sot po i shoh të transformuara për mirë, edhe të mbuluara. Kështu që do të mjaftonin tre fotografi të këtyre dy fushave, si u bënë, si u harruan dhe si u rikthyen edhe më të bukura, edhe më mikpritëse sesa ishin kur u bënë, për të kuptuar që jo të gjithë janë njësoj dhe madje është e domosdoshme që mes atyre që s’janë njësoj, të zgjedhësh ata që duhet.

Faleminderit!

* * *

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj,  nënshkruan sot, në prani të Kryeministrit Edi Rama, marrëveshjen e bashkëpunimit, e cila mundëson ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet, të cilat do t’i shtohen edhe 3 shkollave të tjera të reja në proces ndërtimi, duke e çuar në 20 numrin e tyre.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se finalizimi i këtij projekti do t’i japë nxënësve të Tiranës kushtet më të mira për të mësuar dhe zhvilluar dijet e tyre. Ai theksoi se ky projekt është në një vijë me programin e qeverisë “1 miliardë dollarë për rindërtim”.

Krahas 20 shkollave në Tiranë, janë 150 shkolla, prej të cilave 53 do të ndërtohen të reja dhe 97 do të  rindërtohen në themele  në zonat e tjera të vendit. Standardet për planifikimin e shkollave të reja kanë marrë parasysh numrin e shkollave në bazë të popullsisë, rrezen e mbulimit si dhe numrin e nxënësve për klasë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.