Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e Raportit për Shqipërinë të vlerësimit të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, i Këshillit të Europës:
Më vjen shumë mirë që sot kemi mundësinë të kemi mes nesh shefin e MoneyVal, i cili vjen në Shqipëri si Kryetar i Komitetit të ekspertëve për vlerësimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, për të prezantuar për të gjithë ju dhe publikun, raportin më të fundit të vlerësimit për vendin tonë, publikuar nga ky Komitet, i njohur gjerësisht si Komiteti MoneyVal i Këshillit të Europës.
MoneyVal është një trupë e përhershmen monitoruese, të cilës i është besuar detyra e vlerësimit të përputhshmërisë së sistemit ligjor të një shteti me standarde ndërkombëtare në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, vlerësimi i efektivitetit në implementimin e kësaj baze ligjore, si dhe detyra për të lënë rekomandime për autoritetet shtetërore, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të sistemit parandalues dhe luftues ndaj këtyre fenomeneve.
Më vjen mirë të nënvizoj se Shqipëria vjen nga një proces i nisur prej shumë kohësh, por i thelluar në mënyrë të konsiderueshme për fazën kur na u desh si fillim të dilnim nga lista e vendeve problematike ku e gjetëm Shqipërinë në kohën e marrjes së detyrës sonë dhe nga ana tjetër, një proces që kërkon ushtrimin më të komplikuar dhe më të vështirë për çdo vend, por sidomos për një vend si i yni, – ushtrimin e bashkëpunimit intensiv të të gjitha autoriteteve, autoriteteve të lidhura drejtpërdrejtë me pushtetin ekzekutiv dhe autoriteteve të pavarura të sektorit privat dhe vetë grupit vlerësues të përbërë nga 9 ekspertë ndërkombëtare të fushës, të cilët përveç ekzaminimit të detajuar të bazës ligjore dhe rregullatore dhe mbledhjes së informacionit nga burime të pavarura alternative, bëjnë takime, vizita, intervista individuale me përfaqësues të sektorit publik dhe privat.
Është një punë mjaft voluminoze, një proces kompleks dhe raporti vjen si një rezultat i skanimit me shumë profesionalizëm dhe me një sy thellësisht kritik të çdo detaji të kapshëm apo të pakapshëm me sy të lirë, nëse mund ta them të sistemit tonë, por është shumë e rëndësishme të theksohet dhe besoj që Kryetari i Komitetit do ta theksojë edhe vetë, në bazë të një metodologjie të re, e cila është më shtrënguese sesa metodologjia e përdorur më parë për listimin e vendeve.
Ajo që ne na intereson janë rekomandimet përkatëse për vendin tonë. Më lejoni të nënvizoj atë çka ma he mendja është e rëndësishme edhe për publikun, në mënyrë që mesazhi të kalojë sa më qartë, pasi në ndërkohë artikulohen dhe konsumohen lloj-lloj teorish dhe teoremash konspirative. Është folur prej shumë kohësh dhe po ashtu është shpifur kaq shumë për luftën e qeverisë ndaj pastrimit të parave, në veçanti për këtë vlerësim, ku janë shitur dhe si zbulime investigative ekskluzive, copëza letrash e dokumentesh të nxjerra nga materiale krejtësisht të rëndomta, pa u kuptuar, ose duke u kuptuar, por duke u shitur për të krijuar keqkuptime, sa që ky raport vjen vërtetë në kohën e duhur si një dokument që vlerëson me objektivitet përputhshmërinë teknike dhe efektivitetin e luftës sonë kundër pastrimit të parave, që duke u krahasuar me vlerësimin e mëparshëm të bërë nga po ky Komitet, por dhe krahasuar me vendet e rajonit apo edhe të BE-së të vlerësuara së fundmi, na vendos në një pozicion mjaftueshmërisht të mirë për të qenë krenarë për punën që kemi bërë. Njëkohësisht na jep të gjithë arsyet pse puna e bërë është e pamjaftueshme për të vazhduar më tej dhe për të garantuar që në metodologjinë e re shumë rigoroze, Shqipëria të mund të përputhë të gjitha nevojat me kapacitetet për t’i përballur këto nevoja.
Më lejoni t’ju kujtoj se në përfundim të vlerësimit në vitin 2011, vendi ynë përfundoi në të ashtuquajturën “listë gri”, listë problematike, duke u konsideruar si një vend me risk shumë të lartë për pastrim parash dhe financim terrorizmi, nga ku dolëm në vitin 2015, në sajë të punës sonë intensive. Por thënë kjo, është shumë e rëndësishme të theksohet po ashtu, që në vitin 2015 kur është bërë dhe vlerësimi, baza ligjore ka qenë elementi themelor i vlerësimit. Vlerësimi në metodologjinë e re është shumë i lidhur me zbatueshmërinë e bazës ligjore që përbën dhe sfidën e gjithë institucioneve këtu të pranishme, si një sfidë më vete, por dhe si një sfidë e përbashkët për të koordinuar forcat e për të ndërvepruar me njëri-tjetrin.
Ka shumë të tjera arsye për të parë përmirësimet e bëra, por më lejoni të prek njërën. Vlera e aseteve kriminale të sekuestruara në 5 vitet e fundit është 5 herë më e madhe, sesa vlera e aseteve kriminale të sekuestruar në 10 vjet të marra sëbashku, para 5 viteve të fundit.
Dua që të konfirmoj edhe një herë vetëdijen e plotë të qeverisë për vështirësinë dhe kompleksitetin e sfidës së ecurisë së mëtejshëm në këtë drejtim, angazhimin e palëkundur për të bërë maksimumin dhe ftesën për të gjitha institucionet e tjera, këtu të pranishme, qoftë institucione të lidhura me pushtetin ekzekutiv drejtpërdrejtë, qoftë institucione të pavarura, qoftë institucionet e parlamentit, që të vendosim si pikën kyçe të gjithë këtij procesi bashkëpunimin dhe ndërveprimin. Pa bashkëpunim dhe ndërveprim mes gjithë institucioneve që janë këtu të pranishme, suksesi nuk është i mundur dhe Shqipëria nuk mund ta hedhë hapin tjetër që ka domosdoshmërinë të hedhë në vijim.
I nderuar zoti Kryetar,
Duke ju falënderuar edhe një herë për vizitën dhe për praninë tuaj, si dhe duke qenë unë i pari i gëzuar për këtë prani, sepse fjalët tuaja do të mund të shpërndajnë shumë nga mjegulla e krijuar lidhur me këtë fenomen, ju jap fjalën me kënaqësinë që këtu janë të pranishme jo vetëm institucionet e vendit, por edhe një përfaqësi shumë e nderuar e miqve dhe e partnerëve të Shqipërisë, me të cilët ne bashkëpunojmë intensivisht edhe në këtë aspekt, duke shënuar hap pas hapi, progresin e vështirë, por plotësisht të mundur.
Shumë faleminderit të gjithëve edhe njëherë për praninë!
Fjala është për ju!
Kryetari i Komitetit të MoneyVal, Daniel Thelesklaf:
Faleminderit Zoti Kryeministër!
Kam qenë këtu së paku, 12 vjet më parë dhe kam qenë vërtet shumë i impresionuar të shoh ndryshimet që kanë ndodhur. Do doja që të ishte në kushte të ndryshme që të kthehesha, por megjithatë jam i gëzuar që gjendem këtu dhe pres me padurim të takohem me një sërë agjencish, me të cilat do diskutoj gjatë këtyre 24 orëve për mënyrën se si të zbatohen më mirë këto rekomandime.
Ju përmendët vlerësimin që po ju bëjmë dhe në fakt, testi që ne po bëjmë dhe që duhet bërë nga çdo vend është më i vështiri. Arsyeja kryesore përse vendet e kanë të vështirë ta kalojnë këtë provim është sepse ne nuk shohim vetëm si janë gatuar ligjet, por edhe se si zbatohen ato. Pra, shohim shumë herë më tepër ndikimin që ka të bëjë me përputhshmërinë, me veprimin në përputhje.
Nga aspekti teknik, në aspektin ligjor Shqipëria është një nga vendet më të mira që kemi kontrolluar, sepse ligjet që janë në fuqi janë aty, me përjashtim të ligjit për zbatimin e sanksioneve në fushën e mospërhapjes. Megjithatë dëgjova një lajm pozitiv sot, që është në Parlament dhe me shpresë do të miratohet së shpejti. Megjithatë, pjesa e situatës ligjore është e pranishme dhe kjo më bën optimist që ky zbatim do të mbështetet mbi baza të forta.
Natyrisht, kjo do të ndodhë mbështetur në drejtimin tuaj dhe në përfshirjen tuaj për të zbatuar rekomandimet. Në fakt nuk do të jetë e lehtë. Do të ketë shumë punë dhe e di që ka dhe përparësi të tjera, të cilat kanë mjaft rëndësi. Megjithatë, kam parë deri më tani, pra, deri në këtë pikë nga ajo çfarë kam parë, mesazhi kryesor është që të inkurajoheni të ecni në këtë rrugëtim, të rrisni shpejtësinë aty ku është e nevojshme dhe të prodhoni rezultate.
Juve iu referuat konfiskimit. Në fakt, kjo është prirja e duhur. Në qoftë se mund të vijoni në këtë drejtim, pra, kështu, do të jemi të lumtur që ta reflektojmë këtë dhe që të dalim me vlerësime edhe më pozitive në ato fusha ku kemi parë mangësi.
Dy fushat e tjera, ku ne mendojmë se janë bërë hapa pozitive, janë, njëra në rolin e njësisë së inteligjencës financiare, që është Agjencia për Luftën kundër Pastrimit të Parave, kanë bërë një punë të mirë në koordinimin e punës së të tjerëve, që qartësisht duhet mbështetur më mirë nga agjencitë e tjera. Agjencitë e tjera do e mbështesin më mirë njësinë e inteligjencës financiare, sepse kjo e vetme nuk të jetë në gjendje që të gjenerojë të gjithë rezultatet e mira. Ato janë agjenci drejtuese në këtë drejtim dhe kam dëgjuar angazhime mjaft inkurajuese sot paradite që qeveria është e gatshme që të ofrojë mbështetjen e nevojshme.
Një fushë tjetër që është vlerësuar pozitivisht është puna që bankat, posaçërisht, institucionet financiare po kryejnë për të parandaluar pastrimin e parave dhe financimin terrorist. Shqipëria është një prej 2 vendeve që ka marrë vlerësim pozitiv nga shumë vende në mbarë botën. Të gjitha vendet e tjera të BE-së nuk kanë marrë një vlerësim kaq të mirë.
Kjo më sjell tek sfidat.
Ashtu si në shumë vende të tjera, sfida kryesore për Shqipërinë është që të prodhojë rezultate të prekshme nga ana e agjencive ligjzbatuese, pra, nga puna e tyre. E di që ky është një proces i gjatë, kërkon kohë, por sigurisht ekziston nevoja që të përshpejtohen hetimet, ndjekjet nga Prokuroria, të cilat janë në përputhje me profilin e riskut të vendit. Ne kemi mësuar që ka pasur një vlerësim shumë tërësor të risqeve, por nuk shohim ende rezultate për trajtimin e këtyre risqeve që janë zbuluar.
Edhe njëherë, besoj që reforma në sistemin e drejtësisë është tejet e rëndësishme në këtë aspekt. Megjithatë afatet e përcaktuara nga standardet ndërkombëtare për zbatimin e masave janë vërtet shumë të rrepta. Në fakt e dëgjoj angazhimin e ndërmarrë nga qeveria, shoh që agjencitë janë në veprim e po punojnë për këtë, por nuk nënvlerësohen sfidat që gjenden përpara institucioneve shqiptare.
Jam optimist! Moneyval do të vijojë të mbështesë autoritetet shqiptare në këtë proces.
Do të ketë për 1 vit, një moment tjetër të vlerësimit të ecurisë të progresit dhe do të sigurohemi që ky do të jetë një proces transparent, ku zëri juaj të dëgjohet, por edhe njëherë, gjykimi apo, le të themi, përdorimi i këtij gjykimi do të jetë vërtet shumë i rreptë dhe të gjitha vendet e tjera do të vlerësohen në bazë të të njëjtave standarde. Kemi në anëtarësinë tonë, Hungarinë dhe …[e pakuptueshme], ku mendoj që ka pasur një situatë shumë të ngjashme. Në fakt, ata kanë treguar një progres mjaft të mirë në një kohë të shkurtër dhe janë shpërblyer me rezultatet e mira të reflektuara.
Shpresoj që do të jemi në të njëjtën pikë edhe me Shqipërinë për 1 vit kohë. Ndërkohë jam optimist që do të vijmë dhe do të gjejmë një kuptim më të mirë dhe një vlerësim më të mirë të gjërave që janë bërë.
Faleminderit shumë!
Presim me padurim që të bashkëpunojmë me kolegët tuaj në vijimin e ditës.