Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri inspektuan punimet që po kryhen në Bypass-in e Fierit, një aks mjaft i rëndësishëm rrugor, si për zhvillimin e turizmit, ashtu edhe për impaktin në bujqësi, meqenëse Fieri është rajoni më i rëndësishëm i prodhimit bujqësor në vend.
Kryeministri Rama, duke nënvizuar faktin se puna në këtë Bypass rinis pasi u adresuan problematikat e trashëguara nga një kontratë e papërgjegjshme, kërkoi që të paktën njëra korsi e tij të jetë gati verën e vitit që vjen.
“Kjo u bë si nyje në fytin tonë për kaq shumë vite. E trashëguam në një kontratë super mizerabël, një kontratë e bazuar në një ofertë të papërgjegjshme dhe futur në të gjithë ato kanalet ligjore të vështira për të dalë, bëmë të gjitha përpjekjet që ta vëmë në lëvizje. Ishte e pamundur. Pastaj u detyruam të prishim kontratën, ta rifillojmë nga e para me Bankën Europiane dhe jemi sot më në fund në pikën ku rinisim, por tani nuk kemi më asnjë justifikim dhe asnjë mënyrë se si të mund të dalim përpara njerëzve, nëse në verën e ardhshme këtu nuk kalohet. Kështu që, një korsi duhet të jetë e hapur patjetër. Punoni ditën, punoni edhe natën!” u shpreh Kryeministri Rama.
Kreu i Autoritetit Rrugor Afrim Qendro deklaroi se për sezonin e ardhshëm turistik Bypass-i do të jetë funksional në njërin kalim.
“Ka nisur plotësisht puna. Po punohet në disa pika. Është një gjatësi prej 22 kilometrash. Është një kantier që funksionon më së miri. Unë jam besimplotë që, çfarë kemi premtuar për sezonin turistik të kësaj vere, njëra korsi kalimi do jetë e hapur dhe pastaj do vazhdojë puna për mbylljen e të gjithë kantierit,” u shpreh Qendro.
Drejtuesit e punimeve u shprehën se deri më tani është kryer pothuajse 50% e volumit të përgjithshëm të punimeve.
Me gjatësi afërsisht 22 km dhe vlerë prej 60 milion Euro, financuar nga BERZH dhe BEI, Bypass-i i Fierit është pjesë e korridorit të rëndësishëm rrugor që lidh Veriun me Jugun e vendit dhe kalon nga Lushnja në Vlorë.