Fjala e Kryeministrit Edi Rama për seancën plenare në Kuvend:
Bujarisht më janë dhënë 40 minuta për të folur. Po unë, Zoti Kryetar, minutat e mia në këtë foltore do t’ia fal liderit të opozitës së kthyer këtu, me mandate të pjekura, po jo të djegura. Sot, më shumë se asnjëherë, askush më kollaj sesa vetë Lulëzimi, s’mund t’ua tregojë shqiptarëve, pse zgjedhja e tyre e vetme është e do të jetë kjo shumicë qeverisëse.
Ndërsa unë vetë do të shkoj të vazhdoj Dialogun e vështirë me studentët, pasi ata më shohin mua e këtë shumicë qeverisëse, si zgjidhjen e tyre të vetme, kurse unë e shoh këtë moment proteste të tyre, si pikënisjen e një kapitulli të ri të qeverisjes sonë.
Ky parlament s’ka nevojë për mua, ndërsa studentët po. Por edhe unë sot kam nevojë të dëgjoj studentët që ndjehen të papërfaqësuar, jo opozitën e Lulzimit, që përfundimisht as nuk e di, po as ka për ta mësuar kurrë, dallimin mes mandatit të përfaqësimit dhe mandatit të arkëtimit.
Mirë se u ktheve shëndoshë e mirë i dashur Luli, se, me gjithë atë mllef që kishin për ty protestuesit, ta kam pasur vërtetë merakun – sidomos pas gjumit tënd të drekës, kur niseshe për në takimin me djalin e Fariut dhe Shqiponjës, e largqoftë, mahmur mund të të çonin këmbët te sheshi i Republikës së Re. Po shyqyr thuaj vëlla, që studentët e kishin keq fare edhe me motrën opozitare. Kështu që ata s’dinin kë “të kapnin për zhelesh” të parin, siç do të thoshte e dashtuna jote Jozefinë, ndërsa ju i fshehët nëpër turmë ato dy çika parti që ju kanë mbetur dhe ja ku jeni, të dy, shëndosh si molla.
Hajde tani, merre fjalën time e tregojua vetë shqiptarëve, sesa i panevojshëm je për ta, që, përveçse mos të të votojnë, mos të të kenë as inat kot, për gjëra që t’i jo nuk i bën dot, apo s’i kupton dot, po mbi të gjitha nuk të interesojnë.
E ndërkohë që lideri i opozitës po vjen të marrë fjalën, pasi për këtë fjalë kaq të rëndësishme sot, sakrifikoi planin e tij strategjik për djegien e mandateve, ju lutem Zoti Kryetar, që, nëse ai si zakonisht nuk i konsumon dot të gjitha minutat, se i mbaron kaseta, t’ia kaloni mbetjen kohore Doktoreshës së Shkencave Ekonomike, Zonjës Monika Kryemadhi. Jam i sigurt se shumica në këtë sallë e ndan me mua bindjen që Doktoresha do ta shfrytëzojë çdo minutë për t’u ndriçuar rrugën studentëve që s’e shohin dot me sy (atë, jo rrugën), me të gjithë shpirtmadhësinë e saj gati fetare dhe fuqinë e përgjegjshmërisë së lartë shkencore që e karakterizon, jo vetëm sa herë hap gojën, po sidomos kur harron ta mbyllë atë.
Suksese të dyve!