Qeveria shqiptare do të bashkëpunojë me fondacionin “Fundjavë Ndryshe” në një projekt me fokus njerëzit në nevojë, për të cilin do të ngrihet edhe Qendra e Solidaritetit. Projekti i ideuar rreth një vit më parë është drejt finalizimit. Qendra e Solidaritetit do të përmbajë një shkollë profesionale për fëmijët e familjeve në nevojë, si dhe një qendër rehabilitimi, me të gjitha standardet bashkëkohore.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projektit për ngritjen e Qendrës së Solidaritetit:
Përshëndetje të gjithëve!
3D-ja është e Arbrit. Unë nuk kam gisht tek 3D-ja. Por, sidoqoftë, në kohën që jetojmë, një projekt lind si ide, pastaj fillon materializohet si një vizion në 3D dhe pastaj realizohet në praktikë. Ndërkohë që më vjen shumë mirë që jam këtu sot dhe jam këtu si rezultat i një momenti që ka qenë ndoshta momenti më i vështirë i imi në një studio televizive. Ndoshta juve mund t’ju kujtohet, jo për shkakun tim, por për shkak të Arbrit, sepse kemi qenë bashkë në atë studio televizive, kur më ftuan te “Opinion”, për të marrë pjesë në një diskutim për bamirësinë. Që në momentin e parë që filloi biseda u pendova që kisha shkuar, për shkak se, – ma ha mendja çdo Kryeministër në botë, – në një situatë kur e gjithë vëmendja është përqendruar tek momentet më kritike, tek familjet në gjendje më kritike, vetvetiu vendoset në pozicionin e atij që i ka të gjitha fajet dhe s’ka as gojë të flasë. Megjithatë, e mira e atij emisioni, ku nuk do kisha shkuar, po të kthehej mbrapsht filmi, ishte që mora shtysën për të bërë edhe unë pjesën time, duke pasur parasysh mundësitë që kam.
Kur kam publikuar shtëpinë e parë që rindërtuam, Arbri më çoi një mesazh dhe në njëfarë mënyre më përshëndeti ironikisht për hapin tim të parë në këtë rrugë, duke më thënë që si fillestar s’je keq, por mund të bësh diçka më shumë se kaq, nëse pranon të të them një ide.
Sigurisht që unë e kam gjithmonë problem që të jem i dyti, kështu që i thashë, ma thuaj idenë dhe ai më tha idenë kësaj Qendre. Kishte pikasur një zonë në anën tjetër të Tiranës, ose më saktë Tironës, siç i thonë në shtëpinë e tij. E faktikisht bëhej fjalë për një territor goxha të madh, ku është një zonë e ushtrisë, e menjëherë unë i thashë që patjetër, por mendoj që duhet të shkojmë përtej kësaj dhe mund të shkojmë përtej kësaj, sepse në ndërkohë, ne kemi filluar një reformë të të gjithë sistemit tonë të Emergjencave dhe të bashkojmë forcat dhe të bëjmë një PPP.
Kështu ramë dakord që të bëjmë një PPP, Partneritet Publik Privat, ku sigurisht e gjithë pjesa e udhëheqjes dhe e administrimit do të jetë e “Fundjavës Ndryshe”, por ne do bashkëngjisim të gjithë arsenalin tonë të Emergjencave, që sot janë të gjitha të përqendruara nën ombrellën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të gjithë sistemit të mbështetjes ekonomike dhe të përkrahjes sociale, për të bërë atë që tha Arbri, jo thjesht bashkimin material të forcave, por mbi të gjitha për të fuqizuar mesazhin e vullnetarizmit.
Nënë Tereza thoshte “Varfëria nuk është krijuar nga Zoti, por nga fakti që unë dhe ti nuk e ndajmë atë që kemi”.
Nuk diskutohet që përpara Nënë Terezës, Profeti i shumëkujt këtu, Paqja e Zotit qoftë mbi të, e ka thënë që Bamirësia nuk të varfëron dhe Arbri si djalë i zgjuar e ka marrë fjalën e Profetit dhe shumëkush mendon se e ka gjetur Arbri këtë dhe kjo ia shton respektin njerëzve për Arbrin.
Dua t’ju them që ne do ta çojmë përpara këtë projekt.
Edhe njëherë e përsëris, 3D-ja nuk është e imja, kështu që nëse projekti do të ndryshoje rrugës do e ketë fajin 3D-ja e këtij, jo e imja, nga pikëpamja e asaj që duket. Por një gjë është e sigurtë që projekti nuk do të ndryshojë për keq. Projekti ka vend për përmirësime, por nuk i kam ndërhyrë akoma tek kjo pjesë.
Aty sigurisht ka një gjë që është shumë e rëndësishme, programi është i duhuri pasi nuk është thjeshtë një vend ku mblidhen ndihma, as një vend ku mblidhen vullnetarët për të shpërndarë ndihma, por është një vend ku bëhen disa shërbime të rëndësishme që nga trajnimet profesionale, tek shërbimi i frymëzimit të të rinjve të tjerë. Në këtë aspekt, besoj që ne mund t’i japim shumë dorë projektit.
Në mbyllje, do të thosha që, këtu është vendi për të kujtuar një shprehje që thotë që ne kemi ardhur me asgjë dhe do ikim pa asgjë, por ka vetëm një gjë që mund ta lëmë mbrapa, kujtimin e mirë, qoftë edhe në një zemër apo në një mendje të vetme. Në këtë aspekt, besoj që Arbri e ka rezervuar vendin në Parajsë. Nuk e di se çfarë mendon Imami që foli përpara meje, pa ndërhyrë në kompetencat e gjithë klerikëve që kam në radhën e parë, dua të them se deri atëherë, sigurisht që Arbri ka shumë më tepër kohë se sa unë, por unë për vete për arsyet se si më ka ardhur jeta nuk kam pasur ndonjëherë drejtor. Kam qenë pedagog, kemi pasur një shef katedre pastaj kam qenë njeri i lirë pa shef mbi kokë, pastaj jam bërë direkt shef. Kur të iki nga kjo punë nëse do kem ndonjëherë drejtor do të jetë Arbri.
Me shumë kënaqësi, bashkë me Agim Fagun do të jem vartës i “Fundjavës Ndryshe”.