Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama priti sot në zyrën e tij punonjësen e rendit Ina Nuka, e cila u plagos rëndë në krye të detyrës. Ina, e kthyer para pak ditësh nga Turqia, ku u dërgua për një kurim më të specializuar, është drejt rehabilitimit dhe me dëshirën për t’u rikthyer sërish në detyrë.

Ina, e cila ka realizuar një implant, tregoi se operacioni ishte i vështirë, gjë të cilën e konfirmuan edhe vetë mjekët që e mundësuan atë. “Për mjekët ishte shumë i papritur edhe zhvillimi pas operacionit. Ishte hera e parë që bëhej një gjë e tillë, por në përfundim doli mirë.”

Ajo ndihet optimiste edhe për faktin se rehabilitimi i plotë do të bëhet në një kohë relativisht të shkurtër. “Brenda 6 muajve do të bëhet ndjeshmëria e gishtit që është bërë implanti, kurse për këtë javë do të hiqen penjtë dhe do të nisë fizioterapia për lëvizjen e gishtave në mënyrë që të nisë funksionimi i dorës, pasi nuk është 100 % funksionale.”

Për kryeministrin Edi Rama është e rëndësishme që Ina të riintegrohet sa më shpejt në jetën e saj të përditshme sociale, por edhe atë profesionale. Për këtë do të ketë të gjithë mbështetjen  e nevojshme financiare dhe morale gjithashtu. “Ne do të bëjmë një vendim qeverie për të dhënë një mbështetje financiare, por edhe morale që të kesh ndjesinë e plotë të solidaritetit tonë, por edhe mundësinë e plotë që të rikuperohesh plotësisht, pastaj patjetër  të riintegrohesh. Besoj që do të fillosh pak nga pak dhe punën në një detyrë më të lehtë, si fillim e pastaj të shohim.”

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshi, i cili shoqëronte Inën në këtë takim u shpreh se Ina  i ka përballuar me sukses të gjitha sfidat në kryerjen e detyrave të ngarkuara dhe besimi tek ajo është shumë i madh, nga të gjithë drejtuesit.

Ndërkohë, dëshira më e madhe e Inës është t’i rikthehet stërvitjes si më parë, pse jo dhe ndeshjeve të basketbollit, për të cilat kryeministri Edi Rama e inkurajon, duke i uruar më parë të ketë shëndet të plotë. “Çfarë nuk të vret të forcon”, – thotë Niçe . Kështu që tani je më e fortë. Ta kaloni gëzuar Vitin e Ri dhe vitin tjetër kemi ndeshje basketbolli. Kështu e kemi lënë.”- u shpreh Kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.