Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:
Ka njerëz që nuk i dinë gjërat dhe ka politikanë që nuk duan t’ua mësojnë gjërat, sepse njerëzit iu duhen të pandriçuar në mënyrë që t’i bëjnë mish për topat e ambicieve të tyre.
Në fakt, unë dua të flas për një ligj të rëndësishëm që kemi sot këtu, për kujdesin shoqëror dhe nuk dua të humbas kohën e askujt, e aq më pak të shpenzoj timen për çka u debatua pak më parë, sepse është një debat midis atyre që tregojnë përralla dhe atyre që flasin me ekspertizë. Përrallën e koncesioneve në shëndetësi tregojeni sa të doni, nuk ju beson asnjeri, sepse e vërteta është ajo që qytetarët provojnë dhe që është shumë e thjeshtë. Qytetarët marrin shërbime shumë më cilësore dhe nuk paguajnë asnjë qindarkë nga xhepi. Ne kemi bërë e do vazhdojmë të bëjmë partneritete publik-privat për të gjitha shërbimet. E as nuk do të humbasim më kohë për t’i mbushur mendjen atyre që shqiptarët i duan të pandriçuar lidhur me këtë çështje. Tani po vij tek tema qendrore sipas meje dhe nuk po flas me çfarë themi ne, por me çfarë thotë Banka Botërore për ekonominë shqiptare, institucion ndërkombëtar i super specializuar dhe pikë referimi për të gjithë ata të cilët duan të dinë gjendjen e një ekonomie.
Ekonomia e Shqipërisë ka vazhduar të zgjerohet në vitin 2016 mbështetur nga investimet e fuqishme private dhe rimëkëmbja e konsumit familjar. E thotë Banka Botërore. Rritja e përshpejtuar me 3% në tremujorin e parë të vitit 2016, vazhdoi me një rritje 3.2% në tremujorin e dytë. Rezultatet fiskale vazhduan në rrugën e duhur, e në vitin 2016, duke çuar në një rënie të borxhit publik për herë të parë që prej krizës globale. E thotë Banka Botërore. Deficiti buxhetor pritet të arrijë në 2.5% të Prodhimit të Brendshëm Kombëtar në vitin 2016, nga 4.8 % në vitin 2014 dhe nga 5.2 % në vitin 2013.
Nëse duan të flasim për ekonomi, ekonomia bazohet në fakte statistikisht të verifikueshme, jo në shkeljen e syrit të të varfërve, duke mos e fshehur dot ngazëllimin që shyqyr që janë të varfrit që mund t’i gënjejmë, por se sa do arrini t’i gënjeni do e shikoni në qershor 2017.
Vazhdon Banka Botërore, – si rezultat, borxhi publik pritet të bjerë në përputhje me programin e qeverisë për rënie të vazhdueshme të tij. Në kontekstin e rritjes së përshpejtuar ekonomike, – kështu e quan BB, rritje të përshpejtuar ekonomike dhe nuk ka si të quhet ndryshe, – kur e morëm ekonominë midis 0 dhe 1% dhe sot jemi drejt 3.3 deri në 3.5%, në fund të këtij viti.
Shakaxhinjtë e përparimit që mendojnë se ekonomia mund të rritet duke shkruar përralla, mund të vazhdojnë t’i tregojnë përrallat. Por ekonomia rritet pikërisht duke bërë reformat që po bëjmë ne, të cilat tregojnë jo sipas nesh, por sipas BB, se tregu i punës ka vazhduar të përmirësohet në mënyrë të qëndrueshme, duke shënuar një normë punësimi në tremujorin e parë të 2016, me 2.7% më të lartë, se e njëjta periudhë e një viti më parë. Norma e punësimit në grupmoshën 15-64 vjeç u rrit me 54.8% në tremujorin e parë të 2016 dhe rritja ka vijuar në tremujorin e dytë në 55.3%. Por shifrat nuk vlejnë për ata që thonë “ne shifrat i lexojmë sipas karriges ku jemi ulur”. Po të jemi ulur në karrigen e ministrit, shifrat janë të larta. Po të jemi ulur në karrigen që nuk na pëlqen, shifrat janë të ulëta. E po të jemi ulur në karrigen e dëshpërimit, siç është ulur sot kush është këtej nga krahu im i djathë, shifrat janë krejtësisht pa vlerë.
Sipas Bankës Botërore, rezultatet më të mira në punësim, shënojnë treguesit e uljes së nivelit të papunësisë, si dhe përqindja më e lartë e pjesëmarrjes në forcat e punës. E faktikisht, tremujori i dytë i 2016 shënoi 15.5% nga 18.2%, që ishte papunësia e matur realisht. Sepse ajo që ne kërkuam që ditën e parë ishte të ndanim Institutin e Statistikave nga tryeza ku paraardhësi im i bënte me dorë rritjet dyshifrore me atë shkrimin e vet, e pastaj Instituti i Statistikave i lexonte. E nga vlerësimi real i statistikës së papunësisë, ne nxorëm 18.2% E sot, në tremujorin e dytë jemi në 15.5%. Nëse kjo, shakaxhinjve të përparimit iu duket ekuacion, matematikë e padeshifrueshme, është plotësit e kuptueshme. Por, fakti është që papunësia, – sipas Bankës Botërore, jo sipas nesh, – është ulur.
E jam shumë i kënaqur që e kam zonjën Tabaku këtu, se nuk e kisha herën e kaluar kur doli raporti për nivelin e korrupsionit, – ngaqë e di që i ndjek me përparësi raportet ndërkombëtarë, – e jam i bindur që as zonja Tabaku nuk do ta mohojë dot këtë raport të BB. Rritja ekonomike e kombinuar me zhvillimet pozitive, në tregun e punës vlerësohet të ketë reduktuar varfërinë dhe promovuar përfshirjen. Varfëria e moderuar, vlerësohet të ketë rënë në vitin 2015 në 46%.
Tani, këto fakte ishin të Bankës Botërore, ndërkohë që për sa i përket programit të përkujdesit social, janë kryer tre reforma madhore; Reforma e ndihmës ekonomike; Reforma e sistemit të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, – të dyja reformat në bashkëpunim të ngushte me BB – dhe reforma e shërbimeve shoqërore. Sistemi i menaxhimit të informacionit mundësoi për të treja këto reforma transparencë, shmangie abuzivizmi në përdorimin e fondeve publike, targetim më të drejtë të familje të varfëra dhe rritjen e eficencës dhe të barazisë në skemën e ndihmës ekonomike.
Tani unë e kuptoj shumë mirë që gjithë sa thashë dhe gjithë sa do them janë relative dhe jam më i vetëdijshëm se të gjithë shakaxhinjtë që bëjnë politikë me fatkeqësinë, me varfërinë dhe dëshpërimin e njerëzve, që çka kemi bërë nuk është një arsye për t’u thënë njerëzve mjaftohu me kaq, sepse nuk është mjaft, por që ndihma ekonomike ishte 15 mijë deri në 30 mijë lekë kur ne morëm qeverisjen dhe sot është 45 mijë deri në 80 mijë lekë, ky është fakt. Patjetër që 45 mijë deri në 80 mijë lekë nuk është një shumë, për të cilën ne mund t’u themi njerëzve se ua plotësuam nevojën tuaj për ndihmë ekonomike, por është një shumë goxha më e konsiderueshme, sesa shuma që ata merrnin kur qeverisnin këta, të cilët sot vijnë kërkojnë llogari këtu për shifrat evidente të progresit të vazhdueshëm në rrugën e reformave, që kanë ende shumë rezultate për të dhënë.
Unë e di që 25 % më shumë e pagës mujore për personat me aftësi të kufizuar nuk është mjaft dhe jam i pari që asnjëherë nuk kam dalë t’u them as atyre me ndihmë ekonomike, as personave të aftësisë së kufizuar se ne e bëmë detyrën ndaj jush, sepse ja ku e keni ndihmën ekonomike dy e trefish më të lartë sesa e kishit, ja ku e keni dhe pagesën e aftësisë së kufizuar 25 % më të lartë sesa e kishit, por 25 % më shumë janë 25 % më shumë dhe ky është fakt.
Është fakt po ashtu që është rritur me 12 milionë dollarë fondi i pensioneve për zbatimin e reformës historike të pensioneve, siç është fakt që të gjithë ata që janë në krahun këtej [opozita], për 20 e kusur vite u thanë njerëzve nuk ka rëndësi fare sa keni punuar, nuk ka rëndësi fare sa keni kontribuar për sigurime shoqërore, ju keni tavanin 240 mijë lekë të vjetra dhe le të keni lënë kockat në punë, po 240 mijë lekë e keni derisa të vdisni. Dhe caktuat vetëm një pension special për njerëz me merita shumë të veçanta, që është një pikatore, e cila është vetëm për të larë duart si Ponc Pilati.
Faktikisht, vetëm duke hequr tavanin me reformën tonë, ne rritëm pensionet për të gjithë. Ndërkohë që 5500 njerëz, gjyshe dhe gjyshër, merrnin pension zero në Shqipëri. Jo 40 mijë lekë, jo 50 mijë lekë, jo 240 mijë lekë, por zero! Sot, ne i kemi në regjimin e pensionit social. Pensioni social është pensioni më i ulët në Shqipëri, 67 mijë lekë, shumë pak, por është më tepër sesa shembujt e rremë që sjellin këtu shakaxhinjtë e përparimit, duke ua u shkelur syrin të varfërve se medemek u erdhi dita që të kenë “librat” e tyre.
U ul mosha e daljes në pension për minatorët. Sa herë në sa vite, minatorët dolën nëpër protesta? Sa herë u dergjën përpara kryeministrisë? Në sa greva urie hynë e dolën dhe kërkonin vetëm atë që ua kishin premtuar të gjithë në 20 e kusur vite, që pensionin do t’jua bëjmë nga 60 në 55 vjeç. Pse nuk jua bëtë? Me çfarë kuraje vini këtu dhe kërkoni llogari? Kërkoni ju llogari, ndërkohë që ne jua thamë dhe jua bëmë. Pensioni i minatorëve sot fillon 55 vjeç dhe 2280 ish minatorë që deri përpara dy vitesh, me ju, me librat tuaj përfitonin vetëm 8000 lekë, sot përfitojnë pension të plotë, dyfish. Nuk janë 2 milionë njerëz, por janë 2280 njerëz që i kishit lënë rrugëve me 80 mijë leke [të vjetra], e marrin sot dyfish. Pjesa tjetër përfiton një pension deri në 210 mije lekë.
Të gjithë ju, me çfarë jeni komplet, me portale, me libra, me gazeta, me trumbeta, me shigjeta, pensionin e latë 240 mijë lekë si ndëshkim për gjithë jetën për të gjithë ata që dilnin në pension. Sot, pensioni maksimal i pleqërisë me reformën tonë është rritur në 370 mijë lekë. Pra, ata që kanë dalë në pension pas reformës shkojnë deri në 370 mijë lekë. Po sot, kushdo që do të ketë një pension edhe më të lartë se 370 mije lekë, mjafton të kontribuojë më shumë për pensionin e tij në sigurimet e tij shoqërore. E vendos njeriu pensionin e vet dhe nuk i thotë shteti “vrit veten”, se sado të kontribuosh, tavanin e ke aty, 240 mijë lekë. Dhe këtu nuk po bëjmë bilancin e një qeverisjeje të 30 vjetëve, këtu po bëjmë bilancin e tre vjetëve të qeverisë; Tre vjetëve, pas 25 vjetësh rrënimi të vazhdueshëm!
Po pensionet e veteranëve të luftës, a u rritën apo nuk u rritën 15.6 % për 6600 veteranë? Kush i rriti? Ju apo librat e yjeve të pashuar të politikes suaj? I rritëm ne, 15.6%! Për ju, veteranët e luftës janë sigurimsa dhe në fakt, unë nuk ju kërkoj llogari pse nuk jua rritët pensionin veteranëve të luftës, po me të përndjekurit politikë, çfarë patët? Si ka mundësi që 8 vjet në qeverisje latë njerëz të dalë nga burgu, të vdisnin 80 e ca vjeç pa marrë një qindarkë nga kësti i dëmshpërblimit, ndërkohe që në emër të pasardhësve të të përndjekurve i dhatë këste vetes tuaj, që lumi s’ju mori! Kështu që, kur flisni për veteranët e luftës si sigurimsa, tregon vetëm atë që unë kam thënë, ju jeni ballistë degrade, jo ata origjinalët. Ju jeni karikaturat e Shefqet Musarajit. Ju të gjithë. Se nuk është këtu ai që thoshte e kam patur babën partizan kur ka qenë baba 10 vjeç. T’ju them dhe një gjë tjetër për kujdesin shoqëror? Në vitin 2014 numri i personave kontribuues në skemën e sigurimeve shoqërore u rrit me 93 mijë, krahasuar me vitin 2013. E kjo do të thotë se 93 mijë kontribuues më shumë janë 93 mijë njerëz që i kishit lënë rrugëve ju, i kishit fshirë nga librat. Kështu që për ta mbyllur me përkujdesjen, unë nuk kam çfarë t’u them atyre që nuk duan të dëgjojnë dhe që vijnë këtu në këtë parlament për t’i mbajtur njerëzit në errësirën e dëshpërimit të tyre, duke mos i lejuar që të ndezin dritën e informacionit. Por e vërteta është që kjo qeveri paguan 6480 lekë kompensim të reformës së energjisë për të gjithë ata që janë me ndihmë ekonomike, për të cilët me demek juve u vutë fashën mbrojtëse dhe që në fakt e kthyet fashën mbrojtëse në strehë për hajdutët e energjisë me vilat dy e tre katëshe. 16 milionë dollarë i japim ne, për të gjithë ata që e meritonin fashën mbrojtëse dhe që nga heqja e fashës mbrojtëse mund të detyroheshin të paguanin më shumë energji. Pra, ata nuk e kanë ndjerë heqjen e fashës mbrojtëse sepse ne e kemi kompensuar ekzaktësisht hendekun midis fashës mbrojtëse dhe hapësirës së lirë të sektorit. Se këtu siç thotë i madhi Shefqet Musaraj, “u ngritën këmbët t’i bien kokës”. Këtu u bëtë ju tani që na tregoni ne “shteti”, edhe i thoni vetes “ e djathta shqiptare”.
Kam dhe një lajm tjetër, që shumë shpejt do vijë statusi i naftëtarit këtu në parlament. Do vijë statusi i naftëtarit për të lehtësuar edhe një kategori tjetër të përbuzur nga ju në pikën që e zhveshët nga çdo lloj dinjiteti, siç zhveshët nga dinjiteti gjithë Shqipërinë. Ju e zhveshët Shqipërinë nga dinjiteti komplet. E bëtë Shqipërinë një lolo në rajon, një lolo në Europë dhe një lolo në sytë e dynjasë. Pasurinë më të madhe kombëtare, naftën, ia latë në dorë atij që Saliu e quante Nastradini. I thoshte edhe vetë Nastradini, llogariteni se ku ishte situata. E di Ridvani këtë, e di shumë mirë se ka hequr keq me Nastradinin. Ka hequr keq me Nastradinin, Ridvani se me thënë të drejtën është përpjekur që ta mbajë gardhin që mos t’i çahet fare, por Nastradini bashkë me çunat ta çanë gardhin, Ridvan. Ato merita që i ke i ke. Unë mundohem të jem shumë i vërtete sepse meritat janë merita. E di gjithë Shqipëria, jo vetëm ne, se çfarë përpjekje ke bërë që të mos çahej ai gardh, por gardhi u ca komplet dhe u shkallmua totalisht gjithë sektori dhe siç e di dhe ti rafineritë – që sot vjen këtu dhe i qan Saliu, – i qatë ju dhe i latë të vdekura dhe të pakallura mbi dhe bashkë me naftëtarët që i bëtë si të ishin robër lufte. U mbushën dyqanet e bukës deri në Lushnje me listat e atyre të shkretëve, se zgjati uria e familjeve të tyre me muaj, e kaloi edhe vitin madje. E ne atyre jo vetëm që iu kthyem punën, por do t’u kthejmë plotësisht edhe dinjitetin. Le të kushtojë sa të kushtojë. Shumë shpejt këtu në Parlament do të vijë statusi i naftëtarit dhe për gjithë ata mijëra njerëz që ky shtet, nuk ka mundësi t’u japë gjithçka sa meritojnë, – as atyre dhe askujt tjetër sot, – do t’u njohë dinjitetin.
Juve që vini këtu dhe flisni për dinjitetin e të varfërve, flisni për minimumin jetik, tregoni përralla me të varfrit që takoni, ju jeni fundi. Meqë juve nuk ngopeni me fakte – sa më shumë fakte iu jep, aq më mbrapsht flisni, – që të flisni edhe më mbrapsht, po ju them që edhe ish ushtarakëve iu dhamë një premtim dhe shkoni pyetini. 5425 persona ish ushtarakë e morën apo nuk e morën të zbatuar zotimin tonë për faljen e gjithë atyre detyrimeve që ju kishit lënë në kurriz ju, 13 milionë dollarë. E përtej të gjitha këtyre të tjerave në 8 vjet ndatë nga buxheti i shtetit vetëm 124 milionë dollarë për rroga dhe pensione. Mos t’i hymë llogarive me 1001 mënyrat që bëjnë që shirat t’i duken njërit ndryshe e njërit ndryshe. Fakti është që 124 milionë dollarë në 8 vjet ju i hoqët nga buxheti i shtetit dhe i dhatë për rroga dhe pensione.
Ne, përveçse do të japim me buxhetin e 2017, 100 milionë dollarë nga heqja e taksës së sheshtë që doni ta ktheni prapë – se e thotë bukur ajo fjala, ”problemi i budallait nuk është se nuk ndryshon qëndrim, është që nuk ndryshon as argument; vetëm nga ajo, 140 milionë dollarë u hoqën nga buxheti i shtetit dhe iu lanë punonjësve të shtetit, buxheteve familjare të tyre, që bëjnë 240 milionë. E nëse shkojmë tek efektet e heqjes së taksës së sheshtë në sektorin privat janë dhe 300 milion të tjera. Pra, janë gjithsej 540 milionë në 4 vjet që ne i kemi hequr nga buxheti i shtetit për të mbështetur buxhetet familjare.
Prandaj rimëkëmbja e konsumit familjar është në progresion, siç e nënvizojnë të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare. S’presim ta thoni ju. 540 milion me 124 milion në tetë vjet. E siç është kjo diferencë 540 me 124 kthejeni në përqindje, aq e keni rezultatin zgjedhjeve vitin tjetër.