Fjala e kryeministrit Edi Rama në konferencën me ambasadorët:
Mirdita të gjithëve!
Shpresoj që deri tani të keni kaluar më së miri dhe konferenca të ketë pasur një vlerë të shtuar për të gjithë ju. Kujtoj që kanë kaluar dy vjet nga konferenca e organizuar më parë, ndërkohë që në këto dy vjet, bota ku jetojmë ka përjetuar një sërë zhvillimesh të reja, krizash dhe sfidash serioze, por dhe arritjesh të rëndësishme, të cilat kanë influencuar, padyshim, edhe konturet, edhe volumin e veprimtarisë së politikës sonë të jashtme.
Ne e kemi ndjekur me prioritet të pamatshëm dhe me vendosmëri të veçantë përparimin e projektit tonë të integrimit europian, që për ne nuk është një proces i lidhur me objektivin për t’u bërë pjesë e BE, por në radhë të parë një proces i lidhur me domosdoshmërinë e modernizimit të vendit tonë, e forcimit të institucioneve tona, e krijimit në këtë vend të një kuadri të ri ligjshmërie dhe funksionimi të shtetit të së drejtës. Afërsinë tonë në raport me objektivin, tanimë në cilësinë e një vendi kanditat e matim në forma të larmishme, qoftë përmes shkëmbimeve të drejtpërdrejta në takimet e panumërta formale dhe jo formale, të shpeshta në të gjitha nivelet, por po ashtu edhe nëpërmjet volumit të raportimeve periodike që bëhen prej atyre ndër ju, të cilët janë në vijën e parë të kësaj përpjekjeje në kryeqytetet e vendeve të BE.
Është tanimë e ditur, botërisht, se rruga që kemi bërë pavarësisht arritjeve që mund të numërojmë, e reformave që mund të listojmë, kushtëzohet në drejtimin dhe shpejtësinë e saj nga miratimi i Reformës në Drejtësi. Një reformë, me një interes strategjik për Shqipërinë, për shoqërinë tonë, por jo vetëm. Një reformë, me një rëndësi të jashtëzakonshme për vendin e Shqipërisë në rajon dhe padyshim edhe për raportin e Shqipërisë me BE.
Është vendi të thuhet se vështirë të gjendet në historinë e këtyre 25 viteve një angazhim i ngjashëm masiv dhe kaq i gjithanshëm i komunitetit të miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë në kohë normale paqeje për Shqipërinë sa angazhimi për Reformën në Drejtësi.
Po ashtu ju jeni, besoj, të parët që e keni vetëdijen e plotë nga kontakti i vazhdueshëm me të gjitha vendet partnere në këtë proces për peshën e jashtëzakonshme që ka kjo reformë, në raport me marrëdhëniet tona me BE, në raport me imazhin, besueshmërinë e Shqipërisë në sytë e partnerëve tanë strategjikë dhe në raport me të nesërmen që mund të vijë me një energji të re, por mund të vijë dhe me një kosto të pallogaritshme në varësi të fatit të kësaj reforme.
Dua ta nënvijëzoj dhe përpara jush që;
Ne jemi shumë të vendosur që deri në momentin e fundit të bëjmë çdo përpjekje, në përputhje të plotë me qëllimin dhe me qëndrimin e partnerëve tanë strategjikë.
Kjo është një reformë më një përmasë të trefishtë.
Së pari, me një përmasë të jashtëzakonshme përsa i përket vetë shoqërisë dhe vendit tonë në vetvete. Së dyti, me një përmasë të jashtëzakonshme përsa i përket pozicionit dhe këndvështrimit prej të cilit ne do të perceptohemi nga partnerët tanë strategjikë në varësi të rezultatit të kësaj reforme. Por edhe me një përmasë të tretë, në raport me vetë rajonin.
Nga kontaktet e vazhdueshme është i qartë për ne perceptimi i partnerëve tanë strategjikë se implikimet pozitive ose negative të kësaj reforme nuk prekin vetëm Shqipërinë, shoqërinë shqiptare dhe marrëdhëniet e vendit tonë me Bashkimin Europian apo të Bashkimit Europian me vendin tonë, por prekin edhe interesa me një rëndësi të posaçme të komunitetit ndërkombëtar, të komunitetit euroatlantik, në rajon, pasi është qartësisht e nënvizuar nevoja për të përforcuar lidhjen mes Shqipërisë e partnerëve, si dhe vetë rajonit dhe BE-së, në raport me domosdoshmërinë për një veprim edhe më të koordinuar e më efikas kundër krimit, kundër trafiqeve dhe kundër fenomeneve që sot shqetësojnë botën mbarë, si terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.
Dëshiroj të theksoj se ruajtja dhe forcimi i rolit që ne kemi marrë në rajon, zhvillimi i gjithanshëm i marrëdhënieve tona rajonale, qoftë me fqinjët tanë, qoftë dhe me partnerët dhe aleatët tanë, në një rreze gjithnjë e më të gjerë veprimi, është i lidhur me seriozitetin, shkallën e seriozitetit që Shqipëria duhet të tregojë në rrugën e kësaj reforme.
Duke kaluar më tej, dua të nënvizoj se nga një analizë goxha e detajuar e ministrisë së Jashtme, del në pah qartë se gjatë 24 muajve të fundit, ne kemi shënuar përparime konkrete në të gjithë drejtimet.
Le të marrim bashkëpunimin me Kosovën.
Sot bëhet edhe më e qartë se çfarë potenciali të jashtëzakonshëm ka ky bashkëpunim, duke u nisur nga sa shumë gjëra janë bërë të mundura falë kalimit të këtij bashkëpunimi në një nivel tërësisht të ri. Mekanizmi i mbledhjeve të përvitshme të qeverive ka dhënë fryte konkrete, që në të njëjtën kohë janë të mjaftueshme për të promovuar një model. Një model, të ndërtimit të marrëdhënieve mes shteteve të kësaj zone në funksion të përmirësimit të kushteve për të zhvilluar më shumë tregtinë, për të zhvilluar më shumë ekonominë, për të zhvilluar më shumë transportin, ndërveprimin kulturor, e kështu me radhë.
E nuk është e rastësishme që Shqipëria u bë promotore e një projekti të ri në kuadrin e Procesit të Berlinit, sëbashku me Serbinë dhe të gjitha vendet e tjera për të shtyrë më tutje një proces tanimë të testuar në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, si marrëdhënie mes dy shtetesh që përmes shumë masave të marra kanë rritur ndjeshëm volumin e shkëmbimeve të tyre ekonomike, tregtare, kulturore, e kështu me radhë.
Ne besojmë fuqimisht se ngushtimi i hendekut integrues mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe bazuar mbi këtë model dhe mes vendeve të rajonit, përbën jo vetëm një parakusht për të rritur sigurinë dhe forcuar stabilitetin, por edhe një motivim shumë të madh të të gjithëve sëbashku, në raport me furnizimin e vazhdueshëm me argument të ambicies sonë, në raport me Bashkimin Europian, për të qënë pjesë plotësisht e integruar e Familjes Europiane.
Sigurisht që, në një kuadër më të gjerë ne jemi tërësisht të përkushtuar në ndihmë të shqiptarëve edhe në Maqedoni, edhe në Mal të Zi, edhe në Luginën e Preshevës, për të çuar më tej përpjekjen drejt konsolidimit të të drejtave të tyre legjitime. Kemi forcuar më tej marrëdhëniet me partnerët tanë dhe kemi zgjeruar gjeografinë e veprimit tonë.
Nënshkrimi i Deklaratës së Partneritetit Strategjik me Shtetet e Bashkuara, por edhe rritja e ndjeshme e shkëmbimeve dhe kontakteve mes Tiranës dhe Washingonit është një shprehje e një cilësie të re, falë evoluimit të kësaj marrëdhënie strategjike dypalëshe.
Me Italinë kemi ecur në një rrugë të hapur, duke rritur jo vetëm bashkëpunimin dy palësh, por duke zgjeruar përmasën e marrëdhënies përmes bashkëpunimit në kuadër të integrimit europian, të nismave rajonale dhe duke përfshirë dhe bashkërendimin mbi projekte dhe nisma që janë ndërkufitare dhe që prekin shumë kufij në këtë zonë.
Formati i takimit trepalësh ministror mes Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë, ka ndërtuar një nivel të ri marrëdhëniesh me këtë qasje.
Para disa ditësh, parlamenti italian vendosi heqjen e taksës famëkeqe të transportit, një çështje që është bartur që nga vitet ’50, në të cilën asnjë qeveri më parë nuk mori përsipër me vendosmëri ta trajtonte dhe ta zgjidhte medoemos. E zgjidhëm, dhe pas procedurës jo dhe aq të shpejtë të zbardhjes së vendimit të Parlamentit. Ne jemi shumë të paduruar të shikojmë jetësimin praktik të këtij vendimi, që çliron nga një barrë e padrejtë të gjithë shkëmbimin tregtar mes Shqipërisë dhe Italisë, në rrugë tokësore dhe që hap një perspektivë të re për rritjen e këtij shkëmbimi duke filluar nga muaji shtator.
Me Greqinë, e dimë të gjithë që marrëdhëniet nuk janë në nivelin e mundshëm dhe të dëshiruar prej nesh. Ka disa çështje që mbeten pengesë, por lajmi i mirë është që kemi rënë dakord për një plan pune për normalizimin e dëshiruar të dialogut dhe për të avancuar konkretisht drejt një zgjidhjeje të arsyeshme të çështjeve, që pengojnë zhvillimin e natyrshëm të marrëdhënieve dypalëshe, të cilat sipas nesh kanë një potencial shumë të madh në të mirë të të dyja vendeve tona.
Sigurisht që, kemi zgjedhur të pranojmë një politikë të hapave të vegjël, që nuk është zgjedhja jonë ideale, por në të njëjtën kohë kemi qënë të qartë dhe mbetemi të qartë që për ne këto janë çështje absolutisht të rëndësishme për të shtyrë më tutje marrëdhëniet. Kemi konstatuar me kënaqësi se ka një përparim jo aq të shpejtë sa do ta kishim dëshiruar, por të qëndrueshëm, në shkallën e kuptueshmërisë nga ana e fqinjëve tanë për peshën që kanë për ne çështjet, të cilat duhen zgjidhur me patjetër që të kemi një marrëdhënie tërësisht të normalizuar e që potencialin e kësaj marrëdhënie ta shfrytëzojmë maksimalisht dhe bashkërisht në të mirë të të dy popujve dhe vendeve tona.
Partneriteti me Turqinë është një partneritet strategjik, një vend mik me të cilin nuk kemi asnjë çështje pezull, por kemi të gjithë interesin të intensifikojmë kontaktin, të intensifikojmë bashkëpunimin, të intensifikojmë ndërveprimin në interes të të dy palëve, por dhe më gjerë, në interes të rritjes së qendrueshmërisë dhe forcimit të ndërveprimit në një hapësirë gjeografike që është më e madhe se hapësira e dy vendeve.
Sigurisht që, nga ana tjetër nuk ha diskutim ajo që ka ndodhur në marrëdhëniet me Serbinë, si një zhvillim kolosal cilësor, pavarësisht se na ndan qartësisht qëndrimi në raport me njohjen e pavarësisë së Kosovës, por nuk na ka penguar kjo ndarje me thikë në këtë pikë për të shprehur vullnet. Vullnet, që është dypalësh dhe për t’u ofruar në funksion të rritjes së volumit të një marrëdhënieje të ripërtërirë pas një periudhe shumë të gjatë pothuajse inekzistence dhe për të ndikuar bashkërisht në procesin e integrimit europian, përmes procesit të Berlinit, duke krijuar një realitet të ri.
Kemi nevojë të madhe t’i shumëfishojmë kontaktet dhe të nxisim njohjen reciproke mes shqiptarëve dhe serbëve duke kontribuar maksimalisht dhe bashkërisht për heqjen e sa më shumë pengesave dhe për rënien e sa më shumë paragjykimeve të akumuluara ndër dekada. Sepse, besojmë që Shqipëria dhe Serbia dhe për ta thënë më saktë, shqiptarët dhe serbët, mund të bëjnë për këtë rajon atë që francezët dhe gjermanët bënë për Europën.
Po ashtu, ngritja e një strukture për të vënë në jetë një plan veprimi për heqjen e barrierave tregtare, lehtësinë e transportit dhe konkretizuar një bashkëpunim mes vendeve tona dhe Bankës Botërore brenda procesit të Berlinit, jemi të bindur që do të jetë një instrument i jashtëzakonshëm për të parë një zhvillim të panjohur më parë, në ndërveprimin mes njerëzve dhe mes shteteve tona. Edhe ngritja e Fondit të Ballkanit Perëndimor dhe Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, dy strukturat më të reja rajonale me selinë në Tiranë, janë një tjetër arsye për të besuar se jemi në drejtimin e duhur dhe se në këtë drejtim ka mundësi të jashtëzakonshme dhe të pa shfrytëzuara ende.
Në këtë kontekst, duke pasur parasysh stadin e këtij evoluimi të shpejtë të marrëdhënieve në rajon dhe nevojën për të shkuar më tej dhe për të gjeneruar më shumë sinergji, unë e pashë të udhës që këtu përpara jush të flas edhe për një ide tjetër.
Ideja jonë më e re që është Iniciativa e Tiranës, një forum i politikës së jashtme i nivelit të lartë nën kujdesin e Ministrit të Punëve të Jashtme, si një instrument koordinimi i përpjekjeve dhe i hapave konkretë rajonalë në mënyrë të veçantë në kuadër të Procesit të Berlinit.
Pse Iniciativa e Tiranës? Sepse na nevojitet një platformë debatesh intensive rreth çështjeve që lidhen me integrimin në BE, me sigurinë dhe ndërlidhjen në rajon dhe me probleme që na interesojnë dhe na implikojnë të gjithëve, pasi për ne është shumë e qartë që procesi i Berlinit është një proces, ku përveç vullnetit të shprehur në Berlin dhe pastaj të rishprehur në nivelin e vendeve të mëdha anëtare të BE për të marrë përdore këtë pjesë ende të paintegruar në Europë, të Ballkanit drejt BE, – ka një komponent tjetër që është krijimi i një atmosfere dhe hapësire, ku vendet tona të mund të hedhin hapa të pavarur nga axhenda. Që do të thotë të mund të nxisin iniciativën dhe ndërveprimin e brendshëm për t’u sjellë si vende të Bashkimit Europian.
Edhe shkëmbimet e shpeshtuara në të gjitha nivelet në kontinentin europian, forcimi dhe zgjerimi cilësor i marrëdhënieve me vendet e BE, në mënyrë të veçantë me Gjermaninë dhe Francën, partneriteti që po ndërtohet me vendet e Vishegradit janë tashme pjesë e një përditësie diplomatike që ka hyrë në një ritëm të ri, me një kalendar gjithnjë e më të ngjeshur dhe me shkëmbime të shumëfishuara.
Jemi të gjithë të vetëdijshëm se në një botë ku ndërvarësia mes vendeve vetëm rritet dhe ku madhësia e vendeve relativizohet, këndvështrimi dhe ndikimi ynë diplomatik nuk mund të jenë të kufizuar dhe praktika ka vërtetuar se një pjesë e qenësishme e interesave tona themelore shtrihen, evoluojnë dhe pleksen më mënyrë shumë të veçantë në një katërkëndësh të përbashkët; Italinë, Austrinë, Greqinë dhe Turqinë – si një zonë strategjike ku ne investohemi çdo ditë dhe ku ne duhet të fokusohemi për të rritur investimin tonë.
Dua të mos zgjatem në këtë pjesë, sepse është mbase pjesa më e qartë për të gjithë, jo për ju, por për të gjithë, por dy fjalë për pjesëmarrjen dhe kontributin tonë për ruajtjen dhe forcimin e paqes në tërësi dhe luftën kundër terrorizmit dhe dhunës ekstreme, në veçanti.
Ne jemi plotësisht aktivë dhe jemi tërësisht në pozicionin e duhur siç u kuptua qartësisht edhe nga Samiti më i fundit i NATO-s në Varshavë. Falë masave të marra dhe politikës së ndjekur që prej 18 muajsh, Shqipëria ka ikur nga harta e vendeve të origjinës për luftëtarët e huaj. Ne jemi shumë krenarë të themi se ia kemi dalë të frenojmë një fenomen shumë kërcënues për të gjithë, por sigurisht flasim në këtë rast për Shqipërinë, dhe që nga fillimi i vitit 2015, deri më sot nuk është regjistruar asnjë luftëtar i huaj nga Shqipëria.
Jemi të bindur se në planin afatshkurtër forca ushtarake është mjeti për t’iu kundërvënë terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Në planin afatmesëm dhe afatgjatë suksesi do të vijë nga kombinimi i përpjekjeve për të parandaluar konfliktet për t’u kufizuar më intensivisht për ndërtimin e paqes dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe patjetër edhe për të rritur kujdesin në funksion të forcimit të një kohezioni të brendshëm shoqëror larg diskriminimit, larg paragjykimeve, nëpërmjet një mbrojtjeje të vendosur të të drejtave të njeriut dhe të forcimit së shtetit ligjor.
Në Tiranë, do të ndërtojmë qendrën e ekselencës kundër ekstremizmit të dhunshëm. Një strukturë e re, rajonale e mbështetur fuqimisht edhe nga partnerët tanë strategjikë, për të trajtuar çështje që lidhen me radikalizmin dhe ekstremizmin dhe që do të fokusohen në ndërtimin e një ekspertize të rëndësishme për t’i adresuar këto fenomene.
Niveli i sigurisë në rajonin tonë, është sot patjetër më i mirë se asnjëherë më parë edhe falë anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, çka ka zgjeruar hapësirën e sigurisë së Aleancës dhe ka mbyllur të gjithë unazën bregdetare, duke e kthyer detin e brendshëm të Aleancës, në një det pa dalje për ata që nuk janë pjesë e kësaj Aleance.
Nga ana tjetër, në këtë proces zgjerimi, ku tanimë Mali i Zi është anëtar, por ku ne kemi vazhduar të insistojmë se duhet bërë çmos që të përshpejtohet procesi, duke intensifikuar marrëdhënien mes NATO-s dhe Kosovës, apo duke u angazhuar sa më shumë për të zhbllokuar Maqedoninë, gjithmonë duke pasur parasysh edhe kushtet që duhen plotësuar për këtë – kufizohet ndikimi i aktorëve të tretë dhe reduktohet një zonë gri sigurie përreth nesh.
Megjithatë, ne jemi të shqetësuar që brishtësia e krijuar si rezultat i disa proceseve të ngrira demokratike apo të shtetndërtimit dhe nga një mungesë përcaktueshmërie e qartë euroatlantike, në këtë hapësirë ku jetojmë është një vulnerabilitet i rajonit tonë.
Kriza në Maqedoni është ndër të tjera edhe një shembull i qartë se çfarë mund të ndodhë kur perspektiva europiane dhe ajo euroatlantike mjegullohet në raport me kur ajo është e qartë dhe e prekshme.
Është thelbësore që autoritetet maqedonase të zgjidhin në mënyrën e duhur krizën e brendshme politike dhe të forcojnë sundimin e ligjit dhe demokracisë në vend. Veçanërisht e rëndësishme për ne në këtë kontekst është që të vazhdojnë në drejtimin e duhur përpjekjet për një shoqëri plotësisht funksionale, multietnike dhe bazuar në zbatimin e plotë dhe efektiv të marrëveshjes së Ohrit. Ne e kemi mbështetur dhe e mbështesim fuqimisht rihapjen e perspektivës euroatlantike të Maqedonisë, duke i qëndruar bindjes se kjo mund të ndodhë, sigurisht, jo vetëm përmes zhbllokimit të argumentit bllokues që është emri, por edhe përmes përparimit në një proces të brendshëm ku raportet mes shqiptarëve dhe maqedonasve nuk janë ato të parapara nga marrëveshja e Ohrit.
Edhe diçka tjetër për shërbimin e jashtëm që eshtë instrumenti përmes të cilit politika e jashtme zbatohet, instrumenti kryesor. Ju keni pasur me siguri mundësinë të analizoni në detaje aktivitetin, performancën, angazhimin, arritjet, por jam i bindur që ajo që na intereson më shumë është të identifikojmë më së miri nevojën për përmirësime.
Për shumë kohë qeveria qendrore ka pasur një mungesë kronike vëmendjeje ndaj shërbimit të jashtëm dhe diplomacisë së zhvilluar në nivelin e shërbimit të jashtëm. E nëse një shekull më parë Konica thoshte, “Shqipëria kurdoherë ka qenë e njohur si një komb me njëfarë dinjiteti tragjik që e ka ulur vetë Shqipërinë në nivelin e një farse muzikore të pavlerë”, kjo do t’i shkonte më së miri si frazë hyrëse një komenti mbi historinë e re të shërbimit të jashtëm në vitet e tranzicionit. Por besoj që sot gjërat kanë ndryshuar për mirë në këtë aspekt e dua të uroj që përputhshmëria mes kësaj fraze të Konicës dhe asaj që sot është shërbimi ynë diplomatik, është larg së qeni ajo që ishte deri pak vite më parë.
Reforma që kemi ndërmarrë është një reformë ambicioze që synon të rrisë cilësinë e shërbimit. Në tërësi mund të thuhet se Shqipëria ka një shërbim më të mirë, por patjetër që nuk ka shërbimin që mund të ketë.
Jemi ndarë nga koha kur diplomatët postoheshin në kryeqytetet e botës si bohemë, pa asnjë mjet real vendimmarrjeje. Edhe vetë përmbajtja e konferencës, është dëshmia më e qartë që trupi ynë diplomatik nuk është më një shërbëtor i rëndomtë i Tiranës zyrtare, por është një aktor. Një aktor, që ka patjetër domosdoshmërinë që të përmirësohet, por sigurisht që sot dëgjohet më shumë dhe ka më shumë kapacitet pjesëmarrës në vendimmarrjen e Tiranës.
Ajo që vlen patjetër të nënvizohet po ashtu është se jemi shumë larg akoma një shërbimi të jashtëm që funksion si katalizator për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe për rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Jemi shumë larg akoma një shërbimi të jashtëm që për përmasën që ka dhe për volumin që do të përballojë nuk ka arsye pse të mos jetë ekselent në marrëdhëniet me shtetasit shqiptarë.
Në nëntor të këtij viti ne do të organizojmë për herë të parë Samitin e parë të Diasporës. Është një ngjarje e posaçme, Kuvendi i parë në një nivel të tillë me përfaqësues të komunitetit shqiptar nga e gjithë bota. Një përpjekje, për të çelur një kapitull bashkëbisedimi të hapur dhe për të synuar që bashkërisht të gjejmë mënyrat dhe format më të mira se si të ndërtojmë mekanizmat e nevojshëm që afrojnë komunitetet dhe lidhjet mes tyre, por edhe lidhjen e diasporës me atdheun, duke zvogëluar distanca dhe duke shumëfishuar numrin e aktorëve joqeveritarë në funksion të shërbimit tonë të jashtëm.
Do të synojmë që të bëjmë më të mirën për të kaluar në një fazë të re. Nuk mjafton që të organizojmë një samit të tillë dhe të kemi të ftuar, por ajo që është e rëndësishme është që të sigurojmë vazhdimësinë me produkt për të futur në punë një aset të pa shfrytëzuar siç do ta quaja, diasporën shqiptare.
Duke ju falënderuar për punën që keni bërë dhe duke qenë i bindur se këtë trupë ne e kemi një pasuri të rëndësishme, experience, diturie, aftësie, dua t’ju them se objektivi ynë sot, përtej gjithë përmbajtjes dhe vënies në jetë të politikës sonë të jashtme, është që të rrisim sa më shumë dhe sa më shpejt kapacitetin e shërbimit tonë të jashtëm për t’u bërë mbështetje e zhvillimit të ekonomisë dhe njëkohësisht për të qënë mbështetje e shtetasve shqiptarë jashtë.
Në këtë pikë, presim me padurim edhe finalizimin e konsullatës dixhitale, që do të jetë një hap i rëndësishëm për të çliruar një volum të jashtëzakonshëm shërbimesh për shtetasit tanë jashtë, duke ulur shumë ndjeshëm kostot.
Po ashtu, synojmë që në bashkëpunim me Kosovën të hyjmë në një proces racionalizimi të shpenzimeve tona, duke e bërë të mundur që kudo ku kemi prezencë diplomatike të jemi nën një çati. Nuk ka asnjë arsye pse të mos jemi në një çati dhe nuk kemi pse të kemi komplekse apo pse t’i trembemi paragjykimeve që mund të krijohen se duke qënë nën një çati përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë dhe të Kosovës po lëshojnë një mesazh lufte, përkundrazi, kjo është një eksperiencë banale për shumë vende të tjera, shumë më të pasura se sa ne, që në shumë pika bashkëjetojnë nën një çati kur vjen puna tek shërbimi i jashtëm.
Objektivat madhorë jam i bindur që janë të qartë për ju dhe puna e bërë, rezultatet, pavarësisht gjithë vështirësive flasin për këtë qartësi, por këto tre objektiva që për mua janë të mëdha, por vijnë në rendin e gjërave më pas, lutem që t’i mbajmë të gjithë parasysh.
Pra, çdo ambasadë dhe përfaqësi kudo duhet ta masë punën e vetë me çfarë kontribuoi në mënyrë konkrete për zhvillimin e ekonomisë së Shqipërisë.
Së dyti, me çfarë kontribuoi për lehtësimin e komunikimit të të gjithë shtetasve shqiptarë përmes ambasadave apo konsullatave. E së treti, me çfarë bëri për të qënë nën një çati me përfaqësinë simotër të Kosovës.
Shpresoj që fjalimi im nuk ishte i mërzitshëm e aq më pak i lodhshëm, pas një Konference të gjatë, ku jam i bindur që ministri i Jashtëm i ka marrë të gjitha masat për t’ju rraskapitur mjaftueshmërisht.
Suksese e respekt për të gjithë punën që bëni! Sepse, pavarësisht se nuk e thashë, mos mendoni se nuk e kemi të qartë që puna juaj është shumë më e madhe në raport me atë që shteti shqiptar arrin të paguajë për këtë punë.
E dimë që është disproporcionale dhe të jeni të bindur që dhe këtë nuk e kemi jashtë vëmendjes, por meqë nuk kam asnjë premtim për të bërë për këtë, nuk e kisha pjesë të fjalimit tim.
Shumë faleminderit!