Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklaratë e Koordinatores Kombëtare të Antikorrupsionit, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, mbi rezultatet e luftës kundër korrupsionit:

Jam sot këtu përpara jush në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion në këtë raportim të parë për vitin 2019, lidhur me masat dhe rezultatet e punës të strukturave të luftës kundër korrupsionit në administratën publike.

Megjithëse është një raportim i zakonshëm javor, do më duhet ta nis me një situatë aspak të zakonshme dhe mjaft shqetësuese.

Nisur nga denoncimi i bërë dje në mbrëmje në emisionin “Fiks Fare” për drejtuesin dhe dy punonjës të Hipotekës, Durrës, menjëherë pas publikimit është kryer verifikimi i rastit si dhe i veprimeve të të gjithë punonjësve të përfshirë në këtë çështje.

Për shkelje të rënda në detyrë, përfshirë edhe shkeljen e etikës dhe komunikimit me publikun, është shkarkuar sot nga detyra:

  • Regjistruesi i Zyrës Vendore, Durrës;
  • Dhe dy specialistë të Sektorëve të Regjistrimit dhe Hartografisë, zona 1 dhe 2.

Më duhet të theksoj se Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës, ka qenë në fokusin e disa kontrolleve të ndryshme administrative.

Ky denoncim i “Fiks Fare” përkon edhe me një inspektim të kryer po në këtë zyrë, nga Zyra Qendrore, lidhur me kontrollin e disa dosjeve të qytetarëve që trajtoheshin nga kjo zyrë.

Si rezultat i këtij kontrolli, të përfunduar në datën 16 janar 2019, janë shkarkuar nga detyra:

  • 12 punonjës, ndër të cilët 2 përgjegjës sektori dhe 10 specialistë të zyrës së hipotekës së Durrësit;
  • Si dhe dy punonjës kanë marrë masën me paralajmërim për shkarkim.

Ndërkohë një ekip nga Tirana do të kryejë një hetim të thelluar lidhur me rastin dhe me funksionimin e të gjithë zyrës së hipotekës së Durrësit.

Do të largohen të gjithë punonjësit që janë në shkelje dhe që kanë abuzuar me detyrën.

Si dhe po marrim të gjitha masat për zëvendësimin e atyre që shkarkohen sot, me qëllim që t’u garantojmë qytetarëve ofrimin e shërbimit në kohë të shpejtë dhe sipas procedurave ligjore.

Dhe nëse do të jetë e nevojshme do të rindërtojmë nga e para me staf profesional të gjithë zyrën vendore të hipotekës së Durrësit.

Zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurive të paluajtshme ashtu sikurse edhe të gjitha institucionet dhe zyrat e tjera shtetërore ku ofrohen shërbime për qytetarët kanë qenë dhe do të vijojnë të mbeten në qendër të vëmendjes dhe kontrollit për mënyrën e zbatimit të ligjshmërisë dhe ofrimin e shërbimeve publike.

Nuk kanë qenë të pakta rastet kur nga kontrollet e ushtruara janë konstatuar shkelje të ndryshme, për të cilat janë marrë edhe masat përkatëse.

Kështu vetëm për vitin 2018, më lejoni t’i sjell publikut në vëmendje, se në të gjitha zyrat e Hipotekës në territorin e Republikës së Shqipërisë, janë marrë 273 masa disiplinore për drejtues dhe punonjës të zyrës qendrore apo zyrave vendore, të ardhura si rezultat i platformës së bashkëqeverisjes nga ankesat e qytetarëve, si rezultat i inspektimeve të Task Forcës Antikorrupsion dhe inspektimeve të brendshme.

Si ministre e Drejtësisë dhe njëkohësisht si Koordinatore Kombëtare Antikorrupsion jam e vendosur të mos toleroj asnjë lloj sjelljeje që cenon rregullat e funksionimit të institucionit apo etikën e komunikimit me qytetarët.

Nuk do të tolerojmë asnjë punonjës apo drejtues që sillet si pronar i zyrave të shtetit, dhe nuk do të lejojmë askënd që sillet në zyrat e shtetit në mënyrë të papërgjegjshme, me sjellje arrogante duke sorollatur qytetarët nga një zyrë në zyrën tjetrën e duke mos ushtruar përgjegjësitë ligjore dhe funksionale të çdo punonjësi shteti.

Një vëmendje të shtuar në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit me detyrën, kemi pasur edhe në institucionet e sistemit penitenciar.

Në fillim të muajit janar, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, ka referuar në prokurori materialet për dy drejtues të IEVP-së, Rrogozhinë, për shpërdorim detyre, përkatësisht për drejtorin e burgut dhe shefin e policisë së këtij burgu.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Kavajë, pasi mori në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga organi i akuzës si dhe aktet për këtë dosje, vendosi caktimin si masë sigurimi personal, pezullimin e ushtrimit të detyrës për të dy drejtuesit e paditur. Dhe sot që flasim të dy drejtuesit janë të pezulluar nga detyra.

Ndërkohë një angazhim të plotë gjatë këtyre javëve të para të vitit 2019 kanë pasur edhe strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat kanë shënuar rezultate të mira në evidentimin dhe dokumentimin e veprave penale në fushën e korrupsionit.

Që nga data 2 janar 2019, nga Policia e Shtetit janë evidentuar dhe referuar në Prokurori materialet për 28 raste të veprave penale, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Janë proceduar kështu 55 autorë.

Në mbyllje të këtij raportimi më lejoni të risjell në vëmendjen tuaj dhe nëpërmjet jush të të gjithë opinionit publik, të rëndësisë që ka për suksesin e luftës antikorrupsion bashkëpunimi i vazhdueshëm me qytetarët edhe me median.

Duke falënderuar median dhe qytetarët për denoncimet e bëra dua të siguroj për vendosmërinë e qeverisë për të vijuar me masa të ashpra ndaj çdo shfaqjeje të korrupsionit apo abuzimit me detyrën në çdo nivel apo çdo institucion publik dhe në çdo nivel hierarkik të këtyre institucioneve.

Faleminderit

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.