Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Sera e Fatos Kanaçit, fermer në Qarkun e Beratit, në marsin e vitit të kaluar u përmbyt dhe i gjithë mundi i tij i mbi më shumë se një dekade u shkatërrua në pak minuta. Sot, në saj të bashkëpunimit me Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe falë skemave mbështetëse kombëtare për bujqësinë, ai arriti që, jo vetëm ta rindërtojë serën e tij, por edhe ta zgjerojë atë. Ambientet e reja tw saj u vizituan nga Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi dhe nga Drejtoresha e përgjithshme e AZHBR-së, Frida Krifca.

Pa mundësi financiare për ta ringritur serën, Fatosi aplikoi pranë AZHBR-së, ku përfitoi nga skemat e saj mbështetëse. “Unë pata një histori në 2018, pata një fatkeqësi natyrore, ku si pasojë e stuhisë së fortë mu prish e gjithë sera ime. Kam 14 vite që merrem me fermën dhe në pamundësi financiare për ta rindërtuar, aplikova pranë AZHBR-së dhe u shpalla fitues. Ndërtova këtë objekt, një serë më të madhe, më moderne e më cilësore,” shprehet Fatosi.

“Kushdo që punon tokën, sot ka një mundësi më shumë falë skemave të reja të Komisionit Europian. Falë zerimit të TVSH-së për imputet bujqësore dhe granteve mbështetëse për fermerin, bujqësia po kthehet në një mundësi të mirë, jo thjesht për të mbijetuar, por për të krijuar të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur familjen e në rastin më të mirë edhe për të eksportuar produktet jashtë vendit. Kush ka tokën e kush ka mendjen në kokë, me mbështetjen tonë, me skemat e reja, me skemën e re të Komisionit Europian tani, pa diskutim që arrin të nxjerrë një fitim që është më shumë se sa një rrogë e mirë në shtet pastaj të tjerë mund të nxjerrin edh më shumë se sa ata që punojnë nëpër banka por kjo është pak por e sigurt. Gjithë çështja është që shumëkush këtu nuk ishte mësuar me rregull. Tani rregulli i duket fundi i botës. Si rasti i Fatosit janë me mijëra në Shqipëri, të cilët punojnë, prodhojnë, shesin e fitojnë,” tha Kryeministri Rama.

Fermerët mund të përfitojnë edhe nga fondet e Komisionit Europian për zhvillimin e bujqësisë, që këtë vit janë më të madhe se çdo vit tjetër. “Fatosi ka aplikuar dhe në programin IPARD dhe është kurajoz, sepse ka marrë një tokë tjetër me qera, do të bëjë një serë akoma më të madhe dhe shpresojmë të jetë përfitues edhe aty,” – tha Krifca, drejtoresha e AZHBR.

“Kapërcimi që duhet të ndodhë tek shumë njerëz, që ju e keni bërë kapërcimin, është që për të nxjerrë fitime nga toka, duhen mend dhe duhen bërë projekte. Na ka dhënë Bashkimi Europian dhjetëra miliona euro tani, nuk i kemi pasur kurrë, por ai i Bashkimit Europian të thotë ja ku i ke lekët, por nuk të lëshon kokrrën e lekut nëse ti nuk i ke të gjithë letrat në rregull,” – tha Kryeministrit, i cili gjithashtu shtoi se fakti që ka njerëz si Fatosi, të cilët aplikojnë dhe përfitojnë, do të thotë që është diçka që bëhet dhe jo e pamundur.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.