Ndërtesa e re e Bashkisë së Korçës, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 144 milion lekë përfaqëson modelin e parë në Shqipëri të Bashkisë së hapur për qytetarët. E konceptuar si një hapësirë pa barriera mes punonjësve dhe qytetarëve, që marrin shërbimin aty, mjediset e saj ofrojnë transparencë të plotë për këdo që është i interesuar të njohë dhe të dijë punën që bëhet aty.
“Ideja këtu është që Bashkia të mos ketë barriera fizike ndërmjet punonjësve dhe qytetarëve që vijnë të marrim shërbime. Gjithçka është transparente. Sportelet, zyrat që kanë kontakte me qytetarët vendosen këtu dhe presin qytetarët për kërkesat që ata mund të kenë, ndërkohë që dhe pjesa tjetër e zyrave janë me xham, pra janë transparente dhe publiku, qytetarët shohin punonjësit e bashkisë për t’i vendosur në një lloj presioni pozitiv,” shprehet kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.
“Është ultramoderne, por me shumë shije, me shumë harmoni, plus që ka shumë komoditet në shërbime, krijon një ndjenjë shumë pozitive,” shprehet Kryeministri Rama.
Bashkia e Korçës ofron 63 shërbime të unifikuara, tashmë në një godinë me standarde bashkëkohore për të gjithë qytetarët.