Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

 

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit europian për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimin, Johannes Hahn, pas takimit të zhvilluar mes tyre në Kryeministri:

 

Kryeministri Edi Rama: Dua të falenderoj Komisionerin Hahn për vlerësimin e Komisionit Europian, për progresin e qëndrueshëm e të vazhduar të Shqipërisë në përmbushjen e përparësive për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Kjo vizitë vjen në një moment të rëndësishëm, sepse pas rekomandimit të Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit, në varësi, rikujtoj, të zbatimit të procesit të Vetting-ut, Shqipëria e ka filluar procesin e Vetting-ut.

Me Komisionerin diskutuam pikërisht hapat që duhet të ndërmarrim sëbashku, në funksion të konsolidimit të pozicionit të Shqipërisë, në raport me shtetet anëtare, duke vënë në tryezën e Këshillit Europian një raport solid, që konfirmon vazhdimësinë e progresit të bërë dhe të konstatuar nga Komisioni, që në vitin e shkuar.

Diskutuam për suksesin e qartë të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, një sukses i mishëruar në raportin analitik, të dalë pas monitorimit të qenësishëm të Guardia di Finanza dhe i konsideruar prej qeverisë shqiptare si përmbyllja e fazës së parë të një lufte që vazhdon me fazën e dytë, të cilën tanimë ia kemi prezantuar dhe publikut, për të cilën ndamë me Komisionerin, qoftë objektivat dhe ambicien tonë, qoftë edhe hapat që ne kemi planifikuar të bëjmë për t’ia dalë me sukses, përmes Task-forcës speciale të policisë për luftën kundër krimit të organizuar dhe operacionit “Forca e ligjit”.

Padyshim që sot jemi në kushtet kur nga njëra anë mund ta themi me plotë gojën që Shqipëria meriton të hapë negociatat, përsa na takon dhe nga ana tjetër, pavarësisht se si dhe qysh procesi do të zhvillohet, ne do vazhdojmë të konsolidojmë pozicionin tonë lidhur me këtë aspiratë të të gjithë shqiptarëve.

Ne jemi shumë të inkurajuar edhe për rrjedhën e Procesit të Berlinit, që tregon në mënyrë të vijueshme dobinë e tij dhe na jep në mënyrë të vijueshme mundësi të reja të ndërveprimit dhe bashkëpunimit rajonal, në funksion të modernizimit dhe europianizimit të vendit tonë dhe të gjitha vendeve sëbashku.

Jemi të inkurajuar edhe nga zhvillimet e fundit, që në një farë mënyre po e kthejnë erën në favor të rrugëtimit tonë europian, duke sjellë edhe mesazhet inkurajuese për vendet tona nga Presidenti Juncker, të cilin me shumë kënaqësi do ta takoj në fillim të dhjetorit, pas ftesës së marrë ditën e djeshme.

Besoj që Komisioneri mund dhe do të flasë ndoshta më në detaje, por ajo që mua më takon është që si në fillim dhe në fund ta falenderoj jo vetëm për vizitën, por mbi të gjitha, për vëmendjen e posaçme dhe për mbështetjen e posaçme të tijën personalisht, të ekipit të tij, të Delegacionit Europian në Tiranë, në një proces ku ne sigurisht na takon të provojmë progresin me fakte, por ku njëkohësisht nuk jemi vetëm, sepse kemi një mbështetje të qartë e të konsoliduar.

 

Komisioneri  Hahn: Ju faleminderit shumë zoti Kryeministër!

Ju faleminderit për fjalët tuaja kaq miqësore! Unë kam ardhur sërish këtu, pas  2 muajsh dhe kjo, për arsye se Shqipëria po bën gjithë këtë punë. Siç e dini, kemi pasur një konferencë në Durrës dhe tani kemi këto “Ditët e Medias “, të cilat organizohen prej nesh, por ne jemi shumë mirënjohës që jemi këtu në Tiranë dhe kemi mundësinë që të diskutojmë me njëri- tjetrin, duke qëndruar bashkë, duke shkëmbyer ide, duke parë ecurinë, progresin që ka bërë Shqipëria në rrugëtimin e  saj drejt BE, si dhe cilat janë sfidat e saj, që kanë mbetur ende për t’u trajtuar, pasi zoti Kryeministër  iu referua atyre, por mendoj që është shumë e rëndësishme që ne t’i trajtojmë këto sfida, të përballemi me to, të punojmë për t’i tejkaluar ato.

Kur flasim për të gjithë procesin e negociatave, çdo gjë që bazohet tek ajo, është në fakt e bazuar tek merita, që do të thotë se duke qenë e bazuar tek merita, ne bazohemi tek faktet dhe vetëm tek këto mbështetemi, jo në thashetheme apo në aludime. Pra, vlerësimi ynë varet nga evidencat, nga provat , nga vlerësimet dhe vetëm këto kanë rëndësi. Po kjo është një gjë, e cila duhet komunikuar.

Është gjë e mirë të themi se cili është realiteti, por është e rëndësishme që ne të arrijmë tek qytetarët dhe të flasim për ecurinë, progresin që ka bërë Shqipëria. Unë përpiqem ta bëj këtë. Kryeministri përpiqet ta bëjë këtë, si dhe anëtarët e tjerë të Këshillit të Ministrave, por të gjithë ne së bashku mund të bëjmë shumë më shumë për këtë, sepse në veçanti kemi në fakt, diçka për të treguar, kemi një histori të re për të treguar në lidhje me ecurinë, progresin, p.sh., sa i përket luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës, apo për uljen në mënyrë të konsiderueshëm të numrit të azilkërkuesve në BE.  E  kjo është një arritje tjetër e madhe. Është e rëndësishme që edhe të ndryshohen disa deficite në reputacion. Ato ekzistojnë dhe nuk ka kuptim që ne t’i shpërfillim, por është e rëndësishme që ne të merremi me to, të përballemi me to dhe kjo na bashkon në përpjekjet tona të përbashkëta, për të pasur ecurinë e duhur, për të bërë progres.

Ne kemi pritshmëri të caktuara dhe duhet të kemi edhe synime për 2018-n. E duke u bazuar në fjalimin e  Presidentin Juncker në lidhje me të ardhmen europiane të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, natyrisht që ne do të nxjerrim një strategji për Ballkanin Perëndimor dhe këtë do ta bëjmë në muajin shkurt.  Do të kemi pastaj raportet përkatëse për secilin nga shtetet e Ballkanit dhe për herë të parë pas pothuajse 15 vitesh, sepse në fakt Samiti i Selanikut është mbajtur në vitin 2003, do të ketë edhe një Samit të Ballkanit Perëndimor që do të organizohet dhe do të mikpritet nga Presidenca Bullgare, në maj të vitit 2018. Sërish unë do të thosha që kjo tregon qartë dhe demonstron angazhimin e  BE-së në lidhje me anëtarësimin e ardhshëm dhe të ardhmen europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pas Presidencës bullgare, do të kemi edhe atë austriake dhe duke u bazuar tek këto, ne do të kemi informacion, që do të vazhdojnë pikërisht me këtë përkushtim kaq të madh. E më pas kemi Rumaninë, kështu që mendoj që në fakt do ketë jetë një kohë e mirë, kjo një dritare mundësish që ne mund të punojmë jo vetëm për rezultate konkrete, por edhe për të arritur diçka në lidhje me çeljen e negociatave.

Ky është synimi ynë, objektivi ynë.

Një nga rezultatet e para që duhet të kemi për të  marrë rekomandimin pozitiv është ai që njihet si procesi i Vetting-ut, i famshmi pra, procesi i Vetting-ut, i cili sapo ka filluar dhe unë pres rezultatet e para t’i shikojmë në fillim të vitit. Ekipi ynë i ONM-së ka filluar të punojë, duke pasur ekspertë, do të thosha nga e gjithë bota, pasi unë i kam takuar ata përpara se të vinin në Tiranë dhe kemi pasur një takim të ngrohtë në Bruksel. Më ka lënë mbresa sesa ekspertizë gjyqësore, pra, kemi gjyqtarë, prokurorë, të cilët kanë një përvojë shumë të madhe dhe jam i sigurt që e gjithë kjo përvojë dhe dije do të ketë një ndikim shumë pozitiv dhe në sajë të saj, ne do të shikojmë shumë shpejt edhe rezultat e para.

Po ashtu, këtu kemi të bëjmë edhe me ecurinë, progresin, me ato që njihen si 5 prioritetet, apo përparësitë kyçe. Është shumë e rëndësishme që të konsolidohen arritjet e bëra deri më tash e po dhe ashtu, për të ecur përpara në këto fusha. Të gjitha këto, për mendimin tim, janë në rrugën  e duhur. Do  të thosha që është një gjë, të cilën unë do të dëshiroja ta theksoj, që në vlerësimin tonë, Shqipëria është në rrugëtimin e duhur. Madje, edhe njëherë këtu publikisht do të thosha, që aspiratat europiane duhet të jetë një objektiv kombëtar. Objektiv kombëtar, i cili mbështet nga të gjitha forcat, nga të gjitha elementet, nga të gjithë pjesët e shoqërisë, partitë politike, shoqëria civile dhe media, në fakt. Pra, në mënyrë absolute të gjithë, sepse ky është një objektiv kombëtar, synim kombëtar.

Unë kam kaq vite në politikë dhe e di që në fakt, diskutimet mes partive politike janë normale, sepse kjo është demokracia në fund të fundit. Por ama, sa i përket synimit, apo objektivit kryesor kombëtar, i gjithë vendi duhet të jetë i bashkuar. Kjo është shumë e rëndësishme edhe në lidhje me të pranuarit, – në rast se mund ta themi, – që qytetarët në Europë të ndihen të siguruar që i gjithë vendi e do dhe e ka për synim të ardhmen europiane. Kjo është thelbësore edhe për ne europianët. Por e kam kuptuar që të gjithë partitë politike në vend e duan këtë gjë, por është e rëndësishme që në rast se është vërtetë kështu, kjo duhet treguar me një veprim të përbashkët kombëtar.

Faleminderit !

 

Sa larg ka shkuar takimi trepalësh me Serbinë dhe Italinë? A do të takoheni përpara fundit të këtij viti?

Kryeministri Edi Rama: Ju e dini që mes këtyre tre vendeve, data asnjëherë nuk është e sigurt. Megjithatë, po, jemi në rrugë të mbarë. Në momentin që e dimë datën, ju do ta merrni vesh.

Komisioneri Johanes Hahn: Ndoshta edhe në moment të fundit.

Kryeministri Edi Rama: Gjithmonë duam të takohemi nesër. Por momenti kur ndodh, është momenti kur të gjithë të kemi mundësi në të njëjtën datë.

 

Në dhjetor të vitit të shkuar, Këshilli i Europës vendosi që, sapo Shqipëria të jetë gati, Komisioni Europian të paraqesë një raport tjetër. Jemi pas një viti dhe në situatën kur raporti vjetor është shtyrë për në pranverën e vitit të ardhshëm, çështje e organizimit të Komisionit  Europian, a do të kemi një raport përpara pranverës së vitit të ardhshëm për Shqipërinë? A gjykoni ju, edhe nga bisedat që keni zhvilluar në këtë moment në Tiranë, që janë kushtet për të bërë një diskutim përpara pranverës?

Komisioneri Johanes Hahn: Së pari, ne nuk e kemi shtyrë raportin. Është e vërtetë që nga hera e fundit dhe deri në publikimin e ardhshëm bëhet fjalë për një periudhë një vit e gjysmë, por këtë e kemi bërë në mënyrë që të kishim një cikël tjetër në punën tonë, pasi objektivi ynë është që ky raport të dalë në pranverë dhe në të ardhmen, gjithmonë do ta kemi raportin në pranverë, në mënyrë që të jemi më mirë të bashkërenduar me të gjitha aktivitetet. Kjo ka qenë arsyeja se pse nuk e kemi nxjerrë raportin këtë vit. Por që nga viti tjetër e tutje, kjo do të ndodhë çdo pranverë dhe jo çdo vjeshtë apo dimër. Kështu që ka qenë vetëm për të pasur një bashkërendim më të mirë të punës brenda për brenda institucioneve tona. Ndërsa në lidhje me pyetjen tjetër, sapo të kemi tregues, pra, sesi një raport pozitiv i tillë nga ana jonë do të merret në konsideratë nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian, atëherë unë jam mëse i gatshëm që ta lançoj një raport të tillë. Megjithatë mendoj që isha tejet i qartë nga ana ime, kur thashë që ka ecuri apo progres sinjifikativ. Por gjithnjë në jetë, puna vjen tek momenti i duhur.

 

Nga këndvështrimi kroat, Kroacia ishte vendi i fundit që është anëtarësuar në BE dhe është vend i Ballkanit Perëndimor, edhe pse ndonjëherë përpiqet të mos perceptohet si i tillë. Sa mendoni që përvoja e Kroacisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian është me vlerë, apo me rëndësi për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, apo kanë ndryshuar kaq shumë rrethana, saqë përvoja e fundit e vendit që është anëtarësuar në BE nuk ka ndonjë rëndësi, apo vlerë të madhe?

Zoti Kryeministër Rama, duam ta dëgjojmë edhe prej jush, sepse kemi dëgjuar që ka zëra që një prej këshilltarëve tuaj mund, ose është Zoran Mihajlovic. Duam ta konfirmojmë nga ju, nëse kjo është e vërtetë.

Komisioneri Johanes Hahn: Ashtu si të gjithë në jetën e tyre private, në fakt duhet të nxjerrin mësime nga përvojat e mëparshme. Natyrisht, ne e kemi mësuar, kemi nxjerrë mësime nga e shkuara dhe pas çdo vale zgjerimi kemi parë sesi është e përgatitur ajo. Kështu që, natyrisht ka disa zhvillime, për shembull, fakti që ne tani po fillojmë të gjitha negociatat me çeljet e kapitujve 23 dhe 24, që do të thotë që e gjithë çështja e negociimit do të ndodhë vetëm pasi të jenë mbyllur kapitujt 23 dhe 24. Pra, kapitujt 23 dhe 24 janë jo vetëm në fillim, por edhe në fund të të gjithë procesit. Kjo është në sajë të përvojës që pamë ne gjatë zgjerimit. Një element tjetër është p.sh., që ne theksojmë më shumë tani sesa në të shkuarën, faktin që çfarëdolloj konflikti ndërkufitar, ose për kufijtë, duhet të zgjidhet ndërmjet anëtarëve potencialë, apo të ardhshëm, përpara se të ndodhë anëtarësimi në Bashkimin Europian, sepse ka mungesë gatishmërie nga BE-ja që të merret pastaj me këto çështje, më vonë. Këto janë pak a shumë. Por, ama, në parim, koncepti është i njëjtë dhe besoj që të gjithë e dinë që ajo që presim ne është ajo që është thënë edhe shumë herë të tjera në raste të ndryshme e në vende të ndryshme, që në veçanti vendet e rajonit, nëse janë shtete anëtare, apo vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe jo ta bllokojnë ecurinë e njëri-tjetrit.

Kryeministri Edi Rama: Kroacia është e jashtëzakonshme. Për ne është një shembull fantastik i mënyrës sesi ta ndjekim këtë ambicie. Kur bëhet fjalë për Zoranin, është një mik i madh. I kam kërkuar këshillim kur ka qenë Kryeministër dhe do i kërkoj këshillim sa herë që ta takoj. Më duhet t’ju them që ai është kaq i mirë me mua, sepse asnjëherë nuk është i vonë, kur jep këshillat e tij.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.