Nga fjala e Kryeministrit Edi Rama së seancën e sotme parlamentare:
Dua të ndërhyj shkurtimisht në këtë debat, për shkak se më bën përshtypje që citoni Rektorin e Universitetit Bujqësor lidhur me çështjen e laboratorit. Do kishte qenë shumë mirë që Universitetit Bujqësor të mos i kishit vënë kazmën paraprakisht, të mos ishit kthyer në një rrënojë politike tërësisht armiqësore ndaj shkencës, ndaj Universitetit dhe në rastin konkret edhe ndaj bujqësisë si sektor, ku për ju ishte vetëm hapësira e lëmoshave, ndërkohë që për ne është hapësira e një zhvillimi që nuk mund të bazohet tek lëmosha, por tek investime të bazuara në logjikën e tregut.
Mirë që s’bëtë asgjë për të krijuar tregun e tokës; mirë që i latë fermerët në mëshirën e fatit pa pronën e tyre bazuar mbi ligjin 7501, që prej 25 vjetësh mbeti pa zbatuar; mirë që nuk lëvizët as gishtin që t’i çonit ujin në parcelë dhe nxorët jashtë përdorimit për prodhim të përvitshëm me mijëra e mijëra hektarë vetëm për shkak të mungesës së ujit; mirë që asistuat dhe mbështetët madje me politikën tuaj “ndërtimi është bereqet”, bllokimin e qindra e qindra kilometrave kanaleve kulluese për shkak të ndërtimeve kuturu; mirë që Universitetin Bujqësor e kthyet në territor ku “ndërtimi bereqet” arriti të gllabërojë territore të tëra dhe të shkatërrojë atë qendër ekselence eksperimentale që sot duhej të ishte pararoja e zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë, – por tani vini këtu edhe kërkoni llogari në hava.
Ndërkohë që ne jemi angazhuar në një bashkëpunim konkret me Universitetin Bujqësor, me Rektorin e Universitetit për ta rikthyer Universitetin Bujqësor në krye të detyrës së vet që nuk është thjesht të japë leksione me llafe, por të jetë një vend ku zhvillohen praktika të standardeve europiane dhe ku referohet çdo sipërmarrës dhe çdo fermer për të rritur dhe garantuar cilësinë e prodhimit të tij.
Prandaj, edhe një herë tjetër, si në të gjitha rastet e tjera, dua ta rinënvizoj se këtu s’mund të flisni sikur keni ardhur nga hëna në vitin 2013, po në radhë të parë nuk duhet ta harroni që jeni shkatërruesit e shtetit dhe shkatërruesit në çdo sektor.
Pasi të kujtoheni për këtë, kur vini këtu, mundoheni që përveç kritikave, që është detyra juaj, të jepni dhe ndonjë ide! Mundohuni! Bëni ndonjë sforco të jepni ndonjë ide konkrete se si, sipas jush, u dashka bërë më mirë nëse këtu ne po e bëjmë diçka gabim.
Sa për kanabisin, mos u shqetëso fare i dashur, sepse, nuk është absolutisht siç thua ti. Përkundrazi, referoju shifrave të eksporteve bujqësore dhe do të shikosh që janë më të lartat ndonjëherë dhe janë produkte bujqësore që tregtohen jashtë vendit tonë dhe që s’kanë asnjë lidhje me kanabisin.
***
E para e punës unë jam me Partizanin nuk jam me Ballin Kombëtar. Kjo nuk është as sekret dhe as një arsye për të ardhur këtu në emër të Ballit Kombëtar dhe për të bërë fitimtarët.
Këtu, në emër të Ballit Kombëtar mund të numëroni vetëm ca pula që keni shqyer kur keni qënë në qeveri dhe e keni trajtuar shtetin si një pulë që e keni shqyer nga të gjitha anët. Për këtë po. Këtë nuk ua mohon njëri! Jeni pasardhësit e lavdishëm të renegatëve dhe të tradhtarëve të Ballit Kombëtar. Keni shumë të drejtë t’i dekoroni, sepse jeni njësoj si ata.
E dyta e punës, kur shkoni atje tek Varrezat e Dëshmorëve dhe përkuleni atje, se s’keni rrugë tjetër, te partizanët shkoni, përkuleni dhe aty do shkoni, doni s’doni ju, në rresht, me Saliun në krye, do ulni kokën te partizanët dhe te autorët e monumentit. S’keni rrugë tjetër!
Tani të kthehemi pak tek bujqësia. Për fat të mirë të gjithë ata që jetojnë në fshat janë shumë më të mençur se sa i kujtoni ju.
Për fat të mirë, mençuria e tyre dhe eksperienca e tyre është shumë më tepër se sa e mjaftueshme për t’ju parë ju si cirkun që shkonte dikur për të argëtuar kooperativën.
Ju jeni thjesht një cirk që argëtoni njerëzit në fshat kur ju paraqiteni aty dhe kur ju thoni ju janë rritur taksat. Çfarë taksash janë rritur në fshat? Cila është taksa që i është rritur fshatit?
Po, fshatit i është rritur rimbusimi i TVSH-së mbi prodhimin bujqësor. Ju e kishit 6% rimbursimin e TVSh-së për prodhimet bujqësore. Ne e kemi 20%.E kam thënë edhe publikisht, e them dhe këtu. 6%-shi rimbursim i prodhimit bujqësor është i arsyeshëm, jo i paarsyeshëm, por është i arsyeshëm në kontekstin e një bujqësie të formalizuar.
Të gjithë ata të cilët janë të përfshirë në procesin e formalizmit nuk kanë fare problem kostosh, sepse marrin mbrapsht 20% nga shitja e prodhimit të tyre, që është shumë më tepër sesa çdo lloj forme lëmoshe e quajtur subvencion për farat, plehun e për naftën.
Është e vërtetë që ju dhatë naftë subvencion, por e dhatë dhe nuk patë që nafta shkoi për Mercedesa, nuk shkoi për punën në arë. Për sa i përket rritjes, ju e dini shumë mirë që nafta sot, jo për shkakun tonë, por për konjukturën ndërkombëtare është shumë më e lirë sesa ç’ishte.
Nga ana tjetër, edhe për sa e i përket naftës, janë disa segmente në sektorin e bujqësisë që e marrin mbrapsht shpenzimin për naftën, por, gjithmonë, në bazë të formalizimit. Ju ishit dhe vazhdoni të jeni ata që i bëni thirrje fermerëve: “Mos e merrnin NIPT-in, se do ju rriten taksat”, një marrëzi. Ndërkohë që kush ka marrë dhe po vazhdon të marrë NIPT-in përfiton në disa aspekte. Në radhë të parë, përfiton në aspektin e rimbursimit të TVSh-së. Në radhë të dytë, përfiton në aspektin e mbështetjes me subvencione për prodhimin, që sot janë më të larta sesa c’ishin në kohën tuaj.
E fundit, për sa i përket eksporteve, edhe një herë tjetër. Janë shifrat që flasin për eksporte bujqësore që rriten. Flasin për një zë në ekonominë tonë që fuqizohet. Nuk flasin për kanabisin që duket sikur ka pasur një efekt përfundimisht shkatërrues të vijës tuaj logjike. Jam i vetëdijshëm unë dhe jemi të gjithë të vetëdijshëm që bujqësia ka ende nevojë të jashtëzakonshme për të dhënë mbrapsht atë që realisht mund të japë.
Por, të flisni ju për bujqësinë, që nuk dhatë një titull pronësie mbi tokën dhe e bëtë “lesh e li” historinë e tokës duke e transformuar në një territor konfliktesh, – 8 mijë të vrarë dhe plagosur vetëm nga konflikte pronësie, në Shqipëri. Të flisni ju për bujqësinë që nuk sollët një ekskavator. Ekskavatori i fundit që ka hyrë në Republikën e Shqipërisë për kanale vaditëse e kulluese ka hyrë në vitin 2005. Treçerekun e flotës që na latë ju, ishte pjesë e marrëdhënieve e shqiptaro-kineze, rezultat i dashurisë me Kinën.
Edhe ata ekskavatorë që punonin, më shumë i jepnit me qira për punë private se sa i përdornit për të hapur kanale ujitëse dhe kulluese. Si mund të flisni ju, kur akoma sot që flasim në Shqipëri ka ende qindra kilometra kanale për të pastruar. Kemi pastruar pothuajse 1000 kilometra kanal që nuk funksiononin fare. Përsëri ka për të pastruar. Ju nuk pastruat një. Ju e katandisët Shqipërinë që në vitin 2015 e në vitin 2016, në mes të Europës, në shekullin e 21 të diskutohej për kanalet ujitëse dhe kulluese.
Le që nuk bëtë një sistem të vetëm ujitjeje në fshat dhe furnizimin me ujë të tokës me standarde të kësaj kohe, por edhe kanalet që trashëguat nga partizanët i trajtuat si pula për t’i ngrënë, sikur i morët me vete, se nga partizanët i trashëguat ato kanale, nuk i trashëguat nga ballistët.
* * *
E mësove dhe një gjë tjetër sot, që flotë quhet edhe ajo. Kështu që mbaje shënim aty, edhe një gjë tjetër që e mësove falë nesh. Tani çështjen e partizanëve e hape vetë, qenke dhe djalë partizani përveç tjerash. Edhe vjen këtu dhe tallesh “partizani, partizani”.
E dyta e punës, nuk janë ashtu siç thua ti numrat, si gjithmonë, se mes jush dhe numrave është Saliu, juve numrat i merrni nëpërmjet Saliut. Është aritmetika e Saliut, jo aritmetika që ke mësuar në shkollë falë babait partizan. Janë 10 ekskavatorë që kanë ardhur me kërkesën tonë, se aty e keni pasur Kinën dhe më përpara për bordet e kullimit dhe janë dhe 61 të tjerë që janë financim drejtpërdrejtë i buxhetit të bujqësisë së këtij shteti, ndërkohë që i fundit ekskavator që erdhi në Shqipëri për bujqësinë erdhi në vitin 2005. Këto janë fakte dhe s’keni çfarë flisni fare. E sa për ata që u vranë tërësisht në mënyrë të padrejtë, mos i ngatërro këtu. E ke shumë të qartë ti dhe e keni shumë të qartë ju, se çfarë kam unë dhe çfarë ka ky popull parasysh kur flet për ballin kombëtar. Se ka patur në gjirin e Ballit Kombëtar, patriotë dhe nacionalistë të ndershëm, këtë nuk e ua vë në diskutim askush, përveç Saliut. Por që ju jeni pasardhësit e Ballit Kombëtar të Shefqet Musarajit, kjo nuk ka pikë dyshimi, që ju jeni ilustrimi më i shkëlqyer i vargut: “U ngritën këmbët t’i bien kokës”, kjo nuk ka pikë dyshimi, dhe që zotërote djalë partziani të jesh këmba që çohet për t’i rënë kokës, ky është patjetër shembulli drithërues i degradimit të një historie shpresash dhe ëndrrash që ua jep PD, e cila sot përfaqësohet fiks nga ty. Djali i partizanit që rreh gjoksin për pulat e Ballit Kombëtar.
* * *
I dashur Ridvan! Është një nga ato momente të rralla kur ngrihet pak niveli i bisedës dhe të dëgjoj me vëmendje sepse të paktën aritmetikën e bën vetë dhe nuk ta jep Saliu. Të dëgjova me vëmendje dhe të falënderoj sepse e the vetë se nuk është rritur asnjë taksë për fshatin dhe për fermerët.
Ajo që bëjmë ne është t’iu themi fermerëve, mos kërkoni para në avancë, nuk japim. Por jemi të gatshëm t’ju japim rimbursimin 20 % të prodhimit që është më shumë sesa shuma e subvencioneve që bënit ju, në rastin e mbështetjes për uljen e çmimit të farave, me kushtin e formalizimit. Sot mjafton të shikosh letrat dhe të bësh krahasimin nëse në periudhën e qeverisjes tënde nuk disbursove dot një qindarkë për të rimbursuar tvsh-në për fermerët, shikoje shifrën e rimbursimit tonë.
Është një masë me siguri tranzitore prej disa vitesh, – nuk mund të qëndrojë gjatë në kohë sepse nuk del llogaria, – por është një masë e domosdoshme për të formalizuar bujqësinë.
Po them diçka tjetër për konkurrencën. Në Sarandë nuk shkon dot një grosist, as nga Greqia, as nga Tirana, as nga Holanda, t’i kapi tek e tek dhe t’ju futet në mes, që disave tua marri me çmimin përtokë, ca të tjerëve tua lërë nëpër fusha. Mund të më thuash pse nuk ngelet një mandarinë e vetme pa shitur, ndërkohë që prodhimi rritet çdo vit, në mënyrë eksponenciale, për këtë arsye që po të them. Mund të më thuash si ka mundësi – meqë problemi qenka që këta nuk konkurrojnë dot, – që agrumet e Sarandës janë sot në 18 tregje ndërkombëtare. Përgjigja është shumë e thjeshtë, sepse janë strukturuar si një forcë e vetme në treg, dhe nuk negociojnë secili me thasët e vet, negociojnë me mijëra e mijëra tonelata me një dorë dhe bëjnë të kundërtën e asaj që bëjnë grosistët grekë apo shqiptarë apo të tjerë në Korçë. Zgjedhin ata se kujt do ia shesin, nuk zgjedh grosisti se kujt do ia blejë, siç ndodh në Korçë.
E përveç kësaj është shumë e rëndësishme një shifër tjetër, Ridvan. E keni pasur eksportin 1 me 7, ne e kemi 1 me 5. Mund ta kemi patjetër më shumë, por e kemi 1 me 5, dhe nuk janë pak, – ti lapsin e njeh shumë më mirë se unë, -nuk janë pak nga 7 në 5 zbritje në raportin import-eksport, 1 me 5. E po të them se në periudhën e mëtejme do ta ulim akoma, pikërisht me këto masa që po marrim.
Është epoke tjetër Ridvan!
Nuk po them që në fshat është bërë mrekullia, por krahasuar me tre vjet me parë është epokë tjetër sepse po vendosen disa baza të qëndrueshme të një procesi, ku me dhënien e titujve të pronësisë që ka filluar masivisht, pas vitit 2015, ta pranoj edhe këtë, sepse në dy vitet e para ishte e pamundur që të koordinonim 400 bashki e komuna me hipotekat, me ALUIZNIN, me gjithë atë lesh e li që u krijua me tokën bujqësore për shkak të vendimeve kontradiktore të gjykatave dhe historive të tjera. Kështu që më vjen shumë mirë që përmende 200 milionë dollarët e nënshkruara nga Pandeli Majko kur ishte kryeministër. Nuk e di ç’keni bërë ju me ato 200 milionë dollarë sepse është paksa e çuditshme që ndërkohë realiteti, jo që nuk është një realitet që tregon si janë investuar 200 milionë dollarë për ujitjen e kullim, por kur qeverisnit ju përmbytjet ishin jo thjeshtë kur binin rrebeshe të mëdha dhe të pa administrueshme, as në Amerikë e jo më në Shqipëri, por edhe kur kishte shira vere Ridvan, për shkak të bllokimit total të kanaleve kryesore.
Po të them dhe të fundit Ridvan do ishte mirë ta thoshe ti në fakt. Çfarë është Fondi Kombëtar i Garancisë? Se është shumë interesante ta dëgjoj nga ty çfarë është Fondi Kombëtar i Garancisë dhe a je ti dakord me kryetarin e partisë tënde dhe me partinë tënde që thotë nuk zhvillohet bujqësia me kredi sepse në fjalimin tënd me të drejtë the, “hajde të matim volumet e kreditimit të bujqësisë”. Shumë e saktë, po hajde t’i matim pak dhe hajde të shikojmë se si impakton bujqësinë një fond, që potencialisht shkon deri në 300 milion euro në tre vitet e ardhshme, bazuar te garancia shtetërore, sepse ne nuk po ju themi fermerëve, – as ju nuk ja u thatë se s’kishit si t’ia u thoshit për hir të së vërtetës, – që shkoni nëpër banka dhe merrni kredi sepse është e qartë që kredia komerciale që mund të jetë e favorshme për një ndërtues pallatesh apo për një sipërmarrje të një natyre tjetër, nuk është e favorshme përkundrazi nuk i del llogaria fare një fermeri.
Atëherë ne bëjmë garantimin e kredive të fermerëve në të gjitha nivelet, nga sipërmarrja lart, deri tek fermeri poshtë dhe nuk ka nevojë fare fermeri të shkojë na bankë sepse ndërmjetësimin midis fermerit apo grupit të fermerëve dhe bankës e bën qeveria, duke e garantuar kredinë. Pra, fermeri nuk detyrohet të vendosi në bankë asnjë lloj kolaterali. Është fondi i garancisë kombëtare që e bën këtë rol. Ndërkohë që patjetër dhe duhet ta kishit bërë ju në fakt, që ne e bëmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë mbështetjen e sipërmarrësve dhe fuqizimin e sipërmarrjes së madhe në fshat sepse ajo nuk është të mbështesësh të pasurit kundër të varfërve, Ridvan.
Është histori e qartë shembujsh suksesi që na tregon se kjo është rruga për të bërë një sukses në të gjithë territorin sepse pika e grumbullimit nuk është thjeshtë një derë ku ata shkojnë dhe çojnë prodhimin, por është fuqia që koordinon gjithë procesin e prodhimit. E kjo është logjika me të cilën po zhvillohet dhe investimi më i madh në Shqipëri me pikën e grumbullimit të re në Lushnje. E ai që investon është një sipërmarrës nga Kosova që ka një pozitë shumë të favorshme në gjithë tregun rajonal dhe me hapjen e asaj pike grumbullimi do bëhet e mundur që të gjithë fermerët e interesuar të bashkohen në këtë linjë që thashë e kështu të krijohet zinxhiri i vlerës.
Ju bëtë një politikë “shpërnda lëmosha lart e poshtë” e nuk menduat kurrë për zinxhirin e vlerës, i cili fillon tek fara dhe tek toka, e përfundon në dyqan. Të gjitha hallkat e bujqësisë që na latë ju ishin të gjitha të ndara nga njëra-tjetra. Secili për vete, Zoti për të gjithë. E qeveria hidh lëmosha, sepse lëmosha janë ato, me atë fond që ka buxheti i shtetit, i juaji, i joni, ai i nesërmi, nëse e thërrmon ashtu si e thërrmonit ju, ato janë lëmosha. Lëmosha që mund të zgjidhin vetëm përkohësisht problemin e prodhimit për ata që marrin ato subvencione në tre dynymët e tyre, por që nuk zgjidhin problemin e shitjes. Se nuk është hera e parë, historia e mollëve. Është një histori e vjetër. Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse ata janë një hallkë e shkëputur nga zinxhiri i vlerës, e kjo politikë që ne kemi rindërtuar është politikë për të krijuar zinxhir vlere, në mënyrë që kushdo, pavarësisht sa dynym ka, të jetë i lidhur me zinxhirin e vlerës.
Kështu që them se në të gjithë përpjekjen tuaj për të qënë relevant në debatin për fshatin dhe bujqësinë, duhet të hiqni dorë në mënyrë të prerë nga çfarë keni bërë ju. Ajo që keni bërë ju nuk është pikë referimi. Çfarë kemi bërë ne e çfarë po bëjmë ne është pikë referimi për të bërë debat, për të kritikuar, për të thënë që kjo mund të bëhet ndryshe, për të ofruar sipas jush rrugë të tjera, ndryshe nga kjo rruga jonë. Por të krahasohemi tani me tre vjet përpara, kjo është humbje kohe dhe mbi të gjitha nuk jeni ju fare, – ju nga krahu këtej- personat të cilët të mund të flisni se si mund të bëhet më mirë fshati.
Shpresojmë që partia agrare do ju ndihmojë që të mund të kuptoni më shumë.
* * *
Unë dua ta falënderoj zonjën, sepse ngriti një problem shumë serioz dhe dua ta ftoj të vijë me mua në Tropojë.
Do të shkoj për pak ditë në Tropojë, pasi kemi mbështetur nga Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane, Bashkinë e Tropojës dhe e kemi asistuar në bërjen e projektit për ta kthyer më në fund edhe qendrën e asaj bashkie të re në një hapësirë urbane europiane, nga një parkim me gropa dhe me baltë dhe një rrugë kryesore ku s’ka as ndriçim dhe s’ka asnjë kusht për të qënë i mbrojtur nga rreziku i aksidentit.
Me këtë rast, patjetër që do shkoj të vizitoj edhe rrugën që ne përfunduam në Valbonë. Është e vërtetë, u nis përpara, por ishte një nga ato rrugë pafund që u lanë rrugëve dhe e përfunduam ne.
Në Valbonë, bashkë me zonjën që ngriti problemin e hidrocentraleve, duhet të flasim hapur me komunitetin, pasi janë 11 leje për hidrocentrale që janë dhënë me urdhër të ish-kryeministrit nga Valbona. Pra ish-kryeministri që ka lindur dhe është rritur në grykën e Valbonës e pa të arsyeshme që aty të ndërtonte 11 hidrocentrale. Po ashtu, e pa të arsyeshme që në Theth të ndërtonte edhe 6 hidrocentrale të tjera. Pra, mu në zemër të atij territori, për të cilin sot ju, me plot të drejtë, keni shumë të drejtë që e ngrini problemin, por, shumëkush ndihet i prekur në ndjeshmërinë dhe inteligjencën e vet.
Është bërë modë, ka tre vjet, që, të gjitha plagët që i hapët ju dhe për të gjitha plagët që me keqqeverisjen tuaj shkaktuat thellim, infeksion, përhapje në të gjithë territorin e Shqipërisë, vini dhe kërkoni llogari këtu nga ne, a thua se keni ardhur nga hëna.
Ndërkohë që po të lajmëroj, e dashur zonjë, që 6 hidrocentralet e Thethit janë anuluar nga ne, duke ndjekur rigorozisht procedurat, pasi nuk është hap e mbyll sytë asnjë procedurë anulimi, për shkak të angazhimeve që janë marrë nga qeveria.
Në gjykatat ndërkombëtare, se ato shqiptare e dini vetë ju se po merreni intensivisht për ta bllokuar Vetting-un, por edhe ndërkombëtarët nuk mund të shkojë dot qeveria dhe të jetë palë e besueshme në rast se qeveria e mëparshme ka bërë hatara të kësaj natyre.
Kështu që po ju sqaroj, po ashtu, se ne kemi mbajtur rigorozisht nën vëmendje edhe procedurën për Valbonën. 2 hidrocentrale, vetëm 2 dhe jo 11, të cilat kanë marrë dritën jeshile për shkak pamundësie të plotë ligjore për të bërë anulimin, janë kaluar në filtra njëri pas tjetrit për të garantuar me ekspertizë ndërkombëtare, standarde mjedisore të njëjta dhe cilësi projektimi inxhinierik të njëjtë me hidrocentralet e të njëjtës natyrë që janë ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtohen në Europën e Veriut, nga Norvegjia deri në Danimarkë e në Austri.
Për publikun dua të them vetëm kaq: Kur dëgjoni hidrocentrale në Valbonë lidhur me këto dy projekte, sepse 9 të tjerave nuk ua kemi hapur dritën jeshile, mos parafytyroni diga. Nuk do të ndërtohen diga. Nuk do të ndërtohen strukturat që secili imagjinon kur flitet për një hidrocentral, sepse teknologjia e përdorur është krejt tjetër dhe peizazhi është tërësisht i pacenuar.
Ajo që do të duket në fund të ndërtimit të këtyre 2 kullave tradicionale të asaj zone si prezencë, pra, për çdo vizitor, pasi janë garantuar, po e përsëris, në përmbajtje të gjitha standardet mjedisore të shfrytëzimit të lumit, çdo vizitor nuk do shohë aty diga dhe nuk do shohë aty atë që jemi mësuar të shohim, kur shohim një hidrocentral, -por do shohë vetëm 2 kulla të ndërtuara sipas traditës, me të gjithë materialet e zonës. Ndërsa për të tjerat nuk po zgjatem, por po ju them zonjë një gjë, bazuar në fakte, bazuar në shifra. Kjo qeveri ka, ndër shumë tjera, edhe meritën që është e para qeveri, në 25 vjet që e trajton çështjen e një përmbytjeje, se një përmbytje e madhe na ka ndodhur në zonën poshtë që ju e përmendet këtu, njësoj siç trajtohet në çdo vend të Bashkimit Europian.
Pra, pasi ka mbaruar faza e emergjencës, kemi shpërblyer kokë më kokë, që nga lopa deri te pula, kokë për kokë, të gjithë ata që kanë pasur humbje në krerë dhe në gjë të gjallë në atë zonë, kokë më kokë.
E dyta, kemi rindërtuar dhe po vazhdojmë të rindërtojmë edhe sot që flasim banesa, të cilat u bënë të papërdorshme, por që ishin praktikisht të rrënuara prej shumë vitesh.
E treta, kemi rimbursuar, zonjë, të gjithë prodhimin bujqësor të zonës në atë fazë. Shkoni pyetini fermerët, i keni aty dhe kemi investuar dhe po investojmë për të mbështetur rindërtimin e serave të dëmtuara.
Jo shumë larg në kohë kemi qenë aty për të filluar disbursimin e fondit të solidaritetit të Bashkimit Europian me para në dorë për çdo familje të regjistruar gjatë asaj periudhe si familje e dëmtuar. E fundit fare, kemi nisur aty, përsëri me fonde të solidaritetit të Bashkimit Europian, një proces rindërtimi të të gjithë infrastrukturës mbrojtëse.
Shkoni, po të doni!
Hajdeni dhe me mua se jam dhe deputet në një pjesë të konsiderueshme të asaj zone dhe me shumë kënaqësi, siç shpresoj të më shoqëroni ju në Tropojë, unë do t’ju shoqëroj që të shkojmë bashkë dhe ju t’i shikoni me sy të gjitha veprat që po ndërtohen përgjatë Vjosës, për të parandaluar sa më shumë të jetë e mundur tërbime të tjera të lumit.
Këto janë të vërtetat.
Unë i them me përgjegjësi të madhe, sepse, po e përsëris, jam dhe deputet në një pjesë të konsiderueshme të asaj zone dhe ata që më dëgjojnë atje në atë zonë, detyrimisht që ose dëgjojnë të vërtetën, ose pastaj kuptojnë që këtu ka një gënjeshtër të madhe. Gënjeshtra e madhe, për fat të keq, është ajo që thatë ju, për shkak, jam i bindur, mosinformimi jo se keni qëllime të këqija, apo doni me çdo kusht të nxirrni gjithçka.
Unë të paktën kështu jam i prirur të besoj në rastin tuaj.
Kështu që do t’ju lutesha shumë që të jemi sa më serioz kur flasim për problemet dhe fatkeqësitë e tjerëve, e atyre që presin prej nesh që t’i zgjidhim problemet dhe t’i trajtojmë ashtu sic duhet fatkeqësitë.
Edhe njëherë tjetër e përsëris me zemër në dorë ftesën që ju të vini bashkë me mua në Tropojë dhe sëbashku, jo vetëm të shikojmë çfarë po bëjmë ne për Tropojën, – se është një përgjigje adekuate për të gjitha që thonë: “Rilindja Urbane bëhet vetëm në jug dhe jo në veri”; jo vetëm së bashku të vizitojmë rrugën e përfunduar të Valbonës; jo vetëm së bashku të flasim me komunitetin atje për hidrocentralet e Saliut, por edhe të diskutojmë se çfarë mund të bëjmë më tepër në atë zonë, që, ju siguroj sot, dëgjojeni mirë dhe ta dëgjojnë të gjithë tropojanët, se kjo qeveri dhe kjo shumicë s’do bëjë mrekullira, por do bëjë padiskutim më shumë se ç’bëri Saliu bashkë me të gjithë ju, jo me ju personalisht se ju fatmirësisht nuk ishit këtu, kur Saliu ishte kryeministër.
* * *
E nderuar zonjë!
Unë nuk thashë asnjë fjalë lidhur me problemin që ju ngritët për infeksionin, apo epideminë e bagëtive. Nuk e thashë asnjë fjalë dhe nuk pretendova asgjë lidhur me këtë çështje dhe nuk e kuptoj për çfarë arsye ma thatë, por ndoshta nuk e keni kuptuar atë që thashë unë.
E dyta, unë e thashë në fjalën time që, po, është e vërtetë rrugën e Valbonës e kontraktoi dhe e filloi qeveria e mëparshme. Rruga e Valbonës dhe ju nëse shkoni 2 herë në javë dhe nuk kam arsye ta dyshoj që ju shkoni 2 herë në javë duhet ta dini shumë mirë që u ndërtua përfundimisht nga kjo qeveri. Përfundoi pra në këtë periudhë.
Edhe rruga e Shishtavecit është po njësoj. E thashë atje, e thashë këtu, po j’ua them dhe ju: Po është e vërtetë. U kontratua në kohën e qeverisë tjetër dhe u bënë disa pak punime dhe nuk u shtrua asnjë kilometër asfalt zonjë. Filluan punimet dhe si në të gjitha rrugët e Shqipërisë, u ndalën.
Edhe për Rrugën e Kombit po j ‘ua u përsëris edhe ju, e kam thënë sa herë më ka rënë rasti. Është e vërtetë dhe në fakt, për hir të së vërtetës, është e vetmja rrugë e cila mund të konsiderohet me standarde nga të gjitha rrugët që u hapën në atë periudhë, nuk ka përfunduar zonjë. Rruga e Kombit, ju me siguri kaloni në atë rrugë, siç kalojnë shumë të tjerë, përfundon si një grykë shisheje dhe është ajo grykë shisheje vend aksidentesh dhe rreziqesh të mëdha. Kërkon edhe mbi 100 milion euro të tjera investime, sa për dijeni.
Këto kam thënë unë dhe nuk kam mohuar dhe nuk e mohoj.
Janë lidhur kontrata për ndërtime rrugësh jashtë çdo lloj mundësie financiare për t’i ndërtuar.
Janë hapur kantiere në të katër anët e Shqipërisë me 5%, me 10%, deri dhe me 1% të fondit.
Janë inauguruar me tamtame të mëdha dhe kanë mbetur rrugëve, zonjë.
Ministri i Financave (s’është këtu), i juaji, bëri një llogari që s’ka lidhje me realitetin.
Fondi i shlyer nga ne si borxh për kilometra të ndërtuara me paratë e kompanive që futën në kolaps kompanitë që bllokuan kreditimin është shumë i konsiderueshëm dhe po të bashkojmë fondin e shpenzuar për të shlyer borxhet me fondin e shpenzuar për të ndërtuar më tutje rrugët dhe me fondin që duhet për t’i përfunduar rrugët, duke hequr Rrugën e Kombit, e cila është histori më vete edhe nga pikëpamja e financimit, duhet të bëni llogarinë dhe do të shikoni që llogaria nuk del në favorin tuaj kur flisni për rrugët.
Në fund të ditës, nëse do të rrimë të diskutojmë, – unë s’e kam pas asnjëherë dëshirë këtë diskutim, se nuk kam shumë respekt për këtë temë debati; është një temë debati që është karakteristikë në vendet afrikane: “Kush bëri më shumë rrugë?” Po është e vërtetë. Beteja kryesore është: “Unë bëj rrugë, ai s’bën rrugë”, edhe Saliu nga Afrika e solli këtë eksperiencë, por, po ju them që realiteti i financave është ky që po ju tregoj unë sot.
Është lehtësisht e vërtetueshme, për sa i përket rrugëve kombëtare.
Është lehtësisht e vërtetueshme që paratë e vëna në dispozicion nga kjo qeveri për të shlyer borxhet për kilometra të tëra që nuk u paguan dhe për kilometra të tjera që po ndërtohen janë më shumë se sa paratë e vëna në dispozicion nga qeveria juaj për t’i filluar këto rrugë, sa për dijeni.
Përjashto, thashë, Rrugën e Kombit që ka ngrënë pjesën më të madhe të buxhetit të infrastrukturës nacionale në 8 vitet mëparshme, jo pjesën më të madhe, por pjesën e luanit.
E fundit, ju thatë një fjalë aty që është një kundërshti e madhe me atë që thatë në fillim të fjalisë. Ju thatë: “Do bëhet një bulevard, do shëtisim, s’do krijohet asnjë vend pune dhe do vijnë ca turistë”. Tek ata “ca turistët” qëndron sekreti zonjë. Sepse, po të shikojmë llogarinë e bashkive që janë përfituese të programit dhe që kanë ndërtuar me këtë program, është shumë e qartë llogaria.Edhe rritja e vetëpunësimit, edhe zgjerimi i bizneseve, edhe rritja e cilësisë së bizneseve, edhe rritja e numrit të turistëve.
Nuk po ju them të konsultoni, nëse e keni problem, kryetarët e bashkive që i përkasin shumicës tonë. Konsultohuni pak me kryetarin e bashkisë së Përmetit dhe pyeteni pak çfarë impakti ka pasur në fluksin turistik që ka pasur Bashkia, programi kombëtar i Rilindjes Urbane?
Pyeteni kryetarin e Bashkisë së Përmetit, çfarë po ndodh sot me shtëpitë e vjetra në lagjen e vjetër të Përmetit dhe po ashtu me apartamentet në Përmet.
Merrni bëni pak një llogari të përgjithshme sa e ka rritur vlerën e pasurisë në qytetet që vetëm qytete nuk ishin, kur ne filluam programin e Rilindjes Urbane.
Merrni ca shifra sa kushton sot një apartament në Përmet dhe sa kushtonte përpara se të fillonte programi.
Nuk po ju them të pyesni Korçën, apo Beratin apo Skraparin.
Pyesni pak, sa është rritur vlera e apartamenteve në Skrapar, në Çorovodë, në qytet.
Nuk po ju them pyesni në Durrës, por ju them pyesni në Përmet, ku programi është në vazhdim.
Patjetër që unë me shumë kënaqësi do i takoj edhe ata që janë gati të më hanë të gjallë atje me shkopin e flamurit të Partisë Demokratike në dorë, por, ama, ajo që është pak por e sigurtë, unë po ju them vetëm kaq: Do të takohemi përsëri bashkë pasi të përfundojë ky projekt i parë në Bashkinë e Tropojës dhe do të flasim përsëri për imaktin ekonomik, jo për shëtitjet, se edhe shëtitjet pjesë e jetës urbane janë, por nuk po i hyj anës së shëtitjeve, apo aspekteve të tjera sociale që sjell civilizimi urban.
Do takohemi përsëri bashkë dhe do të flasim çfarë imakti do të ketë ai projekt në ekonominë vendore atje në Tropojë dhe sa do të sjellë ai projekt nga pikëpamja e fluksit të turistëve në Tropojë.
Ju ndërhyri Paulini për Malësinë e Madhe.
Unë po ju them që shifrat, jo llafet, por shifrat e vetëpunësimit dhe investimeve në gjithë atë zonë që deri dje as bëhej fjalë që të mendonte njeri të investonte në hoteleri dhe kërkesat që ne kemi sot nga shqiptarë që vijnë nga ajo zonë dhe që jetojnë në diasporë për investime të tjera në hoteleri në Malësinë e Madhe, janë impresionuese.
Sigurisht që kjo do të kërkojë vitet e veta, nuk ndodh nga sot nesër, por transformimi që ka sjellë programi kombëtar i Rilindjes Urbane me ato pak ndërhyrje që janë bërë është në sytë e të gjithëve dhe në buxhetin familjar të shumëkujt aty, jo të shumicës, – jam shumë dakord, sepse nuk kemi prekur akoma më thellë se sa në pikat kryesore, – por të shumëkujt që deri dje mendonte vetëm si të ikte që andej.
E fundit, nuk është një shpikje e imja dhe nuk është ndonjë invencion i yni. Është histori e dashur zonjë. Është historia e zhvillimit ekonomik dhe social e shumë qyteteve të Europës që tregon shumë qartë se me këtë lloj programi mund të bëhen transformime zinxhir të pamendueshme.
Nuk janë vetëm ato metra, se kam parë edhe disa intelektualë që i masin me metra ato bulevarde dhe sheshet, por është impakti i përgjithshëm që sjell, sepse është kapërcim epokal në kuptimin e qytetit dhe në mënyrën e të jetuarit të qytetit.
Sidoqoftë, unë nuk do harroj t’ju lajmëroj ditën që do shkoj në Tropojë dhe pastaj, nëse do të jeni e zënë, do ju mirëkuptoj plotësisht.
Shumë faleminderit!