Fjala e Kryeministrit Edi Rama në mbrëmjen e iftarit:
Të dashur e të nderuar miq e të ftuar!
Kjo hapësirë sonte mbrëma, një sofër e vëllazërimit brenda një shtëpie që është pronë e të gjithë qytetarëve të Republikës, e prandaj dhe më shumë se çdo shtëpi të kujton me këtë sofër atë që me kanunet dhe venomet e moçme, shqiptari i çdo besimi ka kultivuar me përdëllim parimin, “shtëpia është më së pari e Zotit dhe e Mikut”.
Bujrum pra ta nderojmë mikun pranë, pavarësisht fesë së tij dhe Zotin e tij, të cilësdo fe, apo formë duke kujtuar një hadith të përbotshëm të Profetit, i cili urtësisht na fton, mes njerëzish të arsyeshëm, me besën e fesë apo të mendimit të lirë, të ndihemi të njëtrajtshëm në humanitet:
Ai thotë se “Profetët janë sivëllezër, me amësi të ndryshme por të njëtrajtshëm në besim, Isën e Maries nga unë, asnjë dallim nuk e ndan”.
Sigurisht, ky është sot e kurdoherë, oborri i brendshëm i një institucioni kyç të Republikës, por për një mbrëmje si kjo, krejt e posaçme e iftarit, mëton t’i përngjajë Mekës shpirtërore të shumëkujt ndër ju këtu, duke u bërë simbol i një tjetër Republike, pra e një të mire të përbashkët të të gjitha besimeve dhe praktikave shpirtërore e filozofike që kanë dhe duhet të bëjmë çmosin që të kenë kurdoherë në një vend si Shqipëria, të drejtë të barabartë qytetarie.
Miku im i mirë Skënder Bruçaj, që sot mungon, i justifikuar, sepse është për haxhillëk në Mekën e vërtetë, nuk do të më qortojë, shpresoj, për këtë krahasim mes një oborri profan dhe një qyteti të shenjtë. Sidoqoftë, edhe në rast se do më qortonte do t’i përgjigjesha duke thënë se këtë përafrimin ikonik që unë bëra ma sugjeroi leximi i një pjesëze të “Udhëtimeve” të filozofit të madh mysliman, Ibn Battuta, shkruar ky i fundit, si Skënderi sot, kur ai kryente pelegrinazhin e shenjtë në Mekë, 661 vjet më parë:
“Meka ka formën e një paralelogrami dhe gjendet në fund të një lugine të rrethuar me male” – a thua se po flet për Tiranën – “kush shkon drejt saj, e dallon qendrën pothuajse vetëm kur ndodhet brenda saj” – a thua se po flet për Kryeministrinë.
“Meka, siç e ka thënë vetë Zoti në librin e tij të rrallë, ndodhet në një luginë të shkretë, por bekimi që iu premtua Ibrahimit u shtri edhe mbi të. Çdo gjë e mirë dhe çdo risi rrugëton drejt këtij qyteti. Frutat, rrushi, fiqtë, pjeshkët dhe hurmatë, pjeprat më të freskët që kam ngrënë janë në Mekë. Çdo gjë në Mekë ka një shije të papërshkrueshme”.
Iftari është pra, qoftë në qytetin e shenjtë të Mekës, qoftë në Mekën shpirtërore të gjithkujt që bashkohet me të tjerë në një hapësirë në fund të një rrugëtimi drejt sofrës së vëllazërimit, një moment që, përtej bashkimit që stimulon mes njerëzve që vijnë prej rrugëtimesh të ndryshme, krijon ekuilibër shoqëror, mirëkuptim mes të ndryshmëve dhe paqe të brendshme te secili.
A nuk janë të treja këto pjesë përbërëse të konceptit të drejtësisë tek qytetari i një republike të drejtë dhe a s’është vetë drejtësia burimi i pazëvendësueshëm i tyre!
Të gjitha besimet monoteiste, me të cilët islami jep e merr prej origjinës dhe urtësisë së tij specifike, këtë treshe oksigjenuese për jetën e njerëzimit e përmbledhin me fjalën aq kuptimplotë: “Drejtësi”.
Drejtësinë e tejlartë nëpërmjet së cilës i Tejlarti ndan shapin nga sheqeri në këtë dhe në atë botë, melodia shpirtërore e besimit e paraqet shpesh me imazhet e përkryera të natyrës, me ngjyrat dhe format e hijshme plot ekuilibër që ato mbartin.
“Shpallni në mes atyre që besojnë dhe bëjnë veç mirë”- thotë Profeti në Kuran, – “se do të kenë për strehë kopshte ku rrjedhin rrëkej, e fruta që do t’u shërbehen, në këtë e në atë botë”.
Mirëkuptimi që sendet e natyrës, madje vetë besimet ndërthurin mes vedit, duke e marrë për shembull natyrën jepet si shembull për njeriun, cilado qoftë përgjegjësia e tij në këtë botë, për të gjetur paqen dhe të vërtetën dhe për t’ju përmbajtur drejtësisë. Kurani e kumton qartë: “Thuaju: Besoj në të gjitha Shkrimet e shenjta që janë zbulesë e Zotit. Urdhëresë më është dhënë, të jem i paanshëm midis jush”.
Nëse ekuilibri i natyrës dhe i përshpirtjes është Drejtësia, sipas zëdhënësve të Zotit, ç’mund të themi atëherë për ekuilibrin e drejtësisë në shoqërinë tonë, për ata që e garantojnë dhe për ata që e zbatojnë? Mos o Zot, është e para fjalë që të vjen këtu, ku jemi mbledhur, ndërmend.
Sprovë mbeten në të gjitha herët, dihet kjo, për cilindo nga ne që ka barrë dhe përgjegjësi për qytetarin, padrejtësitë e vogla e të mëdha ndaj tij, në vuajtjen e përditshmërisë, të cilat kthehen në atë që Bibla e quan “mëkate dhe faje që i klithin Qiellit”.
Por ka sprova që për natyrën nuk mbarojnë si kjo e jona, ama ka dhe prova që klithin për drejtësinë e mohuar si plot e plot në këtë mexhelisin tonë.
Ndaj dhe nuk ka pastaj si të mos flasim. S’e shmangim dot këtu sonte, madje, sidomos këtu sonte, për drejtësinë, si një sprovë të sprovave për këtë vend, vendin tonë, të cilit Zoti i ka falur bujarisht gjithçka u lypset njerëzve të vet për të jetuar në ekuilibër, mirëkuptim dhe paqe të brendshme, pra në drejtësi, duke vjelë frytet e punës së mençur mbi tokën kaq të pasur.
Në librin e Profetit Amos shkruhet:
“Kur padrejtësia klith drejt Qiellit, s’ka më kohë për të thurur himne e për t’ia marrë këngës. Aty ku gjygjësia dhe e drejta shkelen me këmbë, vetë Zoti mbjell murtajën prej së cilës askush nëpër pallate të pushtetshmish nuk mbijeton dot.”
Po a është e mundur një drejtësi e drejtë në këtë Shqipërinë tonë sot dhe a mund të kthehet dëshira kaq e etur e popullit tonë sot në një realitet të mundur me drejtësi? Nuk do të isha i bindur në PO-në time, nëse sot do të ishim vetëm. Po s’jemi vetëm dhe pavarësisht se si ka përfunduar, po sot, martesa asnjëherë e lumtur e Britanisë së Madhe me Bashkimin Euopian, e cila qysh në krye të herës pat qenë një krushqi goxha e vështirë, për ne shqiptarët është fat i historisë të jemi sot bashkë me Bashkimin Europian në rrugëtimin e mundimshëm për të ndërtuar një drejtësi të drejtë, sepse për ne, për Shqipërinë, në fund të fundit, kjo drejt Bashkimit Europian nuk është rruga e një shteti solid, siç ishte Britania e Madhe kur iu bashkua Europës politike, por është rruga e një populli që vetëm përmes kësaj rruge mund të ndërtojë një shtet solid.
Le t’i rikthehemi për një çast Kuranit: “Secilit prej jush i është dhënë një ligj dhe një metodë. Nëse Zoti do të kishte dashur, sigurisht që do t’ju kishte dhënë të gjithëve të njëjtën mendje. Por në çka ju jep, Ai do t’ju sprovojë. Prandaj rivalizoni në mirësi dhe drejtësi dhe vetë Ai do t’ju thotë ku qëndron dallimi mes jush”.
Mes atyre që duan dhe dinë të shkojnë në thelb të drejtësisë dhe mes atyre që e kanë këtë fjalë në gojë dhe jo ndër vepra, qëndron dallimi i madh i mënyrës se si zbatohet gjygjësia dhe kujt ajo i jepet si barrë dhe si privilegj unik.
Ky është në thelb dhe dallimi mes Shqipërisë që ne kemi sot dhe asaj që mund të kemi nesër falë rrugës së mundimshme, por të vetmes rrugë, drejt Bashkimit Europian. Unë hyj ndër ata që besoj fort se rruga në këtë rast është mishërimi i qëllimit tonë të madh për të pasur edhe ne më në fund një shtet të vërtetë të së drejtës, pavarësisht se cili do të jetë fati nesër i Bashkimit Europian, çka nuk është aspak në dorën tonë.
Gjuha plot simbole e traditave fetare, të cilat konceptin dhe nocionin e gjygjësisë e të drejtësisë e kanë në themelet e tyre, në rafinimin e tyre hermeneutik, mund të na ndihmojnë të kuptojmë se beteja për drejtësinë e paanshme dhe të paprekshme, beteja për gjykatësit e denjë, është e vetmja që, në çdo kohë, ia vlen të çohet deri në fund, cilatdo qofshin sakrificat e lëre pastaj çmimin politik që ajo betejë mbart.
Hadithet e Profetit të qëndisura me urtësi prej mëse pesëmbëdhjetë shekujsh na përcjellin edhe një mësim shumë të bukur për gjykatësit: “Gjykatësit janë tre llojesh; njëri që shkon në amëshim dhe dy që shkojnë drejt flakëve: Ai që është në amëshim është gjykatësi i së vërtetës dhe që ka gjykuar me vërtetësi; Ai që ka njohur të vërtetën dhe që qëllimisht e ka anashkaluar shkon drejt flakëve; Ai që ka dhënë gjykim mes njerëzve pa kuptuar se çka bërë, shkon drejt flakëve.”
I pyetur përse ky i mjeri që ka gabuar nga injoranca shkon drejt flakëve, Profeti i përgjigjet qartë: “Sepse gjykoi pa njohur dhe pa u munduar të njohë. Gjykatësi, – thotë Profeti, – duhet t’i kushtojë një ditë punës dhe një ditë lotëve për barrën që ka”.
Ndërsa sot në Shqipëri, drejtësia ka fytyrën e gjykatësit që një ditë ia kushton punës mbrapsht dhe një ditë numërimit nga e para të parave që i shtohen, duke përfituar nga padrejtësia. Ndërkohë që, njerëz të zotë dhe të ndershëm në sistemin e drejtësisë përçmohen dhe pengohen të kryejnë punë e tyre, të ngjisin shkallët sipas meritës së tyre dhe mbeten të penguar dhe të përçmuar duke lëpirë lotët e hidhur të poshtërimit.
Përpara se t’i lë vendin lutjes suaj përmes bashkëndarjes së bukës në këtë sofër të miqësisë dhe vëllazërisë, dua ta mbyll fjalën time me një porosi që më ka lënë një mbresë shumë të fortë, të njërit nga kalifët më shembullorë të Omejadëve, Omar Abdel Azizi, i cili ia dërgonte porosinë guvernatorit të qytetit të Homsit në Siri, kur ky i ankohej se fortifikimet ishin të brishta. Ja çfarë i thotë kalifi ndërkohë që Guvernatori ankohej për infrastrukturën:
“Përforcoje qytetin tënd nëpërmjet drejtësisë, pastro rrugët e rrugicat e tij nëpërmjet rendit dhe sigurisë dhe kështu paqja qoftë me ty!”
Kush ka veshë dhe do të dëgjojë, dëgjon, kush ka sy e do të shikojë, shikon dhe kush e ka një Zot, të cilin e pyet përmes çfarëdo feje, apo çfarëdo rruge të gjetur vetë brenda vetvetes, le të luftojë për ta përforcuar vendin tonë nëpërmjet drejtësisë, për t’i pastruar rrugicat tona nëpërmjet rendit e sigurisë që krijon bashkëjetesa në drejtësi e për t’i dhënë oborrit të fëmijëve tanë paqen e një vendi të drejtë me njerëzit, pavarësisht besimeve, statusit të tyre social, apo gjinisë së tyre.
Paqja qoftë me të gjithë ne vëllezër dhe motra në këtë sofër sonte dhe gjatë gjithë këtij muaji të shenjtë e të madhërishëm për të gjitha ata këtu ndër ne, por dhe që po më dëgjojnë në këtë moment, që me besë i përkasin fesë islame.
Shumë faleminderit!