Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Për Shqipërinë turistike 2016 dhe masat e ndërmarra nga qeveria për të mikpritur fluksin gjithnjë në rritje të turistëve dhe vizitorëve në të gjithë vendin, – u organizua në kalanë e Lëkurësit, Sarandë aktiviteti “Albania go your own way”, ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, drejtues të pushtetit vendor, etj.

Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi përmes shifrave, faktoi interesin e shtuar vit pas viti të turistëve dhe vizitorëve, për të eksploruar Shqipërinë. “Mund të themi me shumë kënaqësi që ne kemi arritur të kemi rreth 3 milion e 950 mijë turistë në vitin 2015. Kemi rritur numrin e turistëve  që na vijnë nga vendet europiane me 12%. Kemi pasur një rritje të katër mujorit të parë të 2016 me gati 14% të numrit të turistëve, prandaj projeksionet janë shumë të mira për këtë vit. Siç thotë edhe Shoqata Ndërkombëtare e Turizmit dhe Udhëtarëve ne pretendojmë për këtë vit që kontributi i turizmit në GDP të jetë më i lartë dhe pretendojmë të japim 5500 vende të  reja pune në turizëm.”

Duke vlerësuar shërbimin shëndetësor, si një aspekt të rëndësishëm, të sezonit turistik Ministri i Shëndetësisë u shpreh se, përveç masave të cilat janë ndërmarrë nga Ministria në këto 3 vjet, siç është procesi i dezinsektimit, apo mbështetja me urgjencë turistike 24 orë, -do të shtohet numri i qendrave shëndetësore për të zgjeruar mbështetjen me shërbim shëndetësor. “Këtë vit do të vazhdojmë të mbështesim urgjencën turistike 24 orë gjatë gjithë bregdetit. Këtë vit kalojmë me 25 qendra shëndetësore, për të zgjeruar mbështetjen, në bazë të kërkesës që kishim edhe në Kelmend edhe në Kala të Dodës edhe në Prespë. Këtë vit priten të paktën gjysmë milioni më shumë turistë, që do të thotë çdo ditë do të kemi 1500 turistë më shumë në vendin tonë. Nga data 1 korrik kemi një qasje te re të flotës të autoambulancës në të gjithë territorin e vendit për të qenë sa më pranë qendrave turistike.”

Kryeministri Rama vuri theksin në shfrytëzimin maksimal të potencialeve që këto zona ofrojnë, natyrore, historike e kulturore, në mënyrë që të rritet fuqia e tyre atraktive.

Kryeministri tha se me investimet e bëra për herë të parë, pas dekadave të tëra të lëna në harresë, në fshatra turistikë si Himara, Qeparoi, dhe me projektet në zhvillim e sipër për fshatrat, Vuno, Dhërmiu i Sipërm, Jalë, etj, – pamja që ato ofrojnë është krejtësisht e transformuar, dhe tërheqja për turistët shumë herë më e madhe. “Ne kemi bërë përpjekje të konsiderueshme për të sjellë në këtë zonë investime që nuk kanë ardhur më parë. Investime që synojnë të ndihmojnë drejtpërdrejtë vetë bashkitë dhe të rrisin kapacitetin e tyre, për të pasur më shumë fuqi tërheqësi për turistët. I kemi dhënë mundësi që nuk i kanë pasur më parë, qoftë bashkisë së Sarandës, të Delvinës, bashkisë së Gjirokastrës e Tepelenës, kemi filluar edhe me Konispolin e Finiqin, sikurse jeni dëshmitarë që Himara ka pësuar një transformim të konsiderueshëm. Qeparoi po ashtu. Vazhdojmë me projektin e ndërhyrjeve të rëndësishme në Vuno, Dhërmiun e Sipërm, në Jalë dhe në Dhërmiun e Ri.”

Duke vlerësuar arritjet e deritanishme në sektorin e turizmit, kryeministri theksoi se megjithatë mbetet shumë për të bërë. Kryeministri kërkoi që për t’ju përgjigjur sa më mirë kërkesave në rritje të turistëve sidomos nga Evropa Veriore dhe Qëndrore, të bashkërendohet puna mes bashkive me njëra tjetrën, si dhe mes tyre e ministrive të linjës.

 

* * *

Këtë qershor, Himara turistike, gjithnjë e preferuar për turistët vendas dhe ata të huaj, ofron një pamje krejt tjetër nga ajo e dhjetorit të vitit të kaluar, kur nisën punimet për ndërtimin e shëtitores së re buzë detit, një projekt tashmë i përfunduar, i cili rrit vlerat atraktive Himarës. Nëpërmjet një ndërhyrje arkitekture, në peizazhin dhe mobilimin urban, shëtitorja ekzistuese, zëvendësohet me vijën natyrale lidhëse te detit me shtëpitë ne vijën e pare ne breg.

Shëtitorja e re, duke nisur nga objektet e vijës se parë, i përafrohet një shkallareje drejt detit me gjatësi mbi 350m, elemente 2.5 deri 5  të gjerë me pjerrësi dhe zbritje, që mundësojnë aksesin për gjithkënd duke e shfrytëzuar atë për aktivitete të ndryshme, nga plazhi e deri në koncerte apo të tjera evente kulturore. Kryeministri Rama inspektoi përfundimin e punimeve.

 

* * *

Shëtitorja buzë detit, në Qeparo, është një investim i rëndësishëm, i cili do të rrisë ndjeshëm atraksionin, jo vetëm të turistëve të huaj, por edhe pushuesve të përhershëm vendas, të cilët për herë të parë e shohin Qeparoin, krejtësisht të shndërruar nga pikëpamja infrastrukturore. Shëtitorja shtrihet buzë detit me gjatësi 1200 ml. Punimi i saj prej guri karakteristik te zonës është një risi në infrastrukturë.

Ndër të tjera, punimet përfshijnë ndërtimin e mureve anësore mbajtës, 1 urë druri dhe një urë betoni, ndriçim dekorativ, mobilim urban sistemime anës detit si dhe ndërtimin e 10 shatërvanëve me sistemet përkatëse të furnizimit me ujë si dhe 3 sheshe brenda shëtitores me sipërfaqe 1600m2. Ndërtimi saj është përkrahur nga banorët e zonës dhe operatorë të ndryshëm turistik.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.