Kryeministri Edi Rama inspektoi disa nga kantieret e sapopërfunduara dhe ato në vazhdim në Mirditë, që prekin aspekte të ndryshme të përditshmërisë.
Pallati i Sportit “Arjan Arapi” në Rrëshen i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë, përmes një investimi me vlerë prej 70 milion lekësh. Projekti synon të sjellë për sportdashësit një infrastrukturë bashkëkohorë me kapacitet prej 800 vendesh. Kryeministri Edi Rama ishte në këtë kantier, i cili pritet të përfundojë në pak muaj. Kryebashkiaku Ndrec Dedaj tha se Pallati i ri i Sportit është i shumëpritur nga qytetarët e qytetit, ku volejbolli është sport i traditës. “Nga Rrësheni është traditë volejbolli dhe ishte një kërkesë që na e përsërisnin herë pas here. Ekipin e femrave e kemi në vend të parë në kategorinë e parë A. Besoj që do të dalim kampion këtë vit. Po merremi edhe me futbollin, duam të bëjmë edhe një ekip basketbolli për të rinjtë, meqenëse pallati do të jetë edhe për basketboll, edhe për volejboll.”
***
Një tjetër pikë agroturizmi po ngrihet me mbështetjen e AZHBR-së në Katund të Vjetër të Mirditës. Sipërmarrësi është frymëzuar nga sipërmarrje të ngjashme, të cilat jo vetëm sjellin të ardhura për sipërmarrësin, por kontribuojnë edhe në mirëqenien e shumë familjeve të zonës që produktet e tyre ia ofrojnë agroturizmit. Incentivat lehtësuese të qeverisë për këto sipërmarrje, taksa mbi fitimin 5% dhe TVSH vetëm 6% po tërheqin gjithmonë e më shumë emigrantë, të cilët kursimet e tyre të viteve të punës po i investojnë në vendlindje. Për ndërtimin e bujtinës, sipërmarrësi thotë se ka ndjekur trendin pozitiv të kërkesave që janë në rritje edhe në këtë zonë për pika të tilla që kombinojnë traditën me natyrën.
***
Unaza e re e Rrëshenit ka zgjidhur përfundimisht një shqetësim madhor të qytetarëve, zhurmat dhe trafikun e rënduar në qendër të qytetit. Me përfundimin e unazës shmanget kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë që deri më parë kalonin mes për mes qytetit. “Unaza e re. 1.5 km e gjatë, 9 metra e gjerë ka zgjidhur një problem të madh për qytetin e Rrëshenit, sepse makinat e tonazhit të lartë që vinin 60-tonëshe nga Bulqiza ishin problem jashtëzakonisht i madh, qoftë për qetësinë e banorëve, por qoftë dhe për ndotjen e ajrit. Punët që janë bërë gjatë kësaj periudhe janë punë të qëndrueshme dhe që kanë ndikuar jashtë mase në cilësinë e jetës së qytetarëve të Rrëshenit,” shprehet kryetari i Bashkisë Ndrec Dedaj.
***
Qytetarët e Rrëshenit do të furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë. Projekti për ndërtimin e rrjetit shpërndarës të furnizimit me ujë të qytetit, investimi i parë pas 50 vitesh në ujësjellës, nisi zbatimin në terren. Ujësjellësi i ri do të ndryshojë rrënjësisht situatën e furnizimit me ujë për 12 mijë banorët e Rrëshenit të cilët vuajnë mungesën e një rrjeti shpërndarës të llogaritur sipas nevojave në sasi dhe presionin e duhur. “Kjo është një zgjidhje definitive për të gjithë qytetin që të kemi ujë 24 orë,“ tha zëvendësministri i Infrastrukturës, Hantin Bonati. “Më vjen shumë mirë se, qysh se kam ardhur kohë më parë, uji ka qenë problem i parë, kryefjala e çdo shqetësimi e çdo kërkese e çdo ankese dhe më në fund i japim zgjidhje edhe falë faktit që këtu janë shumë të rregullt edhe në pagesat e detyrimeve, qoftë për energjinë, qoftë për ujin. Kështu që, është gjë e madhe që zgjidhim një problem që është elementar, por që ka 50 vjet u marrë njeri,” – u shpreh Kryeministri Rama.
***
Një tjetër kantier është ai i kopshtit të ri. Me përfundimin e tij, sipas kryebashkiakut Dedaj, rritet me pesëfish kapaciteti akomodues. “Ky kopsht do i bashkojë dy kopshte sëbashku, është 5-fishi i kapacitetit të kopshtit të mëparshëm dhe do jetë në të gjitha standardet për një kopsht modern që do ketë qyteti i Rrëshenit,” shprehet Dedaj.
***
Godina e re e Bashkisë në Rrëshen do të sjellë një model të ri në shërbimin e qytetarëve. Projekti është drejt përmbylljes dhe së shpejti ajo do të hapet për qytetarët, të cilët do kenë mundësi të marrin të gjithë shërbimet, që nga ndihma sociale e deri tek pagesa e taksave dhe tarifave vendore, të gjithë këto pa pritje në radhë dhe vonesa.