Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, mbi ratifikimin e Protokollit të Aderimit të Maqedonisë së Veriut në NATO:
I nderuar kryetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut!
I nderuar kryetar i Kuvendit të Shqipërisë!
I nderuar Kuvend i Shqipërisë!
Zia e sotme në vendin fqinj e rëndon ende më shumë në vetëdijen tonë peshën e faktit se fati ynë është i përbashkët, një fat i përbashkët, i cili në këtë seancë mishërohet në mënyrën më kuptimplotë në ratifikimin e Protokollit të Aderimit në NATO të Maqedonisë së Veriut.
Numri tronditës i viktimave dhe i të plagosurve në aksidentin tragjik, për koincidencë më së shumti shqiptarë, na e bën sot edhe emocionalisht shumë më të prekshme afërsinë e lidhjes sonë me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kjo lidhje tërësisht e veçantë historike e politike gjen mishërim dhe në aktin tërësisht historik dhe politik të votimit të sotëm unanim të Kuvendit të Shqipërisë.
Ne u jemi pranë shpirtërisht të gjitha familjeve të goditura nga tragjedia dhe do bëjmë patjetër pjesën që na takon në përpjekjen solidare për të lehtësuar sadopak dhimbjen e tyre të madhe.
I kemi qenë pranë, pa asnjë ngurrim vendit fqinj në të gjithë rrugëtimin e vështirë të anëtarësimit në NATO. E kemi bërë me këmbëngulje pjesën tonë përgjatë atij rrugëtimi, në mbështetje të popullit maqedonas dhe të popullit shqiptar të Maqedonisë së Veriut.
Nuk e fsheh dot kënaqësinë e veçantë që ky moment solemn i celebrimit me votën e Kuvendit të Shqipërisë të aderimit të vendit fqinj në NATO përkon me një kohë të artë të marrëdhënieve ndëretnike mes dy popujve shtetformues të Maqedonisë së Veriut. Ashtu sikundër nuk jam dot aq modest, sa të mos e sjell në vëmendjen e këtij Kuvendi sot, rolin e pamohueshëm të kësaj shumice qeverisëse në mundësimin e këtij momenti të artë.
Kujtoj këtu se jo shumë larg në kohë, gjuha shqipe u bë mollë sherri në politikën e brendshme të vendit fqinj dhe e ashtuquajtura “platformë e Tiranës” u tregua si dora e djallit në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa pak ditë më parë, Shkëlqesia e tij, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, i nderuari Talat Xhaferi drejtoi seancën historike të punimeve parlamentare në gjuhën shqipe.
Pa shqiptarët s’do të kishte Maqedoni të Veriut dhe për Shqipërinë, integriteti territorial i Maqedonisë së Veriut, bashkëjetesa e vërtetë demokratike mes dy popujve tanë në territorin e republikës fqinje dhe gjuha shqipe në atë territor janë jo vetëm të pacenueshme, por dhe jetike për të sotmen e të ardhmen tonë dhe të paqes e të stabilitetit në rajon gjithashtu, por roli ynë në këtë proces historik ka qenë sidoqoftë një rol mbështetës dhe jo një rol udhëheqës.
Nëse sot, situata në Maqedoninë e Veriut është më e mirë se asnjëherë tjetër në aspektin e marrëdhënieve politike ndëretnike, kjo i dedikohet në radhë të parë rolit konstruktiv të lidershipit politik shqiptar në atë vend, si dhe padiskutim lidershipit vizionar dhe kurajoz të Kryeministrit Zoran Zaev, të cilin gjej rastin ta përshëndes solemnisht nga kjo seancë për arritjen historike të anëtarësimit në NATO dhe ta përgëzoj edhe njëherë për dorën e shtrirë të vëllazërisë në drejtim të shqiptarëve.
Në të vërtetë, Republika e Maqedonisë së Veriut, nën udhëheqjen e Kryeministrit Zaev dhe me mbështetjen vendimtare të partive politike shqiptare atje, ka dhënë një shembull tejet frymëzues me Marrëveshjen e Prespës, duke treguar se si historia mund ta shkruajë të ardhmen dhe jo veç ta ndalojë atë, se si lidershipi vizionar dhe kurajoz i dy njerëzve mund të zhbëjë një nyje tradicionale në marrëdhëniet mes dy vendeve, apo se si interesat e dy popujve që formojnë një shtet mund të njehsohen me interesin e lartë të vetë shtetit, kur të zgjedhurit janë në lartësinë e interesit të zgjedhësve.
Uroj që më shpejt sesa vonë të mund të kremtojmë ardhjen e kompromisit edhe në fund të procesit të dialogut tonë me Greqinë, apo ende më e rëndësishme për shqiptarët, për rajonin dhe për vetë Europën në procesin e stërmundueshëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Është tejet e vërtetë se pa Marrëveshjen e Prespës nuk do të kishte Maqedoni të Veriut në NATO dhe as po ashtu mundësi përparimi në rrugëtimin e integrimit europian për Maqedoninë e Veriut.
Sigurisht që pa mirëkuptimin dhe unitetin mes forcave progresiste maqedonase dhe atyre shqiptare s’do kishte Marrëveshje të Prespës.
Patjetër që pa një lidership vizionar dhe kurajoz në anën maqedonase s’do të kishte kuptim dhe unitet mes palëve të atjeshme.
Është e qartë që anëtarësimi në NATO, apo vazhdimi i rrugës së integrimit europian ishin dhe mbeten shtylla të mëdha për shtjellën pozitive që morën marrëdhëniet ndëretnike dhe ato politike në Maqedoninë e Veriut, por të mos e harrojmë se në fund fare nuk është as për NATO-n, as për Europën që të gjitha këto zhvillime meritojnë vlerësimin më të lartë, por për të mirat që ato do të sjellin më tej për fëmijët e sotëm dhe për ata që do të lindin nesër.
Marrëdhënia e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut ka hyrë tashmë në një fazë të re.
Le të bëjmë çmos që të nxjerrim prej saj më të mirën për njerëzit dhe për vendet tona dhe le të votojmë sot, me bindjen që më e mira është ende përpara nesh!
Faleminderit!