Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nën moton “48 orë me policinë”, për 2 ditë me radhë, sot dhe nesër i gjithë sheshi para Pallatit të Kongreseve do të kthehet në një panair të hapur, ku do të ekspozohen “asetet” e Policisë së Shtetit.

Në këtë panair do të jenë efektivë nga të gjithë repartet speciale, si RENEA dhe DELTA FORCE, por edhe të departamenteve të tjera, të cilat kanë ekspozuar nëpër stenda të ndara asetet e tyre.

Ky panair është vizituar pasditen e sotme nga Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Kryeministri Edi Rama duke vizituar të gjitha stendat e panairit u shpreh se ky panair është një mundësi shumë e mirë për të gjithë qytetarët për t’u njohur me uniformat blu, ndërsa shtoi se së shpejti nëpërmjet një eventi të posaçëm do të prezantohen edhe uniformat e reja të policisë, të cilat do ta përfshijnë edhe Policinë tonë të Shtetit në standardet më të mira estetike europiane.

Pasi vizitoi panairin në një prononcim të shkurtër për mediat Kryeministri Edi Rama u shpreh:

“Isha shumë kurioz ta shikoja këtë panair të hapur, sa dëgjova idenë nga ministri, u kuriozova, por tani që e pashë mendoj që ia ka vlejtur organizimi i kësaj hapësire ku njerëzit mund të shohin nga afër Policinë e Shtetit me gjithë instrumentet e saj. Të marrin dhe një informacion vizual shumë të përmbledhur historik mbi mjetet dhe uniformat e Policisë së Shtetit.

Së shpejti, besoj po këtu ne do të bëjmë një prezantim madhështor të të gjithë uniformave të reja që do ta përfshijnë edhe Policinë tonë të Shtetit në standardet estetike të policive europiane, por dhe do t’i japin asaj të gjithë atë paketë uniformash të domosdoshme për një polici dinjitoze. E ndërkohë, besoj që ky është një moment i rëndësishëm për të reflektuar mbi sa shumë gjëra kanë ndryshuar në Policinë e Shtetit, sa shumë Polica e Shteti ka marrë një përmasë dinjiteti, profesionalizmi, qytetarie dhe shërbëtori të komunitetit dhe qytetarëve. Që nuk do të thotë që ç’ka kemi bërë deri këtu është e mjaftueshme. Përkundrazi. Ç’ka do të thotë se pikërisht pse kaq shumë gjëra janë bërë, duhet të vazhdojmë për të bërë edhe akoma më shumë gjëra që mbeten për t’u bërë.

E normal që kur bie kaq shumë në sy, ngjall dhe shumë xhelozira, ngjall dhe shumë mllefe, por sigurisht përtej xhelozirave dhe mllefeve qëndron edhe një front i së keqes që përpiqet t’i rezistojë me të gjitha mjetet këtij transformimi të Policisë së Shtetit që nën kupton diçka shumë të rëndësishme. Nënkupton shkëputjen përfundimtare të Policisë së Shtetit nga prehri i krimit, shkëputjen përfundimtare të Policisë së Shtetit nga kthetrat e politikës që u mësua ta përdorte Policinë e Shtetit duke e vënë në dispozicion të interesave të paligjshme. Ç’ka nënkupton se sa më shumë Polica e Shtetit do të sulmohet nga ky front, aq më shumë do të jemi të motivuar që të çojmë më tej reformën e saj, të çojmë më tej transformimin dhe për më tepër që është edhe më e rëndësishëm nga të gjitha gjithmonë e më shumë qytetarët do të jenë të motivuar të mbështesin Policinë e Shtetit. Mjafton të merrni sot qytetarët e t’i pyesni ekzaktësisht për ngjarjet e ditës e do dëgjoni nga vet qytetarët se me kë janë”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.