Deklarata e Kryeministrit Edi Rama në konferencën për shtyp me Kryeministrin e Kosovës, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive:
Shumë faleminderit, i dashur mik!
Përshëndetje të gjithëve!
Çfarë mbetet për t’u thënë është se ajo që të gjithë ju patë sot, në fakt është kurorëzimi i një pune përgatitore, të gjatë, jo thjeshtë për të bashkërenduar dokumentet e marrëveshjeve, por për të çuar përpara një plan strategjik integrimi të hapësirës sonë të përbashkët, të ndërveprimit ekonomik dhe kulturor, sepse ai politik është një ndërveprim që nuk ka munguar asnjë çast, qysh në krye të herës.
Takimi i sotëm konsolidon pa kthim, një proces ku rruga drejt bashkimit kombëtar, e parë si integrim mes vedi, në funksion të modernizmit të dy shteteve tona dhe integrimit të tyre të plotë në Bashkimin Europian, ka një përmasë shumë konkrete, të përditshme, idesh, projektesh, instrumentesh dhe energjish të përbashkëta, që po jetësojnë dita-ditës, një angazhim kombëtar të përbashkët, krijimin e hapësirës së njehsuar dhe modelin e bashkëpunimit mes nesh, por dhe për rajonin më gjerë.
Ashtu sikundër thellohet bashkëpunimi në fushën ekonomike, në fushën e financave, transportit, energjisë, por edhe në fushën e mirëqeverisjes dhe të administrimit publik, të mjedisit dhe të bashkëpunimit ndërkufitar, si dhe në përballjen e përbashkët të fatkeqësive natyrore.
Lehtësimi i mëtejshëm i çdo procedure që e pengon rrjedhshmërinë e shkëmbimit mes njerëzve dhe mallrave, në kuptimin strikt ekonomik dhe tregtar, është objektiv i patjetërsueshëm.
Unifikimi i plotë i tregut të vendeve tona, si dhe konsolidimi i tregut të përbashkët energjetik janë korniza e këtij angazhimi. Mjafton fakti që si rezultat i çka jemi angazhuar në mbledhjet e mëparshme të dy qeverive, volumi tregtar në vitin 2015 me Kosovën ka prekur 200 milionë eurot. Faktikisht, Kosova, për herë të parë është renditur e dyta pas Italisë në destinacionin e eksporteve shqiptare.
Një përftim reciprokisht i ngjashëm ka ardhur dhe për palën e sipërmarrjes së Kosovës drejt Shqipërisë në fushën e eksporteve.
Ajo që mbetet për t’u thënë është se gjithçka kemi arritur, thjeshtë na bën konkretisht më të vetëdijshëm për potencialet e mëdha që ka ky bashkëpunim dhe për domosdoshmërinë që t’i maksimizojmë ato.
Të kemi parasysh edhe që rritja në shifër absolute e njerëzve që lëvizin mes të dy anëve është 22 % në vitin 2015, një shifër shumë e konsiderueshme.
Njehsimi i 20 certifikatave mes institucioneve përkatëse dhe procedurat për një terminal të përbashkët doganor, krijimi i korridorit të gjelbër për eksport-importin e produkteve bujqësore sezonale dhe harmonizimi i çmimeve të referencës na kanë dhënë një frymëmarrje të re në ndërveprimin ekonomik.
Natyrisht jemi bashkë edhe në Procesin e Berlinit. Do të jemi bashkë me Kryeministrin dhe me ekipet tona në Paris, në stacionin e tretë, ku jemi të vendosur të promovojmë këtë model.
Dua ta nënvizoj që këtë vit, Shqipëria ka propozuar dhe është pikë kryesore e rendit të ditës që modeli i bashkëpunimit mes dy qeverive tona, në funksion të zgjerimit të hapësirave dhe rënies së barrierave jo tarifore, të kthehet në një model rajonal dhe kufijtë mes vendeve të rajonit praktikisht të bien, në kuptimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave. Kjo sjell, sipas të gjithë përllogaritjeve të bëra me ekspertët ndërkombëtarë të Procesit të Berlinit, një rritje të konsiderueshme të volumeve tregtare dhe një impakt të konsiderueshëm në ekonominë e secilit nga vendet tona.
Faleminderit edhe njëherë Kryeministrit! Faleminderit miqve tanë të qeverise së Kosovës për mikpritjen, organizimin dhe përkushtimin e madh që kanë treguar në një proces që nuk është aspak i lehtë. Është shumë e lehtë të mbash fjalime për kombin, edhe për bashkimin, por është shumë e vështirë që t’i shërbesh kombit dhe bashkimit, duke u marrë me procedura, me certifikata, me burokraci, që janë faktikisht, të vetmit kundërshtarë që kemi në rrugën drejt bashkimit kombëtar.
***
Krahas 7 marrëveshjeve, ju ratë dakord edhe për 11 projekte të tjera rajonale mes dy vendeve, dy prej të cilave është gjetur edhe financimi. Cilat janë konkretisht?
Kryeministri Rama: Janë 9 marrëveshje, por ajo që është e rëndësishme nuk është numri marrëveshjeve, por përmbajta e tyre dhe çfarë ato sjellin si impakt. Ajo që kemi synuar bashkërisht, qysh në mbledhjen e parë me Kryeministrin Thaçi dhe më pas me Kryeministrin Mustafa, ka qënë që të mos bëjmë marrëveshje për marrëveshje, por të bëjmë marrëveshje bazuar mbi planin e përbashkët strategjik të bashkëpunimit dhe të ndërveprimit.
Për këtë arsye, numri marrëveshjeve është i rëndësishëm për impaktin që ka sjellë dhe jemi të bindur që edhe marrëveshjet që janë nënshkruar sot, do të sjellin impakt të drejtpërdrejtë. Mjafton t’ju them se çfarë rëndësie të madhe ka marrëveshja për hetimin doganor dhe tatimor për lehtësimin e rrugës së formalizmit të ekonomisë në të dyja anët, por edhe për të krijuar kushtet që me një ekonomi më të formalizuar të kemi më shumë të ardhura për qytetarët dhe një ndarje më të drejtë të barrës kontributive; rëndësia që ka marrëveshja për mbrojtjen e liqenit të Fierzës, ku ju jeni të gjithë dëshmitarë se çfarë situatash, të padenja për një hapësirë që është hapësirë europiane dhe për dy shtete që duan të integrohen në Bashkimin Europian, krijohen në një pasuri natyrorë që ne sot e kemi zyrtarisht të përbashkët; apo krijimi i terminalit të posaçëm doganor të Kosovës në Durrës, për të mos krijuar dy stacione për ata që vijnë nga Durrësi drejt Kosovës, por për të pasur portin e Durrësit, port të Kosovës. Të gjitha këto janë gjëra shumë konkrete.
Përsa i përket asaj që ka të bëjë me Parisin, është bërë shumë bisedë pa lidhje, lidhur me Procesin e Berlinit. Është thënë shumë herë, padrejtësisht, se të tjerët kanë përfituar më shumë se Shqipëria dhe Kosova. Është krejtësisht e padrejtë. Faktikisht, Shqipëria dhe Kosova janë përfituesit e drejtpërdrejtë nga projektet e para të aprovuara, por kini parasysh që nga aprovimi i projekteve tek realizimi i tyre ka një proces.
Ne jemi shumë të qartë për këtë dhe na vjen shumë mirë për kurajën, lidershipin dhe vendosmërinë e qeverisë së Kosovës për të çuar përpara dialogun me Serbinë. Na vjen shumë mirë, sepse është forca ndërkombëtare e imazhit dhe politikës së Kosovës që pastaj sjell si rezultat edhe gjëra që në pamje të parë duken pa lidhje, edhe liberalizimin e vizave, edhe FIFA-n, UEFA-n e me radhë. Kjo e tregon Kosovën në një dritë pozitive, të një shteti dhe të një vendi të qeverisur me përgjegjshmëri në raport me detyrimet.
E them këtë, sepse ne jemi të vendosur nga ana jonë si Shqipëri ta stimulojmë fuqimisht marrëdhënien me Serbinë, pasi jemi të bindur që shqiptarët dhe serbët mund të bëjmë për Ballkanin, atë që francezët dhe gjermanët bënë për Europën.
Në këtë ndërveprim ku ne jemi bashkë në qëllime, por jemi ndarë në dy shtete, jemi vendosmërisht të qartë në planin strategjik. Kjo ka sjellë që edhe Shqipëria, edhe Kosova të këtë përfitime të mëdha nga pikëpamja e mbështetjes politike që gëzojnë sot dhe të çuarjes përpara të proceseve.
Të gjithë duhet ta besojnë që, nëse qeveria e Kosovës nuk do kishte qenë vendosmërisht këmbëngulëse në rrugën e dialogut, liberalizimi i vizave nuk do kishte ndodhur. Të gjithë duhet ta besojnë që, nëse qeveria e Kosovës dhe Kosova nuk do kishin rrezatuar këtë shembull të shkëlqyer, duke i treguar gjithë botës që, pasi u masakrua në një luftë, shtriu dorën e pajtimit, ka dhënë dhe jep përditë, me provë, shembullin e trajtimit të minoriteteve këtu, në këtë vend ku shqiptarët u masakruan barbarisht, sot, Kosovës nuk do i ishin hapur dyert që i janë hapur dhe nuk do ishim duke folur tanimë për një cilësi të re marrëdhëniesh të NATO-s me Kosovën, gjë që Shqipëria e avokon me forcon dhe do ta avokojë vazhdimisht ne çdo instancë. Edhe në samitin e ardhshëm të NATO-s në Varshavë, ne do ta theksojmë shumë fort se është koha që Kosovës ti jepet një status i ri, në marrëdhëniet me NATO-n.
E ritheksoni shpesh se paqja dhe bashkëpunimi mes shteteve është e vetmja mundësi për perspektivë europiane të shteteve në rajon. Megjithatë, përderisa po flasim sot, por edhe nëse kthehemi para tre vitesh kur është mbajtur mbledhja e parë mes dy qeverive, vazhdojnë ende të mbeten shumë çështje të hapura mes Kosovës e Serbisë. Po ashtu është thuajse mosgadishmëria e njëjtë e Beogradit zyrtar për t’i zgjidhur këto çështje, që janë jetike për një shtet të pavarur, siç është Kosova. Mendoni se, nëse vazhdon praktika e njëjtë nga Beogradi zyrtar, mund të hapet ndoshta një kaptinë tjetër që mund të ndikojë në destabilitetin apo shqetësime të reja në Ballkan?
Kryeministri Rama: Sikur në tre vjet të mos kishte më çështje të hapura me Beogradin, atëherë, ne nuk do të ishim një realitet njerëzor, por një realitet engjëllor në Ballkan. Çështje të hapura ka edhe midis nesh brenda për brenda, në kuptimin mes palëve në Kosovë, mes palëve në Shqipëri; çështje të hapura ka – jam i sigurt – mes jush dhe komshinjve tuaj në lagje. Por në fund të ditës duhet të vendosim gjithçka në kontekst dhe vendosja në kontekst na bën ne shqiptarëve të jemi shumë të inkurajuar nga gjithçka kemi bërë. Sepse, ndërkohë, pavarësisht çështjeve të hapura, pavarësisht problematikave në një proces dialogu që nuk mund të shkojë përpara si në vaj dhe nuk mund të përmbyllet në pak kohë, çka i takon Kosovës, përbën avancim.
Çështjet e hapura nuk e kanë penguar Kosovën të ngrejë zërin dhe të shikojë t’i hapen dyer të tjera. Dera e liberalizimit të vizave, për të cilën, ne kemi bërë një betejë në çdo instancë – kur them ne kam parasysh padiskutim qeverinë e Kosovës, por edhe qeverinë tonë, – anëtarësimi në UEFA dhe FIFA dhe të tjera dyer janë rezultat i një të vërtetë të thjeshtë: Kosova është qëndrueshmërisht, vendosmërisht, qartësisht në drejtimin e duhur.
Përsa kohë, nga ana e Kosovës reflektohet përgjegjshmëri e lartë në raport me detyrimet ndërkombëtare, për aq kohë, çështjet e hapura janë paralelisht, por jo përpara, si pengesë.
Unë kam qenë e mbetem i mendimit që sa më shpejt Serbia të çlirohet nga makthi i Kosovës dhe ta njohë Kosovën, aq më mirë do të jetë për Serbinë, në radhë të parë.
Nga ana tjetër, ne nuk mundet t’i marrim të tjerët, fqinjët, siç do donim ne të ishim, por siç janë dhe duhet të gjejmë kapacitet të brendshëm moral, politik, për të çuar përpara një proces që është me përfitim të drejtpërdrejtë për ne, që është interesi ynë.
Nuk është se dialogu i Kosovës me Serbinë apo marrëdhëniet shumë më të afërta të Shqipërisë me Serbinë duhet t’i zhvillojmë se na i kërkon Amerikan, Europa apo dikush tjetër. Jo, na i kërkojnë fëmijët tanë, fëmijët e Shqipërisë, fëmijët e Kosovës dhe përsa u takon serbëve, fëmijët e Serbisë. Është e drejta e tyre që të jetojnë në një realitet tërësisht të çliruar nga çfarë kanë parë, përjetuar, vuajtur ata që ishin përpara tyre.
Të gjithë duhet ta besojnë një të vërtetë shumë të thjeshtë, e ilustruar konkretisht dhe nuk është se e thotë kryeministri, presidenti, partitë apo dikush që është i interesuar të promovojë arritjet, por e thotë realiteti; Kosova sot është më pranë apo më larg, sesa ishte 6 muaj më parë, nga projekti strategjik i të qenit më vete, për vete dhe bashkë me të tjerët, njësoj si të tjerët? Është më pranë.
Patjetër që ka shumë hapa të tjerë për të bërë, por në fund të ditës, ngurrimet e Serbisë janë në radhë të parë, kostoja e Serbisë, jo e Kosovës. Është shumë e thjeshtë.
Para se të vij këtu, mora për referencë dy agjenci kredibile të statistikave, për të parë shkëmbimet tregtare mes dy vendeve. Instituti i Statistikave të Shqipërisë tregon se skrapi është malli që ne kryesisht e bëjmë shkëmbimin Kosovë-Shqipëri. Agjencia jonë e Statistikave tregoi që ka shkëmbim më të vogël tregtar në këtë prill, sesa në muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Realisht, çka përbëjnë për ju këto shifra, të cilat nuk janë në fakt as fjalime, as demagogji, as oratori?
Kryeministri Edi Rama: Fjalimin e mbajte ti, në këtë rast. Ti u kape me prillin, por edhe me shkurtin, marsin, apo majin do të shikosh një gjë që është fakt, pavarësisht agjencive kredibile. Fakti është që kemi një rritje të volumit tregtar dhe eksportet e Shqipërisë me Kosovën, falë masave që kemi marrë, kanë prekur 200 milionë eurot. Nuk është absolutisht një shifër për t’ju bërë të lumtur ju, as neve, por është një hap i rëndësishëm. Fakt është që Kosova është tanimë i dyti vend në listën e destinacioneve të eksporteve shqiptare. Unë kam pasur shumë kontakte, në periudhën e parë të vitit, me shumë sipërmarrje shqiptare që eksportojnë dhe është e qartë që planet e tyre të biznesit janë tanimë të orientuara fuqimisht, në radhë të parë, drejt Kosovës dhe më gjerë, në rajon.
Faleminderit për pyetjen. Kini parasysh dhe një gjë tjetër. Përsa i takon koalicionit që unë drejtoj, prilli është muaj i mirë, e sidomos 1 prilli është ditë e mirë.