Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklaratë për shtyp e Ministrit të Financave Arben Ahmetaj, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

Në vazhdën e komunikimit të lajmeve të fundit ekonomike me publikun, në vazhdën e njoftimit që ka bërë bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për aprovimin e rishikimit të shtatë në kuadër të programit, dua të ndaj me qytetarët, vlerësimin maksimal që Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka dhënë zhvillimeve ekonomike shqiptare.

Drejtpërsëdrejti Fondi Monetar Ndërkombëtar konfirmon rritjen e qëndrueshme dhe trendin pozitiv të ekonomisë shqiptare. E gjithë kjo vërteton dhe konfirmon që ekonomia shqiptare, konsumatori shqiptar ka lënë mbrapa krizën. Konsumatori dhe sipërmarrja kanë lënë pas krizën e trashëguar të borxheve 726 milionë dollarë të qeverisë së vjetër, ka lënë mbrapa gjithë atë mendësi të vjetër, të një qeverie të vjetër që i mbyti me gjoba dhe me trendin rritës pozitiv, sigurisht që dhe besimi te ekonomia shqiptare vjen dhe forcohet.

Sot marr shkas gjithashtu nga një lajm shumë i mirë për ekonominë shqiptare. Sapo INSTAT ka nxjerrë regjistrin e ndërmarrjeve dhe kam dëshirë të ndaj me qytetarët shqiptarë, një shifër shumë interesante dhe inkurajuese.

Ne Janar-maj të vitit 2016 u regjistruan 9849 biznese të reja, në vetëm 5 muaj. 24 % më shumë sesa një vit më parë. Legjenda urbane e sajuar që po largohen bizneset e huaja, sot rrëzohet nga shifra tejet e rëndësishme e nxjerrë nga INSTAT. Vetëm në Janar-maj janë regjistruar 680 biznese te reja të huaja, ndërkohë që në 2015-ën vetëm 640. Pra, vazhdon rritja e interesit të investitorëve të huaj për ekonominë shqiptare.

Ndërkohë dua të ndaj me qytetarët shqiptarë që vetëm në 5 muaj janë regjistruar pothuajse aq sa u regjistruan në total në vitn 2013. Pra thjesht ky krahasim tregon sesi po ecën ekonomia shqiptare.

Në të njëjtën kohë dua të ndaj me ju dhe shifrat tejet interesante, shpresëdhënëse të konsumit. Banka e Shqipërisë konfirmon që të dy tremujorët e fundit të vitit 2015 kanë rritje pozitive konsumi dhe po Banka e Shqipërisë vlerëson që tremujori i parë i vitit 2016 është me rritje pozitive konsumi. Pra kemi 3 tremujorë rresht të rritjes së konsumit. Legjenda e sajuar e rënies së konsumit rrëzohet me këto shifra dhe me këtë trend. Ja pra ku i keni edhe shifrat e konsumit, të gjitha në rritje në të tre tremujorit e fundit, pra 2 të fundit të vitit 2015 dhe i pari i vitit 2016.

Sigurisht që vazhdojmë me lajmet e mira të ekonomisë. E theksoj që lajmet e mira nuk janë akoma të mjaftueshme, por janë të tilla për të thënë që kemi lënë mbrapa krizën, janë të mjaftueshme për të thënë që kemi hyrë në një trend pozitiv dhe kemi zeruar të gjitha të këqijat e trashëguara nga qeveria e vjetër.

Imagjinoni atë krijesën që del nga errësira me nivelin zero dhe fillon e ngrihet. Kjo është ekonomia shqiptare. Tashmë e ka lënë mbrapa errësirën dhe sigurisht që cikli ekonomik, duke iu referuar të gjitha shifrave duket shumë pozitiv.

U tha së fundmi shumë për tregtinë e jashtme dhe ja ku i kam shifrat e importit të rritura në mënyrë të konsiderueshme. Diku, diku, pa lexuar, u tha që rritja vjen nga TAP, pra nga importi i tubave të Trans Adriatik Pipeline. E kemi zhveshur efektin e TAP dhe rritja rezulton 7%, që është një shenjë shumë pozitive që ekonomia shqiptare ka marrë kthesën një herë e mirë, pavarësisht atij pesimizmi artificial që kërkon të krijojë SHQUPI.

Vazhdojmë me eksportet. Ja ku e keni volumin i verifikuar në tremujor nga INSTAT-i. Rritje në volum të eksporteve 4.35% dhe ja ku e kemi drejtpërsëdrejti 4 mujorin me një rritje me 1.5%.

Vazhdojmë më tej me vlerën e shtuar në ekonomi. Ju kam marrë qytetarëve një faqe nga raporti prestigjioz i Bankës së Shqipërisë, i cili është i verifikueshëm drejtpërsëdrejti nga secili që është i interesuar. Është faqja 47, raporti tremujor i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë ku thotë “konsumi privat vlerësohet të jetë rritur edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2016”. Këtë nuk e them as unë, as ndonjë anëtar kabineti, këtë e thotë raporti i Bankës së Shqipërisë.

Raporti i Bankës së Shqipërisë gjithashtu vlerëson rritjen e të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar në masën, 10.8% që i referohet drejtpërsëdrejti vlerës së shtuar në ekonomi.

Më në fund, pas kaq e kaq kohësh ka filluar kredia të njohë rritje. Kemi një shifër që e quaj shpresëdhënëse, sepse e tillë është, kredia konsumatore, pra kredia për konsum e cila është rritur 12.6%. Është hera e parë, ndër vite, që kjo kredi rritet me 2 shifra.

Ky është besimi i konsumatorit tek e ardhmja e ekonomisë shqiptare. Ekonomia i jep drejtpërsëdrejti ndjesinë, konsumatorit shqiptar për atë që e pret, pra ciklin pozitiv. E në të njëjtin kohë, në total në tremujorin e parë të  2016 kemi një rritje rreth 2.8% të depozitave. Këto janë shifra që flasin përtej diskutimit që ne kemi me njeri tjetrin.

Banka Botërore thotë që papunësia është ulur nga 17.5% në 17.1 % dhe megjithëse sërish është e lartë, është më e ulëta në rajon. Papunësia e të rinjve, – meqë dezinformohet me qëllim nga SHQUPI që të rinjtë shqiptarë po ikin dhe janë të papunët e mëdhenj të rajonit, – e vërteta është se megjithëse e lartë, papunësia e të rinjve sërish është ulur me një numër të konsiderueshëm dhe është më e ulëta në rajon. Këto janë shifra që rrëzojnë të gjithë atë propagandë të qëllimshme për të nxirë atë trend pozitiv që ka marrë ekonomia shqiptare. SHQUP tenton të vijë në pushtet me kujën e zisë dhe për mua është e kuptueshme kjo propagandë.

Ndërkohë të dhënat tregojnë që rritja ekonomike e tre mujorit të parë, e cila besoj do të konfirmohet në javët që vijnë, është me e lartë sesa rritja e tremujorit të fundit të vitit 2015, e cila jep indikacione të drejtpërdrejta që ekonomia shqiptare po shkon drejt një trendi të konsoliduar rritjeje dhe padyshim që i ka të gjitha mundësitë për të kapur rritjen e planifikuar prej 3.4 %.

Dua t’ju kujtoj debatin për të ardhurat. Të ardhurat janë në rritje të konsoliduar dhe jemi duke ecur në drejtimin e duhur në të gjithë kuadrin makro-ekonomik dhe fiskal. Së shpejti do të kemi një paketë jashtëzakonisht shumë pozitive dhe lehtësuese procedurash për sipërmarrjen në mënyrë që të vazhdojmë të bëjmë atë që kemi bërë, të përmirësojmë ekonominë e Shqipërisë dhe patjetër të vazhdojmë të përmirësojmë dhe klimën e biznesit.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.