Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kisha 500 vjeçare “Fjetja e Shën Mërisë” në fshatin Kosinë të Përmetit, e dyta për nga vjetërsia në Ballkan është restauruar tërësisht, duke rilindur vlerat e saj të rralla kulturore dhe arkitektonike.

Që nga viti ’80, ky është projekti i parë restaurues, i cili aplikohet në këtë kishë bizantine, të shekullit të XII.

Deputetja e qarkut dhe ish ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha se  restaurimi i Kishës e bën fshatin Kosinë, një destinacion të rëndësishëm turistik.  “Është një nga kishat më të vjetra të shekullit të XII dhe me një arkitekturë shumë të veçantë. Falë bashkëpunimit shumë të mirë që kemi edhe me kishën Ortodokse, e kemi përfshirë këtë në itinerarin “Rrugët e besimit”. Kemi bërë dhe restaurimin e kishës. Ishte një merak shumë i madh i zonës në fakt sepse ka filluar të frekuentohet edhe si një zonë agroturistike gjithmonë e më shumë. Ka qënë në gjendje të rrënuar. Kemi bërë edhe rikualifikimin rrotull.”

Ndërhyrjet restauruese konsistuan në studimin e qëndrueshmërisë statike të kishës, konsolidimin dhe përforcimin e gjithë strukturës mbajtëse, restaurimin e dyshemesë, çatisë, dritareve, pastrimin e bimësisë, si dhe konsolidimin e murit rrethues.

Drejtorja e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani  shpjegoi se  “Është një nga kishat më të bukura me kryq të brendashkruar. Në investimin e fundit u konsoliduan të gjitha çarjet. Shumë nga muret u injektuan për t’i stabilizuar ato nga pikëpamja strukturore. Ndërkohë që faza tjetër do të vijojë me zbulimin e pikturave murale, pasi është një kishë tek e cila sondazhet kanë  treguar që është e gjitha e mbushur me piktura murale. Ka disa shtresa suvaje të gjitha të pikturuara. Grupi i sektorit të artit ka bërë sondazhe dhe ka zbuluar faza të ndryshme të pikturave brenda Kishës. Edhe në pjesën e hapësirës kanë dalë pikturat murale që janë në gjendje më të mirë.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.