Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në hapjen  sezonit në COD

Mirëmbrëma dhe mirëserdhët!

Ju siguroj se të qenit vizitor, i paobliguar për të marrë fjalën, është një status që jua kam shumë zili të gjithëve. Unë e kam humbur këtë status, shpresoj që ta rifitoj në kohën e duhur.

E vërteta është se kjo hapësirë është krijuar për të qenë në dispozicion të publikut, të njerëzve të artit, të kulturës dhe të librit, për të qenë në dispozicion të njerëzve të debatit dhe të atyre që duan të protestojnë kundër qeverisë.

E kam thënë disa herë, mbase është e vështirë për njerëzit ta besojnë se kjo është e mundur, por duke qenë se herë pas herë përpara kryeministrisë ka njerëz që protestojnë, i ftoj që, nëse dëshirojnë, kur organizojnë një protestë, të rezervojnë këtë hapësirë këtu. Kuptohet, hapësira nuk është për të sjellë të gjithë protestuesit brenda, por një përfaqësi, e cila të shfrytëzojë kohën televizive që mund ta marrë falas nga godina e kryeministrisë dhe nëse dëshiron të rezervojë edhe një ministër apo një përfaqësues të qeverisë, për të shprehur konkretisht arsyet e protestës dhe për të dëgjuar nga ana jonë argumentet tona.

E them këtë me shumë sinqeritet dhe më erdhi mirë, në fakt, që kjo ndodhi spontanisht dhe një vajzë që me pasion jeton kundërshtinë ndaj qeverisë dhe meje mori këtu një çmim, që nuk e mori nga qeveria, kuptohet. Nuk shkojmë deri në hipokrizinë që t’i japim çmime atyre që nuk na duan. Por sigurisht jemi të detyruar të ndajmë me ta hapësirën. Ky është edhe objektivi i këtij projekti, i çeljes së këtij kati që deri përpara dy vitesh e gjysmë ishte i mbyllur, i papërdorur, i mbushur me lagështirë dhe të vetmit frekuentues kishte një çetë minjsh, që hipnin e zbrisnin nga ky kat në bodrum, nga bodrumi në këtë kat dhe ndanin bashkë me qeverinë, godinën e kryeministrisë.

Ajo që sot është një diçka e re është se janë dy artistë që vijnë nga Kosova, me një prezantim të tyre në këtë hapësirë. Një prezantim, sipas meje, – edhe pse unë nuk jam njeriu që përzgjedh se kush prezantohet këtu, ndryshe nga sa thonë disa që nuk e di për çfarë arsyesh nuk besojnë në ato që them unë dhe flas për njerëz në sferën e kulturës e të artit, sidoqoftë kjo pak rëndësi ka, – i dy artistëve shumë të veçantë, me një sensibilitet shumë të veçantë dhe mbi të gjitha me një kurajo shumë të veçantë. Në këndvështrimin tim, të zhvillosh vetveten duke zgjedhur t’i përkasësh këtij vendi dhe duke e jetuar këtë vend si artist, është një kurajo e veçantë.

Pasi patëm këtu ekspozitën shumë të veçantë të Edi Hilës, unë i thosha drejtoreshës së COD se tani do të duhet ta ulësh nivelin, se nuk është në dorën tënde të mund të mbash të njëjtin nivel. Unë nuk e di, nëse është i njëjti nivel, më i lartë apo i ulët në këtë rast, por me siguri, nëse është më i ulët, është shumë pak më i ulët dhe nëse është më i lartë, është shumë pak më i lartë, sepse Edi Hila është standard, siç janë standardet europiane për ne që duam të shkojmë në Bashkimin Europian.

dua t’i bëj një falenderim të veçantë të dyve EDHE për faktin se e kanë kombinuar shfrytëzimin e hapësirës me shfaqen e vizatimeve, të pikturave, me filmin që shfaqet në hapësirën tjetër. Kjo është një arsye më shumë për të qenë vërtetë të privilegjuar në shijimin e  kësaj ekspozitë që çel këtë quajtur sezon të tretë të COD.

Ndërkohë që është ekspozuar edhe maketi i projektit të sheshit të Tiranës, që më në fund do të gjejë edhe ai paqen e vet, por mbi të gjitha do të gjejë paqen e vet, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që nga një kalorës hijerëndë në një shesh u kthye në një njeri me kalë në një lëndinë. Ky projekt, që besoj që Bashkia e Tiranës do të realizojë me cilësinë më të lartë, është edhe, në këndvështrimin tim, një majë e re që ne kapim, në përpjekjen për të çuar përpara programin tonë kombëtar të Rilindjes Urbane.

Ka më shumë se një arsye dhe më shumë se dy shqiptarë nga Kosova si arsye për të ardhur e për të vizituar këtë hapësirë. Ndërkohë dua t’i ftoj edhe një herë të gjithë, që të kuptojnë që janë bashkëpronarë të kësaj hapësire dhe gjithsecili është i mirëpritur të bëjë propozime dhe të kërkojë ta shfrytëzojë hapësirën për një aktivitet apo një tjetër.

Edhe pse ky është një institucion brenda një institucioni që prezumohet se është pjesa më hijerëndë e shtetit,  për definicion, në fakt, COD-i është institucioni më pak burokratik ndër gjithë institucionet në Shqipëri dhe institucioni më i hapur për të mirëpritur e mikpritur këdo, pa përjashtim. Sigurisht, pas aplikimeve apo kërkesave ka edhe një seleksionim që nuk është i lehtë për t’u kapërcyer, sidomos në hapësirën e artit pamor. Ndërkohë që hapësira e diskutimeve është më e lirë, jo se ne mendojmë se fjalët i merr era, përkundrazi. Por sepse ka më tepër mundësi për ta shfrytëzuar atë, bashkë me bibliotekën publike.

Një falenderim të veçantë për dy njerëz që në dukje nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, por në fakt janë mbrapa këtij projekti, ambasadori i Kosovës dhe miku im i shtrenjtë, Shkëlzen Maliqi, që asnjëherë nuk mungon të na mbështesë për të mbajtur lart flamurin e shijes në këtë hapësirë. Në fund të fundit, të gjitha janë të rëndësishme, por më e para gjë që na bën më europianë është shija. Të gjitha të tjerat, e përsëris, janë shumë të rëndësishme, por ajo që është fusha më e vështirë e betejës për të qenë europiane, për të rritur fëmijët si eruopianë dhe për të bashkëjetuar mes europianësh, është shija. Ja pse falënderimi për Shkëlzenin është shumë i ndjerë dhe shumë i merituar.

Shumë faleminderit!

 

* * *

Qendra për Hapje e Dialog në Kryeministri, COD, hapi sezonin e radhës të vitit 2016, të titulluar “Hapësira ku jetojmë, hapësira që ndajmë dhe hapësira që lëmë pas”.

Në hollin protokollar të Kryeministrisë, COD, në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës, prezanton ekspozitën “Qiell, up and down”. Alban Muja dhe Olson Lamaj, dy artistë bashkëkohorë prezantojnë punimet e tyre në instalacione, piktura e vizatime.

Piktori Alban Muja, ekspozon serinë “Windows seat”, (Sedilja pranë dritares) me 25 vizatime dhe 2 piktura të dimensioneve të ndryshme, skicuar gjatë fluturimeve në SHBA. Artisti Olson Lamaj, shprehet nëpërmjet dy instalacioneve, “Sky Color”(Ngjyra e Qiellit) dhe “Blue Meteor” (Meteori Blu), të cilët në nuancat e blusë projektojnë dëshirat, ëndrrat dhe aspiratat njerëzore.

Në sallën digjitale, Olson Lamaj projekton filmin “How stars are born?” (Nga vijnë yjet?) dhe Alban Muja pjesën “Legendary Dog” (Qeni legjendar).

Në sallën “Tako Artistin”, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, COD i hap dyert projektit të ri të sheshit të kryeqytetit. Maketi i qendrës së Tiranës, për të cilën ende po punohet, vihet në dispozicion të qytetarëve. Ata kanë mundësi të njihen me projektin e këtij ekosistemi të ri urban. Njëkohësisht ta komentojnë, të japin përshtypjet e tyre dhe të shkëmbejnë ide, duke lënë gjurmën e vet në përmirësimin e një qyteti që u përket të gjithëve.

Në sallën e minilabit, kuratoret Alketa Misja dhe Dhurata Thanasi Daneri prezantojnë ekspozitën “ARTifact”, me fotografi dhe materiale të ish-Kombinatit të Autotraktorëve, Tiranë, sot i lënë në harresë. Nëpërmjet imazheve dokumentuese, kushdo mund të përjetojë dhe interpretojë sipas këndvështrimit personal, punën gjigante të bërë për gati katër dekada gjatë periudhës totalitare, në një nga veprat më të mëdha industriale të Shqipërisë, që mori energjinë e shumë projektuesve, inxhinierëve dhe punëtorëve.

Në forumin e COD, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen e qeverisë gjermane, merr jetë projekti kinematografik “Dialog për të shkuarën”. Një seri filmash mbi të kaluarën trajton mënyrën se si trashëgimia e së djeshmes jodemokratike ndikon në shoqërinë e sotme. Çdo shfaqje ndiqet nga një sesion diskutimesh të të rinjve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, që ndërveprojnë me regjisorë të njohur, historianë dhe ish-të dënuar të mendimit. Ky program filmi synon të theksojë faktin që dialogu për të shkuarën dhe transparenca e së sotmes janë parakushte të së ardhmes demokratike.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.