Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Elbasan, ku u dorëzuan certifikatat e para të pronësisë mbi tokën bujqësore:
Përshëndetje të gjithëve!
Faleminderit për praninë tuaj. Është një moment shumë i rëndësishëm për familjet tuaja, por një moment shumë i rëndësishëm edhe për ne, në marrëdhëniet me ju në këtë zonë ku po dëshmojmë seriozitet në përmbushen e zotimeve që kemi marrë përpara jush dhe po e meritojmë, besoj unë, investimin që ju keni bërë duke na ngarkuar përgjegjësinë e drejtimit të vendit.
Para se të vinim këtu, ishim me kryetarin e bashkisë në një nga segmentet ku pas 20 e kusur vitesh po rikthehet vaditja dhe ku 1800 familje, deri dje me sytë nga qielli sepse e kishin të pamundur të vinin në shfrytëzim tokën e tyre për të prodhuar dhe për të jetuar me punë të ndershme përmes tokës, duke filluar nga ky sezon do të kenë mundësi që të punojnë tokën. Janë me qindra e me mijëra kilometra kanale vaditëse që futen në funksion për herë të parë, mbas 20 e kusur vitesh, falë paketës më të madhe financiare në mbështetje të familjeve në fshat, që qeveria ka vënë në dispozicion për bashkitë e reja gjatë këtij viti.
Paralelisht me këtë operacion të madh për të rritur sipërfaqen e tokës së bukës, duke çuar ujin që është jetik për tokën e bukës, ne kemi ndërtuar dhe futur në funksion këtë vit, një Fond Garancie për kreditimin e fermerëve përmes bankave të nivelit të dytë, në një bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për të bërë të mundur që kush dëshiron që të investojë më shumë për fermën e vet, apo të bashkohet me të tjerë për të zgjeruar sipërfaqen dhe për të fuqizuar kapacitetin prodhues, të mund të përfitojë nga bankat e nivelit të dytë, kredi me interesa shumë më të favorshme sesa interesat komerciale. Janë 300 milionë euro që në harkun e tre viteve janë në dispozicion të financimit përmes kreditimit të prodhimit.
Ne po ndërtojmë dhe do të hapim në fund të qershorit, 5 zyrat e para të konsulencës për fermerët. Konsulencë për mënyrën si shkruhet një projekt, për mënyrën sesi aplikohet për një financim. Do të jetë qeveria, përmes AZHBR, që do të bëjë ndërmjetësimin me bankat. Por këto dhe të tjera mbeten pa bazë të plotë mbështetëse, në rast se nuk është pronësia mbi tokën.
Ju jeni dëshmitarë të një vërtete të hidhur që prej 20 e kusur vitesh keni një sipërfaqe toke që është sot dhe nuk është nesër e juaja. Një sipërfaqe toke ku ju punoni si mundeni, por nuk keni asnjë të drejtë, një sipërfaqe toke që nuk është në pronën tuaj. Fëmijët e lindur para 20 e kusur vitesh, sot janë gati të bëhen prindër dhe faktikisht, kjo tokë që ju e keni marrë me një akt marrëveshje në ’91-n, nuk mund të trashëgohet. Ka qënë një zotim tjetër i yni që t’i japim fund kësaj historie të rëndë dhe të dhimbshme për familjet që jetojnë me tokën në fshat, të cilët e punojnë, por nuk e zotërojnë atë, duke ju dhënë certifikatën e pronësisë mbi tokën dhe duke ju kthyer nga shfrytëzues të përkohshëm të një sipërfaqeje toke në pronarë të saj.
Por jo vetëm kaq. Ajo çka e ka penguar këtë proces, përveç mungesës së plotë të vullnetit të qeverive të mëparshme, ka qënë edhe një barrë e rëndë me dokumente, por edhe një barrë jo e lehtë financiare. Një burokraci e pafundme që shpeshherë e bllokonte gjithë përpjekjen për të zotëruar certifikatën, prandaj, të gjitha familjet në fshat e kanë braktisur atë proces. Ajo që bëjmë sot, është që edhe për certifikatën e pronësisë mbi tokën, gjithë shërbimi është falas. Nuk jeni më ju që duhet të angazhoni topografë, të bëni matje, të shkoni derë më derë, një letër këtu e një letër atje, të rrini mbrapa dyerve në radhë, me vite të tëra, por është bashkia, e cila nga ju ka nevojë vetëm për dy dokumente; aktin e marrjes në zotërim të përkohshëm të pronës së tokës dhe kërkesën. Një kërkesë dhe atë copën e letrës që ju e keni këtë sipërfaqe toke që nga viti 1991, në bazë të ligjit 7501. E gjithë pjesa tjetër, që nga topografia, tek çuarja në hipotekë dhe hipotekimi e me radhë, e bën për ju, zyra në bashki.
Sot, ne po japim certifikatat e para në këtë zonë, të cilat i hapin rrugë një procesi që kryetari i bashkisë është zotuar ta përmbyllë të tërin, për gjithë fermerët e Elbasanit, brenda një viti. Realizimi brenda një viti i një ëndrre që nuk u realizua për 25 vjet është mjaftueshëm për t’u ndjerë të çliruar nga një barrë e rëndë dhe mbi të gjitha, për të filluar të planifikoni në afatgjatë se çfarë do bëni në këtë tokë; Do ta shisni, do ta trashëgoni, do ta dhuroni, do ta mbani apo do vazhdoni ta punoni vetë, të gjitha këto janë zgjidhjet tuaja si mbi një pronë që është më në fund e juaja.
Ajo që ne bëjmë sot, përveç dhënies së këtyre certifikatave të para për ta çelur këtë proces edhe në Elbasan, falë Reformës Administrative-Territoriale që na e ka bërë të mundur këtë gjë dhe kjo është një tjetër arritje që vjen si rezultat i kësaj reforme, është që përmes këtij takimi të sensibilizojmë të gjithë fermerët e kësaj zone të bëjnë kërkesën e tyre në bashki, të depozitojnë aktin e marrjes në zotërim të përkohshëm të tokës dhe kështu të futen në proces, për t’u bërë pronarë të ligjshëm të një toke ku keni derdhur shumë djersë dhe mbi të cilën keni bërë shumë ëndrra për familjen tuaj, për fëmijët, nipërit e mbesat tuaja.
Wshtë një ogur i mirë edhe për atë që duhet të jetë rruga e qëndrueshme e zhvillimit të bujqësisë, blegtorisë dhe fshatit në tërësi; Pronësia mbi tokën, pronësia mbi shtëpinë, procesi i legalizimeve në Elbasan po ecën me ritme shumë të pëlqyeshme, shërbimi nga bashkia nëpërmjet kanaleve vaditëse, rrugët në ara, të cilat janë duke u ndërtuar njëra pas tjetrës dhe plani është që të përmbyllen të gjitha brenda këtij viti. Sigurisht, edhe mbështetja me konsulencë për të gjitha rastet kur ju doni që të merrni kredi. Qoftë shtëpia e legalizuar, qoftë pronësia mbi tokën ju bëjnë shumë më të fortë ekonomikisht, sepse janë pasuri që mund të përdoren lehtësisht për bankat si kolateral, për të dhënë garanci se kredia që ju merrni për të vënë në shfrytëzim tokën tuaj, për të rritur prodhimin, për të zgjeruar fermën tuaj të vogël, përbëjnë një stad krejtësisht tjetër për ekonominë tuaj familjare, për ekonominë vendore të Elbasanit, por dhe për ekonominë kombëtare.
Kjo që po ndodh në Elbasan, po ndodh në gjithë Shqipërinë. Ne jemi shumë të vendosur që pas reformës me bashkitë e reja ta çojmë përpara këtë proces, duke ju bërë gjithmonë e më shumë mbështetje njerëzve në fshat, që të mund të nxjerrin sa më shumë prodhim, të bëjnë sa më shumë para dhe të fuqizohen ekonomikisht përmes punës së tyre të ndershme.
Shumë faleminderit!
***
Edhe në Elbasan nisi procesi i dhënies së certifikatave të pronësisë mbi tokën bujqësore. Në dy komuna të Elbasanit, në Bradashesh dhe Shirgjan, sot u bënë pronarë të ligjshëm të tokës së tyre disa banorë. Atyre iu dorëzua në dorë, falas, certifikata e pronësisë mbi tokën bujqësore. Procedura për përgatitjen e certifikatës, që nga matjet në terren deri tek hipotekimi, realizohet falas nga njësitë e qeverisjes vendore dhe në përfundim të saj, ajo u dorëzohet përfituesve.
25 vjet më parë, familjeve në fshat iu dha akti i marrjes në përdorim të tokës bujqësore dhe për mbi dy dekada e gjysmë, pronësia mbi tokën që ata punonin mbeti një problem i pazgjidhur. Mosnjohja e pronësisë, siç e dëshmuan vetë ata në këtë takim, ishte një nga pengesat themelore për zhvillimin e tokës së tyre dhe të ekonomisë familjare. Ndaj ky ishte edhe një angazhim themelor i qeverisë për fshatin, që ka hyrë në fazën e zbatimit.
Denada Çekrezi dhe Hysen Gjoni, që ishin edhe të që morën certifikatën e pronësisë, thanë se gjithë këto vite ishin vite mundimi dhe pritjeje për ta. “Shumë faleminderit gjithë stafit të bashkisë, hipotekës dhe qeverisë dhe me pëlqen që qeveria po mbështet pronarët,” – u shpreh Hyseni. Për Spiro Ranxhon, certifikata e pronësisë do të thotë edhe trashëgim i punës dhe i mundit të tyre tek fëmijët. “Do ta gëzojmë brez pas brezi,” – tha ai.
Kryeministri u bëri thirrje të gjithë atyre që zotërojnë aktin e marrjes në përdorim të tokës bujqësore t’i drejtohen njësive vendore për t’i dhënë fund pritje së gjatë. “Ne jemi në dispozicion, bashkitë kanë topografët në dispozicion, zyrat e bashkisë, të hipotekës janë në dispozicion. Mjafton që ju të bëni kërkesën, të dorëzoni dokumentin e aktit fillestar të marrjes së tokës në përdorim dhe gjithë puna tjetër është e jona, është falas dhe e thjeshtë, vetëm me detyrimin për t’ju mbështetur që të fuqizoni ekonominë tuaj dhe të bëheni zotër të pronës tuaj,” – ishte apeli i Kryeministrit.