Pas 25 vitesh, 5800 familje fermere në shtatë fshatra të Durrësit do të kenë ujë në tokat e tyre. Portat e rezervuarit të Tarinit me kapacitet 11.5 milionë m3 ujë, që mbulon me vaditje 4000 hektarë tokë, u hapën për herë të parë pas dy dekada e gjysmë mosfunksionimi si pasojë e degradimit të tij dhe e bllokimit të kanaleve vaditëse. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, ishte sot në rezervuarin e Tarinit. Deri në këtë fazë të investimit është bërë rehabilitimi i portave të rezervuarit dhe i një pjesë të kanaleve vaditës, primare e sekondare, që furnizohen prej tij.
“Ky është rezervuari më i madh në Bashkinë e Durrësit. Me një investim modest, por veçse me përkushtim, ne bëmë të mundur të hapim shtangat e rezervuarit, të cilat ishin bllokuar prej 25 vitesh dhe ky rezervuar nuk ka funksionuar. Vetëm me vullnet arritëm të hapim zhbllokojmë portat dhe t’i japim mundësinë 1500 hektarëve tonë që të vaditet nëpërmjet këtij rezervuari. Njëkohësisht kemi nisur investimin për pastrimin e kanalit kryesor, i cili furnizohet me ujë nga ky rezervuar dhe do të arrijmë të furnizojmë me ujë fermerët e kësaj zone për një sipërfaqe afro 4 mijë hektarë. A për interesa private, a për paaftësi, nuk di ta them, por fakti është që ky rezervuar nuk ka funksionuar. Do të vazhdojmë afro 200 kilometra kanale që ka zona e Bashkisë së Durrësit, për t’u pastruar, sistemuar dhe për të furnizuar me ujë të gjithë fermerët e kësaj zone,” – shpjegoi investimin kryetari i Bashkisë.
Ndërhyrjet që po bëhen në territor, nënvizoi Kryeministri, janë rezultat i reformës territoriale-administrative që fuqizon qeverisjen vendore. “Ky operacion i madh në territor nuk mund të bëhej pa u bërë reforma administrative dhe pa pasur një nivel të dytë të qeverisjes vendore me kapacitete dhe me forcën e duhur për të ndërmarrë këtë operacion, i cili çon ujë pas 20 e kusur vitesh në dhjetëra mijëra hektarë tokë buke dhe i jep mundësinë për t’u vetëpunësuar dhjetëra mijëra familjeve ferme. Vetëm këtu janë 5800 familje që rrinin shikonin qiellin, ose shkonin në Durrës apo Tiranë për të kërkuar një punë çfarëdo, për të mbajtur vetën gjallë. Ndërkohë që tokën e tyre nuk e punon dot, sepse nuk kishin ujë. Kjo do të sjellë një shtysë të jashtëzakonshme përpara për gjithë prodhimin bujqësor dhe patjetër do të ndihmojë shumë edhe eksportet, në një proces të potë riorganizimi, ku me çka po ndodh me investimet direkte për pikat e grumbullimit, për agro-përpunimin që ne po e mbështesim fuqimisht, do të rritet interesi, do të rritet bashkëpunimi dhe energjitë e përbashkëta mes fermerit që është tek ngastra e tij dhe tregut, pasi gjithë ky zinxhir vlere do të mbyllet dhe do të na çojë në një epokë të re për bujqësinë.”