Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e kremtimit të Ditës së Europës, në Shkodër:

Zonja kryetare e bashkisë!

Zonja ambasador e Bashkimit Europian!

Të dashur miq!

Duhet t’ju them që në fillim që nuk është një ushtrim i lehtë të flasësh tani, këtu, pasi më parë ke parë të hapet shtëpia ku ka gjetur prehje thesari i Marubëve. Të vish nga muzeu i Marubëve në festën zyrtare të Bashkimit Europian është pak si të kalosh nga kundrimi i “Motrës Tone” tek të shikuarit e asaj shtatores “lart frymën revolucionare”. Megjithatë duhet ta mbajmë lart frymën revolucionare, në një proces që është gjithmonë e më i paparashikueshëm, por në emër të një ëndrre që është e pazëvendësueshme.

9 Maji i këtij viti na gjen këtu në Shkodër, ndërkohë që 9 Maji i vitit të shkuar, në një muzg të ngjashëm, na gjeti në Butrint. Nuk e di nëse ka një mesazh në organizimin e takimeve në këto dy ekstreme gjeografike, por, nëse ky është një mesazh i koduar, ne jemi të lirë ta interpretojmë sipas qejfit, sepse nuk hyjnë tek 5 prioritetet dhe nuk rrezikojmë të shkelim në dërrasë të kalbur në vrapin drejt integrimit.

Sidoqoftë, në fund të fundit, përballja e ekstremeve, për t’i shoshitur pas kësaj në të mirë mes vedi, e ka bërë Europën arbitrin e komunikimit, mirëkuptimit, ndërveprimit në një kontinent të tërë shumë të larmishëm, por edhe përfshirë në universin kryeneç shqiptar.

Përballja mes Butrintit dhe Shkodrës është ajo mes dy qytetërimesh, morfologjikisht sa të ngjashëm dhe të ndryshëm, të shoshitur njësoj nga vorbulla e historisë dhe e përpjekjeve të brezave për të jetuar duke përparuar drejt lirisë, kulturës, kombësisë, sovranitetit dhe ç’është më e vështira, por edhe më fisnikja, drejt solidaritetit dhe qytetarisë, që janë edhe shtysa fisnike që krijoi Bashkimin Europian.

Solidariteti dhe qytetaria janë sa prirje e bashkësive të vogla brenda Europës, po aq edhe pasqyra e tundimeve të tkurrjes dhe e braktisjes e këtij vokacioni. Sot besoj se kjo kumbon edhe më kthjellët, në një kontekst kur britanikët po tundohen nga një qytetari prej ishulli, nga një izolim splendid që në fakt në histori ka sjellë vetëm andralla. Dua të uroj dhe të shpresoj që në 9 Majin e ardhshëm, kudo ku do të vendoset ta celebrojmë, mos ta kemi humbur ndërkohë, ambasadorin e Britanisë së Madhe.

Shkodra sidoqoftë është një destinacion i pashmangshëm kur mendon për Shqipërinë dhe Europën, për shqiptarët si europianë dhe për çka Shqipëria ka qenë në sytë e europianëve. Shkodra e myslimanëve dhe katolikëve dhe edhe nëse ishte rastësi, do të kishte qenë po kaq mrekulli, nëse do të ishte e organizuar që ndërhyrja e zërit nga xhamia të ndërpriste orkestrën nga Europa, sepse kjo është Shqipëria europiane që Shkodra e mishëron më së miri, duke ju bërë strehë 160 vjet më parë, atij që themeloi familjen Marubi dhe që revolucionin politik të nisur në Itali e shndërroi në tokën shqiptare, në një revolucion ikonik, duke ngjitur njërën pas tjetrën, në mijëra e qindra mijëra shkrepje, copa të një universi shqiptar që sot kemi mundësinë e jashtëzakonshme ta kemi sëbashku, të ngjitur në një fill të tërë arkivor që provon më së miri se ky është një vend që nuk ka patur asnjë dallim me vendet përtej Adriatikut dhe ka qënë pjesë e integruar e mënyrës së të jetuarit dhe të ndërvepruarit me vendet e përtej Adriatikut.

Megjithatë 9 Maji që sot përkujtohet me fanfar dhe me evente që nuk kanë të sharë nga pikëpamja ceremoniale, mund të përkufizohej me fillimet e  Europës së dalë nga lufta me atë çka piktura i mburret fotografisë, telajoja e një fantazie të pafre, drejt një qytetarie të re, e mpiksur në formë dhe në linjë, e dendur në ngjyrë, e dlirë, në të gjitha penelatat dhe pa lidhje me bardhë e zinë konvencionale që nguliste në pavdekësi imazhet e atyre konferencave të pasosura ndërkombëtare, që Europën e guximit e regjimentuar në një seri kodesh dhe normash, pa ilustrime për fëmijët, plot enigma dhe shifra, por pa gjëegjëza dhe moral, mbushur me ushtrime dhe me detyra shtëpie, por pa stimulin që krijon tek fillestarët dhe rishtarët atë zjarrin e shpresës, dëshirën e punës së bërë mirë dhe mbi të gjitha tërheqjen e ëndrrave të mëdha.

Me pak fjalë, por me ato të duhurat, fjalët e Papa Françeskut në dorëzimin e çmimit “Charlemagne” fundjavën e kaluar, nuk mund të  mos na shtyjnë të pyesim veten nëse Europa duke braktisur muret e shtëpisë së përbashkët dhe duke ngritur barriera pas barrierash nuk është duke u larguar pa kthim nga projekti i mençur i etërve themelues. E duke i bërë jehonë këtyre fjalëve dhe duke qënë se jemi pak ditë pas Ditës së Dëshmorëve, – pa sakrificën e të cilëve, 9 Maji do të ishte veç një përkujtimore siç ka shumë syresh, – unë do tu ftoja që ditën e sotme, Shqipërinë e sotme, Europën e nesërme, ta shohim dhe ta mendojmë duke ëndërruar me pakfjalët që një djalosh 18 vjeçar liceist dhe rezistent francez shkroi pak momente  para pushkatimit nga nazistët në Paris: “Sa keq të lësh gjithçka kaq pranë fitores. Ashtu qoftë, veçse ëndrra e njeriut bën çudira! Puthjet e fundit për të gjithë ju.”

Dhe uroj përsëri me fjalët e Papa Françeskut që ne fëmijët e kësaj ëndrre të mos jemi për Europën, utopia e saj e fundit.

Duke e mbyllur, më lejoni të jem dhe unë pak egoist sepse të flasësh për Bashkimin e sotëm Europian është e pamundur të mos ndeshesh me egoizmin, paralelisht me të gjitha ato vlera dhe parime që e themeluan BE dhe që tingëllojnë gjithmonë e më pak në veshët e të llastuarve në Francë, Angli, Hollandë, apo kudoqoftë  tjetër, që e marrin paqen, sigurinë, dhe atë çfarë kanë gjetur gati si të mirëqënë, si diçka që u takon njëherë e përgjithmonë dhe madje që nuk u takon ta ndajnë më të tjerët. Ndërkohë që harrojnë që Europa ka qysh prej themelimit të BE, periudhën më të gjatë të historisë së saj, – pa luftë. E me siguri diçka kjo ka të bëjë me BE-në, në mos gjithçka. Por duke u kthyer tek egoizmi im, unë jam shumë krenar që pas pak ju do të mund të shikoni një vepër të jashtëzakonshme të një emigranti, ashtu sikundër signor Pietro Marubi erdhi 160 vite më parë, si emigrant nga Italia në Shkodër dhe realizoi një ndër veprat më të jashtëzakonshme të historisë botërore të fotografisë, ashtu dhe Adrian Paci iku 26 vjet më parë nga Shkodra për në Itali dhe me siguri në historinë  e këtij qyteti në historinë e këtij vendi do të shënohet pa as më të voglin dyshim krahas Pjetër Marubit, Kel Marubit, Gegë Marubit, Kol Idromenos, Zef Kolombit dhe të gjithë të tjerëve. Unë e kam patur student dhe është e pjesë e një grupi studentesh bashkë me Anri Salën, Ornela Vorpsin të cilëve në atë kohë ju thosha gjithmonë: “Ju do të bëheni të mëdhenj, por nëse nuk do kujtoheni kush ju ka mësuar, do të detyrohem t’ua kujtoj vetë publikisht.”

Shumë faleminderit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.