Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projektit për Stadiumin e Ri Kombëtar të Tiranës:
Jam shumë i kënaqur sot, që jemi këtu për të finalizuar një fazë shumë të rëndësishme dhe për të hapur një fazë të re në realizimin e ëndrrës më të madhe të Dritan Shakohoxhës, Stadiumit të Ri Kombëtar. E kur them Dritan Shakohoxhës kam parasysh, jo Shakon si person, por gjithë sportdashësit gjithë shqiptarët, të cilëve Shako u përcjell emocionet e ekipit kombëtar.
Ekipi Kombëtar sot ofron një imazh të mrekullueshëm të kombit tonë, të vendit tonë dhe një shëmbëlltyrë rrezatuese të unitetit kombëtar dhe të vlerave më të mira të popullit tonë, pa kufi.
Por nga ana tjetër, futbolli sot është shumë më tepër se një sport, jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, por edhe nga pikëpamja sociale dhe kulturore, futbolli është nga industritë më të mëdha të zhvillimit. Është instrument i jashtëzakonshëm, për të përcjellë modele, për të frymëzuar gjenerata, për të hapur perspektiva, duke ndezur imagjinatën e të gjithë të rinjve, dhe duke i nxitur ata që të besojnë se asgjë nuk është e pamundur, përmes heronjve të vet.
Në Bashkimin Europian, sporti, kontribuon me 2% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar të 28 vendeve të unionit dhe gjeneron 370 miliardë euro çdo vit, duke krijuar 7.3 milionë vende pune, por edhe më shumë se kaq.
Është e provuar se sporti dhe investimet në sport nuk janë thjesht dhe vetëm investime për ata që zbresin në fushën e garës apo për ata që ndjekin garën, por janë investime që afrojnë, nxisin dhe bashkojnë njerëzit me aktivitetin sportiv, çka ka nxjerrë në përfundimin se 1 euro e investuar në sport është 3.7 euro e kursyer në shëndetësi. Ne dimë shumë mirë se nga vijmë, nga pikëpamja e organizimit dhe unë dua ta shpreh edhe njëherë sot konsideratën time për çfarë ka bërë Federata Shqiptare e Futbollit në periudhën e 10 viteve të fundit, pasi i kemi të gjithë para syve skenat e paimagjinueshme të stadiumeve, që më shumë sesa stadiume futbolli ishin arena prapambetjeje, barbarie dhe vulgariteti ekstrem. Fusha ku vetëm futboll nuk mund të zhvillohej, stadiume ku vetëm kulturë nuk mund të zhvillohej, dhe padyshim një infrastrukturë në tërësi, që nuk u lejonte talenteve të zbuloheshin përmes pjesëmarrjes masive, pasi s’kishte asnjë mundësi për t’u organizuar seriozisht. Nga ana tjetër nuk ishte vetëm futbolli, por e gjithë infrastruktura sportive.
Besoj fort se, rënia e madhe e imazhit të sportit, rënia e madhe e imazhit të futbollit, rënia e imazheve të gjithë atyre sporteve që kanë tërhequr për dekada të tëra, jo vetëm rininë, por gjithë shoqërinë mbas tyre, solli në një degradim të madh fizik të popullsisë tonë. E fatkeqësisht jemi sot, një popullsi përgjithësisht sedentare dhe shumë më pak dinamike dhe e shëndetshme sesa ajo e fillim viteve ‘90, ndërkohë që duhet të ishte krejt e kundërta.
Qendra Kërkimore Shkencore e Sportit në Shqipëri, ka konstatuar se janë vetëm 4% e popullsisë shqiptare që merret me aktivitet fizik. Në Bashkimin Europian mesatarja e 28 vendeve është 50% e popullsisë merret me aktivitet fizik. Në Finlandë, që është lider botëror në këtë fushë, janë 92 % e popullsisë që merren me një aktivitet fizik. Natyrisht që, investimet në sport nuk i japin frytet menjëherë, dhe u deshën shumë vite që të merrej një fryt, që për hir të së vërtetës, askush prej nesh që jemi këtu në sallë dhe askush besoj ndër shqiptarët që nuk e kishte imagjinuar që Shqipëria të ishte në finalen e një Europiani. Por përtej të qenit ose jo në një finale të një Europiani, ajo që ne na intereson janë rezultatet e qëndrueshme, rritja e qëndrueshme e sportit, në radhë të parë si rritje e qëndrueshme e kapacitetit fizik të të gjithë popullsisë. Kjo është arsyeja pse ne jemi fokusuar me shumë vendosmëri tek kthimi i sportit në shkollë.
Sot kemi një sistem krejt të ri në gjithë arsimin parauniveristar, ku orët e kulturës fizike janë kthyer dhe ku është bërë një punë e madhe, por ende e pamjaftueshme, për të pasur një trup të tërë mësuesish të edukimit fizik.
Ne do vazhdojmë të mbështesim dhe do vazhdojmë të kërkojmë më shumë nga ish Instituti i famshëm i Fizkulturës vendi ku po përgatiten mësuesit e edukimit fizik, në radhë të parë për të rritur sa më shpejt kapacitetin didaktik të mësuesve të edukimit fizik në shkollat tona. Nuk mund të jepet edukimi fizik nga muzikantë apo nga njerëz që nuk kanë bërë kurrë një ushtrim fizik, siç ka ndodhur, për fat të keq, në vendin tonë.
Nga ana tjetër, ne besojmë shumë fort që kombinimi i sportit për të gjithë si një mundësi, por edhe si kulturë përmes didaktikes me të gjitha moshat, me sportin kompetitiv dhe me rezultatet që marrim e presim nga futbolli apo nga disa sporte të tjera, do t’i japim në vitet e ardhshme, në dekadën e ardhshme një impuls të rëndësishëm gjithë shoqërisë tonë nga pikëpamja e gjendjes fizike që kthehet patjetër, – kush është marrë me sport e di shumë mirë,- në një gjendje shumë më aktive shpirtërore dhe mendore. Nuk thoshin kot, grekët e vjetër, sportistët e parë “Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë!”
Padyshim që, këtu një rol të rëndësishëm kanë luajtur investimet. Federata ka kthyer faqen e historisë së zhvillimit të futbollit pikërisht sepse ka ditur të vendosë prioritete. Është fokusuar tek infrastruktura dhe ka krijuar disa kushte bazë për të zgjeruar aktivitetin futbollistik, duke i dhënë mundësi profesionistëve të rrisin nivelin e punës së tyre. Por, sigurisht, këto investime as nuk kanë mjaftuar as nuk mjaftojnë. Nuk mund të ketë zhvillim të sportit dhe as nuk mund të ketë zhvillim të futbollit nëse qeveria nuk bëhet pjesë aktive në procesin e mbështetjes së sportit. Prandaj ne kemi qënë, jemi dhe do të jemi deri në fund mbështetës shumë aktivë të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të federatave të tjera të sportit, në tërësi, të bindur që ky është një investim përtej sportit.
Ka shumë njerëz sot që na dëgjojnë dhe janë shumë entuziastë që Shqipëria sot do të ketë një stadium të standardeve më të larta europiane, një stadium që e kemi vendosur bashkë me Presidentin e Federatës, ku të luajë jo vetëm Kombëtarja, por ku mundësisht të luhet edhe një finale e Super Kupës aspo e Europa Ligës dhe do t’ia dalim edhe kësaj, duke patur këtu një stadium nga më të bukurit në Europë. Nuk e ekzagjeroj, sepse nuk është aspak e vështirë në këtë aspekt nëse ke vizionin e duhur, vendosmërinë e duhur dhe skuadrën e duhur, siç besoj që sot që është një skuadër e duhur, përmes partneritetit mes qeverisë, federatës, arkitektit të madh italian Marco Casamonti dhe një kompanie të shquar shqiptare.
Por ka dhe njerëz të cilët thonë “ç’na duhet ne stadiumi, ne s’kemi bukë”. Në fakt stadiumet sjellin edhe bukë. Investimi në sport, investimi në kulturë, investimi për t’i krijuar shoqërisë hapësira ku të mund të marrë pjesë në një aktivitet fizik dhe shpirtëror, është një investim i drejtpërdrejtë në ekonomi. Nuk ka shkencë në këtë mes. Mjafton të shikojmë impaktin në ekonominë lokale të Elbasanit, të “Elbasan Arena”. Do të shikojmë të njëjtën gjë në ekonominë lokale në Shkodër. Por të jeni të sigurt që stadiumi i ri, “Arena Kombëtare” do të ketë një influencë të rëndësishme në ekonominë e kryeqytetit, sepse nuk do të jetë një stadium që do të punojë vetëm kur ka ndeshje, sepse do të jetë një hapësirë e gjallë që do të funksionojë përditë, një qendër e rëndësishme e jetës së kryeqytetit, siç janë sot stadiumet.
Besoj që, mund të jemi lirisht krenarë për faktin se kur e nisëm së bashku me Presidentin e Federatës bashkëpunimin e nisëm nga një kërcënim shumë serioz që Shqipëria të humbte të drejtën të zhvillonte ndeshjet e kualifikimit për në Europian brenda vendit. Ishim në një afat shumë të ngushtë kohor për ta neutralizuar këtë kërcënim. Përndryshe ndeshjet që na çuan ne Europian do të ishin zhvilluar në vendet fqinje, për turpin më të madh të Shqipërisë, jo federatës apo të ekipit. Ia dolëm që t’i japim Kombëtares një shtëpi të parë dhe filluam të mendojmë për shtëpinë e dytë, e cila po përfundon. Kemi vendosur që ta çelim së bashku me Presidentin në ditën e Europës apo në aktivitetet që do të zhvillohen rreth ditës së Europës. Ndërkohë që, këtu jemi për të parë projektin për shtëpinë e tretë të kombëtares që në fakt do të jetë edhe shtëpia e madhe kryesore e skuadrës sonë kombëtare. Padyshim edhe stadiumet e tjera sipas kalendarëve, sipas aktiviteteve janë në dispozicion edhe për kombëtaret e moshave.
Dua ta mbyll duke thënë se ajo çfarë ka rëndësi të madhe është se as qeveria, as Federata nuk do të shpenzojnë asnjë qindarkë për “Arenën Kombëtare”, sepse ky do të jetë partneritet publik, privat. E di që në këtë fazë barbarie kundër çdo gjëje që bëhet për mirë dhe kundër çdo instrumenti që na krijon sistemi, do të dëgjojmë edhe shumë zëra që na thonë gjëra nga më të ndryshmet, por e rëndësishme është që do të sjellim shumë shpejt në kryeqytet një investim prej 50 milion eurosh të cilin do të bëjë kompania private. Unë jam shumë krenar që bashkë me ekipin e përbashkët të qeverisë dhe Federatës që punoi për këtë zgjidhje, ne shmangëm një zgjidhje që ishte e pamundur. Zgjidhja e mëparshme sipas një formule, ku vërtetë kishte disa propozime dhe disa kompani të huaja që kërkonin të merrnin stadiumin me koncesion, formulë dakordësuar në parim edhe me qeverinë e shkuar, por që kërkonin garanci nga buxheti i shtetit. Pra, funksiononte apo nuk funksiononte stadiumi, hynin njerëz po nuk hynin njerëz, shteti duhet të paguante çdo vit një faturë shumë të kripur dhe të pamundur për ne. Ndërkohë që, me këtë partneritet ne bëmë të mundur që investimin e bën plotësisht kompania private dhe stadiumi është njëkohësisht një pasuri publike. Patjetër që investitori do të nxjerrë dhe ai fitimet e veta siç ndodh sot në të gjithë Europën. Shpresoj sot që arkitekti, i cili sapo ka përfunduar të dytin stadium modern të Italisë, stadiumin e Udines të bëjë një shpjegim shterues, për faktin se sot nuk ndërtohen më stadiume për një ditë, ndërtohen stadiume për 7 ditë dhe 7 netë të javës. Ky do të jetë stadiumi i tretë modern i Italisë, besoj. Kemi folur edhe me mikun tonë të ardhur nga UEFA kur po shfletonin faqet e para të projektit të cilit i thashë a keni stadium modern si ky përveç Juventusit dhe Udinesez? Më tha, jo. Pra, ky është stadiumi i tretë modern i Italisë. Si të tretë në Itali besoj mirë jemi. Pastaj kur të mbarojë besoj, do të konkurrojmë edhe me “Juventus Stadium” për nga bukuria dhe për nga atmosfera që do të krijojmë për kombëtaren.
Shumë faleminderit!
***
Stadiumi i Ri Kombëtar i Tiranës është investimi më i ri për sportin shqiptar, i cili do të sjellë për sportdashësit një infrastrukturë tërësisht europiane. Pas rreth shtatëdhjetë vitesh Tirana do të ketë një monument të ri prestigjioz, që shpreh traditë dhe modernizëm njëkohësisht, duke pasqyruar modelin e teatrit antik romak në imazhin bashkëkohor të një kryeqyteti në ripërtëritje të vazhdueshme.
Stadiumi i ri është menduar dhe projektuar si një ndërtesë shërbimesh me interes kolektiv dedikuar futbollit, por jo vetëm. Falë dhe afërsisë me Universitetin, shndërrohet në një pjesë të qytetit dedikuar formimit, sportit, kulturës, spektaklit, mikpritjes, mbledhjes së qytetarëve në zhvillimin e aktiviteteve që favorizojnë jetën dhe ndërveprimin midis tyre.